Dita e gjashtë e Nëntëditëshes përkujtojmë praninë e Zotit dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht në këtë botë, falë misterit të Mishërimit të tij në kraharorin e Marisë Virgjër. Leximet e të dielës IV të Ardhjes na kanë futur në këtë mister të madh, që na zbulon dëshirën e Hyjit për ta shpëtuar njerëzimin, pikërisht falë faktit se Ai merr natyrën tonë njerëzore.
Liturgjia e sotme na bën të marrim pjesë në gëzimin e Virgjërës, bijë të Sionit, në pritje të Zotit të tij, ashtu siç e përcakton Sofonia profet dhe si e përshkruan në pritjen e saj Kënga e këngëve.
Të gjitha leximet e ditës së sotme na përçojnë një paaftësi për të qëndruar në një vend, sepse e madhe është pritja e asaj që është duke u realizuar. Por një lexim i kujdesshëm na bën të kuptojmë më mirë atë që po ndodh: ne besojmë se jemi ne që e kërkojmë Hyjin, se është në dorën e njeriut që ta dojë Hyjin.
Por këtu jemi përballë një përmbysjeje të perspektivës: nuk është njeriu që e do Hyjin, por, përkundrazi, është i Dashuri që kërkon të dashurën, është Hyji që gëzohet për të bijën e Sionit, Shëlbuesi që gjëmon prej dashurisë për ata që duhet të shpëtojë. Prej këtyre leximeve kuptojmë se zotëria e Krishtit nuk është një diktaturë, por një akt dashurie ndaj njerëzimit.
Prej këtu rrjedh që feja jonë, dashuria jonë, jeta jonë si besimtarë nuk janë asgjë tjetër përveçse një përgjigje ndaj këtij bollëku dashurie që e shtyn Hyjin të bëhet njeri, të Amshuarin të hyjë në kohë, Krijuesin të kujdeset për krijesat e veta, duke i ripërtërirë me Mishërimin e vet.
Prej këtu rrjedh shkuarja me ngut e Marisë te kushërira e saj Elizabeta, kërcimi i Gjonit në kraharorin e Elizabetës, ngazëllimi në shpirt i nënës së Pararendësit dhe në fund shpërthimi i gëzuar i Magnificat-it të Marisë për të cilin do të flasim nesër.
Detyra që na pret sot, ditën e gjashtë të Nëntëditëshes, është ajo që të hyjnë brenda vetes sonë për të dalluar shenjat e dashurisë së madhe të Hyjit për secilin prej nesh dhe për të verifikuar nëse jeta jonë si besimtarë është me të vërtetë një përgjigje ndaj dashurisë së Hyjit shfaqur në Zotin Jezus, apo nëse është vetëm fryt i nismës sonë. Dhe, si rrjedhojë, të ndryshojmë perspektivë dhe ta vënë sërish në qendër Hyjin, i cili, në dashurinë e vet të madhe, dëshiron të na bëjë krijesa të reja, objekt të dashurisë së vet.
Në këtë gjë na ndihmoftë Virgjëra Mari dhe ndërmjetësimi i Shenjtes Elizabetë dhe i Shën Gjon Pagëzuesit.