Scroll Top

NDËRHYRJE E IMZOT MASSAFRA NË TAKIMIN NDËRFETAR 11/12/ 2018

NDËRHYRJE E IMZOT MASSAFRA NË TAKIMIN NDËRFETAR

11/12/ 2018

Jam i gëzuar se po ndërhyj në këtë takim që, akoma dhe një herë, sheh përfaqësuesit e tri feve në Shkodër tek reflektojnë së bashku mbi tema me rëndësi jete dhe me aktualitet të madh, si në nivel botëror ashtu edhe në nivel vendor.

Në mënyrë të veçantë, kjo temë e “mbrojtja e tokës, shtëpi e përbashkët e jona”, është në zemrën time për dy arsye themelore: përpara së gjithash sepse sforcimi ynë është një sforcim konkret për të vlerësuar atë çfarë na bashkon për të treguar, në këtë mënyrë, se janë të mundura ecje të përbashkëta duke kapërcyer ndryshimet që karakterizojnë secilin. “Nëna tokë”, shtëpia jonë e përbashkët, është prandaj një nga pikat më të rëndësishme të takimit mes nesh.

Në vend të dytë, kjo temë më prek në mënyrë të veçantë edhe për rolin që mbuloj në nivel evropian në Komisionin e Konferencës Ipeshkvore Europiane për mbrojtjen e krijimit.

Është interesant, pastaj, se si ky takimi ynë është i njëkohshëm me çfarë është duke u përjetuar në këto ditë në Poloni, domethënë COP24, Konferenca Botërore mbi Klimën me qëllim që të verifikohet gatishmëria reale e Shteteve për të ulur lëshimin e CO2 për të shmangur ngritjen e temperaturave botërore deri në 2 gradë brenda fundit të shekullit.

Edhe ne, prandaj, nëpërmjet këtij takimi që, shpresojmë të shërbejë si sensibilizim për ndërgjegjet e personave dhe të eksponentëve politikë shqiptarë, duam të kontribuojmë me ndihmesën tonë të përvuajtur, por konkrete.

Sigurisht, afrimi ynë tek kjo temë nuk mund të ndahet nga një lexim me çelësin e besimit, aty ku librat tanë të shenjtë na mësojnë të vërtetën themelore të një Hyjit krijues, pas së cilës vijon e vërteta tjetër themelore: ajo që ka dalë prej duarve të Hyjit ka një shenjtëri të veten dhe si e tillë do të konsiderohet dhe do të respektohet.

Të interpretojmë botën e krijuar si një objekt për ta përdorur sipas kënaqësisë sonë ose, edhe për ta shfrytëzuar përtej çdo kufiri me qëllim përfitimi, apo për interesa ekonomike, është e barasvlefshme me zhvleftësimin e veprës krijuese të Hyjit dhe me vetë rolin e Hyjit Krijues.

Për të mos folur, pastaj, se si një interpretim i ngjashëm i realitetit të krijuar nuk kufizohet me natyrën dhe me tokën, por edhe me njeriun. Gjatë shekujve –historia e tregon- çdo tentativë për ta vënë njeriun në qendër, duke e zëvendësuar me Hyjin, është zbuluar saktësisht një grackë vdekjeprurëse viktima e parë e së cilës është vetë njeriu. Kështu ndodh edhe sot: rregullat e fitimit, përtej çdo respekti të natyrës dhe të ambientit, po na sjellin vetëm të këqija duke parashikuar të ardhmen me frikë.

Paraqiten më tepër kohë krizash, aty ku tashmë shohim se si natyra rebelohet dhe rrjedhoja konkrete tashmë verifikohen mbi klimën, mbi të korrat, mbi shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve.

Duke hequr Hyjin nga horizonti i njeriut dhe i krijimit kemi hapur dyert drejt një të ardhmeje vdekjeje që, tani, kemi pak kohë për ta rikujtuar nga vrapi i saj drejt humnerës. Do të nevojitej sigurisht të aktualizojmë një politikë të ndryshme ambientale, por nëse kjo nuk do të jetë e rrënjosur thellësisht në një reflektim serioz mbi Hyjin dhe mbi rolin domethënës të njeriut, si përfaqësues i Hyjit mbi këtë tokë, gjithçka do të jetë e kotë; sepse nuk mund të ketë jetëgjatësi ajo që nuk ka një themel serioz.

Zanafilla thotë se Hyji ka krijuar botën e pastaj burrin dhe gruan: “Hyji e krijoi njeriun në përngjasimin e vet, e krijoi në përngjasimin e Hyjit; i krijoi mashkull e femër. Hyji i bekoi dhe u tha: ‘Shtohuni e shumohuni… (Zanafilla 1, 27˗28). Zoti Hyj e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin Eden që ta punojë e ta ruajë atë…” (Zanafilla 2, 15).

Pra, ky angazhim dhe kjo detyrë, që na është besuar nga Hyji, për të kultivuar dhe për të ruajtur tokën, do të na nxit të kemi më shumë kujdes dhe dashurinë ndaj botës së krijuar për të dhënë fëmijve një botë më të mirë.

Faleminderit.