Një ngjarje e jashtëzakonshme
Në Tiranë, në universitetin katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” është zhvilluar “Forumi i të rinjve”, organizuar nga Komisioni Baritor Rinor si parapërgatitje për Sinodin e Ipeshkëvinjve. Të gjithë pjesëtarët e komisionit kanë punuar me përkushtim për organizimin e këtij eventi që sipas mendimit tim si një e re katolike, ka qënë eventi më i bukur dhe më i rëndësishëm i këtij viti për Kishën në Shqipëri.
Forumi i ka ofruar të rinjve mundësinë që të njohin nga afër rëndësinë që kanë për Kishën universale dhe në veçanti i ka ndihmuar të zbulojnë se Kisha i do dhe kërkon me këmbëngulje të dëgjojë opinionin e tyre.
Pranija e Atë Raffaele Lanzilii, anëtar i Sekretariatit të përgjithshëm të Sinodit ka qënë një moment kyq për mbarëvajtjen e forumit. Atë Raffaello, i cili është një figurë e dashur për të rinjtë shqiptarë na ka shpjeguar tre fazat e Sinodit. Ai ka vënë theksin gjatë fjalimit të tij tek fjalët që Ati i Shenjtë i ka drejtuar të rinjve në Romë : “Ju kam ftuar në Romë për të degjuar opinionin tuaj pa filtra. Sinodi është për të gjithë të rinjë pa përjashtuar askënd”. Papa ka thënë që Sinodi është për të gjithë të rinjtë e botës. Askush nuk përjashtohet. Të gjithë të rinjtë janë të rëndësishëm për Kishën dhe ajo do të dëgjojë mendimin e të gjithëve. Fjalët e Papës më kanë prekur shumë dhe më është kujtuar moment kur kam plotësuar online formularin me pyetje. Bashkë me mua e kanë plotësuar formularin edhe dy te rinj të tjerë që nuk janë katolik dhe as besimtarë në Zot. Mund të dëshmoj me bindje të plotë se këto dy të rinj janë prekur shumë edhe ato nga fakti që Kisha kërkon të njohë mendimin e tyre, se ajo do të dëgjojë zërin e tyre, do të dijë nëse janë të lumtur apo jo.
Një moment tjetër i rëndësishëm i forumit ka qënë dëshmia e tre të rinjve katolikë, të cilët e jetojnë besimin e tyre në jetën e përditshme si zgjedhje të çdo dite, si zgjedhjen e vetme qe sjell gëzimin e plotë edhe në mes të veshtirësive. Më shoqërojnë çdo ditë fjalët e një të riu, Vilson Peshkaj, që punon në fushën e politikës : “Le të ngrihemi në këmbë dhe të ecim me Zotin. Të shkojmë përpara me Zotin sepse me Zotin ska asgjë të pamundur”. Ja guximi i të krishterit, i atij që ka takuar Krishtin.
Forumi ka përfunduar me prezantimin e librit “Tweeting with God” nga Dom Mishel Remery. Libri na drejtohet ne të rinjve dhe na fton ta shpallim Ungjillin me tërë jetën tonë, të dëshmojmë Krishtin në çdo moment, të dëshmojmë për dashurinë e Tij kudo, edhe në rrjetet sociale që ne të rinjtë e sotëm përdorim kaq shumë. Dom Michel në këtë libër i është përgjigjur shumë pyetjeve që ne të rinjtë kemi për besimin, për Kishën dhe për zgjedhjet e çdo dite.
Për mua si një e re katolike, forumi ka pasur një rëndësi të unike dhe jam e bindur se edhe Sinodi i Ipeshkëvinjve do ketë një rëndësi shumë të madhe në jetën e të rinjve katolikë në të gjithë botën.
Unë ëndërroj ti shoh të rinjtë katolikë ëndërrimtarë të mëdhenj, luftarakë të gëzuar, revolucionarë plot jetë. Enderroj ti shoh të ndryshojnë çdo realitet dhe të realizojnë çdo ëndërr duke e dashuruar çdo ditë e më shumë jetën.
Do më pëlqente të përfundoja me një frazë të Dom Michel Remery : “Ka disa të vërteta që ngelen gjithmonë të vërteta për ty dhe për mua. Edhe pse mund të mendojmë në mënyra të ndryshme për të vërtetën, e vërteta mbetet gjithmonë e njejta, nuk ndryshon. Dashuria e Krishtit është e vërteta jonë”. E vërteta e shkruar në zemrat tona është Krishti I Ringjallur dhe me këtë të vërtetë të përjetshme asgjë nuk është e pamundur.
Jona Draçini
Anëtare e Komisionit Kombëtar për të Rinjtë