Scroll Top

Njëqindvjetori i Kushtimit të Shën Kjarës – 11 gusht 2012

Në 11 gusht të këtij viti u mbyll për Motrat Klarise në mbarë botën viti jubilar me festimet që kanë përkujtuar tetë shekujt e kushtimit të Shën Kjarës dhe të lindjes së Urdhrit të Dytë Françeskan.

Në mesazhin e tij për Vitin e Shën Kjarës, Papa Benedikti XVI shkruan:

“Zgjedhja e Kjarës, në njëfarë mënyrë, plotëson “në gjininë femërore”, hirin që kishte arritur pak vite më parë bashkësia e Asizit me kthimin e Françeskut, të birit të Pjetrit të Bernardones. […] Edhe sot Urdhri i Klariseve, që është bërë një pemë e fortë, në heshtjen e frytshme të manastireve vazhdon ta përhapë farën e mirë të Ungjillit dhe t’i shërbejë çështjes së Mbretërisë së Hyjit. […] Thirrja e Shën Kjarës nuk do të kishte qenë e mundur pa bekimin nga ana e ipeshkvit Guido, me gjestin simbolik të dorëzimit të degës së palmës në të dielën e Larit. Në fakt, ngjarja e Françeskut dhe Kjarës tregon një aspekt të veçantë kishtar. Në historinë e tyre takohen një Bari i ndriçuar dhe dy bij të Kishës që i besohen shqyrtimit të tij. Institucioni dhe karizma ndërveprojnë mrekullueshëm deri në pikën saqë dashuria dhe bindja ndaj Kishës mbeten pjesë e pandarë e përshpirtërisë së françeskanëve dhe klariseve. […] Kthimi i Kjarës është “kthimi kah dashuria” i një gruaje të re që refuzoi “veshjet e hijshme të fisnikërisë së Asizit, por ruan elegancën e një shpirti që shpenzohet në lavdërimin e Hyjit dhe në dhurimin e vetvetes”.

Edhe në Shkodër, prania e Motrave Klarise ka qenë për shumë njerëz një mundësi për të bashkëndarë gëzimin e festës, për ta lavdëruar dhe falënderuar Zotin. Në oborrin e Manastirit, siç është bërë tashmë zakon, besimtarët laikë dhe rregulltarë u bashkuan për kremtimin solemn të Eukaristisë, që u udhëhoq nga Arqipeshkvi Metropolit i Shkodër-Pultit, Imzot Angelo Massafra. Bashkë me të, në kremtimin eukaristik ishin të morën pjesë edhe Ministri Provincial, Atë Gazmend Tinaj, fretër dhe meshtarë të urdhrave të ndryshëm të pranishëm në vend.

Një nismë, që u ndërmor në mbyllje të përvjetorit të Shën Kjarës, ishte edhe shfaqja e teatrit muzikor “Njerëz ejani!”, e Michele Paulicelli, që është vënë në skenën italiane në fund të viteve ’80 dhe në vitet ’90 të shekullit të kaluar e që ka korrur shumë sukses, sidomos në mesin e të rinjve.

E promovuar nga Motër Cristiana Basso, françeskane misionare, dhe e mbështetur nga Arqidioqeza e Shkodër-Pultit dhe nga Provinca Françeskane Shqiptare ofm, shfaqja e parë e këtij teatri muzikor françeskan u bë më 2 gusht, që përkon me festën e Shën Marisë së Engjëjve dhe të Faljes së Asizit, në teatrin Migjeni të Shkodrës.

Ky teatër muzikor u realizua falë gatishmërisë dhe aftësisë artistike të regjisorit shkodran z. Zef Ndoja, ideues, përkthyes dhe njëkohësisht aktor, i cili përfshiu në këtë vepër artistike rreth njëzet të rinj të qytetit. Të rinjtë e talentuar, aktorë dhe këngëtarë, diletantë dhe të apasionuar, i ofruan falas aftësitë dhe pasionin e tyre për artin dhe të bukurën, me dëshirën e vetme për ta shpallur Ungjillin.

Teatri muzikor është një ngjarje kulturore, një formë e re e shpalljes dhe e ungjillëzimit për t’ua bërë të njohur njerëzve Shën Françeskun dhe Shën Kjarën dhe përshpirtërinë e tyre, me bindjen se edhe koha jonë dhe populli ynë ka ende nevojë për atë porosi ungjillore që kalon përmes varfërisë së përqafuar për dashurinë e Hyjit, përmes besimit në Provaninë Hyjnore, përmes dashurisë për jetën, përmes thjeshtësisë së pastër dhe të tejdukshme, përmes vëllazërisë universale.

Papa Benedikti XVI shkruan sërish:

“Shembulli i Françeskut dhe Kjarës i propozohet vëmendjes së të rinjve të ditëve tona. Edhe pse ngjarja e tyre tokësore ka ndodhur në mesjetë, kjo gjë nuk e ka pakësuar magjepsjen pas tyre, as në këtë kohë ku janë të përhapura me shumicë iluzionet dhe zhgënjimet, me tërheqjet e panumërta të një jete ku gjithçka duket e mundshme dhe e ligjshme. Edhe sot, në fakt, nuk mungojnë shembujt e të rinjve që e pranojnë ftesën për t’iu besuar Krishtit dhe për ta përballuar me guxim, përgjegjshmëri dhe shpresë ecjen e jetës, edhe duke bërë zgjedhjen që ta lënë gjithçka për ta ndjekur në shërbim të plotë ndaj Tij dhe ndaj vëllezërve e motrave”.

Për lavdinë e Zotit. Amen!