Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Udha e kryqit

UDHA E KRYQIT E MARTIRËVE 

NË GJURMËT TË KOMUNIZMIT NË ISH- BURGUN E SIGURIMIT TË SHTETIT – SHKODER 

NË NDJEKJE TË DËSHMITARIT BESNIK  DHE NË SHOQËRI TË DËSHMITARËVE TË FESË

Të rrënjosemi në dashuri

do të thotë ta jetojmë përvojën e ndjekjes së Jezusit,

të vihemi pas Tij dhe ta ndjekim Atë deri në Jerusalem.

Udha e Kryqit

na jep shembullin konkret se ç’është dashuria,

Udha e Kryqit

na bën të Shenjtë pasi na mundëson që të ripërshkojmë ecjen e “Dëshmitarit besnik”.

Nga Kalvari,

pasi kemi bërë përvojën e të Ringjallurit ne jemi

të hedhur në histori

 për ta bërë atë të re, të shndërruar, të ringjallur.

Kjo skemë e Udhës së Kryqit dëshiron të jetë një mjet i vogël për të bërë, pas Jezusit, rrugën e dhimbshme, të shoqëruar nga  disa dëshmitarë të fesë,

që na ndihmojnë të kuptojmë se si çdo përvojë dhimbjeje,vuajtjeje, martirizimi është

“farë” ringjalljeje dhe shpresë për një botë të re.

Ecja e

“Dëshmitarit besnik”

 në shoqëri të dëshmitarëve të fesë është garancia e një shenjtërie të mundshme për secilin prej nesh,

 për bashkësitë tona,

për Kishën dhe

për botën.

N D A L E S A    I

JEZU KRISHTIN E GJYKOJNË PËR VDEKJE

1LI marrë me të keq, lejoi të përvujtërohet dhe nuk e çeli gojën; porsi qengji që e çojnë për ta therur, porsi delja e pazë para qethtarëve, nuk e çeli gojën e vet” (Is 53, 7).

2L. Nga një letër e dom Shtjefën Kurtit e 16 tetorit 1946 Shejtërisë së tij Papa Piu XII.

I Shenjti Atë,…radhët e martirëve shumëzohen çdo ditë; në burgje praktikohen tortura të tmerrshme ndaj të gjithëve pa dallim; mijëra burra, gra, pleq e fëmijë internohen në kampet e përqëndrimit, në vendet më të mënjanuara dhe të pashëndetshme, në shtëpi pa dyer, as dritare, të shtrënguar për të bërë punë të rënda gjithë ditën vetëm për një copë bukë. Më qëllim që të dobësohen fizikisht të mbajturit në burgje dhe për t’i bërë të lëngojnë për shkak të shterimit të fuqive dhe tuberkulozit, me një vendim të kohëve të fundit u është ndaluar familjeve t’u sjellin atyre ushqime. Shenjtëri, shumë gjëra të tjera do të mbesnin ende për t’u nxjerrë në pah, por duhet të kufizohem në hedhjen me nxitim të këtyre radhëve – nga frika se mos kapem gjatë shkruarjes. I shtrirë në këmbët e Shenjtërisë Suaj, përunjësisht kërkoj bekimin tuaj të fuqishëm apostolik për mua, për të gjithë klerin, për të gjithë popullin, kështu që të kemi mbështetje pa u lëshuar në luftimin e tanishëm për fenë tonë.

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

LAVDI TY, O DËSHMITAR BESNIK.

Ti na ke dashur deri në fund,

 e ke dhënë jetën Tënde për ne në kryq,

 dhe i je dorëzuar vullnetarisht vdekjes. Ref.

Për martirët që kanë pranuar të vdesin

për të dëshmuar fenë dhe dashurinë në Ty

duke marrë kështu kurorën e lavdisë. Ref.

  1. Të lutemi:

     O Jezu Krisht, zemërbutë dhe i përvuajtë, i dënuar me pa të drejtë për mëkatet tona. Na shiko me mirësi të gjithëve ne, që shpesh jemi të verbër dhe të pandjeshëm, që gjykojmë dhe dënojmë vëllezërit dhe motrat tona. Na e jep neve dhe atyre faljen Tënde!

 Nëpër Krishtin Zotin tonë.

N D A L E S A    II

Jezu Krishtin e ngarkojnë me kryq.

1L. E pra, Ai i mori mbi vete vuajtjet tona, mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona! E ne ishim të bindur se ishte i ndëshkuar, i munduar prej Hyjit e i nënçmuar!” (Is 53, 4).

2L. Nga dëshmia e Atë Anton Lulit.

Në dhomat e Sigurimit torturat ishin të tmerrshme, të pabesueshme, të padurueshme, morale dhe fizike. Aty me mua ishin edhe dy meshtarë të tjerë, që i njihja mjaft mirë. Ata erdhën aty, pasi unë mbarova provën time. Por ata i rezistuan pak ditë torturave. I dëgjoja tek kërkonin ndihmë dhe ujë për të pirë, por ata nuk u jepnin asgjë. I pari rezistoi 3 ditë, quhej dom Aleksandër Sirdari. I dyti quhej dom Pjetër Çuni, ishte i ri. E futën në korrent dhe aty vdiq, menjëherë. Torturat ishin të shumta. Isha lodhur së jetuari dhe dëshiroja të vdisja. Kur polici më shoqëronte i thosha se do t’i isha mirënjohës nëse do të më gjuante me një plumb mu në lule të ballit, kështu do të mund të merrnin fund vuajtjet e mia të tmerrshme.

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

NE PO TË THËRRASIM, O ZOT JEZUS!

I ke shpallur të lumë ata që i kanë përndjekur në emrin Tënd:

mbështeti dhe gëzoji të krishterët e luftuar në botë. Ref.

Ke dërguar nxënësit e Tu si dele në mes të ujqërve:

mbaji delet e Tua ne paqe dhe ji bariu i tyre. Ref.

U ke profetizuar të dërguarve të Tu përndjekjen:

mbaje Kishën Tënde vigjilente dhe të përgatitur për këtë     provë.   Ref

  1. Të lutemi:

     O Jezus, Zoti ynë, që mbart kryqin në shpatullat e Tua të pafajshme, shikoji të gjithë njerëzit që e shpërfillin dhimbjen dhe lodhjen e të ngjashmëve të tyre. Bëj që të gjithë ne të mund të luftojmë dhe të përpiqemi për lirimin e njeriut. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

N D A L E S A   III

Jezu Krishti bie të parën herë nën kryq

1L. “Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje. Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi motgjatë, me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit” (Is 53, 10).

2L. Dëshmia e Dom Frano Illisë.

 Ne ishim kaq të lodhur, kaq të dobësuar e kaq të ligështuar, mendërisht dhe shpirtërisht sa gati-gati nuk dinim se çfarë thonim. Ishim të detyruar që të thonim: “Po, po, mirë”. Pranonim me sy mbyllur atë që ata pohonin. Gjykatësi, tani s’po më kujtohet emri, ishte një person shumë i vrazhdë dhe i ashpër. Na fuste frikën dhe bërtiste me të madhe: “Ju jeni armiq të popullit”. Thonin se ishim spiunë të Vatikanit. Për këtë arsye na dënuan me vdekje.

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

TANI ËSHTË PËRMBUSHUR SHPËTIMI.

Hyji që e ka dorëzuar Birin e Vet për të gjithë ne

        dhe do të na japë çdo hir së bashku me Të. Ref.

Kush do të na ndajë prej Dashurisë së Krishtit?

        Vështirësia, ngushtica apo salvimi? Ref.

As vdekja, as jeta, as e tashmja dhe as e ardhmja,

nuk do të mund të na ndajnë prej dashurisë së Hyjit. Ref.

  1. Të lutemi:

     O Zot Jezus, të lutemi për të gjithë ne mëkatarët. Na shiko të gjithëve me mirësi dhe na shëro nga sëmundjet tona shpirtërore me dashurinë Tënde të mëshirshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

N D A L E S A   IV

Jezu Krishti has në Nënën e Vet

1L. “E hoqën këso jete me dhunë e me gjyq. Kush kujdeset për fatin e tij? Po, e zhbinë nga toka e të gjallëve, për faj të popullit të vet qe goditur për vdekje” (Is 53, 8).

2L. Nga dëshmia e Dom Jozef Marksen.

Të gjithëve ne që e kemi njohur na vjen shumë keq për këtë njeri. Jo vetëm se ishte i ri në moshë, por, për më tepër, ai ishte një njeri shumë serioz e i mëshirshëm. Nuk hezitonte kurrë te ndihmonte çdo të sëmurë! Edhe atë pak ushqim që kishte e ndante me ata që nuk kishin ndihmë nga familjet. Sepse në atë periudhë të burgosurve u jepej vetëm bukë e asgjë tjetër. Ky njeri gëzonte respektin e të gjithëve. Nëna e tij në Gjermaninë e largët priste për vite të tëra djalin e saj meshtar. Nuk i shkonte ndër mend që mund ta kishin vrarë, pa i bërë keq askujt. Kishte ardhur të shërbente në Shqipëri dhe e vranë pa gjyqj.

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

PËR NDËRMJETËSI TË MARISË, DËGJONA NE, O ZOT.

Ti ke thirrur që të të ndjekin burra e gra,

që ta kumtojnë vdekjen dhe ringjalljen Tënde:

bëj që t’ua shpallim njerëzve se Ti je i Gjalli. Ref.

Ti na ke thirrur për ta jetuar dashurinë e përsosur

        duke dëgjuar dhe duke u shërbyer vëllezërve:

        bëj që tek më të varfrit të shohim fytyrën Tënde. Ref.

Ti ke thirrur vëlla, motër dhe nënë

        atë që mban fjalën Tënde dhe e vë atë në praktikë:

        bëji fjalët dhe veprimet tona sipas vullnetit Tënd. Ref.

  1. Të lutemi:

     Bëj, o Zot, nëpërmjet lutjeve të Nënës Tënde të Shenjtë, që ta imitojmë forcën e saj gjatë rrugës së Kalvarit. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

N D A L E S A   V

Jezu Krishti ndihmohet nga Cireneu

1L. “Ja, Shërbëtori im që unë e përkrah, i Zgjedhuri im, në të cilin kënaqet shpirti im, mbi të e kam ndikuar Shpirtin tim: ai do t’ua japë të drejtën popujve ” (Is 42, 1).

2L. NGA DËSHMIA E DOM NDRE ZADEJËS.

Me 25 Mars 1945 Dom Ndre Zadeja, së bashku me 13 persona të tjerë u nxorën nga burgu të lidhur për t’u nisur drejt vdekjes. Të gjithë të burgosurit u shqetësuan, shokët e tij klerikë kryen detyrën shpirtërore duke i dhënë bekimin e fundit nga dera e vogël e burgut. Dom Ndrea i veshtron  dhe gjunjëzohet bashkë me të tjerët.

      Në vendin e ekzekutimit, pas varrezave te Rrmajit, gjendet pranë tyre dom Tom Laçaj per shërbimin e fundit fetar. Dom Ndrea e falënderon duke i thënë :  «Të falenderoj që ke ardhur për të zvogëluar vuajtjet e mia». Menjëhere pas kësaj qyteti i Shkodrës dëgjon krismat e mitralozit që shtrijnë përtokë 14 persona.

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

NË DASHURINË TËNDE KUJTOHU PËR NE, O ZOT!

Mësues i mirë që njeh gjithçka dhe të gjithë,

na mëso që të kërkojmë të vetmen gjë të nevojshme. Ref.

O Bari i mirë që i thërret për emër delet e Tua,

bëj që ta dëgjojmë zërin e drejtuesve tanë. Ref.

Shtegtar i përjetshëm që vjen gjithmonë si vëlla,

na mëso që të të mirëpresim të voglin dhe nevojtarin. Ref.

  1. Të lutemi:

     O Zot Jezus, na mëso të gëzojmë për të mirën e të tjerëve. Digje me dashurinë Tënde zilinë që gërryen zemrën tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

N D A L E S A   V I

Veronika ia fshin fytyrën Jezu Krishtit

1L. “Sikurse shumë vetë që mbetën shtang kur e panë, kaq e shëmtuar ishte pamja e tij, fytyra e tij s’ishte më si e njeriut, aq sa pamja e tij s’ishte më si e bijve të Adamit” (Is 52, 14).

2L. Nga dëshmia e Atë Zef Pllumit.

  Per Pashkët e vitit 1949, dhoma jone Nr. 7 pati nje gezim te papërshkrueshëm. Na erdhi brenda Krishti per me na forcue ne fe. Qe si ndodhi: At Leoni Kabashi kur i erdhi e motra e vet në takim, i porositi nje palë papuçe.

      At Leoni mujt me i than : “Në papuçe, ma bjer edhe borgjin e Pashkëve”. Policët e spiunat që ndiqnin fjalët, nuk mbrrijtën me e kuptue se ai kërkonte kungimin.

      Për Pashkë,  At  Leoni bani takim me motrën e vet Rozën, e cila erdhi bashke me Daven. Motra i solli pruni tesha e ushqime, ndërsa Dava i tha : “nuk kam mujt me të pru gja tjeter vetëm këto papuçe, mendoj se ti kam ba sipas merakut qe ke ti.

      Me majë të gjilpanës un shpertheva papuçet. Aty brenda gjeta korporalat në të cilat ishin mbështjellë 50 oste: ndër te dyja papuçet. U ula ne gjunj. Mendova Shenjtin Shen Tarçiz, Martir i kungimit ne kohët e katakombeve. O Qingj i Zotit, Ti qe shlyen mëkatet e botes ki mëshire per ne!- Përsritëm ne mes te shekullit të 20-të realisht skenat e katakombeve romane.  

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

JEPJA, O ZOT, DRITËN E FYTYRËS SATE.

Kishës që pret kthimin e Atij që e ka lënë. Ref.

Prindërve që presin kthimin e birit të zhdukur apo të larguar nga shtëpia. Ref.

Të dëbuarve, të mërguarve e të mënjanuarve, që dëshirojnë kthimin në tokën dhe shtëpinë tyre. Ref.

  1. M.  Të lutemi:

     O Zot Jezus, Fytyra e Atit, bëj që të dimë të të njohim në fytyrën e vëllezërve tanë, shpesh të shpërfytyruar nga vuajtja, dhimbja, zhgënjimi, frika dhe na ndihmo t’i thajmë me mëshirë dhe kujdes lotët e tyre. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

N D A L E S A   V I I

Jezu Krishti bie të dytën herë nën kryq

1L. “Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij do ta shohë dritën e do të ngihet me njohjen e saj. Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t’i marrë” (Is 53, 11).

2L. NGA DËSHMIA E DOM PJETËR ÇUNI.

     Një kushëri i tij kujton që Dom Pjetri tashmë kishte kohë që përgatitej shpirtërisht për të pranuar kalvarin tjetër. “Kujtoj që flisnim për dënime, gjyqje, vrasje që bëheshin çdo dite, duke folur më tha: -Më duket se Krishti ka vendosur që unë të jem ndër te fundit”.

     Jo shumë kohë pas kësaj bisede që bëmë në shtëpinë time, ishte korrik 1948, Krishti kishte vendosur ta thërriste për të dëshmuar. Një ditë një njeri i sigurimit e kishte ndaluar në rrugë dhe kishte dashur të dinte kush ishte, duke e ditur mirë cili ishte. U ndalua dhe u arrestua pa asnjë shkak. E lidhën dhe e çuan në Koplik. Atje bashkë me meshtarin Dom Aleksandër Sirdanin u lidhën dhe,  të hipur mbi 2 gomerë, i shëtiten nëpër të gjithë qytetin duke i fyer dhe duke u venë faj.

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

O ZOT, KI MËSHIRË!

     Na ndihmo, o Zot, t’ua japim bukën atyre që kanë uri dhe të ngjallim urinë e atyre që e kanë bukën: sepse vetëm Ti mund t’i plotësosh nevojat e tyre. Ref.

     Na ndihmo, o Zot, që t’i japim forcë atyre që janë të dobët dhe t’u japim përvujtëri atyre që besojnë se janë të fortë: sepse vetëm Ti je forca.. Ref.

     Na ndihmo, o Zot, që t’ua japim paqen atyre që dhunohen dhe ta jetojmë paqen e pacifistëve përpara personave të dhunshëm: sepse vetëm Ti je pajtimi. Ref.

  1. Të lutemi:

     O Zot Jezus, kujtohu për të krishterët, që në çdo kontinent të dëshmojnë në përndjekje dhe që martirizohen për besimin. Gjaku i tyre qoftë farë për të krishterët e rinj dhe shenjë e pranisë Sate të amshueshme. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

N D A L E S A   VIII

Jezu Krishti ngushëllon gratë

1L. “Të gjithë ne e ndeshim si berret e humbura, secili e ndeshte në udhën e vet e Zoti e ngarkoi mbi Të paudhësinë e të gjithë neve” (Is 53, 6).

2L. Nga një dëshmitare mbi Marie Tucin.

       Marie Tuci, aspirante stigmatine, u arrestua dhe u burgos ne Shkodër, me 10 gushtë 1949. U mor shpesh ne pyetje dhe u dënua shume herë . U burgos në  një  “vrimë” pa dritë, pa ajër. Nje here ne muaj, me ane te nje miku te vet, mund te merrte vetem nje komplet ndërresash, të cilat ia çonte e ema dhe te cilat i ndante me shoqen e vet të qelisë.

Një dëshmitare tregon se, per shkak të të ftohtit, rrinin te përqafuara per t’u ngrohur, meqë prej shiut të shumtë uji arrinte deri në dyshek.

      Marie Tuci u sëmur rënde, ndoshta me hidropozi apo me peritonit TBC, sëmundje kjo e shkaktuar nga tuberkolozi dhe u shtrua ne spital. Perpara se të vdiste i tha Davidës, shoqes së vet: – Doli fjala e Hilmi Seitit: “Do të të bëj në atë menyre sa mos të të njohin as familjarët e tu”.

      Duke falënderuar Hyjin për ditet e fundit të jetës që i jetoi e lirë, vdiq në spitalin e Shkodrës me 24 shtator 1950 dhe u varros në varrezat katolike të Rrmajve në Shkoder. 

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

DËGJONA  NE, O ZOT

Që të zhduket ashpërsia e zemrës sonë,

me qëllim që të shfaqet në ne dobësia e fytyrës Sate. Ref.

Të venitet trishtimi i mëkateve tona,

me qëllim që të mbretërojë në ne gëzimi i faljes Sate. Ref.

Që të zhduket çdo ankth që na kërcënon,

me qëllim që të banojë në ne paqja që vjen vetëm prej Teje. Ref.

  1. Të lutemi:

     O Zot Jezus, të lutemi për të gjithë ne mëkatarët: na e jep hirin për t’u kthyer sa më shpejt. Nëpër Krishtin Zotin tonë

N D A L E S A   IX

Jezu Krishti bie të tretën herë nën kryq

1L. “Ai s’do të bërtasë, s’do ta lartësojë zërin, zëri s’do t’i dëgjohet në sheshe. Ai s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar, s’do ta ndalë as fitilin tymues dhe pa u trembur do ta shpallë të drejtën” (Is 42, 2-3).

2L. NGA NJË DËSHMITARE MBI AT GIOVANI FAUSTI

        Ecnin me kokën lart duke e ditur mirë që rreth tyre frynte era e vdekjes. Sikur t’i shihje.

Një grua u shkëput nga turma me floket e pakrehura e me sy të skuqur nga gjaku, u doli përpara bërtiste me një zë të çjerrur: plumb ballit dhe me gojën e saj të pistë pështyu mbi fytyrën e Atë Faustit. Ku do të jesh në këtë çast? A e kujton atë tërbim pa arsye, atë ditë të zezë, a e kujton atë veprim tëndin të pafalshëm drejt atij martiri te pastër e të panjollë? Do të jetosh me rrudha dhe e mbushur me vese gjatë viteve, me turpin mbi balle ose shpirti yt i zi do të jetë duke ulëritur humnerave përjetësisht të errëta. Por Ati ishte shpirtmadh: buzëqeshi dhe e përshëndeti me kokë, sigurisht në atë moment nga shembulli i mësuesit hyjnor shpirti i tij përshpëriste “Fale o atë se nuk di atë që bën”.

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

    BESOJME NE TY, O ZOT

    Fjala e kryqit është marri për ata që shkojnë drejt humbjes. Ref.

   PËR ATA QË JANË TË SHPËTUAR, PRA, PËR NE, FJALA E KRYQIT ËSHTË FUQIA E HYJIT. REF.

 Është shkruar: Do ta shkatërroj urtinë e të urtëvedhe do ta shfuqizoj mençurinë e të   diturve. Ref.

  1. Të lutemi:

     O Zot, na bëj të kuptojmë që vetëm duke bashkëndarë dhimbjen e mundimeve të Tua mund ta shohim duke lindur në ne diellin e ngjalljes Sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

N D A L E S A   X

Jezu   Krishtin   e   zhveshin

1L. “Para tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë. S’kishte bukuri as hijeshi, që të mund të vërejmë në të, as pashi që të  mund të  na  pëlqejë

                                                                                                                               (Is 53, 2).

2L. Nga dëshmia e Dom Dedë Maçajt.

 U largua nga skena e gjygjit. Gjykata mori një vendim pa apelim, për denim me vdekje dhe ekzekutimin e menjëhershëm në vend. I kërkuan të shprehte dëshirën e fundit “unë s’kam asgjë për të thënë përveç se atë që dini edhe ju, që jeni duke më dënuar pa faj”.

     E dërguan jashtë fushës ushtarake në një lëndinë pranë Vjosës. I hoqën xhaketën dhe siç bënë hebrenjtë me Jezusin në Golgota para syve të të gjithë ushtarëve një skuadër qëlluesish qëlloi mbi të. Por ai nuk ra. Qëlluan përsëri mbi të dhe persëri dom Deda rezistoi në këmbë. Atëherë kasapet e kuq të tërbuar nga inati, ndoshta dhe nga frika se nuk ia dilnin ta shtrinin për tokë atë vigan, për herë të tretë dhanë komanden “Zjarr”. Por ketë zjarr ai nuk e priti! Ra e u përshëndet me tokën mëmë që e bëri të kuqe me gjakun e tij.

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

NE PO TË LUTEMI, O ZOT

Disave u ke kërkuar të të ndjekin në dashurinë,

që është kërkesë për përputhje dhe ngjashmëri:

na shtyj drejt dashurisë derisa të arrijmë ta përqafojmë kryqin. Ref.

Ata kanë jetuar duke u braktisur totalisht në Atin

në dëgjesë, që është masa e dashurisë:

vullneti Yt u përmbushtë në ne dhe në të gjitha krijesat. Ref.

Ata kanë kërkuar asgjësimin e vetvetes deri në vdekje,

sepse Ti ke zënë vendin e fundit që askush s’mund të ta heqë:

dashuria për Ty na çoftë aty ku je Ti. Ref.

  1. Të lutemi:

     O Zot Jezus, bëj që të zhvishemi prej asaj që s’është e denjë, për t’u veshur me veshjen e bardhë, që Ti na e ke blerë me kryqin Tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

N D A L E S A   XI

Jezu  Krishtin  e  gozhdojnë  në  kryq

1L. “Kurse Ai ishte i plagosur për shkak të paudhërive tona, i ndrydhur për shkak të fajeve tona; ndëshkimi, peng paqeje për ne, peshoi mbi Të: me vërragën e tij ne u shëruam” (Is 53, 5).

2L. NGA NJË DËSHMITARE MBI  DOM ANTON MUZAJ.

    Ishte muaji tetor i vitit 1947 kur Dom Anton Muzoj dhe Ate Frano Kiri u arrestuan dhe iu nënshtruan turturave më të tmerrshme. Aty ku ishte kuvendi i freterve, qëndronin në këmbë, me majën e hundës të mbështetur në mure, të lidhur duarsh e këmbësh, qëndronin ditë e nate dhe etja e zmadhonte vuajtjen. Dy të burgosurve që bënin pastrimin e përditshem, u kerkuan që të mos e thanin ujin e korridorit sepse donin që ta pinin. Dhe pastaj binin përtokë për të lëpirë dyshemenë e lagur si kafshët.  Dom Anton Muzoj u sëmur rëndë nga tuberkulozi .Edhe pse nuk rezistonte, dot ishte i detyruar që të qëndronte  në këmbë për shkak të goditjeve me dru që i binin,  shpeshhere i hidhnin ne trup kova uji të ftohta dhe pastaj hapnin dyert  dhe dritaret dhe i vinin në mes të korrentit të të ftohtit  të vjeshtës që rrahte trupin. Kjo turturë e rendoi së tepërmi shendetin e tij, saqë mjeket nuk mundën dot të bënin asgjë.

     I bindur  per gjendjen e tij, u thoshte bashkëvuajtësve të tij në burg: “Thojuni familjarëve të mi: në qoftë se do ti takoni ndonjë ditë, që unë jam krejtësisht i pafajshëm dhe që më akuzojnë vetëm se nuk e mohoj fene time në Krishtin.

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

NË KRYQ, O ZOT, NE TË ADHUROJMË.

Po e sodisim kryqin Tënd, o Zot,

pemën e shpëtimit të amshuar,

mbështetjen e krejt gjithësisë. Ref.

Kyqi është mbështetja kur lëkundemi,

mburoja kur luftojmë,

flamuri kur dalim fitimtarë. Ref.

  1. Të lutemi:

     O Zot, Hyji ynë, i gozhduar në kryq për shpëtimin tonë, na jep neve dhe mbarë botës paqen që vjen prej Teje. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

N D A L E S A   XII

Jezu  Krishti  vdes  në  kryq

1L. “Ishte i përbuzur, më i sprasmi ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s’e bënin për send!” (Is 53, 3).

2L. Nga dëshmia e Dom Mikel Beltojës.

    Një dëshmitar okular i ngjarjes e përshkruan kështu këtë çast “Bënë një kontroll të hollësishëm, morën gjithçka gjetën: rrobat e meshës, librat, figuret, statujat. E arrestuan përpara kishës: në atë kohë kisha ishte berë qendër kulture. E futën në makinë! Ai u tha të gjithëve lamtumirë.

     Dhe të gjithë paten frikë t’i përgjigjeshin por vetëm e shoqëruan me sy. Shtepia e tij ruhej me roje të armatosura.     

      Pasi morën gjithçka, mblodhën popullin për ta diskretituar si armik të popullit dhe reaksionar.

  1. Të përërisims të gjithë së bashku :

FALNA NE, O ZOT

Jerusalem, Jerusalem, vrastar i profetëve

e që me gurë i mbyt ata që Hyji i dërgoi te ti! Ref.

Sa herë desha t’i bashkoj fëmijët e tu,

sikurse këlluka i bashkon zogjtë e vet nën krahë. Ref.

Nuk do të më shihni më që tani e deri të thoni:

        Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit. Ref.

  1. Të lutemi:

    O Zot Jezus, i vdekur për të gjithë në kryq, ki mëshirë për ne krijesat e vdekshme. Në çastin e vdekjes, na dil përpara dhe na mirëprit. Na mbart në shpatulla, pasi t’i kesh larë mëkatet tona me Gjakun Tënd të paçmueshëm. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

N D A L E S A   XIII

Jezu  Krishtin  e  ulin  prej  kryqit

1L. “Prandaj turmat do t’ia jap për shpërblim, pre e tija do të jenë popuj të panumërt, sepse e dorëzoi veten për vdekje dhe qe numëruar ndër keqbërës, që mbi vete t’i marrë fajet e turmave dhe të lutet për ata që mëkatojnë” (Is 53, 12).

2L. NGA NJË DËSHMITARE MBI ATË SERAFIN KODËN.

     Atë Serafin Koda, njeri shume i mire, i vlerësuar nga te gjithe per urtinë dhe guximin e tij, ishte i  palodhur në misionin e tij, si meshtar e famulltar. I kryente sherbesat fetare pa patur frikë për ate qe mund t’i ndodhte. U arrestua ne kuvendin Françeskan te Lezhës nga forcat e sigurimit ne diten e emrit te tij, në 12.tetore.1946 dhe u burgos në një nga stallat e kuvendit Françeskan qe ishte marre nga regjimi dhe qe e kishin transformuar në spital.

    Aty iu nenshtrua turturave më të tmerrshme, i futur në fuçi me ujë deri në fyt, ia moren frymën duke ia ngulur thonjte ne fyt deri sa i thyen edhe gabzherrin. Thuhet se ndersa po e transportonin nga burgu per ne infermieri (brenda kuvendit ), pak para se te vdiste ka shikuar perjashta statujen e Zojës dhe i është lutur duke thenë: “O Zoje bëjë shpejtë punen tënde”. 

  1. Të përsërisim të gjithë së bashku:

SHPETONA NE DASHURINE TENDE, O ZOT

Po ju jap një urdhërim të ri:

        sikurse unë ju desha ju, doni edhe ju njëri-tjetrin! Ref.