Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Nëntëditeshja e Krishtlindjes – Homeli 18 dhjetor 2021

Dhe kështu kemi arritur në ditën e tretë të Nëntëditëshes sonë, kur më në fund na u tregua Lajmërimi bërë Jozefit në ëndërr. Lidhja me leximin e parë është e qartë: Hyji e mban premtimin e tij, domethënë që të lindë një filiz i drejtë nga Davidi, Krishti, Zoti-Drejtësia jonë, i cili garanton fundin e shpërndarjes së popullit të Izraelit nëpër botë. 

Në fakt, sa herë që Izraeli largohej nga Hyji, fundi i tij ka qenë dëbimi dhe mërgimi. Kështu është edhe për ne: sa herë që largohemi nga Hyji përfundojmë skllevër të asaj që na ka larguar prej Tij. Çdo formë padrejtësie çon në skllavëri dhe mërgim. Jozefi, njeri i drejtë, siç e përkufizoi Mateu në Ungjillin e tij, jeton me drejtësi, duke bërë të mundur që Zoti-Drejtësia jonë të hyjë në botë. 

Papa shkruan: “Vullnesa e Hyjit, historiae tij, projekti i tij gjithashtu kalojnë nëpërmjet angështive të Jozefit. Kështu Jozefi na mëson se të kesh besim te Hyji përfshin edhe të besosh se Ai gjithashtu mund të veprojë përmes  frikave  tona,  brishtësive  tona,  dobësisë  sonë. Dhe kjo na mëson se, në mes të stuhive të jetës, nuk duhet të kemi frikë t’ia lëmë timonin e barkës tonë Hyjit. Ndonjëherë do të donim të kontrollonim gjithçka, por Ai gjithmonë kanjë vështrim më të gjerë. Jozefi është shumë i angështuar nga shtatzënia e pakuptueshme e Marisë…  Në ëndrrën e parë, engjëlli e ndihmon atë që të zgjidhë dilemën e tij të rëndë: ‘Jozef, biri i Davidit, mos ki frikëta marrësh Marinë, të fejuarën tënde… Përgjigja e tij ishte e menjëhershme: ‘Jozefi, si  u  zgjua  nga  gjumi, bëri  siç  i  urdhëroi engjëlli i Zotit’ (Mt 1,24). Me bindje ai e kapërceu dramën e tij dhe e shpëtoi Marinë” (PC 2-3).

Kështu Jozefi është model feje për ne, nëpërmjet të cilës ai përmbush vullnesën e Hyjit, atë që është e drejtë: drejtësinë e vërtetë. Jezusi Fëmijë, të cilit i lutemi në këtë Nëntëditëshe, bëftë që ne dhe sundimtarët tanë të jemi burra e gra të drejtësisë, me shpresën që të reshtë përfundimisht fluksi i vazhdueshëm migrues që po boshatisin shtëpitë tona, rrugët tona, atdheun tonë të dashur.