Me rastin e Meshës Krizmale 2019

HOMELIA

ME RASTIN E MESHËS KRIZMALE 2019

Shumë të dashur meshtarë, vëllezër e motra të kësaj Kishe të shenjtë në Arqidioqezën Shkodër-Pult, qoftë bekuar Zoti që ka themeluar një mbretëri me ne dhe që na ka bërë meshtarë për Hyjin dhe Atin e vet. Atij i qoftë lavdia dhe fuqia në shekuj të shekujve. Amen.

Kjo Meshë që ipeshkvi bashkëkremton me meshtarët e vet dhe në të cilën shugurohet krizma e shenjtë dhe bekohen vajërat e tjerë është shprehje e bashkësisë së meshtarëve me ipeshkvin e tyre (Cerimoniali i Ipeshkvijve).

Është e rëndësishme që krejt populli i Hyjit, në larmishmërinë e gjymtyrëve të veta, të jetë i pranishëm në këtë Meshë, me qëllim që më dukshëm të shfaqet bukuria e një Kishe krejt mbarështuese, e cila gjallërohet prej veprimit shenjtërues të Shpirtit Shenjt, që, sot, është protagonisti i këtij veprimi solemn liturgjik.

Së bashku, ipeshkëv dhe meshtarë, do të thërrasim fuqinë e Shpirtit Shenjt mbi Krizmën dhe Vajërat e tjerë, pasi do të jenë këta meshtarë që do të japin sakramentet e shpëtimit duke shenjtëruar në këtë mënyrë popullin e shenjtë të Hyjit.

Cerimoniali i Ipeshkvijve vazhdon: “Për këtë Meshë mblidhen dhe bashkëkremtojnë në të meshtarët, prej momentit që për shkak të krizmës janë dëshmitarë dhe bashkëveprues të ipeshkvit të tyre, në funksionin e shenjtë të ndërtimit, të shenjtërimit dhe të udhëheqjes së popullit të Hyjit të të cilit janë pjesëmarrës dhe kështu shfaqet qartësisht njësia e meshtarisë dhe e flisë vazhdimisht të pranishme në Kishën e Krishtit”.

Ky pohim nuk është pa vlerë dhe, si i tillë, duhet të rikujtohet shpesh prej nesh, në mënyrë që të gjitha zgjedhjet tona baritore të mos jetë thjeshtë nismë e një individi – meshtar, i kushtuar apo laik – por shprehje e bashkësisë së vërtetë kishtare.

«Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit shenjt që e dëgjuat me veshë tuaj» (Lk 4,21), thotë Jezusi në Sinagogën e Nazaretit: një vetëdije e qartë e realizimit, në personin e tij, të profecisë së Isaisë, që kemi dëgjuar edhe ne në leximin e parë: “Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua” (Is 61,1). Një vetëdije që, si popull i shenjtë i Hyjit, i mbushur plot karizma dhe mbarështime, duhet të kemi edhe ne.

Në bazë të Pagëzimit, keto detyrat e Krishtit, për veprim të Shpirtit Shenjt, janë bërë edhe detyret tona: “Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin, të verbërve dritën e syve; t’i lëshoj në liri të ndrydhurit, të shpall vitin e hirit të Zotit” (Lk 4,18). Bëhet fjalë për një mbarështim mëshire që përkon me objektivin parësor të ungjillëzimit: t’u kumtojë të gjithëve lajmin e mirë që Hyji, në Jezusin, ka dashur ta shpëtojë botën prej dënimit, pasojë e mëkatit të lashtë të prindërve tanë të parë.

Kjo shpjegon pse ky kremtim bie afër Pashkës; ka një lidhje të fortë me ngjarjet e shpëtimit që, duke filluar prej sonte, do të kujtojmë me një kremtim të madh që do të fillojë me Meshën e Darkës së Zotit, do të vazhdojë me Përkujtimin e Mundimeve nesër dhe do të përfundojë me Vigjiljen solemne të Pashkës pasnesër. Do të jetë një thirrje e madhe e Popullit të Hyjit ku askush nuk mund të mungojë: një asamble e përhershme, që do të na shohë duke përkujtuar jo vetëm Mundimet, Vdekjen dhe Ngjalljen e Jezusit, por edhe frytet që ky veprim shpërblyes ka sjellë në jetën tonë personale dhe bashkësiore.

Për këtë arsye ju ftoj të gjithëve ju meshtarë, që keni rol udhëheqës në bashkësitë famullitare, që ta sensibilizoni sonte popullin e Hyjit me qëllim që ai ta jetojë krejt këtë Triditësh pashkor; po ashtu, shpjegojuani mirë e me kujdes që Misteri pashkor nuk përfundon ditën e Pashkës, por lakohet në tre aspektet e Mundimeve, të Vdekjes dhe të Ngjalljes; dhe për këtë arsye PASHKA është tërësia e pandashme e këtyre momenteve që nuk mund të ndahen prej njëri-tjetrit.

Unë dhe secili prej jush, të dashur meshtarë dhe të gjithë ju besimtarë, duhet ta pyesim veten përpara çdo veprimi liturgjik të këtyre ditëve: çfarë fryti shpëtimi më ka dhënë shpërblimi i Krishtit? Përgjigjja e kësaj pyetjeje do të jetë thelbësore për të na forcuar në fe dhe do ta qartësojë gjithnjë e më shumë përkatësinë tonë ndaj Krishtit dhe Kishës. Pastaj, duke u nisur prej kësaj vetëdijeje, të gjitha veprimet tona kishtare do të marrin një kuptim dhe një domethënie të re.

Ngjarja pashkore sjell ngjallje, që do të thotë “të ngrihemi”, të braktisim palëvizshmërinë e vdekjes për t’u vënë në lëvizje: populli ynë nuk ka më nevojë të dijë që është i krishterë katolik (ai tashmë e di një gjë të tillë), por ka nevojë që të jetojë si i krishterë katolik, sipas një të vepruari ungjillor, që vetëm bashkëngjitja me Krishtin mund të ofrojë. Besimtarët tanë kanë nevojë të dinë edhe që sakramentet që kemi marrë, disa prej të cilëve ripërtërihen në mënyrë periodike, sjellin jo vetëm bashkëngjitjen me Krishtin, por edhe bërjen sipas Tij.

Prej këtu rrjedh rëndësia për ta ripërtërirë gëzimin e dëshmisë që, ky vit baritor, i cili tashmë është drejt fundit, ka pasur si objektiv kumtimin e emrit shumë të shenjtë të Jezusit, atë emër për të cilin lavdërohemi që e kemi të vulosur në mishin tonë, “vula” e vënë prej Krizmës së shenjtë në Pagëzim, në Krezmim dhe në Urdhrin e shenjtë: një shenjë e pashlyeshme që askush nuk mund ta heqë apo ta fshijë.

Në fuqi të kësaj vule që na bashkon të gjithëve, kemi detyrë morale ta ripërtërijmë jetën e bashkësisë së krishterë të Arqidioqezës sonë dhe, ashtu siç kam thënë në kremtimin e 70-vjetorit tim, dëshiroj fortësisht “një Kishë marrëdhëniesh, ku bashkëndahet pasioni dhe përkujdesja baritore për ta çuar njerëzimin te Hyji. Një Kishë mbarështuese ku anëtarët e saj dinë të bashkëpunojnë mes tyre, duke reshtur së qeni shkëmbinj monolitë që ecin për hesap të tyre si solistë, por të krijojnë harmoni korale mes tyre. Kjo do të thotë përfshirje e laikëve në veprimin baritor të meshtarëve në famulli dhe te meshtarëve në dioqezë”. Vallë, a nuk është kjo domethënia e kremtimit të sotëm?

Dhe tani po ju drejtohem juve, shumë të dashur meshtarë. Shpesh, në takimet tona të formimit të përhershëm që kemi pasur gjatë këtij viti baritor, është paraqitur me urgjencë nevoja e rigjallërimit të jetës sonë meshtarake duke i përdorur të gjitha mjetet njerëzore dhe shpirtërore që kemi në dispozicion dhe që Provania e Hyjit edhe në vazhdim do të na vërë në dispozicion.

Le të bëjmë si Jezusi, le ta kemi forcën dhe guximin që “t’i lëmë gjërat, aktivitetet”, për të qëndruar vetëm me Hyjin dhe me veten tonë, në heshtje dhe në lutje, prej nga ku marrim energjitë shpirtërore e fizike të nevojshme për të qenë dhe për të dhënë më të mirën tonë.

Tani ripërtërini premtimet tuaja meshtarake (edhe unë do t’i ripërtërij së bashku me ju!): janë po ato premtime meshtarake që kemi bërë ditën e shugurimit tonë meshtarak, duart tona në duart e Ipeshkvit shugurues! Ripërtëritja e tyre na bën mirë! Na ripërtërin përpara Hyjit dhe përpara Kishës, që është ky popull i shenjtë, që prej nesh kërkon urti, maturi dhe zell baritor.

Dhe ju shumë të dashur besimtarë, lutuni gjithmonë për meshtarët, lutuni edhe për mua dhe për thirrje të reja meshtarake!

Po e përfundoj me urimin e sinqertë që ta jetoni Pashkën 2019 si një angazhim të gëzueshëm dhe të ripërtërirë për t’i përkitur totalisht Krishtit dhe për të gjithë, barinj e grigjë, lutem që Hyji të tregohet i mëshirshëm me ju, që Nëna e Këshillit të Mirë t’ju shikojë me dashamirësi dhe Martirët tanë t’ju mbrojnë kudo që të jeni.

† Imzot Angelo Massafra O.F.M.

Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult