Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Homelia për 23 nentor 2013

HOMELIA PËR 23 NËNTOR 2013 – MBYLLJA E VITIT TË FESË – Imzot MASSAFRA


Ju drejtoj mirëseardhjen time të përzemërt e mirënjohëse juve Imzot Ramiro Inglés, Nunci apostolic, juve: të Nderuar vëllezër në episkopat.
Përshëndes meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, besimtarët, të pranishëm në një numër kaq të madh dhe të ardhur nga afër e nga larg për të qenë Kishë dhe për të kremtuar së bashku një ngjarje fetare shumë të rëndësishme.
Jemi këtu për të kremtuar solemnisht mbylljen e Vitit të fesë: VIT HIRI, dhuratë e Papës Benedikti XVI. Ai e ka shpallur atë më 11 tetor 2012, 50 vjet pas hapjes së Koncilit II të Vatikanit dhe 20 vjet pas botimit të Katekizmit të Kishës Katolike.
Këtu në Shqipëri e kemi filluar Vitin e Fesë më 19 tetor 2012, përvjetori i Lumturimit të Nënë Terezës, me një kremtim solemn në Katedralen e Tiranës. Më 18 maj të këtij viti kemi përjetuar dhe kremtuar vigjiljen e Rrëshajëve në Lezhë, në shenjë të Martirëve tanë shqiptarë. E përfundojmë sot, në Vigjiljen e së Kremtes së Krishtit Mbret, në këtë qytet të Shkodrës, ku përndjekja e komunizmit ka qenë veçanërisht e dhunshme.
Papa Françesku do ta përfundojë nesër, më 24 nëntor në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Romë, në bashkim me Kishën e gjithëmbarshme.
Më lejoni të kujtoj sot bashkë me ju disa mendimi qoftë të Letrës Apostolike “Porta Fidei” qoftë të Enciklikës së Papa Françeskut, “Lumen Fidei”. Si njëra ashtu edhe tjetra janë një dhuratë e çmueshme që Shpirti Shenjt i ka bërë Kishës, prandaj edhe secilit prej nesh, dhe na bëjnë të kuptojmë rëndësinë e fesë në jetën e çdo personi si dhe për historinë e botës.
Letra Apostolike “Porta Fidei” ka një thjeshtësi e thellësi të jashtëzakonshme, edhe është e pamundur ta lexojmë pa mbetur të mahnitur, të rivënë në diskutim, dhe të nxitur të nisemi e të rifillojmë ecjen e fesë.
Në numrin e parë të Letrës, Papa Benedikti na thotë: “‘Dera e fesë’ që shtie në jetën e bashkimit me Hyjin dhe lejon hyrjen në Kishën e tij është gjithmonë e hapur për ne”. Kjo është shumë e bukur! Sepse na kujton se Hyji, në dashurinë e vet të madhe, nuk resht kurrë së prituri ne, pra, mund të mbështetemi gjithmonë në të. Për këtë arsye, qëllimi kryesor i kremtimit të Vitit të Fesë ka qenë ai që të rizbulohet dhe të çmohet dhurata e fesë, të ketë një njohje më të thellë në lidhje me të vërtetat e fesë, dhe të ndërmerret një shtegtim drejt takimit me Krishtin që na bën të hyjmë në këtë derë, gjithmonë të hapur për ne, për të takuar Hyjin.
Nr. 13 thekson se historia e fesë sonë është një mister i pakuptueshëm i gërshetimit mes shenjtërisë dhe mëkatit. Këto fjalë na kujtojnë ato të Shën Palit, kur thotë: “kur u shumëzua mëkati, shumë më i begatshëm u bë hiri” (Rom 5, 20). Në të vërtetë, e gjithë historia e Kishës na e tregon qartë provaninë e Hyjit, që në mënyrë të mrekullueshme di të nxjerrë gjëra të mira edhe prej gjërave të këqija.
Prandaj është e nevojshme të rizbulojmë “gëzimin në besimin dhe të rigjejmë entuziazmin në komunikimin e fesë” e të kujtojmë se “në rizbulimin e përditshëm të dashurisë së Hyjit merr forcë e fuqi angazhimi misionar i besimtarëve që nuk mund të mungojë kurrë”, siç theksohet në nr. 7. Në të vërtetë, në po këtë numër theksohet se nuk duhet kurrë të harrojmë se “Caritas Christi urget nos” (2Kor 5,14): është dashuria e Krishtit ajo që i mbush zemrat tona dhe na nxit të ungjillëzojmë. Ai, sot ashtu si edhe atëherë, na dërgon nëpër rrugët e botës për t’ua shpallur Ungjillin e tij të gjithë popujve të tokës (krh. Mt 28,19). Me dashurinë e tij, Jezu Krishti i tërheq nga vetja njerëzit e çdo breznie: në çdo kohë. Ai thërret Kishën duke i besuar asaj shpalljen e Ungjillit, me një mandat që është gjithmonë i ri”.
Kushedi, ndoshta e kemi humbur pak shijen e gëzimit që duhet të përjetojmë duke pranuar dhe duke shpallur Lajmin e Mirë. Edhe liturgjitë tona ndoshta e kanë humbur atë zell i cili bën që besimtarët të shijojnë gëzimin që është fryt i Shpirtit Shenjt.
Së fundi, le të kujtojmë se Lajmi i Mirë është ftesë në kthim. Sikurse thotë Papa Emerito: “Viti i fesë është një ftesë në një kthim të njëmendtë dhe të përtërirë nga Zoti… Falë fesë, kjo jetë e re plazmon gjithë ekzistencën njerëzore sipas risisë rrënjësore të ringjalljes” (nr. 6).
Një fjalë shumë e rëndësishme shprehet nga Papa Benedikti kur thotë se feja “nuk është teori, por takimi me një Person që jeton në Kishë” (nr. 11). Me këto pak fjalë, ai na paraqet fenë në domethënien e saj biblike dhe ekzistenciale, si takim me Personin e Krishtit të gjallë dhe të pranishëm në Kishë. Gjithashtu, ai vë në dukje edhe një tjetër karakteristikë thelbësore të fesë: feja duhet të shprehet. Nganjëherë ndodh të takojmë persona që nuk shkojnë në kishë, të cilët shfajësohen duke thënë: “Feja është në zemrën time dhe kjo mjafton”. Shën Agustini do t’u përgjigjej atyre: “Nuk ka asnjë besim, të vërtetë apo të rremë, në të cilin anëtarët të mos mblidhen në mënyrë që me shenja të dukshme, të jashtme dhe bashkësiore t’i japin lavdi Hyjit”. Nga këndvështrimi antropologjik, nuk mund të jetohet pa përdorimin e shenjave. Një puthje, një kartolinë, një dhuratë… janë të gjitha shenja që shprehin atë që është në zemër. Është e nevojshme që zemra të hapet për të pranuar Fjalën dhe për ta shndërruar atë në fara jete.
Edhe ne duhet të angazhohemi për t’u rritur në fe. Sikurse apostujt le të lutemi: “O Jezus, shtoje fenë tonë”. Duhet të jemi burra dhe gra të fesë e të shpresës, pavarësisht prej problemeve të shumta që nganjëherë i ngadalësojnë hapat tanë dhe vullnetet tona. Por nëse Krishti është i gjallë dhe i pranishëm në ne, atëherë gjejmë forcën dhe guximin të ecim përpara dhe të jetojmë e të dëshmojmë një dashuri vepruese.
“Lumen Fidei” është enciklika e parë e papa Françeskut, e botuar më 29 qershor 2013, pra gjatë Vitit të Fesë. Teksti i Letrës enciklike është filluar nga Papa Benedikti XVI gjatë pontifikatit të tij, pastaj i është dorëzuar pasardhësit të tij Françeskut që e ka hartuar dhe firmosur punën.
Në të përballohet tema e fesë, në vazhdimësi me dy enciklikat e mëparshme të Papa Benediktit XVI,  “Deus caritas est” dhe  “Spes salvi”, të kushtuara përkatësisht dashurisë dhe shpresës, duke mbyllur kështu trilogjinë mbi virtytet teologale.
Që prej rreshtave të parë të Enciklikës kuptohet se cili është horizonti kulturor në të cilin Papa Françesku dëshiron të përfshihet. Ai, në vazhdimësi me magjisterin e paraardhësit të tij Benediktit XVI, ndihmon që të kapërcehet ideja se feja duhet të konsiderohet si një fakt vetëm privat. Ajo lind prej dëgjimit të Hyjit e të Fjalës së Tij dhe bëhet dëshmi e shpallje e dashurisë së Hyjit drejtuar të gjithë njerëzve.
Feja “nuk është një hedhje në zbrazëtirë”, apo një “iluzion”, por një dritë “e aftë të ndriçojë gjithë ekzistencën e njeriut” dhe t’i japë atij “sy të rinj” për ta jetuar dhe interpretuar. Kjo lexohet në hyrjen e “Lumen Fidei”. E përsëri, “Është e ngutshme të rifitohet karakteri i dritës karakteristikë e fesë, sepse kur flaka e saj shuhet edhe të gjitha dritat e tjera arrijnë ta humbasin fuqinë e tyre”.
Dhe “kur mungon drita – vazhdon Papa – gjithçka bëhet e pështjelluar, është e pamundur të dallohet e mira prej së keqes”. Gjithashtu, “feja, pa të vërtetën, nuk shëlbon, nuk i bën hapat të sigurtë. Mbetet një përrallë e bukur, projektimi i dëshirave tona për lumturi, diçka që na kënaq vetëm në masën në të cilën dëshirojmë ta gënjejmë veten”. Por edhe e vërteta pa fe është si të ishte e verbër. Prandaj Papa thekson se e vërteta duhet të lidhet me fenë, sidomos në ditët tona, sepse “në kulturën bashkëkohore njerëzit priren shpesh ta pranojnë si të vërtetë vetëm atë të teknologjisë”.
“Feja është e kundërta e idhujtarisë; është ndarje prej idhujve për t’u kthyer nga Hyji i gjallë, nëpërmjet një takimi personal”, shkruan Papa Françesku. “Të besosh do të thotë t’i besohesh një dashurie të mëshirshme që gjithmonë pranon e fal, që mbështet e orienton ekzistencën, që tregohet e fuqishme në aftësinë e saj për t’i drejtuar shtrembërimet e historisë sonë” dhe që ka forcën ta shndërrojë ekzistencën tonë për të ndihmuar ta orientojë drejt së mirës shoqërinë në të cilën jetojmë, duke filluar prej familjes si “bashkim i qëndrueshëm i burrit dhe i gruas në martesë”, që lind  “prej dashurisë së tyre, shenjë dhe prani e dashurisë së Hyjit”.
Për Papën pra ka një lidhje të fortë mes fesë dhe ungjillëzimit. Në të vërtetë, të krishterët, “dëshmojnë dashurinë konkrete e të fuqishme të Hyjit, që vepron me të vërtetë në histori dhe përcakton fatin e saj përfundimtar, dashuri që është bërë e takueshme, që është zbuluar në plotësi në Mundimet, Vdekjen dhe Ringjalljen e Krishtit”. Dhe, duke folur për rëndësinë e ungjillëzimit të ri, Papa thekson se “ai që beson nuk është kurrë vetëm”, sepse “feja priret të përhapet, të ftojë të tjerë në gëzimin e vet”.  Feja në Jezu Krishtin, pra, “për natyrë të vetën i hapet ne-së, ndodh gjithmonë brenda bashkësisë së Kishës”.
Leximet biblike që kemi dëgjuar na ndihmojnë ta thellojmë reflektimin tonë mbi fenë dhe mbi lidhjen që ajo ka me të vërtetën.
Leximi i parë prej Librit të Makabejve (2 Mac 7, 1-2.9-14), flet për flijimin e 7 vëllezërve të cilët preferojnë të vdesin në vend që të mohojnë fenë e tyre. I nxitur dhe i shyrë prej së ëmës edhe më i riu i mohon pasuritë që mbreti do t’ia japë dhe i del përpara martirizimit i lumtur të japë jetën e vet veç për të mos e mohuar fenë e vet. Dhe e fundit edhe nëna bashkohet me martirizimin e bijve të vet.
Në këtë pikë është e pamundur të mos kujtojmë martirët tanë shqiptarë, të cilët kanë preferuar të vdesin veç për të mos e mohuar fenë në Jezu Krishtin. Martirizimi i tyre, dëshmia e tyre do të mbeten gjithmonë të gdhendura në zemrat tona dhe në kujtesën tonë, dhe emrat e tyre do të mbeten përgjithmonë në librin e jetës.
Ungjilli (Gjn 18,33-37), na paraqet skenën e Jezusit përballë Pilatit. Në dialogun që u bë mes tyre, Jezusi shpjegon se Ai është Mbreti, por Mbretëria e tij nuk është e kësaj bote, dhe se ka ardhur në botë për të dëshmuar të Vërtetën. Edhe martirët tanë i kanë bërë një dëshmi shumë të madhe së Vërtetës, duke derdhur gjakun e tyre për Krishtin në të cilin besonin ngultas dhe duke shpallur në çastin e fundit të jetës së tyre, para përndjekësve të tyre: Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Kisha! Rroftë Atdheu!
Duke iu besuar Nënës së Këshillit të Mirë, Pajtore e Shkodrës dhe e gjithë Shqipërisë, si dhe ndërmjetësimit të së Lumes Nënë Tereza dhe “Martirëve” tanë, të lutemi që drita e fesë, siç thotë Papa Françesku, “të rritet – në ne – për të ndriçuar të tashmen derisa të bëhet ylli që tregon horizontet e ecjes sonë, në një kohë në të cilën njeriu ka nevojë të veçantë për dritë”.