Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Homeli 4 nentor 2017 – Imzot Angelo Massafra OFM

Në përvjetorin e parë te Luminit të Martirëve tanë

Homeli per 4 nentor 2017

Imzot Angelo Massafra OFM

Kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet”.

E kënduam në rreshtin e alulujës dhe e dëgjuam prej gojës së Jezusit në fjalët e fundit të Ungjillit të sapo shpallur.

Vëllezër e motra,

bashkëvëllezër ipeshkvinj,

meshtarë e diakonë,

mbarështues t shuguruar,

rregulltare e rregulltarë,

Autoritete Civile e Fetare

të mbledhur këtu për të kujtuar, përreth tryezës së Fjalës dhe të Eukaristisë, ngjarjen e Lumnimit të Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 Shokëve, Martirë: kjo vërejtje e Jezusit që e dëgjuam na lejon ta jetojmë këtë ditë sipas perspektivës së duhur, duke shkuar, në njëfarë kuptimi, prapa në kohë.

Kujtojmë shpalljen e tyre të Lumë të Kishës, por pa harruar përse-në. Sepse, pikërisht, kanë qëndruar deri në fund: kanë qenë dëshmitarë të Krishtit në jetën e tyre të zakonshme si laikë, meshtarë, rregulltarë apo ipeshkvinj; e kanë dëshmuar edhe më shumë gjatë diskutimeve të “proceseve-farsë” të organizuara nga urrejtja ateiste; e kanë dëshmuar deri në maksimumin e mundësive të tyre me vdekjen heroike.

E nëse duhet t’u rrimë gjithnjë fjalëve që Jezusi ka thënë në Ungjill, duhet të themi edhe se ata kanë qenë gjithmonë të ngjeshur me Shpirtin Shenjt që i ka bërë të ngjashëm me Krishtin në shprehjet e ndryshme që kanë karakterizuar kalimin e Tij në këtë tokë. Kanë jetuar në varfëri në imitim të Zotit të tyre dhe në bashkëndarje me popullin; kanë mësuar dhe përçuar fenë sikurse Jezusi Mësues; kanë praktikuar dashurinë e krishterë në imitim të Samaritanit hyjnor; kanë sjellë paqen, Princi i së cilës është Jezusi; në çdo mundim nuk i kanë hequr sytë prej “Njeriut të dhimbjeve, të regjur me vuajtje” (Is 53,3); e pasi e kanë takuar në Lavdi, tani bashkëndajnë me Të Lumninë e Qiellit.

Shenjtër në tokë? Jo, të dashur vëllezër e motra. Të krishterë të thjeshtë të angazhuar, shumë të dashuruar me Krishtin dhe me Ungjillin e tij. Duke vështruar ata mund të vërejmë një model shumë aktual të të qenurit Kishë e gjallë. Imitimi i Krishtit që ata kanë zbatuar është i mundshëm edhe për ne. Nuk kemi nevojë për formula të mëdha baritore që ta përtërijmë Kishën tonë; ajo për të cilën kemi me të vërtetë nevojë është të jetojmë dhe të ushqejmë të bërit tonë të ngjashëm me Krishtin.

            Nëse çdo i pagëzuar do të ishte me të vërtetë një “alter Christus” (Krishti tjetër), atëherë Kisha jonë do të ishte një Kishë e gjallë, e aftë për të shpallur e dëshmuar, për të takuar njeriun ku jeton dhe për të qenë kishë gjithmonë në dalje, sikurse e dëshiron Papa Françesku. Pra, mirë se të vijnë programet dhe projektet baritore, por që të lindin prej Ungjillit, për t’i bërë besimtarët të rriten dhe të arrijnë “masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit” (Ef 4,13)

“Passio” e tyre (Mundimet e tyre) ka qenë edhe “Passio” (Mundimet e tyre) e një populli të tërë, popullit tonë, të privuar nga identiteti krejtësisht i përqenduar përreth binomit “Fe e Atdhe”, të poshtëruar në mënyrë të skajshme: një vëllavrasje sistematike e graduale, etapat kryesore të së cilës i kanë shënuar kampionët tanë, tani të Lumë. Ata nuk kanë pranuar ta shpëtojnë lëkurën veç për të qëndruar e për të bashkëndarë fatin e popullit të tyre, të atij populli të cilit, në mënyrë të rremë, i ishte dhënë një pushtet që, në të vërtetë, ishte krejtësisht i përqendruar në duart e një njeriu të vetëm dhe që, për Martirët tanë, ka qenë një “Crucifige” e re (një Kryqizojë të ri), e ngjashme me britmën e hebrenjve përpara Pilatit.

Por, sikurse gjaku i Krishtit ka shpëtuar e shëlbuar edhe kryqëzuesit e tij, po ashtu gjaku i Martirëve tanë, i bashkuar me atë të Krishtit, vazhdon të jetë arsye shprese dhe shpëtimi për popullin tonë, sot pre e tiranive edhe më të rënda e tinëzare, përballë të cilave nevojitet një aftësi e madhe shoshitjeje dhe guximi për t’i paditur.

Vëllezër e motra, kampionët tanë të fesë e të atdheut, nuk ishin jashtëtokësorë por persona si ne, të krishterë të bindur për identitetin e tyre që nuk kanë lënë t’ua vjedhin dhe që nuk e kanë shkëmbyer në asnjë mënyrë. Prandaj, atë që e kemi përshkruar si virtyt që i ka dalluar në të qenurit dhe të vepruarit e tyre, mund të jetë edhe një virtyt i yni. Mjafton ta dëshirojmë dhe ta duam.

Nëse i shohim ata si arsye krenarie, kemi dështuar plotësisht në objektivin që t’i shihnim të lartësuar në nderet e altareve; por nëse i shohim ata si modele të jetës së krishterë dhe të angazhimit shoqëror për të mirën e kombit tonë, atëherë i bëjmë një nder vetvetes dhe krejt kombit të cilit i përkasim. Vetvetes sepse do të jemi të krishterë më të mirë; kombit sepse, besnikë ndaj Ungjillit, do të ndihmojmë në ringritjen morale të Kombit.

E dashur Shqipëri, diktatura komuniste të ka privuar prej shpirtit (dhe një trup pa shpirt është një trup i vdekur!). Vëllezër dhe motra, sot, 4 nëntor, përkujtojmë 27 vjetorin e Meshës së parë në varrezat katolike e kremtuar nga i ndjeri Don Simon Jubani. Procesi i rilindjes nuk ka qenë vetëm fryt i aleancave politike ndërkombëtare, por ka kaluar edhe e sidomos nëpërmjet ndërhyrjeve të frymëzuara nga Ungjilli, të atyre që në të gjitha këto vite të kanë ndihmuar për të të ridhënë dinjitet e bukuri. Sot, mjerisht, janë kapitalizmi dhe mirazhi i fitimeve të lehta, ashtu si edhe mosbesimi në Institucionet Politike që është duke shoqëruar një humbje të re të shpirtit: atë të të rinjve dhe të familjeve të tëra që parapëlqejnë ta lënë Atdheun për të kërkuar vende, ndër thonjëza, më të mira ku të gjejnë kushte jete më të volitshme.

Në emër të Martirëve tanë, dëshiroj t’u bëj sot një thirrje serioze e të përzemërt qytetarëve, familjeve, të rinjve, Institucionëve Qendrore dhe Lokale si dhe në mënyrë të veçantë të krishterëve katolikë: të krijojmë kushte më të mira jetese, të qëndrojmë fort në luftën kundër gjithçkaje që pengon zhvillimin dhe rritjen e popullit shqiptar, në radhë të parë korrupsioni dhe çdo qëndrim mafioz frikësimi ndaj atyre që duan të ndërtojnë dhe të realizojnë diçka të mirë për Vendin.

Ju kërkojmë me forcë: mos ikni, mos e lini Atdheun tuaj!

Në të njëjtën kohë, po i lejoj vetes t’u drejtoj një thirrje ne ipeshkvinjve, meshtarëve, rregulltarëve, të kushtuarve: të jemi më afër familjeve dhe sidomos të rinjve e adoleshentëve: t’u kushtojmë atyre gjithë kohën dhe energjitë e nevojshme, duke bashkëndarë nevojat e tyre, duke dëgjuar e dhënë kuptim ëndrrave dhe aspiratave të tyre, duke bërë gjithçka është e mundur që dëshira e tyre për realizim dhe për një të ardhme më të mirë të bëhet realitet.

Martirët tanë janë para nesh si modelë të angazhimit dhe të guximit; jo vetëm kaq… por sot ata janë edhe ndërmjetësit tanë të fuqishëm dhe fitojnë për ne prej Hyjit ato hire të nevojshme për të jetuar mirë dhe për të punuar mirë në dobi të popullit tonë.

Guxim, Shqipëri! Në ty janë bukuria, natyra, burimet, mirësia dhe vlerat njerëzore e fetare. Je e pasur dhe nuk e di! Shiko brenda vetes, më shumë se sa të shohësh jashtë: aty do të zbulosh thesare të pamendueshme! Sepse Krijuesi nuk të ka braktisur, por sot, së bashku me të gjitha këto bukuri, është duke të të dhënë edhe mundësi të reja: jo ato që të ofrohen nga jashtë, por ato që Ai vetë i ka vënë brenda teje.

Për dhuratën e Imzot Vinçenc Prennushit dhe Shokëve Martirë, për dhuratën e Shenjtërimit të Nënë Terezës sonë, Hyjit të vetëm, Atit që të gjithë e adhurojmë, Krishtit Mbret e Zot të Gjithësisë, Shpirtit Shenjt e Shenjtërues, i qoftë nder, lavd e falënderim për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

MARTIRET TE LUME – LUTUNI PER NE.