Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Katekeza Kreshmore të Ipeshkvit, takimi i dytë: – “Mesia” (gjn 9, 1-41)

KATEKEZA KRESHMORE TË IPESHKVIT

Takimi i dytë:  – “MESIA” (Gjn 9, 1-41)

rr. 1: Jezusi, që në kapitullin e mëparshëm u zbulua si UNË JAM, tani merr nismën: kalon dhe sheh. Nuk është njeriu që e sheh Hyjin, por Hyji që e sheh njeriun dhe që kujdeset për të.

Gjendja e verbërisë nuk është vetëm fizike me gjithë vështirësitë që ajo sjell, por edhe shpirtërore: është mëkati i Adamit që na bën të gjithëve të verbër, duke na penguar që ta shohim Hyjin si Atë, veten tonë si bij dhe të tjerët si vëllezër. Jezusi na shëron pikërisht prej kësaj verbërie.

rr. 2-3: Pyetja e nxënësve i jep Jezusit rastin që të shkëputet prej idesë së zakonshme që e keqja vjen si rrjedhojë e mëkatit. Me një fjali të vetme Jezusi paraqet krejt traditën profetike: Hyji nuk e do vdekjen e mëkatarit, por që ai të kthehet dhe të jetojë. E keqja nuk e ka fjalën e fundit; edhe pse ajo nuk është e nevojshme që të shfaqet e mira, megjithatë e keqja e shfaq të mirën për shkak të kontrastit që ka me të.

Tani le të mendojmë për “të keqen” dhe “të mirën”.

Ne mendojmë se varfëria, uria dhe vuajtja janë të këqija (madje të dërguara prej Hyjit si ndëshkim), në realitet është një e keqe që dikush duke u pasuruar bën që të tjerët të varfërohen, duke ngrënë çdo të mirë lë të tjerët të uritur, duke plagosur bën që dikush të vuajë.

Përkundrazi, nëse ndjekim lidhjen mes të keqes dhe fajit justifikojmë të vepruarit e të fuqishmëve në bërjen e tyre keq.

Të gjithë lindim të barabartë dhe të gjithë kemi dëshirë që t’i ikim së keqes për të pasur të mirën; por në dëm të kujt? Duke vepruar kështu kalojmë vazhdimisht sa në rolin e viktimës, sa në atë të xhelatit.

rr. 4-5: Janë dy rreshta që interpretohen me vështirësi në të cilat, shohim një “ne” (Jezusi dhe nxënësit) të lidhur me veprimin për të bërë mirë në dobi të vëllezërve.

Jezusi flet për veten e vet si “drita e botës” (krahasim interesant me Mateun 5,13 ku Jezusi ua thotë këtë nxënësve të vet) në kontrast të plotë me errësirat që janë në botë dhe që mbizotërojnë kur ai të jetë në kryq (“terri e mbështolli mbarë tokën”). Por çfarë do të ndodhë prej këtij momenti e në vazhdim? Errësirat do të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, por do të jetë edhe rasti për Hyjin që të bëjë të shkëlqejë në to drita e Tij dhe nxënësit mund të jenë pasqyrues të kësaj drite.

rr. 6: Jezusi përsërit gjestin e Krijimit të njeriut bërë prej balte. Një krijim i ri realizuar me diçka të rrjedhshme, e ngjashme me atë që do të rrjedhë prej kryqit nga kraharori i Tij, shenjë e Shpirtit Shenjt: ashtu si në krijimin e parë fryma e Hyjit i jep jetë njeriut, ashtu edhe tani Shpirti Shenjt jep jetën e re.

Le të reflektojmë mbi faktin që njeriu është një kafshë e veçantë: është bërë prej toke si të gjithë kafshët e tjera, por është bërë familjar me Qiellin, sepse ka marrë frymën hyjnore.

T’i kushtojmë vëmendje faktit që pikërisht veprimi “i bërë prej balte” përbën një mëkat për farisenjtë, ndërsa ne e dimë se gjendemi përpara veprimit hyjnor të krijimit të ri.

rr. 7: Shërimi i të verbërit bëhet me kusht: i takon të verbrit të vendosë nëse dëshiron ta pranojë apo jo këtë dhuratë. Ky është kuptimi i dërgimit të tij në Siloam. Është pishina e nxënësve, aty ku pagëzoheshin, jashtë mureve të tempullit.

“Siloam” përkthehet prej Gjonit si “i dërguar”, si njëri prej emrave që vetë Jezusi i jep vetes së vet. Kjo do të thotë që i verbëri është dërguar që të zhytet në Jezusin, dërguar prej Atit, në të cilin realizohet shpëtimi: ai na hap sytë dhe ne mund ta shohim të vërtetën e një Ati të mirë që i do bijtë e vet.

Dëgjesa e të verbërit jep efektin e vet dhe ai kthehet i shëruar: ridhënia e shikimit të verbërve është veprimi mesianik për shkëqesi.

rr. 8-14: Faza e parë e shërimit të brendshëm e ish-të verbërit paraqitet prej këtyre reshtave ku ai, duke treguar për veten e vet, “hedh dritë” mbi ngjarjet që e kanë parë protagonist së bashku me Atë që ende nuk i është dhënë që të shohë. Kjo fazë e parë, duke e vënë në ballafaqim me të afërmit dhe të njohurit e tij, rizgjon te ai ndjenjën e identitetit të vet (“Unë jam”, rr. 9), që pastaj do të qartësohet më shumë kur do të jenë përballë me UNË JAM në fund të pjesës në fjalë.

Ish-i verbëri duhet të ballafaqohet me para-gjykimin e atyre që ka pranë, të paaftë për të kuptuar ndryshimin dhe jetën e re që tani e pret njeriun e shëruar: ishte e lehtë për ta që ta dallonin te njeriu që ishte ulur ndenjur (situatë vdekjeje sipas ungjijve) duke lypur (në gjendje varësie), sesa në atë që tani kanë përpara vetes në këmbë dhe autonom. Por njeriu i shëruar përgjigjet “Unë jam”.

Tani bëhet një pyetje mbi Jezusin: “Kush është?” – “Ku është ai?”: kur një nxënës dëshmon me të vërtetë Mësuesin, atëherë vëmendja kalon nga ai te Mësuesi. Është një pyetje të cilës ish-i verbëri ende nuk mund t’i përgjigjet, sepse ende nuk e ka plotësuar procesin e tij të shërimit të brendshëm: ende nuk e ka takuar UNË JAM, që e ka shëruar.

Atëherë duhet ta çojë te farisenjtë, edhe sepse kjo gjë ndodhi të shtunën dhe është në lojë edhe zbatimi i Ligjit.

rr. 15-18: Farisenjtë ishin një sekt që e zbatonin Ligjin, por me elemente shpirtërore shumë afër mendimit të Jezusit. Në fakt, gjatë pyetjes së parë vihet në dukje “skizma”/ndarja e pranishme mes tyre: disa refuzojnë në mënyrë absolute që të shohin te Jezusi të dërguarin e Hyjit (sepse nuk e respekton të shtunën), të tjerë pranojnë vlefshmërinë e shenjave të bëra prej tij (është në shumës, pra i referohet jo vetëm kësaj mrekullie). Megjithatë, zbatimi i ngurtë i Ligjit vihet në kontrast të fortë me Jezusin, deri në atë pikë sa farisenjtë kërkojnë ta vrasin atë.

Nga ana e vet ish-i verbëri ka ende mundësi që t’ua bëjë të qartë farisenjve dhe shumë më shumë vetes së vet atë që i ka ndodhur, duke ndier që t’i rritet, kështu, dëshira për ta takuar Jezusin që tani e njeh si PROFET (domethënë si ai që flet dhe vepron në emër të Hyjit): është niveli i parë i fesë.

rr. 19-23: Përmendja e prindërve bëhet e nevojshme për të vërtetuar identitetin e të verbërit. Kjo ju bën mirë jo vetëm farisenjve, por edhe ne që sot lexojmë këtë pjesë, pasi na garanton mbi vërtetësinë e këtij tregimi.

Përkundrazi, për prindërit duket se është një fatkeqësi që djali i tyre tani sheh: duket sikur duan të thonë se nuk është faji i tyre që tani ai sheh. Nuk mund të dënohen për diçka që nuk kanë bërë. Nëse tani vihen në krah të të birit rrezikojnë të përjashtohen prej bashkësisë, siç bënin Judenjtë për këdo që shihte te Jezusi Mesinë e shumëpritur.

rr. 24-34: Procesi i dytë, ai “gjyqësor”, i ish-të verbërit është një fazë tjetër drejt ndriçimit; madje, kemi një diskutim teologjik gjatë të cilit i shëruari del se është më i ditur se të diturit dhe më shikues se ata që duhet të shohin falë studimeve të tyre.

Këtu kthehet – siç ndodh shpesh në Ungjillin e Gjonit – ironia e ungjilltarit: një pyetjeje të re mbi dinamikën e shërimit njeriu i përgjigjet duke i pyetur nëse edhe ata duan të bëhen nxënës të Jezusit. Por ata përgjigjen se janë nxënës të Moisiut dhe ish-i verbëri ka mundësi të zbulojë absurditetin e këtij procesi “gjyqësor” dhe vë në dukje verbërinë e bashkëbiseduesve të vet: pikërisht ata që duhej të dinin se “Hyji nuk i dëgjon mëkatarët” janë, përkundrazi, ata që e ngurtësojnë zemrën e tyre përpara mirësisë së veprimit mesianik të Jezusit.

Efekti është i menjëhershëm: ish-i verbëri përjashtohet dhe nxirret jashtë bashkësisë.

rr.35-39: Takimi mes Jezusit dhe ish-të verbërit është ende nismë e Jezusit: tani që është përjashtuar ai njeri është me të vërtetë një nxënës, i bërë i ngjashëm me Mësuesin.

Jezusi i paraqitet atij si Biri i Njeriut. Duhet vënë në dukje se Gjoni e përdor këtë emër 10 herë në Ungjillin e tij: një herë kur flet për Danielin profet (gjykimi), tetë herë të tjera në kuptimin pozitiv, kurse këtu është përdorur në mënyrë absolute, pa asnjë veprim specifik.

Ish-të verbërit i është kërkuar feja: kjo është faza e fundit e procesit të ndriçimit dhe e shërimit të brendshëm: pyetjen “A BESON?” mund ta përkthejmë me: “Je shëruar prej Tij! A dëshiron ta shohësh?”.

Nxitjes së Jezusit njeriu i përgjigjet në mënyrë pozitive: pohimi “E pe” që është e barazvlefshme me “UNË JAM” merr si përgjigje “BESOJ, O ZOT” dhe adhurimin.

rr. 39-41: Mbyllja e pjesës së ungjillit sheh përmbysjen e gjykimit bërë në procesin gjyqësor kundër ish-të verbërit. Janë të pranishëm disa farisenj që i kërkojnë Jezusit nëse edhe ata janë të verbër. Në fakt, Jezusi flet për një proces të cilit ka ardhur t’i japë fillesë: që në paraqitjen e Tij në Tempull Simeoni i moshuar kishte profetizuar se ai Fëmijë kishte ardhur për rrënim dhe shpëtim, domethënë rrënim për atë që do ta kishte refuzuar dhe shpëtim për atë që do ta kishte pranuar.

Mendjemadhësia se shohim na bën të verbër: kjo për Jezusin është një mëkat i ngjashëm me mëkatin kundër Shpirtit Shenjt që nuk mund të falet assesi.