Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Katekeza e parë për të rinjtë 20 mars 2019

 Katekeza e parë për të rinjtë

20 mars 2019

Shkoder – Salla Kard. Mikel Koliqi

Nga Imzot Angelo Massafra OFM

Arqipeshkvi

Arqidioqeza jonë është duke bërë një ecje të njësuar që buron prej letrës baritore që kam shkruar vitin e kaluar dhe që duhet të na udhëheqë për një trevjeçar.

Çdo takim merr shkas nga ajo letre baritore në mënyrë që të gjithë të mund të ecim së bashku. Tema e këtij viti është “Në emër të Jezusit” sepse ende para se të bëjmë zgjedhje të çfarëdo lloji është e rëndësishme të përqendrohemi në atë që është burimi ynë: Jezusi.

Në këto takime të kreshmëve përgatitemi për ditën e kushtuar ju të rinjve, duke lejuar të udhëhiqemi para së gjithash nga mesazhi i Ditës Botërore që është kremtuar në Panama këtë vit. Prandaj, po marr pjesën qendrore të asaj Dite si shkas për reflektim edhe për ne sot: PO-ja e Marisë, modelit të çdo PO-je tonë drejtuar Hyjit.

Leximi i pjesës ungjillore: Lk 1, 26-38

26 Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, 27 te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.

28 Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:

“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”

29 Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.

30 Por engjëlli i tha:

“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!

31 Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. 32 Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”

34 Atëherë Maria i tha engjëllit:

“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”

35 Engjëlli iu përgjigj:

“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. 36 Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. 37 Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!”

38 Atëherë Maria tha:

“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!”

Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.

Luka ungjilltar dëshiron që bashkësia e tij e krishterë të besojë fort se të gjitha premtimet e Hyjit janë përmbushur në Jezusin. Ja përse bën që vëmendja jonë të përqendrohet në figurën e Marisë që është Ajo falë së cilës pritshmëritë e popullit të vjetër të Besëlidhjes, të paralajmëruara prej të gjithë Profetëve, të realizohen.

Asaj, të parës, i lajmërohet emri i Shpëtimtarit: JEZUS do të thotë pikërisht HYJI SHPËTON. Në këtë kuptim, Maria është për ne model i dëgjimit të një lajmi që, edhe sot, na drejtohet në mënyrë që edhe ne, duke e marrë këtë lajm, të mund të besojmë se Jezusi është shpëtimtari ynë i vetëm. Por çfarë lloj modeli është Maria?

Nuk është “model” në mënyrën e statujës, të atyre statujave të saj që ne i njohim: të bardha, të përsosura, të ftohta, me zemër porcelani, pa gjakun e emocioneve, të zemërimeve dhe të ndjenjave, me trupa pa trup. Maria ishte bijë e Nazaretit të vogël (në lidhje me të cilin Gjn 1,46 sjell pyetjen e Natanaelit: “A mund të dalë gjë e mirë nga Nazareti?”). Në Galile përjashtimi dhe përqeshja ishin të zakonshme, njerëzit e tij shikoheshin me dyshim prej “Hebrenjve ad’hoc” dhe prej atyre që sistemi fetar, politik dhe shoqëror i konsideronte të pastër e të shkolluar. Edhe pse të mënjanuar prej Judenjve, njerëzit e Galilesë ishin njerëz krenarë, këmbëngulës, besnikë, të gëzueshëm, ëndërrimtar për një shoqëri tjetër, mikpritës dhe solidarë. Ata e dinin se herët a vonë profecitë e hershme do të përmbusheshin, ato profeci për një mbretëri mesianike. Galileasit kishin luftuar gjatë shekujve kundër çdo forme sundimi shtypës dhe kultivonin ideale solidariteti sepse i besonin Hyjit të premtimeve; prisnin shpërblimin e Izraelit dhe ardhjen e Mesisë që do të vendoste drejtësinë e vëllazërinë. “Galileja e popujve”, në veri të Izraelit, ruante kujtesën e viteve të gjata të rezistencës krijuese të burrave e grave që i kishin besuar Hyjit që i kishte liruar prej skllavërisë së Egjiptit. Besonin në profecitë e profetëve të hershëm.

Pikërisht në këtë kontekst rritet Maria, duke dëgjuar përçimin e traditave gojore, veçanërisht të asaj përvoje të fortë dhe të paharrueshme të paraardhësve të saj: tregimet e Daljes. Ajo beson në Hyjin Lirues, të Mëshirshëm dhe Besnik, e, edhe ajo pret Mesinë në të cilin pakica besnike shpresonte. Maria është e mbështjellë me një përditshmëri shtëpiake, popullore, që ka shijen e shtëpisë, të bukës, të shërbimit, të miqësive, shkon te pusi për të mbushur ujë, ëndërron të martohet me Jozefin, të formojë një familje, ëndërron një të ardhme më të mirë për popullin e vet, etj.

Engjëlli e përshëndet: “hirplote”, e përkrahur nga Hyji, përkrahja e Hyjit është me ty. Përshëndetje të ngjashme u ishin drejtuar Moisiut (Dal 3,12), Jeremisë (1,8), Gedeonit (Gjq 6,12) dhe personave të tjerë me një mision të rëndësishëm në Planin e Hyjit për njerëzimit. Dhe pastaj vazhdon me përmbajtjen themelore të lajmërimit, që nuk është diçka e huaj për Marinë: është historia e saj, historia e fesë së popullit të saj që shpresonte në Besnikërinë e Hyjit ndaj premtimeve shekullore.

Megjithatë, Maria shikon vetveten dhe e di se ajo është vetëm një vajzë e re, një e fejuar që ende nuk mund të ketë fëmijë sepse nuk bashkëjeton ende me Jozefin. Nga ana njerëzore kjo nuk është e mundur për të, por nuk ndalet aty, pyet engjëllin, kupton se nuk duhet të jetë ajo që e ka zgjidhjen, nisma është e Hyjit: “Si do të mund të ndodhë kjo?”, pra: “Si mund t’ia bëj për ta bërë të mundur premtimin”? 

Engjëlli i flet për Shpirtin Shenjt dhe i sjell si shembull atë që Hyji ka bërë në Elizabetën. Maria beson: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti”; ajo e di se Fjala që Hyji thotë ndodh, është një fakt, një ngjarje, sikurse në Krijimin e botës. E di se rojtari nuk fle, por rri zgjuar, me sy hapur, besnik ndaj popullit të vet.

Është interesante që Maria e përkufizon veten SHËRBËTORE, duke marrë kështu temën e Shërbëtorit, sikurse Isaia, që e paraqet misionin e popullit jo si privilegj, por si shërbim ndaj të tjerëve, ndaj atyre që janë larg dhe atyre që janë afër. Hyji ka nevojë për personin e Marisë e për miratimin e saj, dhe ajo hap jo vetëm kraharorin e vet për ta mirëpritur, por edhe zemrën për ta ruajtur. Maria bëhet hapësirë e Hyjit-me-ne. Ëndrrat e vajzës së re bashkohen përgjithmonë me Ëndrrën e Hyjit, ëndrrat e saj njerëzore fitojnë plotësi dhe një hapje horizontesh të pamenduara më parë, të paimagjinuara, të padëgjuara!!! Fillon aventura e madhe: të bëhet nxënëse.

Prandaj nuk duhet të çuditemi nëse Jezusi do të ketë në vete karakteristikat e SHËRBËTORIT. Tani e dimë se nga kush e ka mësuar artin e kryerjes së “vullnetit të Atit”, deri në atë pikë sa të thotë: “Ushqimi im është të bëj vullnetin e Atit”. Edhe pjesa e Letrës së Shën Palit drejtuar Filipianëve, prej së cilës kemi marrë temën e këtij viti baritor, do të thotë se Jezusi ka marrë “gjendjen e SHËRBËTORIT”. Jezusi është SHËRBËTORI, biri i Marisë SHËRBËTORE.

Ja, pra, kush është Jezusi. Ja kush duhet të jetë edhe i Krishteri. Ndoshta mund të duket e pamundshme para syve tanë, nëse vlerësojmë vetëm dobësitë tona, por sapo dëgjuam se “S’ka gjë të pamundshme për Hyjin”. Në emër të tij, në emër të Jezusit, mund të fitojmë.

Por le të dëgjojmë çfarë ka thënë Papa në Panama: “Gjithmonë lë mbresë forca e “po”-së së Marisë, së resë. Forca e asaj “Më ndodhtë” që i ka thënë engjëllit. Ka qenë një gjë e ndryshme nga një pranim pasiv apo i dorëzuar. Ka qenë diçka e ndryshme nga një “po” si të thuash: “Mirë, po provojmë të shohim çfarë ndodh”. Maria nuk e njihte këtë shprehje: të shohim çfarë ndodh. Ishte e vendosur, e ka kuptuar se për çfarë bëhej fjalë dhe ka thënë “po”, pa e zgjatur muhabetin. Ka qenë diçka më shumë, diçka ndryshe. Ka qenë “po”-ja e atij që dëshiron të përfshihet e të rrezikojë, e atij që dëshiron të vërë bast gjithçka, pa garanci tjetër përveç sigurisë se është bartës i një premtimi. Dhe po pyes secilin prej jush: a ndiheni bartës të një premtimi? Çfarë premtimi bart në zemër, që duhet ta çoj përpara? Maria, pa dyshim, do të kishte një mision të vështirë, por vështirësitë nuk ishin një arsye për të thënë “jo”. Sigurisht që do të kishte ndërlikime, por nuk do të ishin të njëjtat ndërlikime që ndodhin kur frika na paralizon prej faktit se nuk kemi gjithçka të qartë ose të siguruar që më përpara. Maria nuk ka blerë një siguracion për jetën! Maria ka hyrë në lojë, dhe për këtë arsye është e fortë”.

Për reflektimin tonë le të marrim dy pyetjet e Papës: 

  • A ndiheni bartës të një premtimi? 
  • Çfarë premtimi bart në zemër, që duhet ta çoj përpara?