GËZIMI I DËSHMISË
Letër baritore
e Shkëlqesisë së Tij të nderuar
Imzot Angelo Massafra O.F.M.
Meshtarëve, Diakonëve
të Shuguruarve
dhe të gjithë besimtarëve laikë
të Arqipeshkvisë Shkodër-Pult
- Gëzimi i dëshmisë, të dashur vëllezër e motra në Krishtin, është ai që qysh në fillim të kësaj Letre Baritore dëshiroj t’jua uroj të gjithëve ju me të cilët bashkëndaj hirin e pagëzimit dhe prandaj të të bërit të ngjashëm me Krishtin. Shpirti i Jezusit vazhdimisht na ndërton si bashkësi feje në ecje drejt Atit; dhe kështu, ndërsa jemi në bashkim mes nesh, marrim pjesë edhe në bashkimin trinitar.[1]
A nuk është kjo një arsye e mirë për të qenë dhe për të jetuar në gëzim? I krishteri, pra ai që i përket vetëm Krishtit, dhe pikërisht sepse është i Krishtit i relativizon gjithë të tjerat, gëzon se është në bashkim me Hyjin dhe me vëllezërit e motrat e vet në fe. Gëzim që, pastaj, dëftohet edhe në koherencën e veprimit të tij dhe që, para syve të të afërmit, bëhet një dëshmi e fuqishme, e aftë të tërheqë edhe të tjerë në ndjekjen e Jezusit, të vetmit Shpëtimtar të botës.
- Por, nëse e gjithë kjo nuk mjafton, ka edhe arsye të tjera për të cilat bashkësia katolike e Arkidioqezës sonë mund të gëzojë dhe të ushtrohet në “artin” e dëshmisë. Le të kujtojmë vetëm ato të periudhës së fundit:
- Në vitin 2014 janë bekuar nga Vizita Apostolike e Papa Françeskut i cili na ka ngushëlluar e forcuar në fe, duke na ftuar “të fluturojmë lart”, të mos u nënshtrohemi logjikave të së kaluarës dhe të kemi Krishtin si të vetmen dashuri të jetës sonë.
- Në vitin 2015 kremtuam 25-vjetorin e meshës së parë të kremtuar në Varrezat e Rrmajve, me të cilën u hap një rrjedhë e re në historinë e popullit tonë të munduar prej regjimit komunist.
- Në vitin 2016, në mes të Vitit Jubilar të Mëshirës, të dëshiruar prej Papa Françeskut, patëm gëzimin të shihnim të lartësuar në nderet e altareve Nënë Terezën dhe u lumnuan Imzot Vinçenc Prennushi e 37 Shokët Martirë të shekullit XX në Shqipëri.
- Gjithashtu, Kisha jonë lokale pati mundësinë të shihte një ndër presbiterët e vet të lartësuar Kardinal të Kishës së Shenjtë Romake: Don Ernest Simonin, të cilit i drejtohet përshëndetja jonë e përzemërt.
- Këtë vit kemi kujtuar 550-vjetorin e mbërritjes së Ikonës së Zojës së Këshillit të Mirë në Gjenacano.
- Dhe, ndërsa po përgatitemi për kremtimin e Sinodit të të Rinjve, nuk mund të mos kujtojmë se janë kremtuar plot dy Sinode për Familjen dhe Papa Françesku na ka dhuruar Enciklikën “Laudato sii” e Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia”, përveçse edhe Letrën Apostolike “Misericordia et Misera” që, të përkthyera në gjuhën shqipe, ia kemi ofruar meditimit të të gjithëve.
Personalisht, kam kremtuar 20-vjetorin e Shugurimit tim ipeshkvor, 19 prej të cilëve në mesin tuaj si bari i juaji. Në atë kremtim në Katedrale kam dëshiruar të kujtoj se si, për misionin në Shqipëri, Shën Gjon Pali II më besoi Shpirtit Shenjt; dhe me të vërtetë kam mundur të konstatoj efektet e atij besimi në ngjarjet e ndryshme të ndodhura këto vite. Prandaj i drejtoj Zotit falënderimin tim dhe mirënjohjen time.
- Prej të njëjtit Shpirt, në këtë moment kaq të veçantë për Kishën në Shqipëri, ndihem i nxitur të shkruaj këtë Letër baritore që, ashtu siç ka ndodhur në vitin 2002, secili prej jush të ndihet drejtpërdrejt i përfshirë në programimin baritor të trevjeçarit të ardhshëm, ashtu si edhe në realizimin e gjithçkaje që është e nevojshme për jetën dhe për rritjen e bashkësisë katolike të Shkodër-Pultit.
Por, duhet të nisemi me këmbën e duhur: duke i kthyer Hyjit gjithë të mirat që Ai, në mirësinë e vet të pafundme, ka dëshiruar të bëjë në mesin tonë. E falënderojmë për ecjen e bërë deri tani, për fenë e gjallë të popullit tonë dhe të familjeve të krishtera të Arkidioqezës sonë. E falënderojmë për thirrjet meshtarake e rregulltare që kanë lindur gjatë këtyre viteve mes nesh dhe për dhuratën e misionarëve e misionareve në shërbim të bashkësive tona.
Një falënderim i veçantë Zotit, që në këtë moment bëhet lutje, për të gjithë ata meshtarë, rregulltarë e rregulltare, shqiptarë e misionarë, që kanë jetuar dhe punuar në mesin tonë dhe që tani gjenden në përqafimin plot dashuri të Atit qiellor.
Duam të shprehim edhe ndjenja vlerësimi e falënderimi për të gjithë vepruesit baritorë që në këta vjet janë angazhuar në fushën e katekezës, të liturgjisë dhe të bamirësisë, veçanërisht në sektorin humanitar dhe shëndetësor, si edhe për ata që janë angazhuar në fushën formuese e shkollore.
- NJË VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM MBI ARKIDIOQEZËN
- Edhe në Letrën për Ardhjen 2016 ju kam përfshirë të gjithëve ju në lutje dhe në bashkëpunimin konkret për analizën dhe verifikimin që do të na lejonte të arrinim të përgatitur në Visita ad Limina Apostolorum që ne, ipeshkvijtë e Shqipërisë, kemi jetuar nga 29 maji deri më 2 qershor të këtij viti.
Nga ajo punë ka dalë një përshkrim i Arkidioqezës sonë që, tani, dua ta bashkëndaj me të gjithë ju, megjithëse të përmbledhur, pikërisht në logjikën e bashkëpunimit që duhet të ekzistojë mes ipeshkvit, meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve dhe laikëve.
Arqidioqeza Shkodër-Pult hyn krejt mirë në kategorinë biblike të popullit në ecje. Situatat mjedisore në të cilat është krijuar në vitin 2005 e përcaktojnë për kulturën, ndjeshmërinë, vlerat si edhe për negativitetet që, mjerisht, nuk mungojnë.
Kuria dioqezane është e pajisur me shërbime dhe zyra thelbësore që, megjithatë, kërkojnë të merren në konsideratë dhe të përmirësohen në dritën e nevojave që dalin vazhdimisht dhe që kërkojnë një përfshirje më të madhe të klerit, rregulltarëve, rregulltareve dhe laikëve.
Territori dioqezan numëron më shumë se gjysmën e popullsisë katolike dhe ka edhe një shtim të lehtë, në krahasim me pjesën tjetër të Kombit ku katolikët përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të popullsisë, dhe që, prandaj, kërkon një kujdes e vëmendje të veçantë.
Shërbesa episkopale është e vëmendshme ndaj leximit të situatave të jetës së klerit, të rregulltarëve, rregulltareve e laikëve, ashtu si edhe ndaj ngjarjeve historike konkrete, duke bërë kujdes që të mos mungojë feja e të krishterëve, duke mbrojtur Kishën dhe anëtarët e saj nga ndërhyrjet e jashtme që gjithashtu nuk mungojnë dhe kanë qëllim të destabilizojnë rritjen numerike dhe sasiore të të krishterëve, duke bërë thirrje për t’u ruajtur nga rreziku i mondanitetit dhe si pasojë nënshtrimit ndaj forcave të shekullarizmit në veprim dhe ndaj dukurisë së sekteve, duke u kujdesur për marrëdhëniet ekumenike me praninë ortodokse të vendit, ato ndërfetare me myslimanët dhe ato me autoritetet civile.
Populli i Hyjit e jeton fenë duke e shprehur atë me një jetë sakramentale dhe një jetë përshpirtërie mjaft të fortë që shohin edhe pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të rinjsh, si në qytet ashtu edhe në fshatra. Ajo që mbetet për t’u bërë është të përmirësohet ndjenja e përkatësisë kishtare në mënyrë që feja të mos jetohet vetëm në nivel individual; ashtu siç duhet përmirësuar edhe njohja e parimeve themelore të fesë dhe një bashkëdepërtim më i madh mes fesë dhe jetës.
Për këtë qëllim, ngutshmëria formuese nuk ka lidhje vetëm me laikët, por edhe me përgatitjen për shërbesën e shenjtë në seminare, për t’i aftësuar kandidatët për Urdhrin meshtarak që të bashkojnë në mënyrë të urtë traditën dhe përmbajtjet teologjike, duke ndërmjetësuar e mbushur mangësi, duke pranuar pozitiven e traditës lokale dhe duke e përtërirë atë me dashuri.
Kujdesi baritor për thirrjet drejtohet me pasion dhe shoshitje si në nivel dioqezan ashtu edhe nga ana e Instituteve rregulltare të pranishme në Dioqezë. Mjerisht ndihen ndikimet kulturore të kohës sonë dhe vetëm lutja, sipas mandatit të Jezusit, dhe dëshmia e mirë e klerit dhe e të kushtuarve Zotit do të mund të bëjë për vete punëtorë për të korrat e Zotit.
Nëse nga njëra anë është e drejtë që t’i jepet parësi fillimit të krishterë të fëmijëve dhe të të rriturve, është e drejtë, për të ardhmen e kësaj Kishe, edhe të këmbëngulet më shumë për t’i përgjegjësuar besimtarët për aspektin e shërbestarisë, jo të kuptuar edhe aq në këndvështrimin liturgjik, por në këndvështrimin praktik, si shërbim ndaj bashkësisë sipas dhantive të secilit.
Katekeza, në këtë kuptim, përfaqëson një fushë të privilegjuar të jetës dhe të angazhimit të bashkësive të krishtera. Megjithëse ajo drejtohet sipas kritereve të Kishës së gjithëmbarshme dhe nëpërmjet përshtatjes së katekizmave të kishave të tjera të veçanta, kërkon një koordinim më të madh dioqezan për të shmangur një diferencim të tepruar dhe për të favorizuar një orientim të përbashkët. Dhe kjo më shumë duke iu referuar përgatitjes sakramentale për martesë, efikasitetit në tematikat e mbrojtjes dhe mbikëqyrjes së jetës, përmbysjes së rregullave atavike të Kanunit me gjakmarrjet që, edhe mes katolikëve, ende korrin viktima.
Gjithnjë në këtë drejtim, nuk është i pavend angazhimi për edukimin katolik të bërë nëpërmjet shkollave të pranishme në Dioqezë. Sigurisht, nuk mund të kemi një prani në shkollat shtetërore, që në Shqipëri nuk e parashohin mësimin e besimit katolik, por vlerësimi i cilësive të shkollës katolike na nxit që të vazhdojmë në këtë drejtim për t’u dhënë nxënësve jo vetëm informacion kulturor, por edhe formim moral të krishterë. Takimet specifike, prania e arqipeshkvit, katekeza për universitarët, janë të gjitha raste për të shprehur me zë të lartë, edhe përballë Shtetit, vullnetin tonë për një angazhim serioz formues për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë të Vendit dhe të Kishës në Shqipëri.
Por, angazhimi formues nuk mund të kufizohet vetëm në moshat e reja. Mendojmë se është urgjente që ai t’i përfshijë të gjithë, edhe të rriturit; dhe kjo përbën një problem të madh, sigurisht jo vetëm për Shqipërinë. Por nuk shkurajohemi: grupe, shoqata, lëvizje, përfshijnë dhe animojnë formimin e të rriturve. Nga ana e vet, Dioqeza nxit formimin e përhershëm të klerit dhe të të kushtuarve Zotit që, me siguri, janë të thirrur të jenë më bujarë në këtë drejtim.
Përvojat aktuale përsa i përket pranisë në fushën kulturore na tregojnë qartë nevojën për një laikat të formuar mirë dhe të aftë për të informuar në mënyrë të krishterë mendimin dhe fushat e jetës shoqërore e politike të Vendit. Edhe një herë kthehet nevoja e ngutshme e formimit si fushë specifike e angazhimit të Kishës dioqezane të Shkodër-Pultit.
Aspekti i bashkëveprimit misionar është ai më pak i pranishëm sepse me të drejtë konsiderohemi “tokë misioni”. Sigurisht, kjo nuk përjashton faktin se duhet të jemi “në mision” në nivele dhe forma të ndryshme.
Fusha ekumenike, nëse nga njëra anë regjistron marrëdhënie dhe bashkëpunim shumë të mirë në nismat e përbashkëta, nga ana tjetër nuk mund të themi se këto janë domethënëse dhe ndikuese nga këndvështrimi kishtar.
Fusha ndërfetare regjistron marrëdhënie me myslimanët në fund të fundit të mira.
Pra, çdo fushë e baritores, ku më shumë e ku më pak, është e marrë seriozisht në konsideratë. Natyrisht, na vjen keq që nuk ka pasur sukses në gjithçka, por një gjë është e sigurt: përpjekja është shumë e madhe, përballë mungesës së personelit të përshtatshëm për të kryer detyra kaq angazhuese e baritorisht delikate dhe mungesës së mjeteve ekonomike për t’i realizuar ato.
Megjithatë, ajo e Shkodër-Pultit është një Dioqezë e gjallë, ku nuk mungon vullneti i mirë i bijve të saj, ku angazhimi është dëftuar në maksimumin e mundësive dhe frytet e të cilit shihen si në rritjen cilësore ashtu edhe në veprimtaritë që realizohen e që janë të dukshme sidomos në mjetet e komunikimit të Dioqezës, qoftë ato në letër ashtu edhe ato multimedialë. I pari ndër të gjithë angazhimi për bamirësinë në shumëformësinë e shprehjeve të veta dhe ai në dobi të Drejtësisë dhe Paqes.
Jo i fundit është interesi për ruajtjen e pasurive artistike dhe arkitektonike; por i fundit në rend kohor Muzeu Dioqezan me veçantinë e vet formuese dhe angazhimin për të nisur një koordinim më serioz në këtë sektor.
Ekonomia e Dioqezës, mjerisht, është e mangët përballë gjithë atyre gjërave që duhen realizuar.[2]
Gjithashtu, Atit të Shenjtë i kemi treguar si parësi për Arkidioqezën tonë atë të Formimit në të gjitha nivelet; angazhim që synoj ta çoj përpara me vendosmëri, duke uruar të kemi edhe bashkëpunimin e plotë të të gjithë të pagëzuarve.
Nga ana e vet Papa Françesku na ka porositur të kemi parasysh disa gjëra: të rinjtë, familjet, jetën shpirtërore si dhe të shmangim mondanitetin; elemente që do t’i trajtoj gjatë kësaj Letre.
- NË SHKOLLËN E MËSUESIT
- Ja: kjo është ajo që ka dalë në pah nga analiza jonë dhe që, në përmbledhje, shpreh situatën aktuale të Arkidioqezës sonë. Por është vetëm ajo që ne, me forcat tona të varfra mund të themi për vetveten. Por, në këtë pikë, pyes veten: çfarë thotë Hyji për ne? Çfarë Fjale na thotë Zoti për ta orientuar ecjen tonë në këtë kontekst specifik?
Fjalët e para të Jezusit që më prekin në zemër në këtë moment janë dy:
“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë” (Mt 11, 28-30).
Pjesa tjetër është prej Ungjillit të Markut:
“Pastaj u ngjit në një mal e i thirri ata që deshi vetë. Ata shkuan tek ai. Dhe i emëroi të Dymbëdhjetët [të cilët edhe i quajti apostuj], që të jenë me të e t’i dërgojë të predikojnë, e ta kenë pushtetin t’i dëbojnë djajtë” (Mk 3, 13-15).
- Pjesa e Ungjillit të Mateut që ndiej se duhet t’ia paraqet edhe reflektimit tuaj është ajo në fund të kapitullit 11. Vetëm katër rreshta më parë Jezusi i kishte kërcënuar qytetet ku kishte bërë numrin më të madh të mrekullive për zemërgurtësinë e tyre që, në thelb, përbëhej në një ngurtësim në lidhje me Ligjin e Moisiut në dëm të shpalljes së mëshirës së sjellë prej Jezusit i cili, përkundrazi, ha dhe pi me tagrambledhësit dhe mëkatarët (krh. Mt 11, 19).
Është rasti i mirë për shpalljen absolutisht të re që Jezusi dëshiron të bëjë: ai që e pranon Birin hyn në marrëdhënie edhe me Atin, duke u bërë edhe vetë “bir”. Ai që është bir krijon me atin një marrëdhënie dashurie, dhe jo thjesht “për detyrë”. Jezusi u mëson skllevërve të ligjit qëllim në vetvete se ajo që bën ndryshimin në praktikimin e së mirës nuk është ligji por dashuria.
Pra, propozimi i Jezusit është ai që të reshtim së lodhuri në angazhimin vetëm e vetëm njerëzor, dhe prandaj pothuajse të pamundur për t’u realizuar, të reshtim së zbatuari gjithçka që Ligji imponon, por të fillojmë të përjetojmë gëzimin që sjell vetëdija se jemi “bij”, që, për dashuri, dinë të jetojnë dhe të zbatojnë urdhërimet e Hyjit.
Jezusi nuk mëson që të shkelet Ligji, por bën një “revolucion kopernikan” në mënyrën e zbatimit të tij, duke na bërë të kuptojmë se motori i vërtetë është “dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë”.[3] Kështu, edhe Korazimi, Betsaida dhe Kafarnaumi do të mund të shpëtojnë nëse do ta pranojnë ligjin e dashurisë.
- Nëse qëllimi i drejtpërdrejtë i pjesës ungjillore është ky, gjithsesi nuk mund të lë pa e thirrur vëmendjen mbi foljet që shfaqen aty: “Ejani – Do t’ju çlodh” / “Merrni e pranoni t’ju mësoj – Do të
gjeni pushim”. Aty ka dy marrëdhënie shkak-pasojë: secilës prej dy ftesave të Jezusit i përgjigjet premtimi përkatës. Si të krishterë a mund të lëmë pa iu përgjigjur këtyre dy ftesave? Apo nuk e ndiejmë nevojën për ta marrë atë premtim? A nuk duam të përfitojmë prej çlodhjes që Jezusi dëshiron të na dhurojë duke na vënë në marrëdhënie me Atin dhe duke na lejuar të jemi bij që duan e jo skllevër që vetëm binden?
Nëse duam të gjejmë pushim, pra nëse duam të provojmë në vete gëzimin e të qenurit të krishterë kemi vetëm një rrugë: Jezusi! Nuk duhet të bëjmë asgjë tjetër përveçse të shkojmë tek Ai, të mësojmë prej Tij që të jemi “dashurues”, të aftë për dashurinë që mposht çdo lodhje dhe është e vetmja levë e aftë të ngrejë botën.[4]
- Ndërsa pjesa e Markut, duke na paraqitur thirrjen e Apostujve, na kujton thirrjen që të gjithë ne kemi marrë dhe e vë theksin në natyrën e kësaj thirrjeje (të rrimë me të) dhe në atë që rrjedh prej kësaj: ftesa misionare (të predikojmë me pushtetin ekzorcistik).
Në të vërtetë, mbi këtë pjesë do të mund të reflektonim gjatë sepse, megjithëse në thelbësinë e vet, na jep shumë shtytje për reflektim. Ne po marrim vetëm disa, ato në lidhje me foljet që ndeshim në leximin e pjesës: U ngjit (në mal) – Thirri – Shkuan (te Jezusi) – Emëroi (zgjodhi) – Të jenë (me Jezusin) – T’i dërgojë.
Ngjitja në mal, në traditën biblike kujton intimitetin me Hyjin dhe besëlidhjen me Të. Shpesh Jezusi e bën këtë ngjitje dhe herë të tjera merr me vete nxënësit e vet: le të kujtojmë malin e Lumturive dhe malin e Shndërrimit! Si të thuash: në marrëdhënien Atë-Bir pranohemi edhe ne si bij të bashkuar me Birin.
- Duke e lënë mënjanë kategorinë biblike të Thirrjes, që shpesh e kufizon fushën vetëm në ato që ne katolikët i përkufizojmë “thirrje të veçanta” sikurse meshtaria dhe jeta e kushtuar Zotit, nga thirrja që Jezusi bën në këtë pjesë do të doja të nënvizoja universalitetin që e gjejmë në fjalët “ata që deshi vetë”, pra në kuptimin “dëshiroi” dhe “deshi”. Fakti se Jezusi zgjedh vetëm të Dymbëdhjetët nuk është përjashtues i gjithë të tjerëve, por një hapje misionare që i përfshin të gjithë. Ai, si Bir, e bën të vetin shqetësimin e Atit i cili i do të gjithë njerëzit dhe dëshiron që “të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe ta arrijnë njohjen e së vërtetës” (1Tim 2,4). Të Dymbëdhjetët janë përfaqësuesit e “tepricës së vogël” të Izraelit, ndaj të cilëve Zoti e përtërin mandatin misionar qëllimi i të cilit është pikërisht ai që të mblidhen të gjithë njerëzit dhe të gjithë popujt në shtëpinë e Atit. Pra, u shpjegua kuptimi i foljes “emëroi”.
Dhe së fundi foljet që i japin kuptim kësaj zgjedhjeje: Të jenë me Jezusin, Të dërgohen.
- Të jemi me Jezusin. Është qëllimi i fundit i jetës sonë, por edhe qëllimi i misionit të Jezusit në këtë tokë. Të na bashkojë ne me veten për të na çuar te Ati: kjo është arsyeja për të cilën Jezusi ka ardhur, ka vepruar dhe ka dhënë jetën. Nëse bashkohemi me Të, marrim pjesë në atë jetë që ai na ka dhuruar dhe, duke u bërë bij sikurse Ai, marrim pjesë në bashkimin trinitar; duke rivendosur kështu atë ekuilibër të vënë në krizë me anë të mëkatit.
Të jemi me Jezusin na lejon të dëgjojmë Atë që është Fjala e Atit dhe të sodisim fytyrën e tij (“Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin” – Gjn 14, 9): lutja, pranimi i pranisë së tij, adhurimi plot nderim dhe ëmbëlsia e marrëdhënies, janë me siguri qëndrimet e nevojshme që mund të zhvillojmë kur, duke u ndier të dashur prej Tij, vendosim t’i përgjigjemi thirrjes së tij. Ata që ata. Ata që u thirrën – thotë pjesa jonë – “shkuan tek ai”.
- Të jemi të dërguar. Është rrjedhoja logjike e “të qenurit me Jezusin”. Në të vërtetë, ky “të qenur me Jezusin” nuk e mbulon krejt kuptimin e thirrjes. Sigurisht, përcakton bërjen tonë bij si Biri, por përfaqëson edhe një pikënisje sepse na bashkon me misionin e Birit: të thërrasim edhe të tjerë për t’u bërë bij nëpërmjet shpalljes dhe veprimit ekzorcistik.
Gjoni ungjilltar e apostull e kishte kuptuar mirë këtë fakt dhe na e tregon këtë pikërisht në fillim të Letrës së tij:
“Çka ishte që në fillim,
çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm dhe duart tona prekën,
në lidhje me Fjalën e jetës, – po, Jeta u shfaq, ne e pamë dhe dëshmojmë
dhe ju kumtojmë Jetën e pasosur, që ishte te Ati dhe na u shfaq neve –
çka pamë e dëgjuam po jua kumtojmë edhe juve që edhe ju të keni bashkësi me ne.
E bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.
Po ju shkruajmë këto që gëzimi ynë të jetë i plotë” (1Gjn 1-4).
- Shpallja përbëhet pikërisht në këtë dëshmi të Atij që kemi dëgjuar, parë, soditur, prekur, në një zgjerim të bashkimit me Atin dhe në një “shpërthim” gëzimi të përcaktuar, pikërisht, prej bashkimit me Atin e me vëllezërit me të cilët bashkëndajmë të qenurit bij në Birin.
Veprimi ekzorcistik themelor që Jezusi bën dhe me të cilin i bashkon nxënësit e vet është ai i zbulimit të mashtrimit të “gjarprit të vjetër” (Zb 12,9) i cili, duke ngjallur në njerëzit mosbesimin ndaj Hyjit, i kishte bërë të besonin se Ai ishte armiku i njerëzimit dhe jo Atë. Kisha, bashkësi e bijve në Birin, e bën të vetin këtë mision ekzorcistik të Jezusit duke u shpallur të gjithëve se Hyji është Atë dhe i do bijtë e vet deri në atë pikë sa që “dha një të vetmin Birin e vet” (Gjn 3,16).
- Pika e bashkimit mes dy pjesëve më duket se është pikërisht shkuarja te Jezusi, të drejtuarit Atij, qendrës absolute të qenies sonë dhe arsye që përcakton identitetin tonë si të krishterë, ashtu si edhe modaliteti në të cilin mund të jemi të krishterë, pra misionariteti.
Dokumentet e fundit kishtare ma forcojnë këtë bindje që mendoj se është edhe orientimi i përhershëm i Kishës, por i kujtuar sidomos në kohët e fundit si një parësi. Dhe kjo parësi duam që të bëhet edhe ajo e Kishës sonë të Shkodër-Pultit.
Kështu Papa Benedikti në Enciklikën “Deus Caritas est”: “I kemi besuar dashurisë së Hyjit – kështu i krishteri mund të shprehë zgjedhjen themelore të jetës së vet. Njeriu bëhet i krishterë jo sepse ndërmerr një vendim etik apo një ide të madhe, por sepse takohet me një ngjarje, me një Person, i cili i jep jetës së tij një horizont të ri dhe me këtë, një drejtim vendimtar”.[5]
Kujdesi baritor i Papa Françeskut vazhdon në këtë drejtim, dhe të shumta janë pjesët e shkrimeve të tij dhe të ndërhyrjeve të tij ku, me një stil të vetin dhe imazhe të fjalorit të vet, këmbëngul në këtë kristocentrizëm pa të cilin i krishteri nuk mund të bëjë nëse dëshiron të vazhdojë të quhet i tillë.
- TË REFLEKTOJMË
- Çfarë na thonë këto dy pjesë në lidhje me leximin e situatës që bëmë më lart?
“Kështu pra çdo (…) nxënës i mbretërisë së qiellit…” (Mt 13, 52)
Vëmendja e parë që ndiej se duhet të kem në lidhje me porositë që Ati i Shenjtë na ka dhënë me rastin e Vizitës ad Limina është ajo ndaj personave të Arkidioqezës sonë. Dhe dëshiroj ta bëj këtë duke folur në mënyrë të veçantë për Familjen, kujdesi baritor për të cilën mendoj se ka rëndësi jetësore për vetë faktin se, brenda saj, gjejmë të gjitha kategoritë e personave: çiftin, fëmijët, adoleshentët, të rinjtë, të rriturit, të moshuarit. Në familje jetohen momentet themelore të rritjes dhe të pjekurimit njerëzor, ashtu si edhe ballafaqimi me kufizimet njerëzore, sidomos ato të përcaktuara nga sëmundja dhe nga vuajtja e çfarëdo lloji.
Familja e krishterë, pastaj, është kisha shtëpiake[6] ku të rilindurit prej ujit e prej Shpirtit Shenjt pjekin thirrjen e tyre të krishterë dhe e dëftojnë atë në forma që nuk ngurroj t’i përcaktoj si misionare, në atë masë në të cilën Ungjilli merret seriozisht, jetohet në jetën e përditshme, në momentet e gëzueshme ashtu si edhe në ato të trishtuara që nuk mungojnë kurrë, duke u bërë të afërm të tjetrit/tjetrës, duke i dashur të gjithë, brenda dhe jashtë bërthamës familjare si dhe duke falur fyerjet.
Ai që ndjek thirrjen e krishterë në jetën martesore ka gjithë të drejtën të ndiqet e të shoqërohet prej bashkësisë së krishterë nëpërmjet lutjes, formimit dhe dëshmisë së mirë të atyre që jetojnë tashmë atë gjendje jete. Edhe vitet e para të përvojës martesore kanë nevojë për një shoqërim të përshtatshëm dhe për një ecje të drejtuar, mundësisht në grupe familjesh të reja.
- Në këtë kuptim, katekeza kryen një rol krejt të veçantë sepse ndihmon që të përcaktohen në mënyrë ungjillore marrëdhëniet e çiftit dhe ndërtimi i harmonishëm i një familjeje të krishterë. Do të jetë po ashtu katekeza ajo që, më pas, do t’i ndihmojë bashkëshortët të bëhen edhe vetë katekistë të parë të bijve të tyre, duke u mësuar atyre se si të hyjnë në marrëdhënie me Hyjin Atë, Bir e Shpirt Shenjt dhe duke i edukuar në dimensionin bashkësior të fesë në frekuentimin aktiv të asambleve liturgjike dhe në përgatitjen për marrjen e sakramenteve të fillimit të krishterë.
Në lidhje me këtë, duhet që vepruesit baritor të nisin një reflektim serioz mbi mënyrën aktuale me të cilën katekizohet në Arkidioqezën tonë: para së gjithash mbi atë se kush janë katekistët, mbi shkallën e tyre të përgatitjes teologjike e didaktike, mbi aftësinë e tyre për ndërveprim me vepruesit liturgjikë dhe ata të bamirësisë së çdo famullie, në mënyrë që të kemi një baritore të koordinuar dhe të integruar, ku famullitari merr përsipër detyrën të verifikojë karizmat e secilit duke i çuar në njësi dhe jo t’ia veshë vetvetes të gjitha karizmat. Don Tonino Bello-s i pëlqente të fliste në lidhje me ipeshkvijtë dhe presbiterët për “karizëm të njësisë dhe jo për njësi karizmash”.
Po ashtu më duket se është nevojë e ngutshme ta ndihmojmë popullin tonë për t’u liruar nga ideja e gabuar e një katekeze që ka si qëllim të vetëm atë të përgatitjes së drejtpërdrejtë për marrjen e sakramenteve, në vend që të mendohet për një prirje shumë normale që secili, në çdo moshë, duhet të ketë. Me shpresën, në këtë mënyrë, që të frenohet dukuria e largimit të të rinjve prej frekuentimit të kishës pas Krezmimit, ose madje edhe mes marrjes së një sakramenti dhe një tjetri.
- Po provoj të sugjeroj hipotezën se shpallja kerygmatike duhet të bëhet në disa forma njëkohësisht: shpallja në kuptimin e ngushtë; paraqitja e saj nëpërmjet teknikave të animacionit që, nëpërmjet lojës, ndihmojnë të mishërohen më mirë përmbajtjet; përvojat konkrete të jetës; lutja që ka si subjekt vetë përmbajtjen e fesë së shpallur. Pastaj, nëse përvoja e oratorit bashkohet me atë të katekezës, ndoshta do të kemi më shumë mundësi ta ndalojmë largimin aktual të fëmijëve prej bashkësive famullitare. Le të mendojmë për këtë!
Sigurisht, për ta realizuar këtë nevojitet përgjegjësia e famullitarëve, por edhe bashkëpërgjegjësia e laikëve të rritur të formuar e të angazhuar, të lirë nga njëfarë “klerikalizmi” që, duke lënë gjithçka në dorë të priftit, i bën të jenë pasivë. Vetëm në këtë mënyrë bashkësitë tona do të jenë para së gjithash vende të takimit, të bashkimit, të komunikimit dhe të përçimit të fesë; por, pastaj edhe hapësira të rritjes në fe të më të vegjëlve, të sigurtë nga çdo rrezik dhe devijim. Pra, duhet të gjejmë mënyrën për të përfshirë të rriturit e bashkësive tona në bashkëpërgjegjshmërinë konkrete; veçanërisht në përçimin dhe rritjen në fe të fëmijëve, të adoleshentëve dhe të të rinjve.
Këta të fundit pastaj, për hapjen e tyre të veçantë ndaj së ardhmes, janë më të ndjeshmit për të jetuar përvoja konkrete bashkësie që lutet dhe që vepron në dashurinë e krishterë. Ekzistojnë mundësi të ndryshme të menduara qëllimshëm për ta si në Arkidioqezën tonë ashtu edhe jashtë saj. Nuk është e drejtë që ata të mbahen larg tyre: kanë nevojë vetëm që të nxiten. Kush duhet ta bëjë këtë?
- Për t’iu kthyer përsëri familjeve, në këtë pikë do të guxoja të thosha se ato duhet të bëhen parësia e vërtetë e baritores sonë, subjekti aktiv i katekezave tona, të parat që përfshihen në shërbestari, kuptuar si shërbim që lind prej shfrytëzimit të karizmave që Zoti i ka dhuruar secilit.
Familjet e Arkidioqezës sonë duhet të bëhen përsëri vend në të cilin personat janë të vëmendshëm ndaj thirrjes së secilit prej anëtarëve të tyre, në dëgjim të thirrjes së Zotit; laboratorë në të cilët personat ushtrohen në artin e “O Zot, çfarë dëshiron që unë të bëj?”. Nga të gjitha anët arrijnë në Kurie kërkesa që të garantohet shërbimi apostolik, por sa vetë janë të gatshëm të ndihmojnë thirrjen meshtarake dhe rregulltare të bijve e bijave të veta? Madje, me keqardhje, duhet të konstatoj se mjerisht, siç ndodhte gjatë komunizmit, ka mosbesim ndaj thirrjes meshtarake dhe rregulltare.
Sigurisht, tema e kësaj letre, gëzimi i dëshmisë, duhet të na përkasë edhe ne që i jemi kushtuar Zotit dhe të na nxisë të pyesim veten se si dhe në çfarë mase e dëshmojmë gëzimin se kemi marrë dhe i jemi përgjigjur thirrjes së Zotit. Meshtarët dhe të kushtuarit e trishtuar apo të prirur nga klerikalizmi ose “klerikocentrizmi” absolutizues e përjashtues nuk i ndihmojnë e nuk i nxisin sythet e thirrjes që Zoti nuk resht së mbjelluri në zemrat.
- Së fundi, familja e krishterë është edhe vendi ku është e mundur të takohen të moshuarit që janë një pasuri e cila duhet vlerësuar për përvojën e urtinë e tyre, të sëmurët, edhe ata një pasuri për bashkimin e tyre me vuajtjet e Krishtit që – siç e dimë – kanë vlerë shëlbuese. Ata janë ende në mesin tonë shembull i gjallë i “të qenurit me Jezusin” që nuk duhet ta lëmë absolutisht të na ikë prej duarsh. Madje, duhet të shtojë kujdesin ndaj tyre, si nga këndvështrimi njerëzor, duke u siguruar atyre atë ngrohtësi të nevojshme për ta kryer në gëzim jetën e tyre tokësore, si nga këndvështrimi i ngushëllimit të fesë, duke u siguruar atyre ilaçin e shpirtit, nëpërmjet vizitës së meshtarit dhe kungimit të shenjtë, nëse e kanë të pamundur të dalin prej shtëpisë.
“… (…) nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra” (Mt 13, 52).
- Gjëja e dytë që më vjen të mendoj në lidhje me strukturën e Arkidioqezës sonë është se jemi bij të kohës sonë, por me trashëgimi të së kaluarës që është e vështirë të përpunohen. Nganjëherë jetojmë me dy shpirtra, si dy krahët e shqiponjës së flamurit tonë. Por nëse këta dy shpirtra do të ishin dy motorë të orientuar në të njëjtin drejtim do të ishte një gjë e mirë; ndërsa nëse tërheqin në drejtime të kundërta rrezikojnë një thyerje të pandreqshme.
Janë të bukura traditat, dhe kemi shumë të tilla vërtet të vlefshme, por që rrezikojnë të humbasin sepse ndihet nevoja për t’iu përshtatur modernitetit. Megjithatë, ndodh edhe që të praktikohen disa tradita aspak ungjillore, por vetëm për oportunizëm, sepse leverdis kështu.
Urtia e krishterë i bën thirrje shoshitjes ungjillore. Të jesh me Jezusin për të qenë si Ai, kërkon kriterin që po thoshim më lart në lidhje me propozimin e Kishës, pra atë që Ligji të mos praktikohet si qëllim në vetvete, por për dashuri. Kështu ne do të bëjmë një gjë me të vërtetë të mirë nëse i ruajmë traditat e popullit tonë por duke i jetuar ato në mënyrë të re, në dritën e Ungjillit, duke marrë atë që është e mirë e duke e refuzuar me vendosmëri atë që nuk është e tillë.
Po jap një shembull të praktikës së krishterë. Është gjë e mirë të solemnizohet festa e Pajtorit të Shenjtë të një fshati duke zbatuar të gjitha ato tradita që na janë përçuar prej të parëve tanë, por nuk është e mundur që festimet e një Shenjti të jetohen vetëm në mjedisin familjar duke lënë pas dore pjesëmarrjen në Meshën e festës. Dikur kjo lejohej për të favorizuar bashkimin e familjarëve që përshkonin rrugë të gjata në kohë shumë të gjata; por sot që mjetet e transportit lejojnë kohë udhëtimi të shkurtra kjo nuk është më e pranueshme.
E kështu për shumë tradita të tjera që është e mundur pak nga pak të modifikohen në mënyrë që të mos humbasë e kaluara por ajo të harmonizohet me të tashmen e sidomos me një praktikë ungjillore koherente.
“Jepini, pra, Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit” (Mt 22, 21).
- Bota perëndimore, ndërsa Shqipëria po jetonte “boshllëkun” e periudhës komuniste, ka ndërmarrë një rrugëtim që, nëse nga njëra anë ka shkaktuar një largim prej fesë, nga ana tjetër ka paraqitur një mundësi pastrimi dhe ripërvetësimi të fesë. Po flas për dukurinë e shekullarizimit që, nëse kuptohet drejt, nuk është një dëm edhe aq i madh.
Në të vërtetë, ai që shqetëson më shumë është shekullarizmi, i kuptuar si zhdukje e vullnetshme e fesë ose, edhe më keq, mospërfillje ndaj fesë. Ndërsa shekullarizimi i përgjigjet më shumë kriterit ungjillor të “Çka i përket Cezarit, jepjani Cezarit e çka i përket Hyjit, jepjani Hyjit”,[7] pa ngatërrim, për shembull, mes politikës dhe fesë.
Shoqëria shqiptare, përveç asaj fete të madhe ateistësh si trashëgimi e regjimit, nga njëra anë ndien pasojat e njëfarë ngatërrimi që klasifikon e ndan përkatësitë shoqërore me fenë e dëshmuar. Por kjo nuk është një e mirë për ne të krishterët sepse njeriu nuk është i krishterë vetëm prej traditës, por prej bashkimit personal konkret me personin e Krishtit. Mjerisht ende ndodh që dikush ta quajë veten katolik pa qenë ende i pagëzuar.
- Nga ana tjetër po asistojmë në një vrapim të nxitueshëm drejt shekullarizmit dhe, mjerisht, drejt ateizmit praktik, edhe nga ana e shumë vetëve që e quajnë veten të krishterë por, faktikisht, nuk jetojnë si të krishterë, duke parapëlqyer logjikat e botës: mendësi hedoniste, fitim i lehtë i menjëhershëm dhe pa mundim, shkapërderdhje në konsume e shkapërderdhje parash e ushqimi me rastin e funeraleve dhe martesave, ndërtime shtëpish që pastaj nuk përdoren, mosrespektim i natyrës, i mjedisit dhe i shtëpisë së përbashkët, qëndrim jo i respektueshëm ndaj të tjerëve dhe ndaj rregullave bazë të bashkëjetesës së përbashkët (sikurse mosrespektimi i kodit rrugor).
I kemi dhënë shqelmin komunizmit me filozofinë e tij materialiste dhe jemi duke u hedhur në krahët e kapitalizmit, në fund të të cilit përsëri e gjejmë veten duke praktikuar materializmin që e kishim refuzuar si ide. E gjithë kjo është tipike e atij që e ka larguar prej vetes Hyjin, duke e kufizuar horizontin e vet në gjërat e kësaj bote. Por shën Pali, ungjillëzues i tokës sonë, na thotë:
“Nëse, pra, u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit. Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë!” (Kol 3, 1-2).
Dhe kjo është e mundur vetëm nëse jemi me Jezusin.
- Pyes veten: a mund ta quajmë ende veten të krishterë nëse tolerojmë:
- situata padrejtësie shoqërore, shkaku kryesor prej të cilit shumë të rinj vendosin ta braktisin tokën tonë për të kërkuar gjetiu raste për një jetë më të mirë? Dukuria migratore është kthyer përsëri dhe, si një fantazëm, sillet mes nesh: mirazh për shumë të rinj, gogol për shumë të moshuar që rrezikojnë të mbeten vetëm e të braktisur. E pastaj klientelizmi, favoritizmat politikë, “ryshfetet” e paguara për të fituar ndere dhe nganjëherë edhe atë që është një e drejtë, mbulimi i krimit, mjerisht shohin edhe katolikë të përfshirë në këto padrejtësi.
- situata varfërie të tilla që t’i detyrojnë shumë vëllezër e motra tonat ta sigurojnë jetesën në mënyrë të paligjshme, sikurse prodhimi i drogës, bixhozi dhe fajdja. Ende verifikohen raste të shitjes së vajzave offerente-it “më të mirë” (shpesh “më të keq”). Ende sajohen martesa duke mos respektuar lirinë e zgjedhjes së individit dhe duke e bërë kështu të pavlefshëm sakramentin e martesës. Ende ka raste martesash – fatmirësisht shumë pak – të vajzave të mitura.
- Vjedhja, që tashmë është bërë një mendësi e rrënjosur në ndërgjegjen e shumë personave si një fakt “normal”, që çon në përvetësime të padrejta, në shfrytëzimin e situatave dhe të personave për dobinë personale, pa menduar aspak për të keqen që i bëhet të afërmit; me një fjalë, ligji i xhunglës që të moçmit e kishin përkufizuar si “homo homini lupus”, domethënë “njeriu për njeriun është ujk”, apo edhe “mors tua vita mea”, domethënë “vdekja jote ma fal jetën mua”. Por Jezusi nuk na ka mësuar kështu, madje Ai e ka përmbysur këtë mënyrë të menduarit të jetës dhe të marrëdhënieve njerëzore deri në “mors mea vita tua”, domethënë “vdekja ime ta fal jetën ty”.
Fakti se jemi bij në Birin duhet të na nxisë të krijojmë në këtë tokë kushte jetese më njerëzore për ne dhe për vëllezërit e motrat tona. “Të qenurit me Jezusin” duhet të na mësojë dalngadalë të bëjmë të vërtetën megjithëse në dashurinë e krishterë; të padisim padrejtësitë, jo për urrejtje por për dashuri ndaj së mirës; pa kërkuar domosdoshmërisht “dash i kurbanit – capro espiatorio”, por duke dëshiruar kthimin e atij që bën të keqen.
- Në këtë optikë të përtëritjes së ndërgjegjeve dhe të hoveve të reja, një fushë shumë e mirë misionare që lind prej “të qenurit me Jezusin” mund të jetë ajo e përfshirjes së intelektualëve katolikë që, secili sipas kompetencave të veta, mund të ndihmojnë në rritjen kulturore të popullit tonë, edhe ajo e ndriçuar dhe e informuar prej dimensionit ungjillor me të cilin duhet të ballafaqohet patjetër. Ungjillëzimi i kulturës është një prej parësive të kohës sonë dhe tryeza shumë e mirë e takimit mes besimtarëve dhe jo besimtarëve.
Ngjarjet kulturore të organizuara në kohë prej Arkidioqezës sonë, revistat që botohen prej saj, radioja katolike, ndërhyrjet televizive dhe Muzeu Dioqezan janë të gjitha përpjekje të bëra vetë dhe me vetëm një minimum të atyre katolikëve të angazhuar në fushën kulturore. Mendoj se ka ardhur momenti që laikët e formuar mirë dhe të përfshirë në botën e kulturës shqiptare të marrin përsipër misionin që Krishti u beson atyre për të afruar tek Hyji vëllezër e motra të tjera që Ai i do por që janë larg.
- Një tjetër fushë që nuk mund t’i shmanget logjikës së Ungjillit dhe që mund të sjellë shumë fryt është ajo e politikës e kuptuar jo aq si militim në këtë apo atë parti, por si interes për të mirën e përbashkët (kjo është domethënia e fjalës “politikë”!) që duhet të ketë patjetër një prani katolike më të madhe e të formuar. Ati i Shenjtë Françesku këmbëngul shumë në këtë angazhim të të krishterit në fushën politike: një thirrje që nuk mund ta lëmë pa iu përgjigjur dhe që, personalisht, ua ridrejtoj prej kësaj Letre Baritore të gjithë laikëve katolikë të kësaj Arkidioqeze të Shkodër-Pultit.
“… në Shpirt e në të Vërtetë” (Gjn 4, 23).
- Duke shikuar aspektin e kultit, çfarë do të thotë “të jemi me Jezusin”?
Të kremtojmë do të thotë të ndërgjegjësohemi se jeta është një dhuratë të cilën e marrim vazhdimisht prej Hyjit të cilit i kushtojmë falënderimin për këtë dhe për të gjitha dhuratat e tjera që kemi marrë. Në mënyrë të veçantë, kremtimi i krishterë është “përkujtimi” i vdekjes dhe i ringjalljes së Jezusit, do të thotë, i kujtojmë vetvetes se Zoti na ka dashur deri në atë pikë sa “duke vdekur në kryq na ka liruar prej vdekjes së amshuar dhe me ringjalljen e tij na ka dhuruar jetën e pavdekshme”.[8]
Misteri i Pashkëve që e përtërijmë në çdo kremtim eukaristik, veçanërisht çdo të diel, është pra zemra e të qenurit tonë të krishterë. Në çdo kremtim jemi “me Jezusin”:
- si vëllezër e motra të mbledhur në shtëpinë e Atit;
- për t’i dhënë lavdi Atit, për të kërkuar e marrë faljen e tij që bëhet angazhim mëshire për të afërmin;
- për të dëgjuar Fjalën e tij dhe për të mësuar nga Mësuesi hyjnor që ta bashkojmë fenë me jetën konkrete të përditshme;
- për të shpallur publikisht dhe me guxim fenë tonë;
- për të lartësuar lutje për të mirën e Kishës dhe të të gjithë botës;
- për t’u bashkuar, së bashku me Jezusin, në flinë drejtuar Atit;
- për të marrë si dhuratë jetën e dhuruar prej Birit e për t’u bërë, sikurse Ai, bij që e duan njëri-tjetrin si vëllezër e, bashkë, i drejtohen Atit me një zë të vetëm në lutjen e Birit;
- për të marrë përsipër angazhimin e paqes që, e marrë si dhuratë, edhe i dhurohet të afërmit;
- për t’u ushqyer me Trupin e Tij dhe Gjakun e Tij, ushqim e pije që shëlbon e frymëzon në mision.
Në këtë mënyrë, Mesha e së dielës nuk është vetëm një urdhërim të cilin duhet ta zbatojmë kundër dëshirës, të shpërqendruar, ndoshta duke hyrë e duke dalë prej kishës për t’iu përgjigjur telefonit që bie. E diela është thelbësia e jetës së krishterë pa të cilën nuk mund të bëjmë. “Pa të dielën nuk mund të jetojmë”, thoshin Martirët e Abitenës (249 m. K.).
Po bashkëndaj me ju një reflektim të Enzo Bianchi-t, epror i bashkësisë murgjërore të Bozesë:
“Mbajtja e së Shtunës e ka mbrojtur Izraelin prej asimilimit, pra prej zhdukjes mes popujve. Vetëdija për qendërsinë dhe themeltësinë e së shtunës në fenë judaike është e tillë sa ka qenë e mundur të arrihet në pohimin ‘Nuk është edhe aq Izraeli që e ka ruajtur të shtunën, por është e Shtuna ajo që e ka ruajtur Izraelin’.
Kështu, mbajtja e ditës së Zotit është element përcaktues për t’iu shmangur mondanizimit dhe për të ruajtur e përçuar fenë”.[9]
Megjithatë, asistojmë para së gjithash në njëfarë ftohjeje për praktikën e së dielës. Është e vërtetë, në shumë fshatra është pakësuar edhe numri i banorëve, por kjo dukuri ekziston dhe është më e dukshme aty ku dukuria migratore e brendshme dhe e jashtme nuk është aq e madhe. Megjithatë, kjo gjë nevojitet të ndreqet.
Gjithashtu, mes atyre që marrin pjesë rregullisht, ka disa që e kuptojnë plotësisht atë që janë duke kremtuar dhe e jetojnë edhe në mënyrë shumë të devotshme e me pjesëmarrje të plotë; ndërsa të tjerë të japin përshtypjen se janë aty rastësisht, pa një njohje të vërtetë të misterit që është duke u kremtuar dhe të rëndësisë jetësore për ekzistencën e tyre të krishterë. Për të mos folur për njëfarë pakice numerike të atyre që marrin Kungimin. Çfarë pjesëmarrjeje në Darkën e Shenjtë të Zotit kemi nëse nuk hamë trupin e tij dhe nuk pijmë gjakun e tij?[10] Në Ungjillin e Gjonit Jezusi na thotë troç të hamë Trupin e tij dhe të pijmë Gjakun e tij është thelbësore për të pasur jetën e pasosur.
- Mund të kuptohet vullneti i mirë për të marrë pjesë në Eukaristinë e së dielës i atyre që, në ndërgjegje, e dinë se nuk i kanë kushtet e kërkuara për t’iu afruar Tryezës së Zotit; por kjo na kujton sakramentin tjetër, atë të Pendesës që, ndoshta, e kemi nënvleftësuar pak dhe për të cilin e kemi formuar pak popullin e Hyjit. Në këtë patjetër duhet të rritet, nga njëra anë, angazhimi për të formuar ndërgjegjet në bukurinë e një shpirti të pastruar e të pajtuar me Hyjin dhe me të afërmin; por, nga ana tjetër, duhet të rritet edhe garancia që besimtarët të gjejnë meshtarë të gatshëm për dhënien e këtij sakramenti.
- Pastaj, duke folur për kremtimin e Sakramenteve, nuk mund të mos vë në dukje se shpesh famullitë janë për disa të krishterë vetëm agjenci sakramentale ku gjithçka u detyrohet, me kërkesë dhe menjëherë, pa bërë më parë asnjë formim dhe përgatitje të drejtpërdrejtë siç kërkohet prej normave por, edhe më parë, prej gjykimit të shëndoshë. Edhe këtë aspekt duhet ta marrim në konsideratë seriozisht dhe t’i formojmë ndërgjegjet sidomos në rastin e Pagëzimeve, të Martesave si dhe të Vajimit të të sëmurëve.
Në lidhje me këtë do të doja të thosha një fjalë të fundit, për të theksuar aspektin bashkësior të kremtimit të sakramenteve, në mënyrë që të zhduket një herë e mirë prej praktikës së ne katolikëve devijimi i zakonit të përhapur të privatizimit edhe të marrëdhënies me Hyjin. Duhet që të kujdesemi për të gjetur mënyrat dhe format e përshtatshme për të sensibilizuar sa më shumë njerëz që të jetojnë fenë dhe kremtimet në mënyrë bashkësiore, sidomos për Pagëzimet, aty ku përçimi i fesë përfshin drejtpërdrejt jo vetëm prindërit, nunat e nuneshat, por edhe gjithë bashkësinë.
- Sigurisht, Kremtimi eukaristik, sidomos ai i së dielës, përbën burimin dhe kulmin e jetës së krishterë[11] dhe për kuptimin e tij e pjesëmarrjen e plotë, aktive e të vetëdijshme në të[12] duhet të formohemi të gjithë çdo ditë; megjithatë, për “të qenë me Jezusin” kemi nevojë edhe për disa ndihma specifike që tradita e krishterë i ka përcaktuar në forma lutjeje sikurse Adhurimi eukaristik, që tashmë në shumë bashkësi jetohet në mënyrë të lavdërueshme, dhe Lectio Divina që, në të vërtetë, do të duhej të favorizohej më shumë. Kemi nevojë të rritemi në shkollën e Jezusit Mësues, Udhë, e Vërtetë dhe Jetë: të dëgjojmë Atë dhe të angazhohemi për të zbatuar mësimet e tij do të na ndihmojë të kapërcejmë largësinë që mjerisht ekziston mes fesë e jetës dhe mes kultit e jetës.
Përreth Jezusit bashkësitë tona do të reshtin një herë e mirë së qenuri “agjenci shërbimi të kultit) dhe do të fillojnë më në fund të jenë bashkësi vëllezërore besimtarësh, popull i Hyjit në ecje drejt amshimit, vende të formimit të ndërgjegjeve dhe të ndjeshmërive të reja që do të ndihmojnë patjetër për ta bërë tokën tonë shqiptare një vend më të mirë, një shoqëri të përtërirë, tokë të mirë që, e fekonduar prej farës së Ungjillit, e jep frytin në stinë.[13]
Edhe ky do të jetë mision, nëse brenda bashkësive tona do të dimë të mësojmë prej Jezusit artin e të qenurit bij e vëllezër që jetojnë në risi jete, në dimensionin e dashurisë që nuk të lë të rrish në një vend, por të bën me krahë për të shkuar nëpër rrugët e botës, në udhëkryqet e në periferitë për t’i thirrur të gjithë, të çalët, sakatët e të verbërit në sofrën e takimit me Hyjin, Atin e të gjithëve.[14] Dhe do të jetë gëzim.
- NË VEPRIM
- Pas këtyre nxitjeve për reflektim, nuk na mbetet tjetër veçse të nisemi drejt angazhimit konkret, duke përcaktuar një objektiv të përbashkët për ta ndjekur në tre vitet e ardhshme, etapat vjetore dhe mjetet për t’i realizuar.
Objektivi
Të jemi një bashkësi personash të vetëdijshëm për identitetin e tyre si të thirrur prej Zotit për të shkuar te Ai, për të qenë me Të, për ta shpallur Atë në gëzim.
Etapat e ndërmjetme
Viti I (2017-2018) – Viti i shpalljes
“Në emër të Jezusit…” (Fil 2, 10a)
Të përsërisim thirrjen e drejtuar secilit dhe të marrë në Pagëzim, me qëllim që në të gjithë të përtërihet një bashkim i plotë me Krishtin dhe dëshira për të shkuar te Ai e për ta dashur me gjithë zemër, me gjithë shpirt e me të gjitha forcat.
Viti II (2018-2019) – Viti i kremtimit
“…të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë…” (Fil 2, 10b)
Ta jetojmë takimin me Jezusin në përvoja të dëgjimit të Fjalës, Adhurim, formim liturgjik, katekezë sakramentare, duke përfituar në mënyrë të veçantë prej mundësive që na japin viti liturgjik dhe kohët e forta.
Viti III (2019-2020) – Viti i misionit
“… dhe çdo gjuhë të dëshmojë: Jezu Krishti është Zot!” (Fil 2, 11)
Angazhim misionar i të Pagëzuarve, secili sipas karizmave të veta dhe aftësive të veta: “ad intra”, pra në mjedisin kishtar në format konkrete të shërbimit; “ad extra” në angazhimin konkret për t’u dëftuar të gjithëve gëzimin e të qenurit të krishterë.
Mjetet
Viti I
(Nëntor-dhjetor) Të rishohim funksionalitetin e Zyrave baritore të Kuries Arqipeshkvore, duke i riorganizuar dhe duke koordinuar detyrat e veprimtaritë me praninë e rregullt të caktuarve në këto zyra.
- Zyra katekistike, në koordinim me zyrat e tjera baritore të Kuries, të organizojë një shpallje për të gjitha kategoritë e personave: predikim në secilën bashkësi për të paktën tre ditë radhazi zhvilluar nga një ekip i vogël misionar; takime për fëmijë, adoleshentë dhe të rinj në strukturat formuese dhe në fushën e katekezës; formim në grupe, shoqata dhe lëvizje; formim i përhershëm i klerit dhe i rregulltarëve; vizitë në familjet.
- Për këtë shpallje të përdoren të gjitha veprimtaritë tashmë të filluara (katekeza e ipeshkvit, tërheqjet e klerit, dita dioqezane e rinisë, dita e të sëmurëve, etj.).
- Asambleja dioqezane e verifikimit të vitit dhe e organizimit të vitit tjetër në fund të qershorit.
Viti II
- Zyra liturgjike, në koordinim me zyrat e tjera baritore të Kuries, të kujdeset për organizimin dhe realizimin e mjeteve ndihmëse për të favorizuar çka është paraparë si në nivel bashkësior ashtu edhe në nivel familjar e personal.
- Secila përshpirtëri e pranishme në Dioqezë t’i përshtatet kësaj linje sipas stilit të vet dhe teksteve të Shenjtërve Formues të vet.
- Asambleja dioqezane e verifikimit të vitit dhe e organizimit të vitit tjetër në fund të qershorit.
Viti III
- Zyrat Caritas dhe Drejtësi e Paqe, në koordinim me zyrat e tjera baritore të Kuries, të parashohin dhe të sugjerojnë përvoja konkrete të shpalljes së fesë të mundshme si në nivel bashkësior ashtu edhe në nivel familjar e personal. Kjo do të thotë njohje konkrete e Dioqezës dhe prandaj bashkëpunim me famullitarët dhe rregulltarët e rregulltaret të angazhuar drejtpërdrejt në animacionin e secilës bashkësi.
- Në nivel Dioqezan, le të mendohet për një ngjarje dëshmie të veçantë e të gëzueshme që të ketë ndikim të veçantë edhe shoqëror.
- Asambleja dioqezane e verifikimit të vitit dhe e organizimit të vitit tjetër në fund të qershorit.
- PËRFUNDIM
- Shumë të dashur vëllezër e motra, gëzimi i dëshmisë nuk arrihet pa mundim dhe pa përfshirë në lojë veten tonë, kohën tonë, energjitë tona, dhuratat që kemi marrë, dhe jo pa lënë mënjanë më parë çdo dembeli. Me fjalë të tjera, për t’u nisur me këmbën e mbarë duhet më parë një qëndrim konkret bashkëndarjeje.
Prandaj le të zhdukim çdo formë shkurajimi që e ngadalëson ecjen, duke mos harruar kurrë se, si bashkësi, ecim së bashku: ndërprerja e ecjes apo ngadalësimi i dikujt i ngadalëson të gjithë të tjerët që ecin me të. Dhe meqenëse forca e një grupi matet prej hallkës më të dobët të zinxhirit, atëherë duhet të jemi veçanërisht të vëmendshëm ndaj më të dobtëve për t’i bërë të fortë.[15]
Të qenurit me Zotin nuk i lë vend shkurajimit, por na bën të jetojmë prej Tij dhe prandaj edhe prej asaj shprese që Ai na ka dhuruar me Ringjalljen e vet, prej optimizmit që shikon përpara për të ndërtuar të ardhmen nëpërmjet angazhimit në të tashmen, për të realizuar bashkësi të gjalla të bëra prej “gurësh të gjallë” (1Pjt 2,5).
- “Të jemi me Jezusin” do të na lejojë ta njohim dhe prandaj edhe ta duam; dhe bashkë me Të të duam Kishën, nënën tonë. Pastaj, kjo dashuri do të jetë aq e madhe sa, sikurse Martirët tanë të Lumë, do të dimë ta duam edhe Atdheun, jo ide abstrakte e tipit gjeografik apo ideal, por vëllezër e motra konkrete që, pranë nesh, përbëjnë shoqërinë në të cilën Zoti Hyj na ka thirrur të jetojmë dhe ta dëshmojmë.
Ai që do nuk është i trishtuar, por ndien në vete gëzimin që lind prej kësaj dashurie. Por, kujdes që të mos lejojmë të mashtrohemi nga “dija e kësaj bote” (1Kor 3, 19) që, në mbrapshtinë e vet, kërkon të na bëjë të besojmë se duhet “të jemi të lumtur” në këtë botë dhe, kështu, na nxit në egoizmin që, siç thamë më lart, nuk është gjë tjetër veçse materializëm që na asgjëson. Jezusi nuk na ka premtuar lumturinë në këtë botë, por gëzimin: lumturia i përket amshimit të lumë që shpresojmë ta arrijmë.
- Por, me kusht që qysh tani të dëshirojmë dhe të jetojmë shenjtërinë, që është thirrja jonë e përbashkët. Prandaj, le ta nxisim njëri-tjetrin për të jetuar këtë dimension thelbësor të jetës së krishterë. Në këtë mënyrë do t’i bindemi Zotit që na porosit të jemi të shenjtë sikurse Ai është i shenjtë dhe Jezusit që na kërkon të jemi të përkryer sikurse Ati ynë qiellor.[16]
Thirrja në shenjtëri, vëllezër e motra, është për të gjithë: ipeshkvi të jetë i shenjtë, presbiterët dhe të kushtuarit e të kushtuarat Zotit të jenë të shenjtë, prindërit të jenë të shenjtë dhe t’u përçojnë bijve të tyre dashurinë për shenjtërinë e jetës. Me jetën tonë të shenjtë do të shenjtërojmë kohën, vendet e jetës së përditshme e të punës, vendet e kulturës, të politikës dhe të sportit. Dhe do të ndihmojmë që të bëhet “një Kishë e lavdishme, e panjollë, e parrudhë, pa ndonjë gjë si këto, të jetë e shenjtë dhe e patëmetë” (Ef 5,27).
Me këtë dashuri në zemër dhe shenjtërinë e jetës do të jetë e mundur të ndërmerret ky rrugëtim i përtëritjes dhe i ricilësimit të të qenurit tonë të krishterë, në praktikimin e virtyteve, të veprave të mëshirshme, në vlerësimin dhe në dashurinë e ndërsjellë që nuk duhet të mungojnë kurrë, pa smira e xhelozi, por madje duke u gëzuar për të mirën që Zoti bën nëpërmjet një vëllai apo një motre sikur ta kishte bërë nëpërmjet nesh.[17]
- Nga ana ime angazhimi për të organizuar në një të ardhme të afërt Vizitën III Baritore në Dioqezë për t’ju forcuar në fe dhe për të shtuar bashkëpunimin mes të gjitha shprehjeve të Kishës sonë dioqezane për një ecje me të vërtetë rritjeje dhe përtëritjeje.
Ia besoj këtë ecje të Kishës sonë dioqezane kujdesit plot dashuri të Zojës së Shkodrës, Nënës së Këshillit të Mirë, mbrojtjes së Sh. Shtjefnit Pajtorit tonë, Shenjtes Terezë të Kalkutës dhe ndërmjetësimit të të Lumëve tanë Vinçenc Prennushi e 37 Shokët Martirë; dhe me zemër ju bekoj.
- LUTJA
Zoja e Shkodrës,
Nëna e Këshillit të Mirë
dhe Nëna jonë tejet e ëmbël,
ty po ta besojmë
ecjen e këtyre viteve
për të shkuar te Jezusi, Biri yt,
për të qenë me Të,
për të adhuruar e dashur Atë,
për të gëzuar nga prania e Tij dhe,
në gëzim,
për të vrapuar që ta shpallim
të Ringjallur e të gjallë në mesin tonë.
O Mbretëreshë e Martirëve,
fito për ne mbrojtjen
e Shtjefnit Protomartir,
pajtor i Kishës së Shkodrës,
dhe që lutjet e të Lumëve tanë
Vinçenc Prennushi e Shokë
të arrijnë zemrën tejet të dashur
të Jezusit Birit tënd e Zotit tonë.
Ai, gëzimi ynë i vetëm,
u denjoftë t’i pranojë e t’i plotësojë,
që, duke e dëshmuar mbi këtë tokë,
të meritojmë një ditë
që të njihemi prej Atit Qiellor
para Engjëjve të tij.
Atit, Birit e Shpirtit
i qoftë nder e lavd
për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Dhënë nga Kuria Arqipeshkvore e Shkodrës, më 15 shtator 2017, përkujtimi i së Lumes Virgjër të Dhimbshme, Mbretëreshë e Martirëve.
+ Angelo Massafra O.F.M.
Arqipeshkëv
[1] krh. 1Gjn 4,12b
[2] Marrë nga Relacioni për Vizitën ad Limina 2017
[3] Dante Alighieri, Parajsa, XXXIII, 145
[4] krh. Archimede, Siracusa, 287 p. K. rreth 212 p. K.
[5] Benedikti XVI, Deus Caritas est, 1.
[6] Papa Françesku, Fjalimi drejtuar pjesëmarrësve në Takimin Kombëtar 37 i Rinovimit në Shpirtin Shenjt, 1qershor 2014.
[7] krh. Mk 12, 17
[8] Prefacioni II i të dielave të Kohës Gjatë Vitit
[9] Enzo Bianchi, Giorno del Signore, giorno dell’uomo, fq. 10, Piemme
[10] krh. Gjn 6, 53-56
[11] Koncili Ekumenik i Vatikanit II, Konstituta mbi Liturgjnë e Shenjtë “Sacrosanctum Concilium”, 10
[12] Koncili Ekumenik i Vatikanit II, Konstituta mbi Liturgjnë e Shenjtë “Sacrosanctum Concilium”, 14
[13] krh. Ps 1,3).
[14] krh. Mt 22, 8
[15] krh. Ez 34,4 – Rom 15,1
[16] krh. Lev 20, 26 – Mt 5, 48
[17] krh. Sh. Françesku i Asizit, Parafrazë e lutjes Ati ynë, FF 266-275.