Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

DITA E TOKËS 2020

DITA E TOKËS 2020

(EARTH DAY 2020)

Pesëdhjetë vjet më përpara, në vitin 1970, u caktua Dita Botërore e Tokës nxitur nga OKB-ja. Dita Botërore e Tokës, lindi për të vënë në dukje nevojën e ruajtjes së burimeve natyrore të Planetit dhe, me kalimin e kohës, Dita e Tokës u bë edhe një ngjarje edukative dhe informative.

Ajo bazohet në parimin që të gjithë, pavarësisht prej etnisë, gjinisë, zonës se ku jeton apo gjendjes ekonomike, kanë të drejtën etike për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm, të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm.

Dita e Tokës 2020 merr një domethënie të veçantë, pasi bie pikërisht në momentin e përhapjes më të madhe globale të pandemisë Covid-19. Pra, nëse nga njëra anë nuk do të jetë e mundur që të organizohen manifestime, marshime dhe koncerte live, që zakonisht organizoheshin në vende të ndryshme të botës, nga ana tjetër kremtimi i kësaj dite në këtë kohë merr një domethënie të veçantë: atë të marrëdhënies mes njeriut dhe Natyrës, në çdo formë të saj, nga më e madhja deri te më e vogla dhe e padukshmja, siç është, në këtë rast, virusi.

Paradoksalisht, jemi të ftuar që “ta përqafojmë” dhe ta pranojmë edhe këtë virus si pjesë të ekosistemit tonë dhe të fillojmë të mendojmë se, ndoshta, e vetmja mënyrë për ta fituar sfidën vdekjeprurëse të saj, është ndryshimi i zakoneve tona dhe i mënyrës së jetesës, me stile më të shëndetshme dhe zakone e sjellje të frymëzuara më shumë prej normave higjieno-sanitare që gjithmonë, dhe jo vetëm në këtë rast, do të na bënin mirë t’i kishim dhe t’i respektonim.

Pastaj, si të krishterë, nuk duhet ta harrojmë mësimin e Shën Palit në lidhje me vuajtjen e krijimit, në të cilën edhe ne marrim pjesë, në pritje të përmbushjes së shëlbimit (krh. Rom 8, 22). Ne e dimë se çfarë roli kemi në histori në lidhje me bërjen aktual të shëlbimit të Krishtit.

Pra, kemi një përgjegjësi të madhe, një detyrë të mrekullueshme që sot më shumë se kurrë na thërret si në terma angazhimi moral, nëpërmjet bërjes së zgjedhjeve të qëndrueshme për mjedisin, ashtu edhe në terma shpirtërorë, aty ku, nëpërmjet lutjes, mund t’ia kthejmë Krijuesit vendin e parë në çdo zgjedhje që bëjmë dhe ta shohim veten e krejt krijimin me sytë e Hyjit Atë Dashuri dhe Atë i mirë e provanor.

Ditë të mirë të Tokës të gjithëve.

Shkodër, më 22.04.2020

† Angelo Massafra O.F.M.

Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult

Anëtar i Komisionit Shoqëror CCEE

për ruajtjen e Krijimit