Dy ditët e fundit të Nëntëditeshes përmbyllin rrëfimin e ngjarjeve që ndodhën rreth lindjes së Gjon Pagëzuesit. Sot dëgjuam për diskutimin rreth vendosjes së emrit të të porsalindurin: një detyrë që i përket babait. Një detyrë e rëndësishme sepse, sipas traditës biblike, emri fsheh edhe thirrjen dhe misionin që do të ketë fëmija në të ardhmen. Duke i vënë emrin djalit të tij, Zakaria përmbush profecinë e Malakisë, duke na bërë të kuptojmë se ai fëmijë do të shkojë përpara Zotit me shpirtin dhe forcën e Elisë.
Në bazë të këtyre leximeve, të reflektojmë sot për rolin e baballarëve në shoqëri. Papa Françesku shpesh na thote se bota ka nevojë për baballarë. Sot po i dëgjojmë përsëri fjalët e tij. Ai thotë: “Baba nuk lind, por bëhesh. Dhe nuk bëhesh vetëm sepse sjell në jetë një fëmijë, por sepse kujdesesh për të me përgjegjësi… Të jesh baba do të thotë ta futësh fëmijën në përvojën e jetës, të realitetit. Të mos e ndalosh, të mos e burgosësh, të mos e zotërosh, por ta bësh të aftë për zgjedhje, liri, largime… Nuk është thjesht një tregues afektiv, por përmbledhja e një qëndrimi që shpreh të kundërtën e zotërimit… Atësia që heq dorë nga tundimi për të jetuar jetën e fëmijëve gjithmonë hap hapësira të papara. Çdo bir gjithmonë mbart me vete një mister, një të padëgjuar që mund të zbulohet vetëm me ndihmën e një babai që respekton lirinë e tij. Një baba i vetëdijshëm për të përfunduar veprimin e tij edukativ dhe për të jetuar plotësisht atësinë e vet vetëm kur e ka bërë veten “të padobishëm”, kur sheh se biri i tij bëhet autonom dhe ecën vetë në shtigjet e jetës, kur vihet në situatën e Jozefit, i cili gjithmonë e ka ditur se Fëmija nuk ishte i tij, por thjesht i ishte besuar përkujdesjeve të tij” (PC 7). Jezusi Fëmijë bëftë që të gjithë prindërit dhe të gjithë ata që kanë detyra edukative ta jetojnë, si Jozefi, rolin e tyre si shoshitës të vullnesës së Hyjit për fëmijët e tyre.