Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Përkushtimi i kishës së “Shën Kjarës së asizit”

SHKODËR. E enjte, më 21 prill 2016. Një ngjarje kishtare gëzon popullin e Hyjit: Përkushtimi i kishës së manastirit kushtuar “Shën Kjarës së Asizit”. Por çfarë do të thotë? Si lind ky vend në qendër të qytetit ? Dhe, çfarë do të thotë: kishë e manastirit?

Shumë meshtarë, misionarë, rregulltarë e rregulltare të dioqezave shqiptare dhe prej disa vendeve italiane u mblodhën rreth Ipeshkvit Metropolitan të Shkodër-Pultit, Imzot Angelo Massafra-s, Nuncit Apostolik Ramiro Moliner Inglès, Ipeshkvit të Lezhës Imzot Ottavio Vitale, Atit Aurel Gjerkaj, Atit Lovro Gavran dhe bashkësisë së Motrave të Varfra të Shën Kjarës për të kremtuar me gëzim Përkushtimin e kishës së manastirit. Mes tyre ishin edhe Fretërit Minorë të Provincës Françeskane të Lecce-s dhe meshtarët e Dioqezës së Otranto-s, të cilët sollën në procesion reliket e Martirëve të Shenjtë të Otranto-s, me qëllim që të vendosen brenda altarit të ri.

Për ta kremtuar festën me Motrat Klarise e Manastirit të Shkodrës ishin bashkuar edhe Abatesha e Manastirit prej të cilit ka zënë fill bashkësia e Klariseve, Nënë Diana Papa, Presidentja e Federatës së Puglia-s (Itali), Nënë Ludovica Loconte, dhe motra të tjera prej manastireve të Federatës.

            Përkushtimi i një kishe është një ngjarje unike. Para së gjithash është një vepër e Shpirtit Shenjt. Populli i Hyjit i mbledhur në vendin e përgatitur për kultin e Hyjit dhe për dëgjimin e Fjalës së Tij, merr pjesë me fe në ritin e Përkushtimit, udhëhequr prej Bariut të vet, Ipeshkvit, dhe në bashkim me Kishën qiellore të thirrur për të ndërmjetësuar pranë Zotit me këngën e Litanive të Shenjtërve. Pas Litanive dhe vendosjes së relikeve të Shenjtërve në altarin e ri, Ipeshkvi shpall Lutjen e Përkushtimit, me të cilën i bëj thirrje Shpirtit, shprehet qëllimi për t’ia kushtuar përjetë altarin Hyjit dhe kërkohet bekimi i Tij.

            Kur një vend i kushtohet Hyjit, do të thotë, thjeshtësisht dhe jashtëzakonisht, që ai vend bëhet shtëpia e Hyjit dhe e takimit me Të e me vëllezërit nëpërmjet lutjes dhe sakramenteve.

            Një kishë manastiri ka veçantinë që lind si vend kulti, pikërisht për shkak të pranisë së një bashkësie të murgeshave, siç është kjo e Klariseve, që jeton në mënyrë të qëndrueshme në manastir dhe i dedikohet dialogut me Hyjin duke u bërë urë lidhëse, ndërmjetësie mes Atij dhe vëllezërve.

Prandaj, kisha e manastirit nuk është vetëm një kishë më shumë, por ajo bën të dukshëm misionin e veçantë të bashkësisë që me qëndrueshmëri është e pranishme në atë vend, në atë qytet.

            Dritat që kanë ndriçuar dalëgadalë, gjatë liturgjisë së kremtimit të Përkushtimit, kishën e Motrave të Varfra, janë drita-simbol e Dritës së Krishtit të Ngjallur mbi këtë tokë e mbi historinë e popullit shqiptar, e cila, pikërisht në këtë vend ka shënuar, në të kaluarën, radhë të paharrueshme dhimbjeje e vuajtjeje.

            Bashkësia e manastirit është sot si një vulë e vendosur prej Hyjit për t’i shprehur dashurinë e Tij një populli që Ai nuk e ka braktisur kurrë. Përkushtimi i kishës është si akti zyrtar i fundit që e fut bashkësinë e Motrave të Varfra në shoqërinë kishtare e civile. Vetë Zoti ka caktuar kohët për të filluar e për të mbaruar punët e ndërtimit dhe nuk është rastësi që Përkushtimi ka rënë në Vitin Jubilar të Mëshirës… është një shenjë tjetër e pranisë së Hyjit që vendoset në mesin tonë, në qytetin e njerëzve për të na pajtuar me Veten nëpërmjet faljes. Prej këtij tempulli të Hyjit në qendër të qytetit, prej Kishës së Shën Kjarës në Shkodër, do të vazhdojë të lartësohet një himn lavdi, një lutje ndërmjetësimi dhe falënderimi.

            Lutja e pandërprerë rrjedh e fshehur në venat e qytetit, duke përshkuar rrugët e tija të banuara me historinë e shumë motrave dhe vëllezërveMisioni i lutjes nuk duket, sepse është “i nënshtruar”, d.m.th. është vënë-vendosur poshtë, në bazë, për të mbështetur peshën që njeriu mbart. Vetëm lutja që “i nënshtrohet” me dashuri vullnetit dashuror të Hyjit Atë, i lejon të Gjithëpushtetshmit që të bëjë vepra të mëdha në jetën e njerëzve. Lutja “e nënshtruar” bën që të kuptojmë se Hyji e ka fjalën e parë dhe të fundit mbi historinë. Fjala e Tij e parë ka krijuar njeriun duke i dhuruar dritë, Fjala e Tij e fundit ka ngjallur njeriun duke e rikrijuar për dritën e amshuar.

Shkruan JORGE MARIO BERGOGLIO para se të jetë Papë pikërisht për misionin e manastirit në qytet:

“… një himn i vogël feje, një lloj psalmi në të cilin qyteti shkëlqen si vend takimi.

“Feja na mëson se Hyji jeton në qytet,

Në mesin e gëzimeve të tija, të dëshirave të tija dhe të shpresave të tija,

si edhe në dhimbjet e tija dhe në vuajtjet të tija.

Hijet që shënojnë jetën e përditshme të qytetit,

dhuna, varfëria, individualizmi dhe përjashtimi,

nuk mund të na pengojnë ta kërkojmë dhe ta sodisim Hyjin e jetës edhe në mjediset urbane.

Qytetet janë vende lirie dhe mundësie”….

… mundësi takimi me njerëzit dhe Hyjin, mundësi jete të vërtetë nëse ushqehemi me bashkimin… nëse mësohemi të qëndrojmë në shtëpinë e Hyjit për të rimarrë frymë e ushqim… për këtë shërbejnë kishat në qytet, janë shenjë që Hyji është në rrugët që përshkojmë! Ndoshta, pikërisht në ato që më shumë na kanë bërë të vuajmë!