Nëntëditeshja e Krishtlindjes – Homeli 18 dhjetor 2020

Dy fjalë kryesore na udhëheqin në këtë ditë të tretë të Nëntëditëshes:

Ja emri me të cilin do ta quajnë: Zotynë ‑ drejtësia – jonë!” (Jer 23, 6. 8).

Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij” (Mt 1, 21).

Pritja e Mesisë në popullin e lashtë të Besëlidhjes shpesh është kushtëzuar prej ngjarjeve që atij i është dashur të përballojë, sidomos kur kanë ndodhur dëbimet e mëdha, që e kanë privuar prej lirisë së tij.

Liria është një e mirë e çmuar që shpesh e shkëmbejmë me padrejtësinë vetëm për të mos pasur probleme. Kështu i ndodhi Izraelit kur ishte në Egjipt, kur kënaqej/mjaftohej me qepët dhe me atë pak mish me të cilin shuante urinë; dhe kur ishte i mërguar në Babiloni, ku fuqia ekonomike kishte bërë që të lëshonin rrënjë deri në atë pikë sa të mos dëshironin të ktheheshin në atdhe.

Në pjesën e sotme të Ungjillit, Mateu ungjilltar na mëson se liria më e madhe e njerëzimit është liria prej mëkatit; dhe mëkati absolut është ai i zanafillës: të jetojmë pa Hyjin, qe edhe sot perseritet! Jezusi është Zoti, sepse ka fuqinë për të na liruar prej këtij mëkati dhe të bëjë veprën e drejtësisë së kumtuar prej Jeremisë profet: “Ja emri me të cilin do ta quajnë: Zotynë‑drejtësia-jonë!” (Jer 23, 6. 8).

Drejtësia e Hyjit nuk ka aspak lidhje me kuptimin tonë të drejtësisë. Për ne “të bësh drejtësi” (në italisht “far giustizia”) do të thotë “të ekzekutosh” dikënd, të dënosh me vdekje dikënd, ta eliminosh atë. Përkundrazi, drejtësia e Hyjit synon shpëtimin, duke ia kthyer njeriut lirinë e tij.

Të dashur, dëgjoni mirë, vetëm ai që jeton në bashkim me Hyjin është me të vërtetë i lirë: Jezusi na kthen në bashkimin me Atin dhe, për këtë arsye, na kthen lirinë tonë, atë të vërtetën. Jo si liria e supozuar e birit të shëmbëlltyrës së Lukës ungjilltar, i cili gënjen veten e vet duke menduar se liria e vërtetë është të largohet prej babait, por ajo liri që gjen kur, pasi kthehet në shtëpi, zbulon se është i dashur.

Kjo është një copë tjetër që i shtojmë njohjes së Jezusit si Zot. Ai është Zoti, sepse bën drejtësinë e Atit, duke na sjellë në shtëpi dhe duke na bërë që të ndihemi të dashur.

Atëherë Jozefi, pasardhës i Davidit, përcaktohet si “i drejtë” prej Mateut ungjilltar. Drejtësia e tij ka qenë që “të bëjë gjënë e drejtë”: t’i zërë besë Hyjit! Mund të kishte zgjedhur lirinë në kuptimin njerëzor: të lirohej prej asaj gruaje që kishte në bark një fëmijë jo të tijin, të ikte për të mos pasur asnjë lidhje me të; ose të nxiste fejujeren që të abortonte!!!Por përpara misionit që Hyji i beson nuk kthehet prapa dhe zgjedh që ta pranojë dhe ta realizojë atë.

Le të bëjmë edhe ne gjënë e drejtë sot. Le të marrim dy angazhime: i pari: të rimarrim lirinë tonë të vërtetë, atë prej mëkatit, duke i lejuar Jezu Krishtit që të na lirojë prej tij nëpërmjet sakramentit të Rrëfimit; i dyti: fillimisht të reflektojmë se çfarë misioni i beson Zoti secilit prej nesh dhe pastaj ta marrim përsipër dhe ta realizojmë atë, si Shën Jozefi.