Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Katekeza Kreshmore të Ipeshkvit, takimi i tretë: – “JETA” (Gjn 11, 1-53)

KATEKEZA KRESHMORE TË IPESHKVIT

Takimi i tretë:

“JETA” (Gjn 11, 1-53)

Rr.1-3: Paraqiten personazhet e tregimit. Nëse i marrim në shqyrtim termat “vëlla” – “motër”, që përdoreshin prej të krishterëve për të thirrur njëri-tjetrin, mund ta imagjinojmë bashkësinë të cilës është duke iu drejtuar Gjoni me këtë tregim. Është një bashkësi që e pyet veten mbi kuptimin e jetës, të sëmundjes dhe të vdekjes, siç bëjmë edhe ne të gjithë.

Në veçanti:

  • emri “Lazër” do të thotë “Hyji ndihmon”; dhe në fakt ai është paraqitur si “i sëmurë”: nuk qëndron në këmbë, si çdo njeri që, i kapur prej mëkatit, në fillim lëkundet dhe pastaj rrëzohet e vdes. UNË JAM, Bariu i mirë, ka pikërisht detyrën që ta ngrejë prej vdekjes atë që është rrëzuar dhe që ka vdekur, duke e thirrur për emër dhe duke e shpëtuar atë;
  • në qendër të këtyre tre rreshtave është Maria: hershohet tregimi i kapitullit tjetër për të lartësuar një tjetër kategori të pranishme në bashkësi: ata që duan. Është edhe Marta: ata që shërbejnë.
  • Lazri përkufizohet si “ai që ti e do”: në zanafillë të gjithçkaje është dashuria që lidh Jezusin me bashkësinë e Tij. Jezusi na do edhe pse jemi të sëmurë: feja në Të nuk është një spekullim filozofik, por fryt i përvojës së kësaj dashurie.

Rr.4-16:

  • Reflektimi i parë është mbi lidhjen mes sëmundjes dhe mëkatit. Edhe në katekezën e kaluar kemi thënë se Jezusi jo domosdoshmërisht i lidh këto dy gjëra së bashku, por në kapitullin 5 i thotë të paralizuarit që të mos mëkatojë më, që të mos i ndodhë më keq. Prej këtu kuptojmë se ka një sëmundje që të çon në vdekje, dhe është ajo që është shkaktuar prej mëkatit, dhe ka një sëmundje që është për lavdi të Hyjit. Po ashtu, ka një vdekje të shkaktuar prej mëkatit, që është e amshuar, dhe ka një vdekje që është takim me Hyjin, edhe kjo e amshuar.
  • Sëmundja e Lazrit do të shërbejë për lavdinë e Hyjit dhe për lavdërimin e Birit (që përkon me vdekjen e Tij): dhurimi i jetës do të jetë shkak vdekjeje për Të. Jezusi vonon të ndërhyjë: edhe ne shpesh pyesim veten kur ndodhemi në vështirësi: ku është Hyji? Pse nuk ndërhyn?
  • “Drita e botës”, në episodin e të verbërit të lindur, tani vendos të kthehet në Jude ku kishin kërkuar ta vrisnin. Nxënësit ia vënë në dukje këtë gjë dhe ai përsërit atë që ka thënë në kapitullin 9 në lidhje me të vepruarit ndërsa ende është drita (domethënë AI). Toma, me sarkazëm, do të thotë “Të shkojmë edhe ne të vdesim me të!”: ai nuk e ka kuptuar se Jezusi “vdes për”. Në fakt, do ta kuptojë Pjetri, i cili do të ndihet i gatshëm që “të vdesë për” Jezusin.
  • Një tjetër keqkuptim tipik i stilit të Gjonit është ai mes “fle” dhe “vdes”: për Jezusin vdekja nuk është një e keqe absolute, por një e fjetur në pritje të rizgjimit. Besimtarët, ashtu si edhe Jezusi, e shikojnë vdekjen me shpresë dhe jo me dëshpërim, siç bën ai që nuk beson (krh. 1Sel 4, 13).

Rr.17-37:

  • Jezusi arrin në Betani kur shumë judenj nga Jerusalemi kishin shkuar aty për të ngushëlluar Martën e Marinë (në fakt, rruga Betani – Jerusalem ishte vetëm 3 km, sa ç’është edhe rruga prej katedrales te Ura e Bunës), por Jezusi “takon” (ky është termi grek i përdorur prej Gjonit) Lazrin, i cili kishte vdekur prej katër ditësh (në atë kohë mendohej se vdekja ishte e sigurt ditën e katërt, domethënë kur fillonte dekompozimi i trupit). Miku takon mikun dhe do ta thërrasë: Ai DO TA DËGJOJË FJALËN që do ta ftojë TË DALË JASHTË varrit.
  • Marta DËGJON që ka ardhur FJALA dhe DEL prej fshatit (bota e vuajtjeve të njeriut) për ta takuar atë. Ndërsa Maria është ende në shtëpi.
  • Marta përsërit pyetjen themelore që të gjithë bëjmë: ku është Hyji kur kemi më shumë nevojë për Të?
  • Përgjigjja e parë e Jezusit duket e përgjithshme dhe i referohet ngjalljes përfundimtare, realizimit të krijimit, në të cilën edhe Maria beson dhe e shpreh qartazi.
  • Përgjigjja e dytë e Jezusit është zbulimi i UNË JAM-it, realizimi i vërtetë i krijimit: “ri-krijimi” i bërë njeri. Dhe na thotë se mjafton të kemi besim në Të, FJALËN që, TË DËGJUAR prej atyre që janë në varre, do t’i nxjerrë JASHTË dhe do t’i kthejë në jetë (krh. 5, 25), në jetën e amshuar, të cilën mund ta kemi që këtu e tani, kur besojmë me të vërtetë se Ati dhe Biri na duan dhe se ne jetojmë prej kësaj dashurie. Ky besim në dashurinë e Atit dhe të Birit (domethënë Shpirti Shenjt) për ne, fiton mbi gënjeshtrën e gjarprit që na bën të besojmë, përkundrazi, se Hyji është i keq dhe nuk e do lumturinë tonë, për këtë ndihemi të autorizuar ta gjejmë vetë; por kjo gjë është një vdekje e sigurt.
  • Kjo është Ngjallja: të besuarit. Në këtë tregim, e para që ngjallet është Marta me përgjigjen e saj ndaj pyetjes së Mësuesit: “A e beson ti këtë?”. Fjalët e saj janë dëshmia e fesë së të krishterit: Besoj në Jezu Krishtin Birin e Hyjit. Jezusi nuk ka ardhur për t’i ridhënë jetën një të vdekuri, por jetën e re atij që beson në Të.
  • Tani është radha e Marisë: ajo thirret lehtë prej Martës (shpesh bashkësitë e krishtera jetojnë në një klimë armiqësore për këtë arsye është e rëndësishme që të kenë kujdes). Maria, kur DËGJON se FJALA është aty, “u çua vrap” (fjalë që të kujton ngjalljen) për të shkuar te Ai, duke dalë jashtë fshatit, në po atë vend ku kishte ndodhur takimi me Martën. Nëse është e vërtetë që Jezusi e merr nismën i pari, është po aq e vërtetë që edhe ne duhet t’i dalim përpara Atij.
  • Pas Marisë vrapojnë edhe Judenjtë, që ishin në shtëpi, të cilët po ashtu kanë nevojë për t’u takuar me FJALËN, për ta DËGJUAR dhe për të pasur jetën e pasosur.
  • Pyetja që bën Maria është po ajo që ka bërë edhe Marta: dëshira themelore e besimtarit është gjithmonë ajo që ta ketë Hyjin afër në momentin e nevojës. Por asaj Jezusi nuk i jep të njëjtën përgjigje që i jep Martës: nuk i thotë se AI ËSHTË ringjallja dhe jeta, por e tregon me “zemër-dhembshurinë” e lotëve. Jezusi “vuan me” Marinë dhe i tregon se Ai është jeta që merr përsipër dhimbjen dhe vdekjen tonë, duke pësuar edhe ai të njëjtin fat: në fakt, edhe ai do të vdesë pas pak.
  • Jezusi është thellësisht i turbulluar dhe i indinjuar, për këtë arsye ai “digjet” përpara të keqes që prek njeriun: është tërbimi i Hyjit, jo kundër njeriut, por kundër të keqes që e burgos atë. Dhe pyet: “Ku e keni vënë?” në pritje të një përgjigjeje të ngjashme, që Ai vetë ia kishte dhënë nxënësve të Vet të parë: “Eja e shihni”. Tani janë nxënësit që, të nxitur prej Mësuesit, luten: “Zotëri, eja e shih”, Maran-athà-ja e çdo kohe.
  • Lotët e Jezusit janë ato të zemër-dhembshurisë, të djegies dhe të dashurisë për njeriun. Janë lotë që nxisin admirim dhe bën që të përsëritet pyetja e kuptimit të pranisë së Hyjit në momentin e dhimbjes. Por edhe më shumë: përmendin mrekullinë e të verbërit duke zbuluar pritshmërinë e tyre, domethënë atë që Jezusi mund ta kishte shëruar edhe Lazrin. Jezusi me të vërtetë do ta bëjë mrekullinë e të verbërit me ta dhe me ne që i lexojmë këto faqe, sepse na hap sytë ndaj të njëjtit kuptim të jetës dhe të vdekjes, duke na liruar kështu prej frikës.

Rr.38-44:

  • Mbërritja e Jezusit te varri karakterizohet prej “djegies” për të cilën kemi folur më sipër.
  • Theksohet edhe një herë vdekja e Lazrit, tashmë në ditën e katërt, dhe era e keqe që bën kontrast me citimin e erërave të mirë të Marisë në rreshtin 2.
  • Jezusi mbështetet edhe një herë te feja e dy motrave (te feja jonë) për të treguar lavdinë e Hyjit dhe heq gurin.
  • Jezusi, ndryshe prej të pranishmëve (dhe neve), që shikojnë varrin, e ngre shikimin drejt qiellit dhe falënderon Atin, që të pranishmit të përfshihen në këtë veprim hiri dhe të besojnë që Ai është Biri i Hyjit (qëllimi i pjesës sonë).
  • Veprimi i dytë i Jezusit është klithma që buron prej bashkësisë së Tij me Atin: FJALA e dërguar prej Atit bën TË DËGJOHET zëri i Tij, që të vdekurit TË DALIN dhe të kthehen në jetë. Dhe i urdhëron Lazrit të lërë vendin e vdekjes dhe të dalë (tani edhe Lazri është në lëvizje si të gjithë personazhet e pjesës) drejt “këtu”-së, drejt vendit ku ndodhet Jezusi, JETA.
  • Lazri del jashtë ende me shenjat e vdekjes… në fund të fundit është një ringjallje e përkohshme, ndërsa riza e Jezusit, në Ngjalljen e tij, do të lihet, sepse do të jetë një ngjallje përfundimtare. Por edhe Lazri tani duhet t’i heqë shenjat e vdekjes, për këtë Jezusi i urdhëron që ta zgjidhin dhe ta lënë të ecë.

Rr.45-53:

  • Dy prani të ndryshme në Betani: Judenjtë që besojnë te Jezusi dhe të tjerët që nuk besojnë, të cilët e padisin atë te farisenjtë, të cilët, nga ana e tyre, e padisin Jezusin te Sinedri.
  • Shenjat e Jezusit janë të dukshme: të besosh në Të (siç do të ishte logjike!) do të thotë t’u japësh romakëve rastin që të shkatërrojnë Tempullin (shenjë e pushtetit të tyre mbi popullin) dhe kombin e tyre.
  • Gjoni shënon profecinë e Kajfës, kryepriftit; në profeci gjithmonë e vërtetë prej Abelit deri në ditët tona: vdekja e të drejtit për të mirën e një shumice.
  • Prej këtu vendimi për ta vrarë Jezusin: Jezusi është ai që JEP JETËN, në dy kuptime: “të vdesësh” dhe “t’u japësh mundësi të tjerëve që të jetojnë”. Të duash do të thotë të bësh të jetojë ai që do dhe të vdesësh për atë që do (e heq prej vetes për të ta dhënë ty). Por Jezusi nuk e jep jetën vetëm për popullin hebre, por për krejt njerëzimin: kështu e mbyll pjesën Gjoni.

PËR LUTJEN

Lutja e Shën Ambrozit

U denjofsh Ti, o Zot, që të vish te varri im,

që të më lash me lotët e Tu, pasi në sytë e mi të tharë

nuk kam aq lotë sa me ta të laj fajet e mia!

Nëse Ti do të qash për mua, unë do të shpëtoj.

Nëse do të jem i denjë për lotët e Tu

do të heq erën e keqe të mëkateve të mia.

Nëse do të jem i denjë që ti të qash qoftë edhe një çast për mua,

do të më thërrasësh prej varrit të këtij trupi dhe do të më thuash:

“Dil jashtë!”,

me qëllim që mendimet e mia të mos mbeten

në hapësirën e ngushtë të këtij trupi,

por t’i dalin përpara Krishtit dhe të jetojnë në dritë,

që të mos mendoj për veprat e territ,

por për veprat e dritës.

Kush mendon për mëkatin,

mbyllet brenda vetes së vet.

Pra, thirre jashtë shërbëtorin tënd.

Kudo që, i kapur prej mëkateve të mia,

do t’i kem të ngulura këmbët dhe të lidhura duart,

apo kudo që të jem varrosur në mendimet dhe në “veprat e mia të vdekshme”,

prej thirrjes sate do të dal i lirë

dhe do të bëhem “njëri prej të ftuarve” të tryezës Sate.

Dhe shtëpia jote do të mbushet me erë të mirë,

nëse do ta ruash atë që je denjuar ta shëlbosh”. Amen.