Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Nëntëditeshja e Krishtlindjes – Homeli 17 dhjetor 2020

Jakobit i lindi Jozefi, fati i Marisë,

prej së cilës lindi Jezusi që quhet Krisht” (Mt 1, 16).

 

Fjalët e fundit të Ungjillit që sapo dëgjuam na shoqërojnë në reflektimin e kësaj dite të dytë të Nëntëditëshes së Krishtlindjes.

Çfarë do të thotë “Jezusi që quhet Krisht”? Është e rëndësishme për ne që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje për dy arsye: para së gjithash, sepse mësojmë ta njohim më mirë Zotin tonë; dhe pastaj sepse, duke qenë se kemi emrin e tij – të krishterë -, ndihmojmë veten në zhvillimin e identitetit tonë.

Termi “Krisht” fjalë për fjalë do të thotë “I Lyer”. Bëhet fjalë për lyerjen me vaj të kokës së atij që merrte detyrën e priftit, të profetit apo të mbretit; praktikisht, një person i shuguruar, i caktuar për një qëllim, për një mision të veçantë dhe me rëndësi të madhe.

Jezusi është i shuguruari i Atit, ai të cilit Ati i ka besuar misionin që ta shpëtojë botën prej tragjedisë më të madhe: faktin se mund të mos e duam më Atë, Zotin dhe Krijuesin e gjithësisë dhe, madje, se mund ta konsiderojmë si armik.

Duke u nisur prej tregimit të librit të Zanafillës, që kemi dëgjuar në leximin e parë, krejt Besëlidhja e Vjetër është e orientuar drejt ardhjes së Mesisë, të Mbretit dhe të Priftit “deri që të vijë ai …të cilin do ta dëgjojnë popujt” (Zan 49, 10). Dhe Mateu ungjilltar, duke listuar brezat e ndryshëm prej Abrahamit e këtej, arrin te “Jezusi që quhet Krisht”, duke treguar kështu se Ai ishte i shumëprituri prej të gjitha breznive, Shpëtimtari i njerëzimit.

Po si na shpëton Jezusi?

Me siguri jo përmes mrekullive: ato shërbenin në mënyrë ekskluzive për të ushqyer fenë e atyre që i merrnin dhe për ne që i dëgjojmë sot. Pra, Jezusi na shpëton me fe. Të besosh në Të do të thotë të besosh në zbulimin e fytyrës së mirë të Atit; do të thotë të mirëpresësh mësimin e tij mbi dashurinë vëllazërore, që buron pikërisht prej atësisë së Hyjit; do të thotë të pranosh se jemi të larë me gjakun e tij të paçmueshëm dhe jemi bërë krijesa të reja nëpërmjet pagëzimit; do të thotë se duam të jemi pjesë e bashkësisë së të pagëzuarve.

Ky është identiteti ynë. Mbartim emrin si të krishterë, sepse Jezusi, Krishti, Zoti ynë na ka bashkuar me veten e vet dhe ka bërë të mundur që të jemi bij ashtu si Ai është Bir, të jemi priftërinj ashtu si Ai është Prift, të jemi profetë ashtu si Ai është Profet, të jemi mbretër ashtu si Ai është Mbret.

Ky është dinjiteti ynë i mrekullueshëm. Në leximin e dytë të Liturgjisë së Orëve të Krishtlindjes Shën Luani i Madh thotë: “Njihe, o i krishterë, dinjitetin tënd!”. Ne mund të themi se jemi shumë mëkatarë për ta pasur këtë dinjitet, por gjenealogjia e Jezusit që kemi dëgjuar në Ungjill nuk lë vend për dyshim: shumë prej atyre personazheve nuk ishin të shenjtë, e megjithatë Hyji i ka zgjedhur për të ndihmuar në lindjen e Jezusit.

Edhe ne kemi një dinjitet dhe, së bashku me të, edhe një mision: kumtimi që Jezusi është Zoti, Shpëtimtari ynë dhe i mbarë botës. Le ta jetojmë këtë ditë të dytë të Nëntëditëshes duke falënderuar Jezusin që na ka zgjedhur, që na ka bërë nxënës të vet dhe që na ka dërguar në botë për ta kumtuar si Zot.