Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Kisha e pergjithshme dhe kisha lokale

Bibliografia mbi laikatin, sidomos pas Koncilit II të Vatikanit dhe pas Sinodit të 1987, është e pafund. Duke rilexuar vetëm nxitjën apostolike Christifideles laici (=CFL) e Papa Gjon Palit II, do të doja të tërhiqja vëmendjen mbi rrënja e dinjitetit të besimtarëve laikë në Kishën universale dhe lokale; pastaj do të propozoj një mendim personal mbi nyjën e bashkimit mes meshtarëve, laikëve dhe rregulltarëve në Kishë.

  1. Rrënja e dinjitetit të laikëve
  2. a) Hyrja e krishterë

Kur flitet për hyrje të krishterë nuk do të thotë se bëhet fjalë vetëm për pagëzimin. Hyrje e krishterë do të thotë: kthim kah Krishti, bashkim feje me të, aderim i vulosur nga sakramenti i rilindjes i pagëzimit, e përforcuar nga shugurimi i krezmimit dhe së fundi e plotësuar, përmbushur në mënyrë të përkryer nga kungimi eukaristik. Lidhur me këtë CFL deklaron: “Zëri i Zotit jehon sigurisht në thellësi të vetë qenies së çdo të krishteri, që nëpërmjet besimit dhe sakramenteve të hyrjes së krishterë është bërë sipas Jezu Krishtit, është përfshirë si gjymtyrë e gjallë në Kishë dhe është subjekt aktiv i misionit të saj të shpëtimit” (CFL 3).

“Shartimi në Krishtin nëpërmjet besimit dhe sakramenteve të hyrjes së krishterë është rrënja e parë që i jep fillesë gjendjes së re të të krishterit në misterin e Kishës, që përbën “fizionominë” e saj më të thellë, që gjendet në bazë të të gjitha thirrjeve dhe të dinamizmit të jetës së krishterë të besimtarëve laikë: në Jezu Krishtin, të vdekur dhe të ringjallur, i pagëzuari bëhet “një krijesë e re” (Gal 6, 15; 2 Kor 5, 17), një krijesë e pastruar nga mëkati dhe e gjallëruar nga hiri” (n. 9). Edhe: “Besimtarët laikë, pikërisht sepse janë anëtarë të Kishës, kanë thirrjen dhe misionin për të qenë kumtues të Ungjillit: për këtë vepër janë të aftësuar dhe të angazhuar nga sakramentet e hyrjes në jetën e krishterë dhe nga dhuratat e Shpirtit Shenjt” (n. 33; shih edhe n. 16 e mbi të gjitha n. 17 e n. 64 që citon 1Gjn 3,1). Besimtari laik ka një dinjitet të shenjtë e hyjnor falë birësimit, shugurimit me bagëm dhe kungimit eukaristik. Të thirrur për shenjtërinë e vetme që në thelb është – në dashurinë e plotë për Hyjin dhe për të afërmin, të shartuar në Krishtin e në Kishë ata janë Krishti (Agostini), janë Kisha (Pio XII).

  1. b)      Gjendja bashkëshortore (martesore) 

    Nuk mund të zgjatem këtu mbi sakramentin tjetër që thellon dhe u jep besimtarëve laikë të caktuar për të edhe një element tjetër dinjiteti: Martesa. Do të ishte e nevojshme të citoheshin të gjitha tekstet e Shkrimit, duke filluar nga Zan 2,24v, Ef 5,21-31 e deri tek tekstet madhështore të Magjisterit (Gaudium et spes 38-42; Familiaris consortio= FC…). Edhe në CFL ashtu siç tek Apostolicam actuositatem (cf. AA 11) e Këshillit të II të Vatikanit i lihet një hapësirë e gjerë jetës martesore si fushë e misionit laik. Sakramenti i martesës i bën bashkëshortët ikonë e gjallë,shenjë e shenjtë e dashurisë së Krishtit për Kishen e vet dhe i aftëson që të rrisin fizikisht e shpirtërisht popullin e Hyjit, duke e bërë familjen si një kishë shtëpiake (LG 11, AA 11, CFL 40):

“Me siguri prindërit e krishterë janë katekistët e parë dhe të pazëvendësueshëm të fëmijëve të tyre, të aftësuar për një gjë të tillë nga sakramenti i Martesës; por, në të njëjtën kohë, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për “të drejtën”, që çdo i pagëzuar ka për t’u mësuar, edukuar dhe shoqëruar në fenë e në jetën e krishterë” (n. 34).

Shenjtëria nuk është e ruajtur vetëm për murgjit dhe klerikët, përkundrazi jeta martesore është pikërisht një vend ku ushtrohet dhe ku realizohet shenjtëria. Siç tregonte shën Françesku i Sales-it († 1622), që aq shumë e ka nxitur përshpirtërinë e laikëve, i cituar nga papa «Është gabim, madje është herezi, nëse duam ta përjashtojmë ushtrimin e devocionit nga mjedisi ushtarak, nga dyqani i zejtarit, nga oborri i princit, nga shtëpitë e të martuarve. Është e vërtetë, o Filote, që devocioni [dmth. “shnjtëria”] i pastër soditës, monastik dhe rregulltar mund të jetohet vetëm në këto gjendje, por, përveç këtyre tre llojeve të devocionit, ka shumë të tjera të afta për t’i bërë të përsosur ata që jetojnë në gjendje shekullare. Për këtë arsye, kudo që të ndodhemi, mund dhe duhet të aspirojmë jetën e përsosur” (n. 56). Kështu, mun të kuptojmë se “Siç kanë thënë Etërit sinodalë [krh. Propositio 8]: “Kishat vendore dhe sidomos të ashtuquajturat Kisha më të reja duhet të pranojnë me kujdes ndër gjymtyrët e tyre ata burra e gra, që në kushte të tilla (kushtet e përditshme të botës dhe gjendja martesore) kanë dhënë dëshminë e shenjtërisë dhe që mund të jenë shembuj për të tjerët, me qëllim që, nëse jepet rasti, t’i propozojnë për lumturim e shenjtërim”(n. 17).

Pikërisht në këtë kontekst një rol që bie në sy i takon gruas së krishterë, bashkëshortes dhe nënës së familjes: “Detyra, mbi të gjitha, që t’i japë dinjitet të plotë jetës martesore dhe amnore” (n. 51). “Duke u vënë në këtë perspektivë, Etërit sinodalë [Prospositio 46] kanë kujtuar domethënien që sakramenti i Martesës duhet të marrë në Kishë dhe në shoqëri për t’i ndriçuar dhe për t’i frymëzuar të gjitha marrëdhëniet mes burrit dhe gruas. Në këtë kuptim kanë përsëritur “nevojën e ngutshme që çdo i krishterë ta jetojë dhe ta kumtojë mesazhin e shpresës të përmbajtur në marrëdhënien mes burrit dhe gruas. Sakramenti i Martesës, që e shuguron këtë marrëdhënie në formën e saj bashkëshortore dhe e paraqet si shenjë të marrëdhënies së Krishtit me Kishën e Tij, përmban një mësim me rëndësi të madhe për jetën e Kishës; ky mësim duhet t’i arrijë botës së sotme nëpërmjet Kishës; të gjitha marrëdhëniet mes burrit dhe gruas duhet të frymëzohen nga ky shpirt. Kisha duhet t’i përdorë edhe më plotësisht këto pasuri”196. Vetë Etërit me të drejtë kanë vënë në dukje se “duhet të rifitohen të dyja: vlerësimi i virgjërisë dhe respektimi i amësisë”197: edhe një herë për zhvillimin e thirrjeve të ndryshme dhe përplotësuese në kontekstin e gjallë të bashkësisë kishtare dhe në shërbim të rritjes së saj të vazhdueshme. (n. 52)

Sakramenti i martesës i jep së bashku edhe një element dinjiteti besimtarëve laikë të cilët janë të themeluar në të dhe përcakton natyrën e tyre shekullare.  (Vini re se në fakt as kultura, as jeta ekonomiko-politike s’mund të konsiderohen fusha vetëm të apostullimit laikal. S’është e pagjasë që disa rregulltarë ose anëtarë të Instituteve shekullare të përpiqen në kësisoj aktivitetesh).

  1. c) Përkatësia Kishës universale dhe lokale 

Dinjiteti i besimtarit laik përmbushet në hyrjen e tij në Kishë. Lidhur me këtë duhet kujtuar se hyrja e krishterë na bën pjesëtarë të Kishës tout court, do të thotë të Kishës, një të vetme, shenjte, katolike (universale) dhe apostolike. Nëse pagëzohem në kishën e Shkodrës ose të Torinos, bëhem pjesëtarë i Kishës katolike. E pra, Kisha universale shfaqet vetëm nëpërmjet një bashkësie konkrete lokale, konkretisht një dioqeze dhe si “lokalizimi i fundit i Kishës”, famullisë (CFL 26); “famullia është Kisha e vendosur në mesin e shtëpive të njerëzve, ajo jeton e vepron thellësisht e futur në shoqërinë njerëzore dhe intimisht solidare me aspiratat dhe dramat e saj” (n. 27). Të gjithë të krishterët, pra edhe besimtarët laikë janë të thirrur ta kultivojnë ndjenjën e përkatësisë e të bashkëpunimit me kishën e tyre të veçantë dhe, nëpërmjet saj, me Kishën universale. Laikët janë të ftuar që të bëhen pjesëtarë  aktiv të jetës së krishterë në bashkësinë eukaristike dhe organike të përfaqësuar nga famullia, që mund të dalë e aftë për një “apostullim bashkësiorë” të vërtetë (ib.). Për të arritur kah ky qellim, një ndihmë e madh mund ta japin disa komunitet me stil katekumenal. Papa thekson: “Brenda këtyre famullive, sidomos nëse janë të gjera dhe të shpërndara, bashkësitë e vogla kishtare të pranishme mund të jenë një ndihmë e rëndësishme në formimin e të krishterëve, duke qenë se mund t’i bëjnë më kapilare dhe energjike vetëdijen dhe përvojën e bashkësisë dhe të misionit kishtar. Një ndihmë mund të jepet, siç kanë thënë Etërit sinodalë [Propositio 11], edhe nga një katekezë pas-pagëzimore në formën e katekumenatit, nëpërmjet ripropozimit të disa elementeve të “Ritualit të Hyrjes së Krishterë të të Rriturve”, të adresuar për të pranuar e për të jetuar pasuritë dhe përgjegjësitë e pafund dhe të jashtëzakonshme të Pagëzimit që kanë marrë” (n. 61). Lidhur me këtë perspektive, kujtojmë edhe se nje frut i Koncilit ka qenë lulezim i ashtuquajtur “levizjet laikale” qe papet Pali VI dhe Gjion Pali II e Benedikti XVII  kane vleresuar shume. (Të paharueshme janë takimet ne rreshajet të vitit 1998 dhe 2006). Të gjithje keta realitet të rinj janë shumë të ndryshme, por më duket se e kanë ne perbashkët theksim mbi rëndesine e pagëzimit si thelbi i jetës së krishtere. Kriteret per te vertetuar keta realitet u paraqiten ne magjisterin e kishes pikërisht në CFL n. 30 dhe mund të përmblidhen në këto pesë pikat: 1)- Parësia që i është dhënë thirrjes së çdo të krishteri në shenjtëri; 2)- Përgjegjësia e dëshmimit të fesë katolike; 3)- Bashkimi i bindur ndaj autoritetëve të Kishës (veçanërisht ndaj Papës); 4)- Përputhja dhe pjesëmarrja në qëllimin apostolik të Kishës; 5)- Angazhimi i një pranie në shoqërinë njerëzore.

  1. Një Kishë “trinitare”: Bashkimi mes meshtarëve, besimtarëve laikë dhe rregulltarëve 

     Po rimarr këtu me një përmbledhje frytet e një studimi ekleziologjike të publikuar tek Gregorianum në 2004.

Në Kishë ishte e zakontë (të paktën nga mesjeta) dhe gjatë gjithë mijëvjeçarit të dytë dallimi mes klerikëve dhe laikëve (kështu edhe tek Dekreti i Gracianit i 1059). Teologjia e kohëve të fundit (pra një ekleziologji “bashkimit”) na shtyn tek një rikthim kah një model më i vjetër (krh. Etërit e Kishës si Agostini) në të cilin dallimi është, në të kundërt, triar: Barinjë (meshtarë), Laikë (të martuar) dhe Beqarë/Përkorë (rregulltarë). Këtu ajo që ka më epërsi është dinjiteti pagëzimorë i përbashkët, edhe mes thirrjesh të ndryshme. Me qellim që ta mendojmë njëkhoesisht bashimin dhe dallimin midis këtyre tre gjendje jetesë në Kishë, propozoj që të interpretohen nën dritën e shenjtes Trini, ekonomisë së shpëtimit dhe të virtyteve teologale/hyjnore. Më pak fjalët do të bashkëngjis (per modum appropriationis!) Barinjtë me Atin, me fenë dhe me origjinën e historisë së shpëtimit; të Martuarit me Birin e mishëruar, me dashurinë dhe me ekonominë e shpëtimit; të Përkorët me Shpirtin Shenjtë, me shpresën dhe me omegën e shpëtimit.

– Barinjtë, Mbarështim “Kryesore”, përkujtim i nismës hyjnore dhe dëshmim për Atësinë në Fe

Duke jetuar dinamikën e dashurisë së kokrrës së grurit që vdes për t’u bërë frytdhënëse (krh. Gjn 12,24-25), Apostulli përshtatet me Krishtin , ikonë e Atit, dhe vjen për të marrë pjesë në vetë atësinë:  «Nuk po jua shkruaj këto që t’ju turpëroj, por që t’ju qortoj si fëmijët e mi të dashur. Sepse, edhe po t’i kishit në Krishtin dhjetë mijë mësues, nuk do të kishit shumë etër, sepse me anë të Ungjillit, unë ju linda në Jezu Krishtin. Prandaj, ju përbej: më përngjani!» (1Kor 4,15-17. Krh. edhe Gal 4,17 dhe 1Sel 2,7-8). Këtu lëshon rrënjë tradita kishtare për të thirrur «abbà, atë, papë» ipeshkvin (apo meshtarin) ose të parin ndër ipeshkvij, pa marrë parasysh qortimin e Jezusit: «Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd “atë”, sepse keni vetëm një Atë, atë që është në qiell» (Mt 23,9). Atësia e vetme hyjnore (krh. Ef 3,14), e cila në asnjë mënyrë s’mund ta humbasë shkëlqimin e vet prej asaj njerëzore e shpirtërore-kishtare, gjen në të një përfaqësim që e madhëron. Hierarkia baritore gëzon një rol parësor, shërbimi popullit të krishterë dhe urdhri meshtarak përfaqëson Autoritetin, Nisjen dhe Shugurimin aktiv. Ajo simbolizon, në Kishë dhe për Kishën, Krishtin Krye, imazh i Atit (krh. Gjon Pali II, Pastores gregis, 7). Shenjë e Archê (krh. Vat. II, AG 5), e Fillimit atësorë e të nismës hyjnore, ai të çon tek Alpha e historisë së shpëtimit dhe përfaqëson Kujtesën apostolike në bashkësi. Ashtu si apostujt, «mbjellës të fesë» (krh. Sh. Ambrozi, In Lucam V, 44), ipeshkvijtë, meshtarët bashkëpunëtorët e tyre janë mbrojtës, ruajtësit e parë dhe garantë të përçimit të drejtë të Fesë.

– Të Martuarit, “Trup i Kishès”, dëftim i Dashurisë së Krishtit për botën dhe të besnikërisë ndaj Oikonomisë

Besimtarët laikë – mes të cilëve dallohen për nga numri dhe domethënia të Martuarit – janë Corpus Ecclesiae i vërtetë dhe riprodhojnë tiparet e Birit në realitetin e vet kenotik të devotshmërisë: Krishti erdhi në botë, u mishërua, u martua në mënyrë të pandashme me njerëzimin (krh. Gjn 1,14; Ef 5,22-32; FC 13). Lidhja e dashurisë mes bashkëshortëve «bëhet imazhi dhe simboli i besëlidhjes që bashkon Hyjin me popullin e tij» (…) «Shpirti Shenjt i shpërndarë në kremtimin sakramental i dhuron bashkëshortëve të krishterë dhuratën e një bashkimi të ri, dashurie, që është imazh i gjallë dhe i vërtetë i atij bashkimi të pashoq, që e bën Kishën trup të padukshëm dhe mistik të Zotit Jezus» (FC 12; 19).

Familja «është vënë në shërbim të ndërtimit të mbretërisë së Hyjit në histori përmes pjesëmarrjes në jetën dhe në misionin e Kishës» dhe ka «lidhje të shumta dhe të thella që lidhin Kishën me familjen e krishterë dhe e themelojnë këtë të fundit si “një kishë në miniaturë” (kishë shtëpiake), duke bërë që edhe kjo të jetë imazh i gjallë dhe rishfaqje historike e vetë misterit të Kishës» (FC 49).

Laikët-të martuar janë Kisha, apostullimi i së cilës kryhet në saeculum, në shërbim të shoqërisë (LG 31: «Laicorum est, ex vocatione propria, res temporales gerendo et secundum Deum ordinando, regnum Dei quaerere»). Sakramenti i martesës, duke e bërë të pranishme Besëlidhjen Logos-Sarx, shfaqet si shenjë e misionit “ekonomik” të Krishtit dhe të misterit të tij martesor veprues që tani. Bashkëshortët ndjellin në këtë mënyrë “Tashmë-në” e Shëlbimit dhe u takon atyre më së pari, par excellence dhe gati ex ufficio dëshmia e dukshme dhe historike e Dashurisë.

 – Të Përkorët (Continentes): “zemra e kishës”, shenjë e lirisë së Shpirtit dhe e shpresës në Eschaton

Rregulltarëve ose të Shuguruarëve mund t’u bashkohen edhe të gjithë besimtarët që e jetojnë përkorjen edhe jashtë urdhrit të shenjtë, dmth. dy kategori të rëndësishme në Kishë: të rinjtë (krh. Tit 2,6; 1Pjt 5,5; 1Gjn 2,13-14) dhe vejushat (1Kor 7,8; 1Tim 5,3-16). Si dëlirësia e fejesës (krh. Katekizmi i K.K. 2350) ashtu ajo e vejërisë e gjejnë kuptimin e tyre në të dhënit parësi dashurisë së Zotit, dhe ilustrojnë shpresën]. Të lidhur ngushtë me dy urdhrat e mëparshëm, të gjihë këta kanë misionin e veçantë të përfaqësojnë shpirtin ose zemrën e trupit kishtarë. Ata përfaqësojnë në mënyrë të veçantë “karizmatiken” në Kishë, praninë e fshehur dhe të efektshme të Shpirtit që fryn aty ku do [Nuk është e rastësishme që thuajse të gjithë shenjtët reformatorë apo themelues bashkësish të reja apo lëvizjesh kanë qenë beqarë]. Liria e shpirtit (krh. Gjn 3,8; 2Kor 3,17) gjen vend edhe në rrënjësinë dhe në “menjëhershmërinë e misionit” dhe në llojshmërinë pothuajse të pakufi të formave konkrete të jetës së shuguruar. Nëse të martuarit i ndjellin besnikërinë e Hyjit këtij krijimi, të përkorët (rregulltarë, virgjëresha, vejusha) dëshmojnë nevojën për të shkuar përtej botës. Gjendja virgjërore (e përkortë  apo e vejërisë) të kujton gjerat të fundit, EschatonOmegën (Krh. Vita consecrata 84-95) e historisë së shpëtimit. Kështu Continentes bëjnë të pranishme Shpresën e Kishës krejt e drejtuar kah «akoma jo, por shumë më tepër» e Botës së Re dhe të Dasmës së Qengjit (krh. Katekizmi i K.K. 933; 2Pjt 3,13; Zb 22,17).

Në Kishë është e nevojshme të nderohen Barinjtë me një “nderim të dyfishtë” (krh. 1Tim 5,17) duke parë në to reflektimin e të vetmes atësi të Hyjit. Laikët dhe Rregulltarët, të Martuarit dhe të Përkorët duhet të njohin në to auctoritas që Ati i ka dhuruar Krishtit dhe t’u nënshtrohen me dashuri të lirë dhe pa servilizëm; duke dalluar në shërbesën meshtarake një parësi kishtare me të drejtën/detyrën (munus) që të kullosin në fe bashkësinë dhe të drejtojnë me mend jetën e saj bashkimtare. Është gjithashtu e nevojshme që Barinjtë dhe Rregulltarët të njohin dhe ta nderojnë në besimtarët Laikë (të Martuar) ikonën e gjallë e vetë misterit të Kishës: sakramenti madhështor i Besëlidhjes mes Hyjit dhe njerëzimit i përmbushur në bashkimin mes Krishtit dhe njerëzimit. Misioni historik (“ekonomik”) që i takon çiftit të krishterë duhet të jetë objekti themelor i kujdesit baritor dhe i ndërmjetësimit të meshtarëve dhe i të përkorëve. Atij i takon dëshmia e tyre ashtu siç Birit të mishëruar ajo e Atit (krh. Mk 9,7) dhe e Shpirtit (krh. 1Kor 12,3) Së fundi, është e nevojshme që Barinjtë dhe Laikët të nderojnë me dashuri dhe admirim vëllezërit e shuguruar në përkorje për Mbretërinë (në virgjëri dhe në vejëri) si dëshmitarë autentik dhe rrënjësor të fuqisë çliruese të Shpirtit, që u jep hirin që të heqin dorë nga kjo botë për dashuri ndaj Hyjit duke pritur shndërrimin e tij të përkryer eskatologjik.

Tabele sintetike

Barinjtë                                                                   Të Martuarit                                                                 Të Përkorët

Imazh i autoritetit të Atit                    Imazh i Birit me Kishën e vet                           Shenjë e pranisë së Shpirtit Shenjt

    Rol Kryesorë [kephalê]                       Janë “Trup”  Kishës [sôma]                                  Janë si “Zemra” e Kishës [kardia]

Shërbim ndaj Fesë [pistis]                 Dëshmojnë sidomos Dashurinë [agapê]        Dëshmojnë sidomos Shpresën [elpis]

Kujtim i Fillimit [Arkhê]                      Përfaqësojnë Historinë [Oikonomia]              Tregojnë fundin e shelbimit [Eschaton]

 Relator: Dom Lorenzo Rossetti

E enjte, më 21 shkurt 2008