Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Përurimi i Përkujtimores së Martirëve

Përurimi i Përkujtimores së Martirëve
Shkodër, 22/09/2014

Kanë kaluar vetëm katër ditë që kur kemi përuruar pranë Katedrales së Sh. Shtjefnit një statujë në kujtim të martirëve të komunizmit dhe eende ndihet jehona e notave të shenjta dhe të teksteve të shqiptarëve të shquar që kanë bërë të shijohet gëzimi i një përkatësie, i përkatësisë atdheut, por sidomos Hyjit… sepse Shqipëria është popull i Hyjit!
Qytetarët e Shkodrës gjenden përreth përfaqësuesve të tyre që i përshëndes në personat e Kryetarit të Bashkisë, Z. Lorenc Luka, të Deputetes Europiane Doris Pack, të Prefektit, të Kryetarit të Qarkut,…. për të përuruar Përkujtimoren e “Martirëve të vet”, pra të të gjithë atyre, burra e gra të çdo feje, që kanë vuajtur për fenë dhe lirinë e tyre, që gjendet në vendin e burgut të tyre, të torturave të tyre dhe të heroizmit të tyre që i ka bërë të japin jetën për lirinë.
Ky vend, deri në vitet 1944-1945 Kolegj i Françeskanëve dhe Kuvend i Motrave Servite, pastaj i shndërruar në seli të policisë dhe në burg, vend i marrjeve në pyetje, i torturave dhe i vuajtjeve, tani, falë pranisë së Manastirit të Murgeshave Klarise, bëhet përsëri vend i lutjes. Më shumë se sa arti, lutja është shprehja më e lartë e shpirtit njerëzor: në të përmbahen aspiratat më të mëdha të njeriut, nëpërmjet saj shpirti i munduar rigjen paqen dhe me të shpohen qiejt për të arritur vetë zemrën e Hyjit dhe për të qenë në bashkim me Të.
Në fjalorin katolik ka një ndryshim të ndjeshëm mes “përkujtimit” dhe “përkujtimores”: “të përkujtosh” do të thotë të sjellësh në mend ngjarje që kanë ndodhur në kohë apo persona që nuk janë më me ne; ndërsa “të bësh përkujtimore” do të thotë të rijetosh ato ngjarje, do të thotë të përshkosh vendet e jetës së atyre personave për të pasur të njëjtin këndvështrim të tyre në lidhje me gjërat, për të thithur të njëjtin ajër si ata, për të ndier në lëkurë emocionet e tyre, dridhjen e ndjenjave të tyre.
Kështu, ky vend që sot po e përurojmë, sipa mendimit tim, sigurisht nuk mund të përkufizohet si Muze, por një Përkujtimore e vërtetë, ku ai që kalon për ta vizituar nuk do të mund të mos ndiejë gjithë dhimbjen që “Martirët” tanë kanë pësuar.


Qëllimi i parë është dhe mbetet ai që të mos i harrojmë padrejtësitë e bëra njerëzimit, mizorinë në të cilën mund të arrijnë veprimet njerëzore, gjakun e vëllait të derdhur mbi tokë dhe që, prej tokës, thërret hakmarrje para Hyjit.
Arsyeja e dytë është të lejojmë që ato drithma frike e terrori ta shkundin qoftë edhe për një minutë trupin tonë, që edhe prej ndërgjegjeve tona të ngrihet britma e kundërshtimit ndaj çdo forme të mujsharisë së njeriut mbi njeriun, të vëllait mbi vëllain.
Por sidomos, them se qëllimi është ai që të përtërijmë angazhimin shoqëror e politik në mënyrë që qytetet tona të jenë vende të mikpritjes, vende të rritjes e të zhvillimit, vende të formimit të ndërgjegjeve në paqe e në respektimin e ndryshimeve. Vetëm kështu populli ynë do të shohë të lulëzojë shpresa, ajo e vërteta; jo ajo që bazohet gabimisht në mirazhet e imponuara nga një kulturë e mirëqenies që është duke pushtuar shtëpitë tona dhe ndërgjegjet e brishta të rinisë sonë.
Përshëndes përsëri, të gjithë ata që janë angazhuar angazhuar në realizimin e këtyre veprave dhe falënderoj, në menyrë të veçantë, Motrat Klarise të cilat kanë punuar shumë dhe angazhohen për rekuperimin dhe mbrojtjen e këtij vendi.
Për angazhimin e Autoriteteve, të Artisteve dhe falë punës së Motrave Klarise, sot qyteti ynë i dashur ka dy vende domethënëse: njëri për të përkujtuar (statuja pranë Katedrales së Shën Shtjefnit) dhe tjetri për të bërë përkujtimoren (ky vend që sot po përurojmë).
Dhe i nxis të gjithë që të mos lejojmë kurrë që këto vepra të mbeten vetëm diçka thjesht kulturore, por të na japin vlerën më të madhe, që të sjellim fryte të paqes, të drejtësisë dhe të njerëzimit të vërtetë, gjithmonë në emër të Hyjit. Urime.

† Angelo Massafra OFM
 Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit
President i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare