Po e mbyllim Nëntëditëshen tonë me himnin e Zakarisë, i cili bazohet te premtimet që Hyji ka bërë në të kaluarën, të cilat po përmbushen në të tashmen, efektet e të cilave do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Falë thirrjes së Gjonit, Zakaria e percepton Mesinë si të pranishëm në mes të popullit të tij dhe parathotë efektet e kësaj gjëje: shpëtimi, mëshira, besëlidhja e re, një jetë pa frikë, e shenjtë dhe e drejtë, përpara Hyjit. E gjithë kjo duhet të shpallet prej Gjonit, duke hershuar ardhjen e Mesisë.
Është e drejtë që edhe ne, në fund të këtyre ditëve të lutjes dhe të sakrificës së mëngjesit, të dimë t’i njohim shenjat që Zoti na ka dërguar gjithmonë, të vetëdijshëm për praninë e tij në jetën tonë. Dhe për ta bërë këtë kemi në dispozicion disa mjete: në nivel personal, kemi meditimin e përditshëm; në nivel kishtar, kemi pjesëmarrjen në jetën e bashkësisë. Në mënyrë të veçantë, në këto dy vjet që inauguruam në tetor, kemi instrumentin e privilegjuar të Sinodit: rast verifikimi dhe shtyse të re për jetën e Kishës.
Ta falënderojmë Zotin për këto mundësi. Ta falënderojmë Shën Jozefin që na shoqëroi këto ditë të Nëntëditëshes, si dhe Papa Françeskun, reflektimet e të cilit kanë qenë vërtet të dobishme për të kuptuar Pajtorin e Kishës universale dhe mësimet e tij.
Tani jemi vërtet gati për të festuar me kremtimin e Krishtlindjes. Kur ta shikojmë Betlehemin, të cilin shpresoj që secili prej nesh e ka përgatitur në shtëpinë e vet, sado i vogel, të ndalemi pak më shumë në figurën e Shën Jozefit. Është e vërtetë që betlehemi është shpikur nga Shën Françesku për të parë me sytë e trupit tonë varfërinë në të cilën ka dashur të lindte Krijuesi i botës, por është e vërtetë edhe ajo që na thotë Papa Françesku: “Shën Jozefi është një atë që ka qenë gjithmonë i dashur nga populli i krishterë, siç tregon edhe fakti se në mbarë botën i janë kushtuar kisha të shumta; që shumë Institute rregulltare, Soqnite dhe grupe kishtare janë frymëzuar nga përshpirtëria e tij dhe mbajnë emrin e tij; dhe se në nder të tij zhvillohen prej shekujsh shfaqje të ndryshme të shenjta… Lutje të veçanta i drejtohen atij çdo të Mërkurë dhe veçanërisht gjatë gjithë muajit Mars, kushtuar tradicionalisht atij… Besimi i popullit te Shën Jozefi përmblidhet në shprehjen ‘Ite ad Ioseph’ (Shko te Jozefi)!” (PC 1).
Edhe ne, pra, të shkojmë te Jozefi dhe na udhëheqtë ai në takimin me Jezusin Fëmijë. Krishtit i qoftë ndera dhe lavdia në shekuj të shekujve. Amen.