Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Nëntëditeshja e Krishtlindjes – Homeli 22 dhjetor 2020

Dita e shtatë e Nëntëditëshes është dita e këngës dhe e ngazëllimit. Siç thonim dje, ky gëzim, kjo paaftësi e shpirtit për të qëndruar në një vend, është pasojë e një zbulimi që e trondit jeten tonë si besimtar.

Hyji është çmendurisht i dashuruar me njerëzimin dhe shkon në kërkim të atyre që ka krijuar, që fatkeqësisht janë larguar prej Tij, dhe që tani dëshiron me çdo kusht t’i shpëtojë. Shën Gjoni ungjilltar na e vërteton këtë gjë kur në letrën e tij të parë shkruan: “Dashuria përmbahet në këtë: Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por – Ai na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona” (1Gjn 4, 10).

Ja, ky është Ungjilli, lajmi i mirë që njerëzimi ka pritur dhe që pret ende sot! Por është e nevojshme që dikush të vazhdojë ta shpallë këtë të vërtetë; dhe kush mund dhe duhet ta bëjë nëse nuk e bëjnë të krishterët? Ky është misioni ynë: kumtimi i zotërisë së Hyjit në botë nëpërmjet Jezusit, Shpëtimtarit të vetëm.

Edhe në këtë fushë të ungjillëzimit apo në apostullimin e zakonshëm që secili i krishterë mund të bëjë, kemi nevojë të ndryshojmë qëndrim: nuk bëhet fjalë që të përçohen koncepte të komplikuara, dogma; nuk është e nevojshme që të bëhet teologji, siç bëhet në shkollë apo në seminar. Ne jemi Ungjilli i gjallë që të gjithë mund ta kuptojnë; ne jemi faqet e bardha të atij libri mbi të cilin Hyjin ende sot shkruan një histori shpëtimi që të gjithë mund ta lexojnë.

Do të jetë përvoja jonë personale me Hyjin dhe me shpëtimin që ai na ka bërë nëpërmjet Zotit Jezus kumtimi më i bukur i Ungjillit për burrat dhe gratë e kohës sonë. Për fat të keq, shpesh ndodh që të krishterët nuk tregojnë se janë besimtarë, sepse nuk janë të gëzueshëm; nëse nuk e kanë në vetvete gëzimin kjo do të thotë se ata nuk e bëjnë përvojën e të qenit të dashur, të qenit të shpëtuar.

Leximet e sotme na vijnë në ndihmë me dy këngë shumë të bukura, që shprehin përvojën e shpëtimit që kanë bërë Ana, nëna e Samuelit, dhe Maria, nëna e Jezusit: “Magnificat”-i i tyre na flet saktësisht për këtë përvojë, nëpërmjet shëmbëlltyrave dhe tregimeve se si Hyji ndërhyn në historinë personale dhe në atë të popullit. Në veçanti, në Magnificat-in e Marisë duket sikur shohim të realizuara lumnitë që një ditë Jezusi do të shpallë.

Vëllezër e motra, Hyji është gjithmonë në veprim dhe na shpëton nëpërmjet Birit të vet. Kujtimi i lindjes së tij në tokë qoftë edhe rasti që ta kujtojmë atë që Ai ka bërë për ne; dhe sa do të bëjë për të na shpëtuar.

T’ia komunikojmë të tjerëve këtë shpresë nëpërmjet gëzimit, me qëllim që kushdo që na takon të na pyesë: “Pse je i gëzuar?”, dhe ne t’i përgjigjemi: “sepse gjëra të mëdha bëri për mua Hyji… dhe do të bëjë akoma më shumë!”.