Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Pershendetja e Imzot Angelo Massafra OFM pas dhënjes së çmimeve Familjarëve të Martirëve – nëntor 2016

Tiranë, me 9 nëtor 2016

Shkelqësi e nderuar, President Nishani!

Të dashur familjarë të martirëve të Lumë!

Të nderuara autoritet shtetërore dhe fetare!

Të nderuar përfaqësues të Selive Diplomatike dhe Deputetë,

            Zoti President, faleminderit për këtë ditë e bukur dhe historike!

Do të ishte logjike që këtë përshëndetje të shkurtër ta filloja me fjalët “e kush do ta kishte menduar disa kohë më parë se do të ishim në këtë pallat duke dekoruar Martirët që diktatura komuniste i vrau veç pse besonin në Jezu Krishtin!”. Kjo logjikë që sapo thashë ka në vetvete një farë fataliteti pasi fsheh disi mendimin se vdekja edhe mund të ketë pushtet përgjithmonë.

Martirët tanë janë martirë që vdiqën duke dëshmuar jetën dhe dashurinë e Zotit për jetën e gjithë  njerëzimit. Ata besonin në Zotin dhe vdiqën duke dëshmuar, e duke flijuar vetveten, sot ngadhënjejnë me Zotit. Janë të Lumë sepse u rrënjosën në Zotin Jezus që dhuroi jetën e Tij.

Martirët meritojnë nderim sepse janë dëshmitarë të vërtetë. E dëshmia e tyre duhet të vihet re nga të gjithë sepse Atdheu ynë i dashur ka shumë nevojë sot për dëshmitarë të tillë, për martirë që flijohen në jetën e përditshme për të mos u përlyer me logjikat e korrupsionit dhe mashtrimet e pushteteve që shfrytëzojnë të varfërit dhe e të çdo person njerëzor. Duhet të mësojmë nga martirët tanë të kemi forcën që t’i rezistojmë përfshirjes në klane e grupe që keqpërdorojnë të mirën e përbashkët e shkelin mbi ideale dhe dinjitetin e njeriut pa turp e burrëri.

Martirët sot shkëlqejnë  e na shpallin të vërtetën që dëshmuan me gjakun e tyre: Zoti Jezus është i gjallë dhe tek Ai është jeta dhe shpërblimi i jetës së pasosur.

Një falënderim që vjen prej zemrës do të doja t’ia drejtoj Parlamentit të Republikës i cili me anën e një rezolute solemne këto ditë dënoi fuqishëm vrasjet dhe persekutimin e regjimit komunist dhe njohu me bindje  të plotë pafajsinë e Martirëve tanë. Përftitoj nga rasti për të falenderuar zonjen Jozefina Topallin pasi ajo është nismëtarja në Kuvend e kësaj nisme.

İ nderuar Zoti President,

Në emrin e Kishës Katolike në Shqipëri dhe të familiarëve të Martirëve dua t’Ju falenderoj për këtë gjest kaq solemn që bëni për jetët dëshmitare të këtyre martirëve. Njëheri dua t’Ju siguroj se Kisha Katolike në Shqipëri vazhdon të shpallë në çdo cep të Vendit atë të vërtetë që këto burra e gra shpallën. Martirët vdiqën se nuk pranuan të thonin para regjimit se e kemi mashtruar popullin dhe atë mësim e dëshmuan me jetën e tyre. Kisha ka qënë përherë e mot besnike e së vërtetës dhe e shpall kurdoherë atë duke qënë solidare me më të varfërit ashtu si Nënë Tereza. Të gjithë kemi nevojë të përsosim jetën personale dhe shoqërore, por e vërteta që shpallet çdo ditë nga foltoret e kishave është ajo mbi të cilën këta martirë themeluan shpresën dhe jetën e tyre.

Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës i bashkohen edhe 38 Martirët që i luten Zotit t’a bekojë Vendin tonë. E ne i japim zë sot zërit të tyre: Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!

Tiranë, 08 nëntor 2016

+ Angelo Massafra O.F.M

Arqipeshkëv Metropolit i Shkoder – Pult

President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.

Leave a comment

You must be logged in to post a comment.