THIRRJA – MESAZH
Vëllezër e motra,
siç e dini, që kur ka filluar pandemia e COVID-19, kam përfituar prej çdo rasti për ta lutur së bashku me ju Hyjin e mëshirshëm, që të na lirojë prej këtij rreziku, që t’i ngushëllojë ata që janë prekur dhe që t’u japë pushimin e pasosur atyre që kanë vdekur prej saj.
Po ashtu, gjithmonë ju kam ftuar që të tregoni një kujdes maksimal, duke respektuar udhëzimet që na janë dhënë jo vetëm prej organeve kompetente, por edhe prej atyre që, si mjekët, punojnë në linjë të parë në luftën kundër këtij virusi.
Tani kthehem te ju për një ndërhyrje edhe më të fortë, për t’ju shprehur shqetësimin tim më të madh për shëndetin e popullit tonë, si edhe për t’ju porositur që të tregoni kujdesin e nevojshëm për të shmangur përhapjen e virusit në fjalë. Është një detyrim ndërgjegjeje që duhet ta ndiejmë të gjithë: në radhë të parë për respektin që kemi ndaj vetes sonë dhe për jetën që Hyji na ka dhuruar; e në radhë të dytë është edhe një detyrë morale ndaj të afërmit, sidomos ndaj atyre që më së shumti janë të rrezikuar: të moshuarit dhe fëmijët.
Është e vërtetë, pa një vaksinë do të jetë e vështirë që ta mundim këtë të keqe, dhe vetëm shkencëtarët, me ndihmën e Hyjit, mund ta shpikin atë, por të gjithë kemi mundësi që të parandalojmë përhapjen e këtij virusi.
I kuptoj vështirësitë e një jete që na privon prej shumë gjërash, por e di edhe që populli ynë gjithmonë ka treguar një forcë dhe një guxim të madh në vështirësitë që historikisht i është dashur të përballojë.
Ky është momenti për ta treguar këtë guxim, duke i bërë thirrje disa karakteristikave që nuk na mungojnë: feja në Hyjin na jep forcën për t’i tejkaluar vështirësitë; solidariteti dhe mikpritja, tipike tonat, na japin rastin për t’i ndihmuar ata që janë më nevojtarë sesa ne, dhe ajo krenari e shëndoshë tipike shqiptare, që gjithmonë na ka ndihmuar për të dalë me kokën lart prej të gjitha situatave të vështira.
Të risjellim në mendje të gjitha masat mbrojtëse, që na kanë dhënë, dhe secili prej nesh të bëjë pjesën e vet, me bekimin e Hyjit.
Le qe qendrojme ne shtepi!
Kam besim tek ju! Dhe se bashku, do t’ia dalim!
Shkoder, 15/04/2020
† Angelo Massafra O.F.M.
Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult