Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Gezuar Krishtlindjen 2017

Krishlindja 2017

Një përshëndetje paqeje të gjithë ju që dëgjoni këtë mesazh timin për festën e lindjes së Jezusit që, këtë vit, nuk e shpreh i vetëm, por së bashku me mua janë të gjithë bashkëvëllezërit Ipeshkvinjtë e Kishës katolike të Shqipërisë.

Kemi dëshiruar të japim, si Konferencë Ipeshkvore, një Mesazh të vetëm, me shpresën se urimi që ai përmban të mund të hyjë me forcë dhe ëmbëlsi në zemrat e të gjithë juve dhe të familjeve tuaja.

Ky i yni është një Mesazh shprese; ajo shpresë që Jezus Krishti ka ardhur të sjellë në tokë me lindjen e vet, prelud i predikimit të tij, i dëftimit të fuqisë së tij dhe të shpëtimit që ka kryer kur, vullnetarisht, i është dorëzuar vdekjes për t’u ringjallur më pas. Prania e tij në mesin tonë është arsye shprese!

Dhe, pikërisht duke vështruar Atë, kemi menduar t’ju drejtohemi ju. E për ta bërë këtë jemi frymëzuar prej fjalëve të Isaisë profet i cili, duke shikuar realitetin e kohës së vet, që ai e përshkruante si “errësirë”, profetizonte ngjarjen e “dritës së madhe” dhe thërriste: “Mbahuni! Frikë mos kini: ja Hyji juaj… Ai po vjen për të na shpëtuar!”.

Kështu ne, duke shikuar realitetin që jemi duke jetuar sot në nivel botëror si dhe në Shqipërinë tonë, nuk kemi mundur të mos vërejmë errësirat që kanë nevojë të ndriçohen; ashtu si edhe veprat e dritës tashmë në veprim që, po ashtu, nuk duhet të lihen pas dore, përndryshe rrezikojmë të shohim vetëm negativitetet.

Mjerisht, ikja i qytetarëve nga Shqipëria, zbrazja e kombit tonë është pikërisht fryti i këtij leximi negativ e pa shpresë të realitetit!

Është e vërtetë: ka situata si varfëria, egoizmi personal dhe të pushtetit, padrejtësitë shoqërore, korrupsioni, prodhimi dhe tregtia e drogës, vrasjet, papunësia, ndarja e familjeve, aborti gjithnjë e më i përhapur që është një “genocid” i vërtetë dhe shumë negativitete të tjera. Por përballë të gjitha këtyre eksiston e mira. Ekzistojnë edhe vepra të rritjes dhe të zhvillimit shoqëror, vullneti i mirë i shumë qytetarëve të ndershëm që duan të realizojnë diçka të mirë për të mirën e përbashkët, si vetë veprat që Kisha katolike ka realizuar në këto vite.

Ja, ne ju ftojmë të keni besim, sepse e mira kur rritet nuk bën zhurmë sikurse e keqja. (thoshte Nena Tereza jonë: “ bën më shumë zhurmë një pemë që rezohet se një mijë që rriten”).  E mira rritet me angazhimin e të gjithëve, duke qenë solidarë dhe më humanë me më nevojtarët.

Të dashur, e ardhmja varet nga të gjithë ne…edhe nëse me përgjegjësi të ndryshme para Zotit dhe para Historisë.

Pra, ky është urimi ynë, jo vetëm për këto festa të Krishtlindjes, por për gjithë jetën tuaj: “Shpresa”, të cilën, si thotë Papa Françesku, mos të lejojmë që të na vjedhin.

 Ta ndërtojmë së bashku me guxim shpresën.

Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2018!

+ Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv