Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Nëntëditeshja e Krishtlindjes – Homeli 17 dhjetor 2021

Dje reflektuam mbi faktin se Jozefi është përfaqësuesi i vërtetë i Izraelit, si pasardhës i Davidit. Sot, në Ungjill, e dëgjuam emrin e tij në listën e gjatë të gjenealogjisë së Jezusit. Në fakt, Jezusi ligjërisht i përket fisit të Davidit nga vjen edhe Jozefi dhe, sipas logjikës së Mateut ungjilltar kjo do të thotë se Ai është i shumëprituri, Mesia, ai të cilit i përket skeptri mbretëror për të cilin dëgjuam në leximin e parë, marrë nga libri i Zanafillës. 

Nga breznia në brezni, bëhet një dorëzim: ai skeptër arrin në duart e Jezusit, duke kaluar përmes Jozefit. Kështu thotë Papa Françesku: “Si një pasardhës i Davidit (krh. Mt 1,16,20), nga rrënja e të cilit do të duhej të dilte Jezusisipas premtimit bërë Davidit nga profetiNatan (krh. 2 Sam 7), dhe si i fejuari i Marisë së Nazaretit, Shën Jozefi është hallka që bashkon Besëlidhjen e Vjetërme Besëlidhjen e Re” (PC, 1). Është interesant fakti se si përmes breznive njerëzore, ndonjëherë edhe me moral të dyshimtë, kjo trashëgimi arrin në duart e Hyjit-Fëmijë që merr natyrën tonë njerëzore për ta çuar deri në fund këtë shërbim ndaj njerëzimit. Në Jezusin, njerëzimi i rikthen fuqinë Hyjit; dhe Hyji, nga ana e tij, njeh dinjitetin e njerëzimit që krijoi dhe deshi; dhe tani edhe më shumë, sepse, duke parë këtë njerëzim, Ai njeh në të fytyrën e Birit. 

Duhet ta falënderojmë Jozefin që pranoi të bëhej babai njerëzor i Jezusit, duke i transferuar atij shekuj historie që i përkisnin familjes së vet dhe duke sjellë kështu një kohë të re, breza të rinj që për më shumë se dy mijë vjet vazhdojnë në kohë atë gjenealogji të lashtë: të krishterët. Ne jemi pasardhësit e Jezusit, madje, si Kishë, ne jemi trupi mistik i Krishtit, vazhdimësia e tij në kohë dhe në hapësirë. Prandaj, ne kemi përgjegjësi, njëlloj si Jozefi, që t’ia transferojmë brezave të rinj skeptrin e shërbimit për këtë njerëzim, duke u bërë edhe ne, ata që ua çojnë Krishtin atyre, në mënyrë që edhe ata të bëhen “Krisht i gjallë” për botën tonë. 

Jezusi Fëmijë na e dhuroftë këtë vetëdije misionare.