Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Krishti, Pashka jone, u ngjall! – Pashkë 2015

Të dashur vëllezër e motra, arritëm edhe këtë vit në kremtimin e Pashkëve të Zotit.

Koha e shenjtë e Kreshmëve na ka thirrur në kthim: ta ndryshojmë mënyrën tonë të të menduarit për të marrë mendimin e Krishtit (1 Kor 2, 16); ta copëtojmë zemrën prej guri për të marrë zemrën prej mishi fryt të Shpirtit të ri që Zoti na dhuron (Ez 36, 26).

Papa Françesku, në Mesazhin e tij Kreshmor, na ka sugjeruar një pistë: ta mposhtim indiferencën ndaj të afërmit dhe ndaj Hyjit, indiferencë që përfaqëson një tundim real edhe për ne të krishterët. Kjo pistë na ka dhënë mundësinë të bëjmë një verifikim të jetës sonë për të parë nëse edhe ne jemi infektuar prej këtij virusi shkatërrimtar modern.

Të kthehemi do të thotë, pra, të rifitojmë vetëdijen për dashurinë e Hyjit ndaj nesh, për praninë e tij në jetën tonë dhe për mëshirën e tij të vazhdueshme. Prej këtu buron drita dhe forca me të cilat populli i Hyjit mund ta mposhtë indiferencën dhe të gjejë përgjigjet ndaj atyre pyetjeve që historia i bën vazhdimisht. Ndoshta unë jam relativisht mirë dhe rehat, por i harroj ata që, ndoshta edhe shumë afër meje, vuajnë sepse janë të vetëm, të sëmurë, nevojtarë.

Hyji nuk është indiferent ndaj botës, por në Birin e vet të dashur hapet përfundimisht dera mes Hyjit dhe njeriut”, na thoshte Papa në mesazhin e tij.

Gjithnjë në mesazhin e tij, na propozonte tri mënyra për të zbatuar këtë kthim dhe përtëritje:

  1. Nisma e 24 orëve për Zotin, në ditët 13 dhe 14 mars, që edhe ne e kemi kremtuar dhe jetuar në Dioqezën tonë me pjesëmarrje dhe përshpirtëri të madhe.
  2. Papa Françesku na propozonte ta dëftojmë interesin tonë ndaj tjetrit me gjeste dashurie, një shenjë, qoftë edhe e vogël.
  3. Në radhë të tretë, na kujtonte Papa, vuajtja e tjetrit përbën një thirrje në kthim, sepse nevoja e vëllait më kujton brishtësinë e jetës sime, varësinë time prej Hyjit dhe prej vëllezërve.

E në botën tonë aktuale sa vuajtje ka. Çdo ditë mass-mediat na paraqesin pamje rrënqethëse, akte terroristike, vrasjet barbare. Dhe në Shqipëri vazhdojnë vrasjet, vetevrasjet, padrejtësi dhe mjerime ekonomike dhe morale!

Të dashur vëllezër e motra, ecja kreshmore,

  • na kujton në radhë të parë KRYQIN e Krishtit, altar ku Ai kushtohet dhe ia kushton vetveten Atit për shëlbimin e njeriut. Ai bëhet zemra dhe qendra e jetës sonë të krishterë, për ta dashur e dëshmuar me shenjtërinë e jetës. Edhe ne që e dëshmojmë veten të krishterë duhet ta përqafojmë kryqin tonë për të vdekur e për të jetuar në Krishtin. Duhet të vdesim për nga vetvetja, për nga egoizmi ynë, për nga krenaria, për nga gjithçka që nuk i pëlqej Jezusit, për nga gjithçka që është e botës, brenda dhe jashtë nesh.
  • Na kujton edhe nevojën për të qëndruar veçanërisht afër Zotit Jezus, për të marrë pjesë në mundimet e tij dhe në vuajtjet e tij.

Në përfundim të ecjes sonë kreshmore po vjen ora e ditës së madhe të Pashkës së Zotit, ditë e shpresës dhe e gëzimit të vërtetë e të thellë, sepse Krishti, Pashka jonë, u ngjall. Ai e ka mposhtur vdekjen e mëkatin dhe na ka dhuruar shëlbimin Falë flisë së tij, ne tani jemi krijesa të reja, sepse Jezusi na ka larë, na ka pastruar me gjakun e vet.

Prandaj, le t’i hapemi, vëllezër e motra, mirësisë së tij të madhe, dashurisë së tij të mëshirshme, dhe le të ecim me Të që na paraprin dhe na tregon rrugën e drejtë që duhet të përshkojmë. Por të mos i mbajmë shpresën dhe gëzimin në sirtarin tonë, t’i shpallim ato me dëshminë tonë të jetës dhe me veprat tona të mira. Le ta çojmë kudo Lajmin e Mirë, se Krishti u ngjall, se Ai me të vërtetë u ngjall.

Me këto mendime e ndjenja ju uroj nga zemra Pashkën e shenjtë ju katolikë, dhe juve ortodoksë dhe Krishterë shqiptarë kudo që jeni.

Krishti u Ngjall, Aleluia – Vërtet u Ngjall, aleluia – Përshumëvjet pashkën!

Imzot Angelo Massafra OFM