Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Homelia per inaugurimin e Radio Marisë

Homelia per inaugurimin e Radio Marisë

18/07/2020

Mesha e shenjtë, që kam zgjedhur për përvjetorin që sot na sheh të bashkuar rreth altarit të Zotit, është një kremtim marian me të cilin kujtojmë Marinë Virgjër, mbështetëse dhe mbrojtëse e fesë sonë; një titull me të vërtetë i përshtatshëm, pasi, ndërsa kremton Nënën e Hyjit për fenë e saj të jashtëzakonshme, na kujton neve – siç mëson Koncili II i Vatikanit – që krejt jeta e saj qe një përmbledhje e të vërtetave të fesë. Po ashtu, si Nëna jonë, ajo mbështet dhe mbron fenë e bijve të vet.

Figura e Juditës, në Leximin e parë që kemi dëgjuar, është ajo e një gruaje të fortë që, për shkak të fesë së saj në Hyjin, del fitimtare ndaj kundërshtarëve të popullit të Izraelit, punë kjo që në sytë e popullit dukej e pamundur, por që feja e kësaj gruaje e bën të mundur atë. Të gjitha gratë e mëdha të Izraelit të lashtë e gjejnë veten e vet te Judita, por ajo është edhe figura e Marisë për të cilën, ashtu si edhe për Juditën, Kisha pohon se është “lavdia e Jerusalemit dhe krenaria e popullit të saj”.

Ku e shohim fenë e Maria?

  • Elizabeta, nëna e pararendësit, e shpall të lume, pasi i ka besuar mesazhit qiellor (krh. Lk 1, 45);
  • feja që ajo ka e shtyn të pranojë ngjizjen e Birit të Hyjit;
  • e mbështetur prej fesë ndoqi Jezusin dhe pranë kryqit mbështeti dhe “vuajti” për shkak të vdekjes së tij;
  • nën shtytjen e fesë besoi se Ai do të ngjallet dhe priti ardhjen e Shpirtit të premtuar prej Atit.

Feja e saj si Nxënëse, pastaj, na kujton edhe atë që ne, si nxënëse të Jezusit, jemi dhe duhet të jemi gjithmonë:

  • ngjizja e saj e papërlyer na tregon lirinë e Hyjit në zgjedhjen e njerëzve si mjet shpëtimi dhe hiri;
  • pranimi i saj për veprën e mishërimit tregon se si duhet të jetë bashkëpunimi ynë me planin hyjnor të shpëtimit;
  • lindja e saj virgjërore tregon se Krishti është Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë;
  • jeta e saj e shenjtë është imazh i Kishës që, si ajo, është virgjër dhe nënë;
  • ngritja e saj në qielli tregon lavdinë e ardhshme të njeriut.

Maria është edhe Nënë që mbështet fenë e bijve të vet:

  • le të mendojmë për Martirët tanë, të cilën kanë ruajtur dashurinë dhe kultin ndaj Nënës së Krishtit; edhe pse kanë ndeshur vështirësi ata e kanë ruajtur të paprekshme fenë e tyre;
  • Nëna e lavdishme e Hyjit, që në kohët e lashta, është thirrur prej popullit të krishterë në “mbrojtje” të fesë (do ta kujtojmë edhe në Prefacio).

Kjo Meshë, në të cilën kërkojmë që të jemi “të fortë në fe” dhe “të ecin në udhën e fesë” gjatë jetës sonë tokësore, është edhe një moment kremtues i rëndësishëm nëse i referohet rolit të kumtimit të Fjalës së Hyjit që bën Radio Maria në mesin e popullit të krishterë.

Përmes shërbimit të saj të kumtimit të Fjalës, të lutjes dhe të formimit të krishterë, ajo ushqen fenë e të krishterëve dhe bën që të shohin të realizuar në ta lumturinë që Jezusi ka shpallur sot në Ungjill: “Të lumët ata që e dëgjojnë fjalën e Hyjit dhe e zbatojnë!” (Lk 11, 28).

Ta falënderojmë Hyjin për dhuratën e kësaj Nënë, që për ne është model dhe udhëheqëse, mbështetëse dhe mbrojtëse e fesë sonë. Ta falënderojmë edhe për mjetet e komunikimit që na mundësojnë ta përhapim mesazhin e Jezusit si Bir, me qëllim që të arrijë te të gjithë ne që, të gjallëruar prej vullnesës së mirë, dëshirojmë të hyjmë në shkollën e Mësuesit Hyjnor duke u bërë edhe ne DËSHMITARË DHE KUMTUES.

Ky është urimi im: që të gjithë ne të shpallim dhe të deshëmojmë Fjalën që degjojmë.

Qoftë levduar Jezu Krishti.