Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Në përvjetorin e Kushtimit të Katedrales më 12.01.2019

Homelia

Angelo Massafra OFM

Në përvjetorin e Kushtimit të Katedrales më 12.01.2019

Kremtimi i Kushtimit të Kishës Katedrale është rasti i përshtatshëm për të përtërirë përkatësinë tonë në Krishtin Mësues e Zot. E kemi dëgjuar prej leximit të dytë që sapo u shpall: tempulli i Hyjit jemi të gjithë ne, populli që Ai e ka zgjedhur, e ka thirrur dhe e ka shëlbuar. Ne jemi vazhdimi i Krishtit në kohë dhe në hapësirë, prandaj thuhet se Kisha është Trupi Mistik i Krishtit… Trup, pikërisht. Por Ai është Kreu dhe ne gjymtyrët e gjalla.

Ai është Mësuesi, Fjala e gjallë e Atit, që flet dhe së cilës duhet t’i bindemi, ashtu sikurse pjesët e ndryshme të trupit njerëzor i binden kokës; ngjarjet e treguara prej librit të Nehemisë janë një paraqitje simbolike e asaj pranie të gjallë e reale të Fjalës së Hyjit që është bërë njeri dhe e ka vënë banesën e vet mes nesh, siç kemi kënduar për Krishtlindje. Ai është Zoti prej të cilit vjen shëlbimi dhe shenjtërimi që ne marrim kur marrim pjesë në Sakramente. Ai është i njohuri si Mesi nga Pjetri, i pari mes apostujve të tjerë, të cilit i jep pushtetin të lidhë e të zgjidhë, në pasardhësinë apostolike, deri në fund të kohëve.

Ja, vëllezër e motra, ky është realiteti mistik në të cilin besojmë dhe që paraqitet në mënyrë simbolike në Kishën Katedrale. Në të vërtetë, «Mes tempujve të dioqezës, vendi më i rëndësishëm i takon Kishës Katedrale, që është shenjë e njësisë së Kishës së veçantë, vend ku realizohet momenti më i lartë i jetës së dioqezës dhe kryhet edhe akti më i ndritshëm dhe i shenjtë i “munus sanctificandi” të Ipeshkvit, që sjell së bashku, sikurse vetë liturgjia që ai udhëheq, shenjtërimin e personave dhe kultin e lavdinë ndaj Hyjit. Katedralja është edhe shenja e magjisterit dhe e pushtetit të Bariut të dioqezës». (Apostolorum successores, 156).

Falë dy termave “kishë” dhe “katedër”, ajo është vendi i veçantë i kultit, ku bashkësia kishtare dhe civile jo vetëm zbulon prejardhjen e vet të përkatësisë territoriale, por edhe jeton disa momente domethënëse përreth ipeshkvit të vet. Pra, një vend i veçantë, i bashkimit, ku ipeshkvi mbledh popullin e Hyjit dhe e ndihmon të kuptoj dhe i mëson në lidhje me vlerën e njësisë kishtare.

Këtu realizohet ajo dukshmëri dëshmie që e bën konkret bashkimin e presbiterëve me ipeshkvin e vet dhe të presbiterëve me pjesën e popullit që u është besuar atyre. Kur ipeshkvi e mbledh popullin e Hyjit së bashku me presbiterët e vet, plotëson pikërisht në kishën katedrale shenjën e njësimit që Jezusi aq shumë e ka dëshiruar për bashkësinë e parë apostolike.

Kisha Katedrale pra është një vend shpirtëror ku ky njësim bëhet i mundshëm dhe përhapet në famullitë e përhapura në territor. Në të vërtetë, famullitë nuk janë gjë tjetër veçse një zgjatje e këtij vendi të bashkimit që është kisha katedrale. Në të çdo mjedis i kultit gjen arsyen e ekzistencës së vet në territor, si shprehje e privilegjuar e bashkimit kishtar rojtar, shoqërues dhe mësues i të cilit është ipeshkvi. Sot në mëngjes në çdo famulli dhe kishë të Dioqezës është kremtuar festa e kushtimit të kishës katedrale. Kjo për të treguar, edhe në lutje dhe në kult, atë që sapo thamë.

Vëllezër e motra, si Dioqezë jemi duke bërë një ecje të njësuar, të ndihmuar prej temës “Në emër të Jezusit”, një ecje 3-vjeçare që duhet të favorizojë një përtëritje shpirtërore e praktike të jetës së Dioqezës. Dhe për ta bërë këtë nuk jemi nisur nga arsye njerëzore, por nga emri i Jezusit, në fuqinë e të cilit shpresojmë që të mund të arrijmë në atë përtëritje që aq shumë e dëshirojmë.

Pra, duke kremtuar këtë solemnitet, le ta ripërvetësojmë identitetin tonë, atë që ndërtohet përreth Krishtit dhe paraqitet në mënyrë simbolike nga kjo Kishë katedrale. Të mos u lejojmë logjikave të botës që të na shpërqendrojmë prej këtij qëllimi që i kemi vënë vetes. Të dëbojmë prej arsyetimeve tona gjithçka që na largon prej Krishtit dhe prej mesazhit të tij, atij të Lumturive, sidomos Lumturia e pajtuesve dhe, sikurse na ka nxitur papa Françesku, të bëhemi çdo ditë e më shumë “artizanë të paqes”, duke nisur prej gjërave të vogla, prej marrëdhënieve ndërpersonale, prej bashkimit të qëllimeve; dhe Hyji i paqes do të jetë me ne.

Në emër të tij mund ta mposhtim shpirtin e botës dhe, si tempull i gjallë i Hyjit, ta bëjmë të pranishëm Shpirtin Shenjt të tij në këtë botë që kaq shumë ka nevojë për Të.

Ky është urimi që ju drejtoj të gjithëve në këtë kremtim. Amen.