Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Nëntëditeshja e Krishtlindjes – Homeli 22 dhjetor 2021

Pasi që kemi arritur në ditën e shtatë, jemi të ftuar të bashkohemi në himnin e lavdërimit të Marisë, shprehur në Magnificat-in që dëgjuam në Ungjill dhe që është pjesë përbërëse e liturgjisë së Mbrëmësores së Kishës. Dje e përfundova duke i kërkuar Jezusit Fëmijë hirin e gëzimit, lumninë e atyre që besojnë. Sot Zoti na e jep këtë hir, duke na bërë të kuptojmë më mirë, falë leximeve të kësaj Meshe dhe mësimit të Shën Jozefit, se çfarë është lumnia dhe lumturia e vërtetë.

Lumturia e Anës, siç e dëgjuam në leximin e parë, lind nga marrja e dhuratës së amësisë, që tani po ia kthen Zotit: ai fëmijë që ajo merr si dhuratë nga Hyji duhet të jetë i Hyjit. Dashtë Zoti që çdo nënë dhe baba të mos e mbajë fëmijën për vete, por t’ia kthejë atë Hyjit në logjikën e thirrjes që Ai u drejton të gjithëve për ta ndjekur ose ne familjen ose në mbarështimin e shenjtë apo në jetën e kushtuar!

Papa na mëson: “Lumturia e Jozefit nuk është në logjikën e flijimit të vetvetes, por në atë të dhurimit të vetvetes. Nuk perceptohet fije frustrimi te ky njeri, por vetëm besim. Heshtja e tij e vazhdueshme nuk përfshin ankesa, por gjithmonë gjeste konkrete besimi. Bota ka nevojë për baballarë, ajo nuk i pranon padronët, nuk i pranon ata që duan të përdorin zotërimin e tjetrit për të mbushur boshllëkun e tyre; nuk i pranon ata që ngatërrojnë autoritetin me autoritarizmin, shërbimin me servilizmin, ballafaqimin me shtypjen, dashurinë-bamirësi me asistencializmin, forcën me shkatërrimin. Çdo thirrje e vërtetë lind nga dhurimi i vetvetes, që është pjekuria e flisë. Kjo lloj pjekurie kërkohet edhe në meshtari dhe në jetën e kushtuar. Aty ku një thirrje, martesore, beqarie apo virgjërie, nuk arrin pjekurinë e dhurimit të vetvetes, duke u ndalur vetëm në logjikën e flijimit, atëherë në vend që ta bëjë vetveten një shenjë të bukurisë dhe të gëzimit të dashurisë, rrezikon të shprehë pakënaqësi, trishtim dhe frustrim” (PC 7). Jezusi Foshnjë i liroftë zemrat tona nga egoizmi, që na mbyll në vetvete dhe nuk na hap ndaj dhurimit të vetvetes. Na jep hirin e thirrjeve të reja dhe të shenjta.