Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

NËNTËDITËSHJA E KRISHTLINDJES 2023 – 24 dhjetor

Këtë vit, nata e Krishtlindjes përkon me të dielën e katërt të Ardhjes dhe mbyll Nëntëditëshin përgatitor: nëntë ditë në të cilat reflektuam për Mishërimin e Birit të Hyjit, duke na shoqëruar në reflektim Familja e Shenjtë e Nazaretit, frymëzim për të gjitha familjet e krishtera. E bëmë këtë zgjedhje, sepse Dioqeza jonë këtë vit dëshiron të insistojë veçanërisht në vlerën e familjes.

Katekeza ungjillore, si edhe ajo e Shën Palit, përpiqet të pohojë me qartësi se Jezusi i përket familjes mbretërore të Davidit. Në këtë mënyrë ai nxjerr në pah ekzistencën konkrete të Jezusit dhe përmbushjen e premtimeve mesianike. Kështu, në leximin e parë pamë se si Davidi mendon se ndërtimi i një “shtëpie” për Zotin e sjell atë përfundimisht kah ata dhe e bën të jetojë përgjithmonë mes njerëzve. Por profeti i oborrit mbretëror detyrohet t’i thotë se do të jetë Hyji ai që do t’i ndërtojë Davidit një shtëpi, domethënë një dinasti që do të zgjasë përgjithmonë.

Tani, djali që i kumtohet Marisë është përcaktuar qartë si djali i Davidit, pasi Jozefi, me të cilin Maria është fejuar, i përket shtëpisë së Davidit. Ishte e rëndësishme që t’u garantohej hebrenjve, nëpërmjet pasardhësve, titulli mesianik që justifikon veprimin e të dërguarit të Zotit.

Nga leximi i dytë kuptojmë mësimin e Shën Palit: Hyji është pjesë e një historie zbulimi, që ka zgjatur me shekuj dhe që është parathënë nga profetët; ai nuk vepron vetëm, por kërkon bashkëpunimin e vetëdijshëm dhe të lirë të Marisë, siç do të bëjë më vonë me Apostujt dhe me të gjithë besimtarët.

Për të vendosur dinastinë e tij dhe për t’i dhënë një qendër popullit të tij, Davidi mendon të ndërtojë një shtëpi për të vendosur arkën e besëlidhjes, por Hyji i përgjigjet se do të jetë ai që do t’i ndërtojë një shtëpi Davidit. Të kemi kujdes: Hyji nuk e refuzon tempullin, por pohon se e ardhmja e popullit dhe e dinastisë do të mbështetet më shumë në besëlidhjen midis Hyjit dhe njeriut, sesa në vetë tempullin. Besnikëria e ndërsjellë midis Hyjit dhe njeriut do të jetë më e rëndësishme, sesa flitë e tempullit.

Çfarë do të thotë kjo për ne që jemi mësuar të shkojmë në kishë? Për një kohë të gjatë termi “kishë” ka nënkuptuar vetëm një ndërtesë dhe për shumë persona një vend për t’u vizituar për detyrë ose për bindje. Në Veprat e Apostujve është shkruar: “Hyji as nuk banon në tempuj të punuar me duar të njerëzve” (Vap 17,24); Hyji e ndërton shtëpinë e tij jo në ndërtesa, por në njerëz; dhe Shën Pali vazhdon duke thënë: “Po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju?” (1 Kor 3,16).

Vëllezër dhe motra, ne jemi tempulli i Hyjit; në fakt, ky është tempulli që Zoti kërkon: njerëz konkretë që janë ta gatshëm të bashkëpunojnë me Të, në mënyrë që Ai të jetë i pranishëm në këtë botë. Kështu, festa e Krishtlindjes që do të kremtojmë nesër është festa e një Hyji që e bën veten të pranishëm, e Hyjit me ne, por për ta bërë këtë ai ka nevojë për secilin prej nesh.

Hyji e ndërton shtëpinë e tij mes njerëzve: gurët që e përbëjnë atë janë ata të “po”-së së pakushtëzuar ndaj Hyjit: Maria, guri i parë i gjallë, pastaj Jozefi, gatishmëria e të cilit ndaj planit të Hyjit do t’i sigurojë fëmijës që do të lindë nga Maria prejardhjen mbretërore nga fisi i Davidit. Falë “po”-së së njerëzve kaq të përvujtë, të varfër, të vëmendshëm ndaj vullnesës të Hyjit, Jezusi, biri i Davidit, hyn në historinë e botës. Kjo është shtëpia e tij, tempulli i tij.

Nëse kjo vlen për çdo të pagëzuar, aq më shumë vlen për çdo familje të krishterë: duke ndjekur shembullin e Familjes së Shenjtë, çdo familje e krishterë duhet të jetë e vetëdijshme se është Tempulli që Zoti ka zgjedhur si shtëpinë e tij, për t’i treguar botës se Ai është i pranishëm.

Dhe kjo vlen edhe për krejt Kishën, familje e përbërë nga shumë familje. Ka ardhur koha që të mos e jetojmë më fenë në kuptimin personal: feja, takimi me Hyjin personal kërkon gjithashtu që besimtarët ta dëshmojnë praninë e Zotit në botë duke u bashkuar për të qenë familja e Hyjit, që i tregon gjithë botës: me të vërtetë Jezusi, biri i Marisë dhe i Jozefit është Hyji-me-ne, i vetmi Shpëtimtar i botës.

Atij i qoftë nderi dhe lavdia në shekuj të shekujve. Amen.