Scroll Top

KOADIUTOR

Shkëlqesia e Tij, Imzot Giovanni Peragine lindi në Altamura (Itali), më 25 qershor 1965. Ndoqi Shkollën Apostolike të Etërve Barbnabitë nga viti 1976. Më 15 qershor 2017 u emërua Ipeshkëv titullar i Fenice dhe Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut.

Studimet filozofike dhe teologjike i ndoqi në Universitetin Papnor Urbanian, në Romë, ku u diplomua në Teologji Biblike. Më 17 nëntor 1991 bëri kushtet e përjetshme në Kongregatën e Klerikëve Rregulltarë të Shën Palit në Romë, ndërsa më 20 mars 1993 u shugurua meshtar. Pas shugurimit meshtarak, kreu detyrat e mëposhtme: Famullitar dhe Kryetar i Veprimtarive Rinore në Famullinë Nënë të Provanisë Hyjnore, në Firence dhe Mësues Feje në Kolegjin Alla Querce të Etërve Barnabitë.

Në vitin 1998 u dërgua misionar në Shqipëri, ku shërbeu në famullinë e Shën Nikollit në Milot dhe si përgjegjës për formimin e Seminarit lokal të Kongregatës së tij. Prej vitit 2002 ishte famullitar i Shën Nikollit në Milot dhe dekan i zonës veriore të Kryedioqezës Tiranë-Durrës.

Ishte edhe këshilltar i Këshillit Krahinor të Etërve Barnabitë të Provincës Qendro-Jugore të Italisë.

Nga viti 2008 – deri në vitin 2017 shërbeu si Kryetar i Konferencës Shqiptare të Eprorëve të Mëdhenj.

Nga viti 2009 deri në 2012, Vikar provincial i Provincës qendrore-jugore të Etërve Barnabitë. Nga viti 2009 deri në vitin 2018, Kryetar i Bashkimit të Konferencave Evropiane të Eprorëve të Mëdhenj.

Në vitin 2017 qe emëruar nga Papa Françesku Administratori Apostolik i Shqipërisë së Jugut, ku ka shërbyer deri më sot.

Aktualisht është Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare.


Familja Ipeshkvnore dhe Pasardhësia Apostolike:

Kard. Scipione Rebiba
Kard. Giulio Antonio Santori
Kard. Girolamo Bernerio, O.P.
Arq. Galeazzo Sanvitale
Kard. Ludovico Ludovisi
Kard. Luigi Caetani
Kard. Ulderico Carpegna
Kard. Paluzzo Paluzzi Altieri degli Albertoni
Papa Benedikti XIII
Papa Benedikti XIV
Papa Clemente XIII
Kardi. Enrico Benedetto Stuart
Papa Leone XII
Kard. Chiarissimo Falconieri Mellini
Kard. Camillo Di Pietro
Kard. Mieczysław Halka Ledóchowski
Kard. Jan Maurycy Paweł Puzyna de Kosielsko
Arq. Józef Bilczewski
Arq. Bolesław Twardowski
Arq. Eugeniusz Baziak
Papa Gjon Pali II
Arq. Rrok Kola Mirdita
Arq. George Anthony Frendo, O.P.
Arq. Giovanni Peragine, B.


BULLË

FRANÇESKU IPESHKËV, SHËRBËTOR I SHËRBËTORËVE TË HYJIT, Vëllait të nderuar GIOVANNI PERAGINE, Barnabit, i emëruar deri tani Ipeshkëv me titullin Feniks dhe Administrator Apostolik i Shqipërisë së Jugut, Arqipeshkëv Koadiutor i Shkodër-Pult, shëndet e bekim.

Ndërsa zhvillon jetën e vet të shumanshme dhe veprimtaritë e saj të shumta, krejt Kisha merr nga Virgjëra Nëna e Hyjit shembullin e imitimit të përsosur të Krishtit, mbështetur nga ai shkëmbim i mrekullueshëm dhe nga lidhjet më të ngushta që ekzistojnë midis tij dhe gjininë njerëzore (shih Shën Pali VI, Fjalimi në përfundim të seancës së tretë të Koncilit II të Vatikanit). Sa më shumë që të përtërihemi te burimi i hirit hyjnor, aq më shumë i dobishëm për ne, që në fe jemi ngarkuar me detyrën për t’u kujdesuar për krejt grigjën e Zotit, që të vëmë në Zotin gjithçka që është e nevojshme për të garantuar përparimin e Kishës, që ta drejtojmë shpirtin me dashuri atërore kah nevojat shpirtërore të grigjës së dashur Shkodër-Pultit të Shqipërisë, për të cilën Bariu, Vëllai i nderuar Angelo Massafra O.F.M., kërkoi ndihmë në kryerjen e detyrës në arqidioqezën e tij, për të favorizuar një përparimin më të frytshëm shpirtëror të popullit të Hyjit.

Këtë detyrë, Bir i dashur, deshëm të ta besojmë ty, që të gjetëm të pajisur me dhuratën e mendjes dhe të zemrës, që të bën të përshtatshëm për ta kryer këtë vepër ipeshkvnore. Prandaj, me këshillën e Sekretariatit të Shtetit dhe të Dikasterit për Ipeshkvijtë, me plotësinë e autoritetit Tonë Apostolik, të lirojmë nga lidhja e titullarit superior të Kishës dhe nga detyra e Administratorit Apostolik dhe të emërojmë Arqipeshkëv Koadiutor të Shkodër-Pult, me të drejtat dhe detyrimet përkatëse.

Dëshirojmë që ta njoftosh për këtë dekret klerin dhe popullin e kësaj bashkësie kishtare, të cilëve u bëjmë thirrje që të të kenë atë, mësues dhe rojtar.

Ati i mëshirës, o ​​Vëlla i nderuar, bëftë që kjo grigjë, për ndërmjetësim të Zojës së Këshillit të Mirë e shembullit të veprave të tua baritore, dhe mbarë Kisha të jetë dita-ditës gjithnjë e më e frytshme, të gëzohet për shenjtërinë e bijve të saj dhe të tërheqë në kraharorin e saj njerëz vullnetmirë, në të cilët Hyji, Ati i mëshirës, të ​​mbushtë me urti, dije e gëzim (krh. Kish 2,26).

Dhënë në Romë, në Lateran, në ditën e njëzetë të muajit maj, në vitin e Zotit dy mijë e njëzet e katër, në të dymbëdhjetën e Pontifikatit tonë.

Papa Françesku


Homeli në Shkodër me data 09.06.2024

+Giovanni

Të dashur vëllezër dhe motra

Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?”

Kjo është pyetja që Jezusi u bën atyre që i thanë se nëna e tij dhe vëllezërit e tij ishin jashtë duke e kërkuar.

Është vetë Jezusi, i cili, duke e zgjeruar vështrimin drejt të gjithë atyre që i kishte përreth dhe ishin duke e dëgjuar, çuditërisht i jep përgjigje pyetjes : “Kushdo që bën vullnetin e Zotit është vëllai, motra dhe nëna ime ”.

Të dashur vëllezër dhe motra, përpara se të vazhdoj me meditim e pjesës së Ungjillit që kemi dëgjuar, para së gjithash, në këtë kremtim eukaristik, gjatë të cilit zyrtarisht filloj shërbimin tim si Arqipeshkëv koadiutor i kësaj Arqidoqeze Shkodër-Pult, dëshiroj të rinovoj besimin tim në Zotin, i cili vazhdon të më kërkojë të vendos veten në duart e tij dhe të bëj vullnetin e tij. Ai më kërkon edhe një herë që të lë gjithçka dhe ta ndjek, edhe një herë më thotë “Eja dhe më ndiq mua ”.

Në personin e Nuncit Apostolik Mons. Luigi Bonazzi, dua të falënderoj Atin e Shenjtë, Papa Françeskun, i cili më ka dashur si Arqipeshkëv koadiutor të kësaj Arqidioqeze të bukur dhe të madhe që unë tashmë e dua dhe që dalëngadalë do të filloj ta njoh për të vlerësuar edhe më shumë pasuritë e saj.

Falënderoj Imzot Angelo Massafra që më mirëpriti ashtu siç një Atë mirëpret djalin e vet të cilit po përgatitet t’i dorëzojë një thesar të ruajtur dhe të kultivuar për shumë vite. Që tani e falënderoj Mons. Angelo për shërbimin baritor të tij të gjatë, i cili ende nuk ka përfunduar, në këtë Arqidioqezë. Së bashku me ipeshkëvinjtë e dy dioqezave sufragane, Imzot Simon Kulli dhe Imzot. Ottavio Vitale, përshëndes të gjithë priftërinjtë, edhe ata që nuk janë të pranishëm, përshëndes rregulltarët dhe rregulltaret dhe përshëndes përzemërsisht të gjithë ju besimtarët që jeni pasuria e vërtetë e kësaj dioqeze. Faleminderit për mirëseardhjen tuaj të bukur e të ngrohtë, të cilën do të përpiqem t’ua kthej me kujdesin dhe afërsinë ndaj të gjithëve.

Po, është e vërtetë, Zoti na kërkon të bëjmë gjithmonë vullnetin e tij dhe jo tonin. Ai na kërkon të bëjmë atë që ai dëshiron dhe jo atë që na pëlqen, në mënyrë që të bëhemi familjarët e tij, domethënë që të mund të marrim pjesë në gëzimin e tij, në jetën e tij.

Ungjilli i sotëm i kërkon secilit prej nesh të shqyrtojë se cila është marrëdhënia jonë me Zotin?

A ndihemi në të vërtetë pjesë e familjes së Zotit, a ndihemi vërtet fëmijë të Zotit dhe si e jetojmë këtë bijësi?

A na ndihmon Fjala e Zotit që dëgjojmë të rritemi në këtë marrëdhënie dashurie me Atin?

Ungjilli na paraqet tre reagime të ndryshme ndaj predikimit të Jezusit.

Reagimi i parë është ai i të afërmve të Jezusit, familjarëve të tij më të afërt, të afërmve të gjakut, të cilët, duke dëgjuar atë që Jezusi thoshte, përpiqen të shkojnë dhe ta marrin sepse mendojnë se ai tani “nuk është në vete”. Jemi në fillim të shërbimit publik të Jezusit dhe e kuptojnë menjëherë se mësimi i tij nuk është si ai i skribëve dhe farisenjve. Jezusi dallohet menjëherë nga të tjerët sepse nuk përsërit atë që thoshin të gjithë mësuesit, por mësonte një mesazh të ri që kundështohej me zakonat e lashta të etërve dhe që shpall një marrëdhënie me Zotin që lind nga kthimi i zemrës dhe jo nga zbatimi i jashtëm i urdhërimeve. Kjo sjellje publike e Jezusit, e cila u konsiderua si skandal, nuk mund të pranohej nga familja e tij, e shqetësuar vetem për të mbrojtur nderin dhe reputacionin të tij të mirë. Pra, ishte më mirë të deklarohej një sëmundje mendore e Jezusit sesa të përhapej turpi për familjen.

Le të mendojmë për të gjitha rastet që nderimi i familjes dhe zbatimi i traditave, shpesh larg nga një logjike ungjillore, konsiderohen nga ne si ligji i parë që duhet të zbatojmë, duke e zvogluar marrëdhënien tonë me Zotin vetem në praktika të jashtme dhe jo nga dëshira për t’u ripërtërirë nga Fjala e tij.

Reagimi i dytë është ai i skribëve që kishin zbritur nga Jeruzalemi të cilët thanë se Jezusi ishte i pushtuar nga djalli në veprimet e tij. Jezusi e përkufizon këtë mëkat si të pafalshëm pasi nuk ka të bëjë vetëm me mospranimin e veprimeve të Jezusit, por të konsideje vetë Jezusit të sunduar prej djallit, që ai nuk vepron me fuqin e Shpirti Shenjtë.

Sigurisht, asnjë prej nesh nuk mund të deklarojë hapur se Jezusi punon nën veprimin e djallit, por kur nuk kryejmë veprat e Shpirtit të Shenjtë që është në ne, edhe ne fyejmë Shpirtin e Shenjtë. Dhe Shën Pali na paraqet qartë veprave që janë në kundërshtim me Shpirtin: mosmarrëveshjet, xhelozia, përçarjet, zilia. Kur bëjmë këto vepra, ne fyejmë Shpirtin e Shenjtë që është në ne. Mosmarrëveshjet në familjet tona, përçarjet në Kishën tonë, zilia në bashkësitë tona famullitare, midis grupeve të ndryshme, përçarjet midis të krishterëve janë një mëkat kundër veprimit të Shpirtit të Shenjtë. Kur nuk jam në bashkim me vëllanë tim, kur e kam zili tjetrin ose nuk e fal, kur tjetrin e trajtoj vetëm për interesin tim, nuk lejoj hirin e Zotit dhe veprimin e Shpirtit të Shenjtë që të veprojë brenda meje.

Reagimi i tretë është ai i atyre që mirëpresin Jezusin dhe Fjalën e tij dhe e vënë veten në shërbim të tij duke u bërë pjesë e familjes së tij. “Kushdo që bën vullnetin e Zotit është vëlla, motër dhe nënë.” Me këtë përgjigje, Jezusi deklaron se për të qenë familjaret të Zotit, nuk mjaftojnë lidhjet njerëzore dhe madje edhe lidhjet e gjakut. Nëse për t’u ndjerë i lidhur me një familje njerëzore është e nevojshme të kesh të njëjtin gjak, për të qenë pjesë e familjes së Zotit është e nevojshme të përmbushësh vullnetin e tij, domethënë të mishërosh Fjalën e tij dhe të jetosh siç jetoi Jezusi. Në një rast tjetër Jezusi do të përsërisë të njëjtën gjë: Jo ata që thonë vetëm me fjalët o Zot! O Zot! është një i krishterë i mirë, është dishepulli im, por ai që zbaton konkretisht vullnetin e Zoti.

Nëpërmjet pagëzimit të gjithë jemi futur në jetën e Krishtit dhe në Krishtin jemi të gjithë vëllezër të bashkuar nga gjaku i Krishtit i derdhur në kryq për dashurinë. Dhe me Shën Palin mund të themi se mes nesh “nuk ka më hebre dhe grek; nuk ka më as shqiptar as italian, nuk ka më skllav e as të lirë; nuk ka më burrë e grua, sepse të gjithë jeni një në Krishtin Jezus.”

Vëllezër, është shumë e vërtetë: në Krishtin jemi të gjithë vëllezër, sepse që ti përkasim Krishtin nuk është çështje gjaku, por është çështje zemre, sepse gjaku pa zemër nuk jep jetë.

Të dashur, duke ardhur mes jush si bari i kësaj Kishe, po vij si vëlla. Si i krishterë ndihem vërtet vëllai juaj, ndihem bir i Kishës dhe gjithashtu bir i kësaj toke. Erdha në Shqipëri si misionar 26 vjet më parë dhe me gjithë dobësitë e mia u përpoqa t’i shërbej kësaj kishe fillimisht si misionar në Milot dhe më pas si misionar në Jugu e Shqipërisë. Gjaku im nuk është shqiptar por ju siguroj se zemra ime është origjinale shqiptare, sepse unë e dua këtë Kishë, unë e dua këtë tokë të larë nga gjaku i shumë martirëve dhe nëpërmjet shërbimit tim këtu dua të vazhdoj të zbatoj vullnetin e Zotit çdo ditë dhe të rritem në bashkësi me të gjithë ju.

Zojës së Këshillit të Mirë dhe të Lumëve martirë Shqiptarë ju besoj të gjithëve ju dhe shërbesën time mes jush.