Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Homelia – 23 mars 2019


                                                            Homelia – 23 mars 2019

                                                (ditelindja e Imzot Angelo Massafra OFM- Arqipeshkev)

Pershendetje:

  • Imzot Mons. Nunci Apostolik dhe Mons. Romanus, Keshilltar
  • Imzot Zef Gashi, (Imzot dode Gjergj)
  • Imzot Simon Kulli, Imzot Gjergj Meta,
  • Don Arjan Dodaj (Vikar gjenral I Tirane-Durres
  • Ate Antonio Leuci (Vikar General i Lezhes)
  • Gjithe meshtaret te pranishem, Rregulltarët dhe Rregulltaret,
  • Te gjithe ju qe jeni ne katedrale dhe ju qe na ndiqni me mediat dhe Radio Maria,

Vëllezër e motra,

 bekuar Zoti që, në mirësinë dhe në mëshirën e të cilit kemi kënduar dhe kemi shpallur në këtë liturgji të Fjalës, më ka bërë të kremtoj këtë 70-vjetor të lindjes sime.

Falënderoj të gjithë ju, që nëpërmjet Vikarit general më keni përshëndetur dhe më keni uruar në fillim të kësaj Meshe të shenjtë dhe që, tani, do të vazhdoni të jetoni së bashku me mua Eukaristinë, domethënë falënderimin më të lartë që njeriu mund t’i drejtojë Zotit. Falënderoj edhe prindërit e mi, nga qielli do te gezojne per kete kremtim, te cilët kanë bashkëpunuar me Hyjin për të më dhuruar jetën; familiaret e mi, të gjithë mësuesit që më kanë mësuar me shembull e fjalë te jetoj si frat, meshtar dhe ipeshkev, si edhe çdo njeri që kam takuar në jetën time. Faleminderit edhe juve te gjitheve.

Nuk do të lodhemi duke e përsëritur, para të gjithash vetes sonë: nuk ka kuptim të kremtojmë, nëse nuk e lidhim atë me jetën tonë konkrete. Ne të krishterët e Shqipërisë, faleminderit Zotit, në këto 5 vitet e fundit kemi pasur hirin që të kremtojmë shumë përkujtime, që na kanë kujtuar bukurinë e të qenit besimtarë në këtë tokë: 25 përvjetorin e Meshës së parë në varrezat e Rrmajit pas rënies së diktaturës, lumnimin e Martirëve tanë, përkujtimin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, dhe këtë vit 70-vjetorin e vdekjes së kreut të aradhës së Martirëve tanë, Imzot Vinçenc Prennushin.

Ai vdiq 4 ditë para se të lindja unë dhe kjo gjë më ka lënë një gjurmë të thellë në ndërgjegje për të qenë ipeshkëv i kësaj Kishe të bekuar prej Zotit dhe prej gjakut të Martirëve të saj.

Nëse kremtim do të thotë vetëm t’i thurim lavde vetes, atëherë do të kishim dështuar me kohë në qëllimin tonë. Nëse kremtimi ynë ka lidhje me jetën, atëherë ia vlen ta bëjmë, sepse na edukon, na bën më të vëmendshëm ndaj identitetit tonë, na drejton në të ardhmen duke na dhënë elementet dhe forcën e nevojshme për ta jetuar jetën e përditshme si të krishterë.

Tekstet liturgjike të kësaj dite më ngushëllojnë shumë, sepse më ndihmojnë ta kremtoj mirë këtë ngjarje. Sidomos koleta, e cila thotë kështu:”o Hyj, ti, me anën e këtyre Sakramenteve, na bën pjesëtarë të të mirave qiellore: na drejto, në këtë jetë që të arrijmë dritën ku ti banon”

Jeta: një dhuratë e paçmueshme që kemi marrë prej Hyjit, që na bën “të ekzistojmë”, jo në të njëjtën mënyrë me krijesat e tjera, për sa të bukura që janë, por në mënyrën e Hyjit, sepse jemi krijuar në shëmbëlltyrë dhe në përngjasim me Të. Të mos reshtim kurrë së mrekulluari përpara bukurisë së jetës, edhe nëse kemi shumë shembuj që klithin kundër jetës: vetëvrasje, vrasje, përdorim droge, keqtrajtime, mujshi, etj. Por jeta vazhdon të lulëzojë gjithmonë e ngjashme me atë barin që del ndonjëherë në mes të çimentos.

“Ditët e tija janë porsi bari” (Ps 102,15), thotë Psalmi që kemi shpallur sot, në një rresht që nuk e kemi lexuar; një brishtësi që, në vend që ta zvogëlojë rëndësinë e jetës sonë, shpall krejt rëndësinë e saj: gjërat më të brishta janë edhe më të çmuarat! Shën Pali na kujton që “ne e mbartim këtë visar në enë argjile” (2 Kor 4,7), që mund të dëmtohet lehtë dhe, pikërisht për këtë, ka nevojë për kujdes e vëmendje nga ana jonë.

Dhe përsëri Psalmi 102 na kujton se Zoti na e ka dhuruar jetën dhe na ka shpëtuar prej vdekjes, me një shikim plot besim ndaj një të ardhmeje lavdie që është destinuar për ne, pikërisht falë faktit që jemi krijuar prej Hyjit në shëmbëlltyrë e në përngjasim me Të. Pra, jeta jonë është një ecje, një rrugëtim që na çon drejt një caku të rëndësishëm, atë të bashkësisë me Hyjin, prej të cilit vijmë dhe drejt të cilit shkojmë.

Ja pse është e nevojshme që ta kemi shikimin gjithmonë të drejtuar kah Zoti, pasiAi është caku i udhëtimit tonë, siç na e kujton edhe Letra drejtuar Hebrenjve: “Edhe ne, (…) ta flakim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pengon dhe të vrapojmë me qëndresë në luftim që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin, i cili, në vend të gëzimit që i takonte, dhuroi kryqin duke e përbuzur turpin dhe ndjenj në të djathtën e fronit të Hyjit” (Heb 12,1-2).

Me shikimin e ngulur te Jezusi mund të largohemi prej asaj që na peshon dhe prej mëkatit për të vlerësuar siç duhet të mirën më të madhe që është Ai dhe me të cilin është e drejtë të mbushemi. Nëse ne e konsiderojmë ecjen tonë vetëm si një përpjekje personale pastrimi dhe përsosmërie nuk i lëmë hapësirë Hyjit që, në fakt është Shpëtimtari ynë i vetëm. Ndonjëherë interpretojmë keq besimin dhe e marrim si një përpjekje vetëm njerëzore shpëtimi. Nuk është kështu, shumë të dashur. Në këtë ecje ne jemi vetëm bashkëpunëtorë të Hyjit, pasi vetëm Ai shpëton.

E kemi dëgjuar në leximin e parë dhe e kemi përsëritur edhe në Psalm: vetëm Hyji na liron prej mëkatit. Sa i bukur është pohimi i Mikesë: “Do t’i flakë në fund të detit të gjitha mëkatet tona” (Mik 7,19). Për të mos folur për pjesën e famshme të Lukës që, me siguri, të gjithë e duam dhe nuk reshtim kurrë së lexuari, sepse jo vetëm na zbulon shëmtimën tonë si bij që largohen prej Atit për t’u kthyer pastaj përsëri te Ai, apo si bij që janë larg Atit edhe pse qëndrojnë në shtëpi me Të, por sidomos sepse na zbulon fytyrën e mëshirshme të Hyjit, që është Baba e Nënë, i cili ka përzemër të mirën e bijve të vet.

Ndërsa e falënderoj Hyjin për këto 70 vjet të jetës sime, nuk mund të mos i kërkoj edhe falje për dobësitë e mia edhe pse e di se Ai ka flakur në fund të detit të gjitha mëkatet e mia.

Vellezer dhe motra, jeta e nje frat eshte ndryshe nga ajo e Ipeshkvit. Ipeshkvi duhet t’i bëjë llogaritë çdo ditë me vështirësitë e mbarështimit baritor. Pak si Shën Gregori i Madh, i cili pohonte vështirësinë e shpirtit të tij i cili “nuk mund të përqendrohet me këmbëngulje në vetvete, sepse është shpërndarë sa andej-këndej”; dhe, ndërsa kërkonte falje, e mbyllte duke thënë: “Por krijuesi dhe shëlbuesi i gjinisë njerëzore ka aftësinë që të më dhurojë lartësimin e pamerituar të jetës dhe efektshmërinë e gjuhës, sepse, për dashuri të Tij, nuk resht së foluri për Të” (Omelie, Lib. 1, 11, 4-6).

Edhe unë, si Gregori i Madh, kërkoj falje dhe në të njëjtën kohë dëshmoj gjithëpushtetshmërinë e mrekullueshme të Hyjit, që të më dhurojë lartësimin e jetës dhe efektshmërinë e gjuhës, me qëllim që unë të vazhdoj të flas për Të.

Një mendim të fundit ia drejtoj Kishës për të cilën kam shpenzuar pjesën më të madhe të mbarështimit tim ipeshkvnor. Edhe ju jeni duke kremtuar sot së bashku me mua. Dhe, nëse është e vërtetë ajo që po thonim në fillim në lidhje me kremtimin, atëherë do të thotë edhe që festa e Ipeshkvit është edhe festa e besimtarëve që i janë besuar atij, të cilët falënderojnë Hyjin dhe marrin prej këtij premtimi orientime jete. Për këtë arsye ju kërkoj një dhuratë për ditëlindjen time pak të veçantë. Janë keto:

1- dëshiroj një Kishë sipas zemrës së Krishtit, ashtu si ju dëshironi një bari sipas zemrës së Krishtit. Besimtarët janë si bariu i tyre dhe barinjtë janë si besimtarët e tyre. Të gjithë ecin përkrah njëri-tjetrit në rrugën e përsosmërisë, që na çon në Qiell! Lutuni për mua dhe për të gjithë barinjtë, çdo ditë; jo vetëm në kujtimin e ritit të Meshës, por edhe në lutjen tuaj personale.

2- Dëshiroj një Kishë të shenjtë; jo me persona të përsosur për meritë të tyre, por me persona të bërë të shenjtë prej Hyjit, që të pajtuar me Hyjin dhe me njëri-tjetrin, ta duan njëri-tjetrin dhe të shohin të mirën te i afërmi i tyre.

3- Dëshiroj një Kishë marrëdhëniesh, ku bashkëndahet pasioni dhe përkujdesja baritore për ta çuar njerëzimin te Hyji. Një Kishë “ministeriale” ku anëtarët e saj dinë të bashkëpunojnë mes tyre, duke reshtur së qeni shkëmbinj monolitë që ecin për hesap të tyre si solistë, por të krijojnë harmoni korale mes tyre. Kjo do të thotë përfshirje e laikëve në veprimin baritor të famullive dhe te dioqezes. Të gjithë: te shuguruarit dhe besimtarë shekullarë në shërbim, në mision për Ungjillin dhe solidarë me të tjerët.

Besoj se nuk po ju kërkoj shumë, po ju kërkoj vetëm një përpjekje të vogël për një ndryshim të nevojshëm mendësie, me qëllim që Kisha në Shkodër-Pult të paraqitet më e bukur se kurrë përpara Hyjit, Atit të mirë dhe të mëshirshëm, që e ka mbushur atë me të mira dhe me perlat më të çmueshme, që janë Martirët e saj të Lumë. Ndërmjetësimit të tyre, dhe në mënyrë të veçantë ndërmjetësimit të të Lumit Imzot Vinçenc Prennushi, ia besoj veten time, Kishën tonë dhe Kombin tonë. Në fund them me psalmistin:

“Bekoje, shpirti im Zotin, dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.

Bekoje, shpirti im Zotin, e mos i harro bamirësitë e tija” (Ps 102,1). Amen