KRISHTI U NGJALL, ALELUJA! – Pashkë 2020

KRISHTI U NGJALL, ALELUJA!

Të dashur vëllezër e motra,

            erdhi edhe festa e Pashkës së Ngjalljes që, si kurrë ndonjëherë këtë vit, na bën thirrje me forcë për ta shprehur fenë tonë në Zotin e Kryqëzuar dhe të Ngjallur. Dhe, si kurrë ndonjëherë këtë vit, ndiejmë se sa të vërteta janë fjalët e Apostullit: “E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, pasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të” (Rom 6, 8-9).

            Është e vërtetë, Apostulli i referohet lindjes së të krishterit në jetën e re, i lirë prej mëkatit, nëpërmjet fesë në ngjalljen e Krishtit, që të gjithë i shtyn që ta largojnë të keqen prej vetes së tyre dhe të vishen me dritën e të Ngjallurit. Por, nga një pikëpamje më materiale dhe lidhur me situatën dramatike që bota është duke përjetuar për shkak të pandemisë COVID-19, të ripërtërish fenë në të Ngjallurin do të thotë edhe të besosh në fitoren e Tij mbi vdekjen.

            Në fakt, ky virus i rrezikshëm ka shkaktuar viktima të shumta që, me dashurinë e krishterë, ia kemi paraqitur zemërdhembshurisë së Hyjit në kremtimin e përditshëm Eukaristik, edhe pse pa pjesëmarrjen aktive të besimtarëve; në lutjen personale dhe, siç ka ndodhur edhe tjetërkund, me praninë guximtare të meshtarëve te koka e atyre që po përfundonin shtegtimin e tyre tokësor, duke u sëmurë dhe duke vdekur edhe ata vetë.

            Kjo Kreshmë e dhimbshme dhe ritet “e zhveshura” të Javës së Madhe na kanë bindur se Krishti nuk na çliron “prej vdekjes fizike”, por “nëpërmjet” vdekjes, atë të Tijës para së gjithash: solidar me ne deri në fund, ka marrë pranë vetes jo vetëm jetën tonë, por edhe vdekjen tonë, dhe i ka dhënë asaj një vlerë të re, atë të ngjalljes.

            Pra, vdekja nuk e ka fjalën e fundit mbi jetën, por është jeta që, duke u ngjallur, e vë posht vdekjen për ta asgjësuar për amshim. Dhe ja që, si i krishterë, feja në Ngjallje na hap ndaj virtytit tjetër teologal, atij të shpresës. Shën Pali na përsërit: “Ne mburremi edhe për vuajtjet, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën, e shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua” (Rom 5, 3-5).

            Për çfarë shprese na thërret Apostulli? Me siguri atë të lavdisë së Hyjit (krh. rr. 2), lavdi që, siç na mëson Shën Gjoni në Ungjillin e tij, ka të bëjë me të mirën e njerëzimit të dashur prej Tij. Pra, shpresojmë me besim se Hyji ka ruajtur për ne një të ardhme të ndryshme prej skenarëve të vdekjes me të cilat jemi mësuar të dëgjojmë këto kohët e fundit.

            Por nuk mjaftojnë vetëm feja dhe shpresa: virtyti tjetër teologal që na kujton Ngjallja është ai i dashurisë, e vetmja prej të trijave që vazhdon edhe pasi të kalojë kjo jetë tokësore. Dhe kur kësaj pandemie t’i vijë fundi çfarë fryti do të marrim, nëse jo atë të mirë që kemi mbjellë gjatë kësaj kohe? Dhe e mira është gjithnjë e vetëm rezultat i dashurisë.

            Këtë solidaritet që Krishti ka treguar ndaj nesh është koha që ta vëmë në praktikë: duke pasur respekt për veten, para së gjithash, pasi të afërmin mund ta duam vetëm nëse vendosim vetveten në shërbim të tij (kujdesi për vetën në shërbim të kujdesit për të afërmin!), duke dhuruar atë që është e mirë dhe e drejtë, duke respektuar rregullat e vëna për të mirën e shëndetit tonë dhe të të tjerëve; duke i bërë thirrje aftësisë sonë krijuese për t’i jetuar mirë marrëdhëniet tona, sidomos tani që jemi të detyruar të jetojmë 24 orë në 24 me njëri-tjetrin në shtëpi; duke përfituar prej kësaj kohe mungese të detyruar aktiviteti mund ta njohim më mirë njëri-tjetrin, mund të mësojmë artin e durimit bërë për dashuri, mund të zbulojmë te ai që është përkrah nesh aftësi e veçori që deri tani nuk kemi pasur mundësi t’i vëmë re.

            Nuk mund të mos jemi mirënjohës për të gjithë ata që në forma të ndryshme e mundësitë e kufizuara kanë qenë e janë në shërbim të tejkalimit të kësaj pandemie. Ju jemi afër shpirtërisht me lutjen tonë të infektuarve dhe familjeve të tyre sidhe shpreh ngushëllime për viktimat.

            Guxim, pra, vëllezër e motra. Të mos shkurajohemi, por ta lëmë zemrën tonë që të ngrohet prej dritës së të Ngjallurit. Ai na thotë, si në këngën e hyrjes së Meshës së Pashkës: “Jam ngjallur, jam gjithmonë me ty”.

            Urime të gjithëve ju, vëllezër e motra në Krishtin: krishterë, katolikë dhe ortodoksë.

            I Ngjalluri ju mbushtë me bekimin e Tij dhe na dhashtë dritën, forcën dhe kurajon për të ecur gjithmonë përpara. Krishti u Ngjall, Aleluja!

† Angelo Massafra O.F.M.

Arqipeshkvi juaj