Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Leter Baritore – 2001

Plani baritor në përfundim të Jubileut 2000

5 janar 2001

Pas hyrjes sime në Shkodër e ndieva për detyrë t’i jepja dioqezës një plan baritor. Iu futa punës, edhe pse mes shumë shqetësimeve, dhe më në fund më 5 janar 2001, edhe në përfundim të Jubileut të vitit 2000, i ofrova dioqezës, madje ua dorëzova personalisht meshtarëve dhe rregulltarëve, Planin baritor në të cilin, duke u nisur nga fjalët e Psalmit: ‘Fjala jote është dritëz për këmbët e mia’, bëra vijat që duhet të udhëhiqnin punën tonë apostolike në tre vitet e ardhshme.

Dritëz për këmbët e mia
Hyrje

Kisha e Gjithmbarshme, nën drejtimin e Shenjtërisë së tij Gjoni Pali II, kremtoi solemnisht Jubileun e madh të Mishërimit të Zotit, Jezu Krishtit, ngjarje që ndërroi drejtimin e historisë, me ardhjen e Birit të Hyjit në mesin tonë: ‘duke u bërë i afërt’ për secilin njeri.
Kisha e Shkodrës, Kisha jonë vendore, duke kremtuar jubileun e martirizimit dhe të besnikërisë së dëshmitarëve të shumtë të fesë, përkujton dhjetëvjetorin e lirisë së fesë, në përputhje me Jubileun e Madh të vitit 2000.
Dy ngjarje me domethënie të madhe historike dhe shpirtërore, të dyja janë shtytje për mbarë bashkësinë kishtare të Shkodrës për një angazhim ripërtëritjeje shpirtërore në bashkimin kishtar dhe në hovin e ri të misionit për ungjillëzimin e ri.
Prandaj, Kisha e Shkodrës, në ecje dhe në bashkim me Kishën e gjithmbarshme, si angazhim për Vitit Jubilar të kremtuar dhe si përgjigje ndaj nxitjeve të vazhdueshme të Atit të Shenjtë për Ungjillëzim e ri të Evropës, ka përpunuar këtë ‘Projekt të Planit Baritor’.

Projekti është parashikuar të vihet në veprim në një periudhë trevjeçare. Në rend të parë dëshiron të tregojë qartë Fjalën e Hyjit, në Shkrimin e Shenjtë, si pikë referimi parësore dhe të vazhdueshme në çdo çast dhe në çdo nivel të jetës personale, të baritores dioqezane dhe të ecjes së përbashkët të Arqipeshkvisë së Shkodrës, siç shpall Psalmi: ‘Fjala jote është dritëz për këmbët e mia’ (Ps 119, 105a).

Plani është një mjet, i kërkuar prej shumë personave, që paraqet:
– disa vija të frymëzimit baritor dhe udhëzime vepruese të Kishës sonë në vitet e ardhshme, sigurisht, duke vlerësuar atë që është bërë, por duke patur parasysh atë që duhet bërë më tutje;
– disa orientime të përbashkëta, që, duke marrë parasysh larminë e gjendjeve baritore, do të mund të na ndihmojnë për të përkuar në një bashkim gjithnjë e me të dukshëm.
– disa objektiva parësore, për t’u realizuar në vitet shoqërore 2001-2003.

Plani ndahet në:

I. PËRMASA SHPIRTËRORE
II. PËRMASA KISHTARO-DËSHMUESE
III. PËRMASA MISIONARE
IV. SEKTORËT BARITORË:
1. Baritorja e të rriturve dhe e familjes
2. Baritorja e të rinjve dhe e thirrjeve
3. Baritorja e dashamirësisë dhe e paqes
4. Formimi i katekistëve
5. Baritorja e emigrantëve
6. Ekumenizmi dhe dialogu ndërfetar

Jam i bindur se ‘Hiri i Jubileut’ do të vazhdojë të sjellë frytet e veta në zemrën e të gjithë të krishterëve, meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve dhe kështu të gjithë ta fillojmë mijëvjeçarin e tretë me shpirt të ripërtërirë dhe me hov me të madh apostolik, jo vetëm në vijë me traditën e gjatë dhe me begati të Kishës, por edhe në leximin e kujdesshëm dhe profetik të realitetit.
Feja e krishterë në Shqipëri është ruajtur gjatë ngjarjeve dramatike historike dhe tani ballafaqohet me kulturën e shekullarizuar, që vërshon në shtëpitë tona, duke pllakosur ndërgjegjet e të rriturve, të të rinjve dhe të fëmijëve.
Ky plan baritor dioqezan, që me siguri, nuk është gjithëpërfshirës, as përfundimtar, do të nxisë reflektime dhe propozime: sigurisht do të jetë hyrje për takimet e ardhshme të reflektimit mes Ipeshkvit, meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve, laikëve për një ecje bashkëpërgjegjësie kishtare, në parashikim të një Kuvendi Kishtar të ardhshëm.

I. PËRMASA SHPIRTËRORE

Dioqeza angazhohet për të rithemeluar përmasën shpirtërore të jetës së vet të krishterë, të besimtarëve të veçantë dhe të mbarë bashkësisë, si dhe të misionit si fryt i së njëjtës ecje jubilare që e drejtoi në pragun e Mijëvjeçarit të ri për të vlerësuar më shumë hirin e Jubileut. Themeli është bashkë me bindjen e fortë se Ai që shpëton është vetëm Jezusi Zot, Ai që dërgon është Ati i mëshirshëm e Ai që forcon dhe vepron në Kishë është Shpirti Shenjt.
Bashkësia dioqezane e Shkodrës, në përbërësit e vet të shumëfishtë, ipeshkvij, meshtarë, të kushtuar e të kushtuara, laikë dhe laike, angazhohet që Fjala e Hyjit të jetë gjithmonë: “Dritëz për këmbët tona, dritë për udhët tona” (Ps 119, 105).
Mjetet janë këto:
Për laikë: shih tek ‘Baritorja e të rriturve dhe e të rinjve’.
Për meshtarë, rregulltarë e rregulltare:
– në nivelin personal: lutja, formimi i përhershëm, ripërtëritjet shpirtërore;
– në nivelin e përbashkët dhe dioqezan: lutja, formimi i përhershëm, ripërtëritjet shpirtërore mujore, ushtrimet shpirtërore vjetore; azhurnim dhe studim i temave të veçanta;
– për rregulltarët e rregulltaret: ruajtja dhe hovi i ri i karizmës vetjake në kontekstin vendor; formim i novicëve dhe i noviceve, i rregulltarëve të ri dhe i rregulltareve të reja.

II. PËRMASA KISHTARO-DËSHMITARE

Kisha jonë zotëron dhurata të shumëfishta në pranitë e meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve me prejardhje të ndryshme dhe me përvoja të ndryshme kishtare. Kjo, padyshim është fryt i veprimit të Shpirtit Shenjt në Kishën e tij.
Për këtë, ka rëndësi të madhe që Kisha këtë begati të karizmave të ndryshme ta ruajë duke i drejtuar nga njësimi për bashkimin e pjesëtarëve të saj: “Tashti, ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili prej jush gjymtyrë e tija” (1Kor 12, 27).
Prandaj, do të angazhohemi me një përpjekje të vazhdueshme bashkimi dhe komunikimi me organet baritore dioqezane përkatëse për të vepruar të gjithë njëzëri në dashuri vëllazërore dhe në bashkim kishtar për të dëshmuar praninë e Mbretërisë qiellore, duke respektuar dallimet kulturore e të prejardhjes, duke u angazhuar për të inkulturuar mesazhin ungjillor.
Zbatimi i Koncilit II të Vatikanit, ashtu siç e dëshiron dhe vazhdimisht e nxit Magjisteri Autentik i Papës Gjonit Palit II, nga Kodi i të Drejtës Kanonike dhe nga Ipeshkvi dioqezan, do të jetë ‘drejtuesja’ dhe ‘garancia’ e këtij bashkimi. Të gjitha këto ndihmojnë për dëshmi më të besueshme dhe të efektshme të asaj që besojmë dhe shpallim: “Nëse e doni njëri-tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi” (Gjn 13, 35).
Dashamirësia mes nesh është shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë bashkësisë kishtare dhe asaj shoqërore.

III. PËRMASA MISIONARE

Kisha Katolike në Shqipëri pas rënies së diktaturës komuniste është e angazhuar në veprën e riungjillëzimit të ri të bashkësive katolike vendore.
Duke pasur parasysh nevojat e mëdha, vështirësitë e komunikimit dhe të lidhjes mes qyteteve dhe fshatrave, të shpërndarjes dhe të pranisë së meshtarëve dhe bashkësive rregulltare jo në përputhje me territorin e dioqezës, kërkohet angazhim më i madh nga ana e të gjitha subjekteve të angazhuara në baritoren e zakonshme të ‘nisemi drejt zonave të tjera’, që Arqipeshkvi do t’i tregojë për shërbim të jashtëzakonshëm baritor dhe periodik.
Zonat me përparësi janë malet dhe vetë fshatrat e fushës në të cilat ende nuk është i pranishëm shërbimi baritor i zakonshëm, për më tepër periferia e Shkodrës.
Përmasa misionare është përbërësja e Kishës dhe paraqet vetë misionin e saj në botë: “Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!” (Mt 28, 19).
Vetë realiteti shoqëror shqiptar dhe historia e kohës së fundit e shtypjes dhe e boshatisjes së vlerave njerëzore e fetare kërkon rihapjen e Kishës sonë përpara ungjillëzimit të parë, domethënë shpalljes së parë të ‘Lajmit të mirë’ edhe atij që nuk beson apo atyre që nuk kanë fenë tonë.
Mirënjohës për dhuratat që kemi fituar në vitin jubilar, dhe të vetëdijshëm se edhe neve na duhet t’u shpallim të tjerëve ‘çka na ngjau udhës’ (khs. Lk 24, 35) në jubileun tonë, duhet treguar se e kemi takuar Jezu Krishtin, i cili ka ngrënë me ne dhe na i tha fjalët e faljes dhe të jetës. Si Shën Pali: “Ne nuk predikojmë vetveten, por Jezu Krishtin Zot” (2 Kor 4, 5a).

IV. SEKTORËT BARITORË

1. Baritorja e të rriturve dhe e familjes

Sipas shpirtit të ungjillëzimit të ri, Kisha e Shkodrës dëshiron të kujdeset për të rriturit, meqenëse kjo brezni përfshin ata që përcaktojnë ecuritë shoqërore, ekonomike dhe kulturore të shoqërisë dhe të Kishës.
Duke pasur parasysh faktin se këta të rritur në kohën e shkuar ruajtën thesarin e fesë gjatë përndjekjeve komuniste dhe me ta lidhet tejçimi i traditave të vjetra popullore të krishtera, Kisha dëshiron t’u drejtohet atyre për të ruajtur të kaluarën dhe traditën e saj e në të njëjtën kohë t’u dhurojë freskinë e Ungjillit përmes dinamikave dhe perspektivave të marrura nga Koncili, duke bërë që të rizbulohet dhe të çmohet vlera e Pagëzimit të shenjtë me angazhimet që sjell.
Për këtë Kisha angazhohet për të ofruar:
a. Katekeza biblike;
b. Mësim të magjisterit, sidomos të Doktrinës Sociale të Kishës;
c. Propozim i ecjes në hyrje të njohjes së krishterë për ata që dëshirojnë të pagëzohen;
d. Itinerare të përbashkëta të formimit të çifteve të reja për sakramentin e martesës;
e. Ngritje e një zyreje dioqezane për baritoren e familjes;
f. Nxitjen dhe koordinimin e forcave laike në sektorët përkatës, për një angazhim më të madh në ungjillëzimin e ri.

2. Baritorja e të rinjve dhe e thirrjeve

A. Pasuria më e madhe e Shqipërisë është RINIA. Shpeshherë ajo është objekt i shumë propozimeve ngashnjyese nga ana e shoqërisë, grupeve dhe individëve, disa herë është objekt i tensioneve shoqërore të cilat shumë herë shndërrohen në trauma, ndjenja faji apo komplekse inferioriteti.
Kisha, gjithmonë e kujdesshme për të rinjtë, dëshiron të kujdeset gjithnjë e në mënyrë më organike dhe drejtpërdrejt me anë të kujdesit baritor për të rinjtë.
Për këtë dëshiron të nxisë:
a. Laboratore feje në vazhdimësi me Jubileun e të Rinjve;
b. Katekeza biblike;
c. Ripërtëritje shpirtërore në zona;
d. Baritoren e pajtimit dhe të përcjelljes shpirtërore.

B. Kisha dioqezane e Shkodrës ka privilegjin të ketë në gjirin e saj SEMINARIN NDËRDIOQEZAN, e për më tepër ruan traditën e thellë të krishterë që lindi figura shembullore meshtarake dhe rregulltare.
E vetëdijshme se e gjithë kjo sjell edhe një përgjegjësi morale dhe historike, por edhe pse dëshiron të bëjë ungjillëzimin e ri të bashkësive të krishtera vendore, ndien ngutin e një baritoreje serioze, të vazhdueshme dhe organike për nxitjen e thirrjeve të reja. ‘Pellgu’ prej të cilit dëshiron të nxjerrë, sigurisht është baritorja rinore.
Për këtë angazhohet të nxisë:
1. Propozime konkrete dhe të drejtuara të rinjve për thirrjet meshtarake e jetën rregulltare si dhe angazhim dëshmie e shërbimi në botë;
2. Itinerare kërkimi të thirrjes duke i dhënë përparësi rrëfimit dhe drejtimit shpirtëror;
3. Ditën botërore të lutjes për thirrje si dhe ditën e seminarit ndërdioqezan dhe rastet e lutjeve periodike për thirrjet;
4. Të nxisë grupin e ministrantëve në çdo bashkësi famullitare, nën kujdesin e përgjegjësit baritor të dioqezës.

C. PËR FËMIJËT DHE ADOLESHENTËT duhet angazhuar më tepër në:
1. Katekizmin për rrëfimin dhe për kungimin e parë (mosha e lejuar: Klasa e IV).
2. Katekizmin për krezmim (mosha e lejuar: Klasa e VIII).

3. Baritorja e dashamirësisë dhe e paqes

Realiteti i ndërlikuar shoqëror dhe kishtar në të cilin jeton bashkësia jonë kërkon një organ koordinues dhe frymëzues, për më tepër formimin e atyre operatorëve që në mënyra të ndryshme janë të thirrur të ballafaqohen me jetën shoqërore dhe me vështirësitë e saj.
Caritas dioqezan propozohet të jetë organ baritor i kishave vendore për frymëzimin e përmasës së dashamirësisë së bashkësisë kishtare dhe mjet pranie e ungjillëzimi në mjediset shoqërore si dhe në mjedisin e punës.
Mes shumë sfidave dhe përparësive, Kisha dëshiron të japë pjesën që i përket problemit të rëndë të konflikteve mes familjeve në gjak, për integrimin e shtresave të lëna pas dore nga shoqëria si romët dhe banuesit e ri të periferive të qytetit.
Vetëm një punë e kujdesshme dhe e përpiktë në shpalljen dhe nxitjen njerëzore të plotë dhe integruese do t’i ofrojë horizonte të reja bashkësisë civile për të cilën jemi të thirrur të kujdesemi.
Tre parimet që duhet të frymëzojnë ndërhyrjet e formim-frymëzimit për dashamirësi janë ata në vijim:
a. shqiptari duhet të jetë i mëshirshëm me vëllain e vet shqiptar;
b. shqiptari të ndihmojë shqiptarin;
c. shqiptari i varfër të ndihmojë shqiptarin më të varfër se veten.

4. Formimi i Katekistëve

a. Formimi i katekistëve laikë për një ‘Kishë mbarështimore’, dhe jo klerikale!
b. Vlerësimi i Institutit Katekistik Dioqezan.

5. Për emigrantët

Emigrimi ka dy aspekte: të brendshëm dhe të jashtëm.
Vepra e ungjillëzimit duhet të jetë qoftë në dobi të të emigruarve, të atyre që zbresin nga malet në fusha për një jetë më me dinjitet, dhe që ndalen në periferitë e qyteteve dhe të fshatrave, qoftë në dobi të atyre që janë jashtë shtetit.

6. Ekumenizmi dhe dialogu ndërfetar

Realiteti vendor ofron mundësi të mira për ekumenizëm dhe dialog ndërfetar, falë edhe një tradite lokale bashkëjetese tolerante dhe paqësore. Propozohet që t’u jepet hov realiteteve ekzistuese duke themeluar një zyrë dioqezane për ekumenizëm dhe dialog ndërfetar, gjithmonë në respekt të së vërtetës në dashamirësi.
Kjo zyra do të nxisë momente formuese qoftë për laikët, qoftë për klerin për një njohje më të mirë të ortodoksisë dhe islamizmit në Shqipëri, si dhe për një bashkëjetesë gjithnjë e më paqësore e që respekton vlerat njerëzore.

Udhëzime programatike dhe objektiva:

1. Të formohen të krishterët në mënyrë që të jenë ‘kripë e tokës’ dhe dëshmitarë të vlerave ungjillore në familje, në punë, në shkollë, në jetën shoqërore, në shërbimin publik, në politikë, përmes një jete në përputhje me fenë që shpallim.
2. Të rregullohet dhe të njësohet jeta dhe praktika sakramentore me regjistrat përkatës dhe katekeza përkatëse përgatitore.
3. Të aktualizohen në të gjitha famullitë normat për kremtim të denjë të Sakramentit të Martesës dhe të organizohen kurse paramartesore.
4. Të aktivizohen gradualisht Këshillat Baritorë të Famullive, sipas mënyrave të parashikuara nga e Drejta Kanonike.
5. Të përdoret gjuhë e thjeshtë dhe konkrete në predikime, mundësisht edhe duke paraqitur jetën e shenjtërve.
6. Të rimerret tradita për të recituar apo kënduar formulat katekistike përpara Meshës së Shenjtë të të dielave.
7. Të këmbëngulet që gjatë Meshës mos të këndojë vetëm kori, por mbarë bashkësia.
8. Të koordinohet dhe të forcohet angazhimi i të gjithëve për shtypin dioqezan dhe për mjetet e komunikimit shoqëror.

Përfundim

Hapat e parë të kësaj ecjeje pas-jubilare i lë nën kujdesin e Virgjërës Mari, Nënës së Këshillit të Mirë, Virgjërës së Dëgjesës, asaj që ‘i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje’ (Lk 2, 51).
Këto vija vepruese, këto pika referimi le të na ndihmojnë, gjithmonë nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, në ecjen e bashkësisë kishtare në fillimin e mijëvjeçarit të tretë.
Dhënë në Shkodër më 05.01.2001
në përfundim të Vitit Jubilar