Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Katekeza e tretë e të rinjve ikona e Theotokos Eleusa

Temat: Bukuria që shëlbon botën – marrëdhënia me botën e krijuar

           Dashuria që na bën ta shohim botën me sy të rinj

           Mëshira që na nxit në angazhim

E jona është një ecje progresive që, herë pas here, na çon në një njohje dhe në një thellim më të madh të fesë sonë, por edhe në kuptimin se si feja jonë mund të kthehet në vepra konkrete që na bëjnë dëshmitarë të asaj që kemi soditur dhe besuar.

Kështu, në këtë takim tonin po bëjmë kalimin nga soditja e Dashurisë së Hyjit trinitar dhe e konkretësisë së kësaj dashurie në të Kryqëzuarin/të Ringjallurin në ikonën e Shën Damianit, në soditjen e bukurisë që, në mënyrë të veçantë e gjejmë në Marinë, Nënën e Hyjit dhe refleksin e përsosur të dashurisë trinitare.

Maria nuk është vetëm Ajo që ka zgjeruar hapësirat e zemrës së vet për të përmbajtur “Atë të cilin Qiejt nuk mund ta përmbajnë” (Andreu nga Kreta), por edhe e para ndër të shpërblyer, anëtare e shkëlqyeshme e Kishës që na ec përpara në progresionin e fesë.

Në mënyrë të veçantë, në ikonën që na është paraqitur, Ajo, po, është Nëna e Hyjit, por edhe pjesë përbërëse dhe përfaqësuese e shkëlqyeshme e njerëzimit tonë që takon vështrimin plot dashuri e mëshirë të Birit i cili përkulet me dashuri mbi mjerimet tona për t’i liruar ato.

Së fundi, gjithnjë në këtë ikonë, Maria është ajo që, sikurse në ungjillin e mrekullisë së dasmës në Kanë, na tregon udhën: Jezusin. Le ta dëgjojmë, pra, fjalën e Zotit prej ungjillit sipas Gjonit.

Gjn 2,1-12

1 Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. 2 Në dasmë ftuan edhe Jezusin e nxënësit e tij. 3 Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!”. 4 [E] Jezusi i tha: “Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!”. 5 Nëna e tij u tha shërbyesve: “Bëni gjithçka t’ju thotë!”.

6 Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. 7 Jezusi u tha shërbyesve: “Mbushni enët me ujë!”. Ata i mbushën deri në grykë. 8 “Merrini tani ‑ u tha atëherë ‑ e çojani kryetarit të tryezës”. Ata ia çuan. 9 Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë ‑ e nuk e dinte nga vinte ‑ shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin ‑ kryetari i tryezës e thirri dhëndrin 10 dhe i tha: “Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”.

11 Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.

12 Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit [e vet], e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.

MJEDISIMI DHE KONTEKSTI

Tregimi i mrekullisë së Kanës gjendet, në brendësi të ungjillit të Gjonit, në një pozicion të veçantë dhe domethënës, që nuk mund të lihet pas dore nëse duam të kuptojmë mesazhin që përmban kjo faqe e ungjillit.

Para së gjithash mund të vërejmë se episodi i dasmës në Kanë është një prej atyre që tregohen vetëm prej ungjillit të Gjonit dhe janë të panjohur për sinoptikët. Sikurse në rastet e tjera të këtij lloji (për shembull: dialogu me samaritanen, mrekullia e të verbërit të lindur i verbër dhe ringjallja e Lazrit), duhet, pra, të presim që ungjilltari, pasi personalisht ka zgjedhur të tregojë pikërisht këtë episod, ka pasur qëllimin të shtjerë në tregim një domethënie të veçantë në lidhje me dëftimin e misterit të Krishtit.

Pritja jonë përforcohet prej dy të dhënave shumë të rëndësishme:

  1. ungjilltari vë në dukje se mrekullia e Kanës qe mekullia e parë që bëri Jezusi. Nuk është njëra prej shumë mrekullive, por ajo që përuron dëftimin e Jezusit (krh. 2,11: «dëftoi lavdinë e vet»). Prandaj bëhet fjalë për një risi që përmban në vete pothuajse hapjen dhe hershimin qe gjithçkaje që do të vijë më pas;
  2. duke pasur vëmendje ndaj “refrenit” me të cilin Gjoni i ndan episodet e ndryshme të kësaj pjese të parë të ungjillit, vërejmë se mrekullia e Kanës është vendosur jo rastësisht në një “ditë të shtatë” duke nisur nga dëshmia e parë e Gjon Pagëzuesit në lidhje me Jezusin në Jordan: rr. 1,29: «të nesërmen»; rr. 1,35: «të nesërmen»; rr. 1,43: «të nesërmen»; rr. 2,1: «të tretën ditë».

Pra, jemi në “të shtatën ditë”. Ky është qartazi një aludim qoftë në plotësimin e krijimit, qoftë në kremtimin e Pashkëve. Sidoqoftë, e tërheq vëmendjen tonë mbi domethënien kozmike dhe pashkore të episodit që do të tregohet.

Kështu mund ta çmojmë në të gjithë rëndësinë e vet referimin e Jezusit në “orën” e vet (2,4). Kjo fjalë, që në ungjillin e Gjonit përbën një motiv me rëndësi të madhe, që shpesh përsëritet në momentet më domethënëse të jetës së Mësuesit dhe këtu përdoret për herë të parë, tregon qartazi momentin pashkor të misionit të Birit të Hyjit (krh. për shembull, 13,1).

Duke iu përgjigjur nënës së vet, Jezusi pohon që prej fillimit se ai ka ardhur për të kryer vullnetin e Atit në “orën” e caktuar (12,27). Kështu pohohet më tej domethënia pashkore e këtij episodi ungjillor.

Mjedisi tematik i mrekullisë së Kanës dallohet nga një veçori e fundit karakteristike. Episodi përfundon me këtë shënim të ungjilltarit: «… dhe nxënësit e tij besuan në të» (2,11). Jemi të projektuar idealisht drejt qëllimit të fundit të dëftimit të misterit të Krishtit: akti i fesë nga ana e nxënësve. Me këtë akt feje përfundojnë gati të gjitha episodet e tjera të rëndësishme të ungjillit të Gjonit, duke pohuar faktin se qëllimi i ungjilltarit është pikërisht ai që, nëpërmjet përvojës së nxënësve, të na bëjë ta bashkëndajmë fenë e tyre. Në të vërtetë, nëse shkojmë në përfundimin e ungjillit (bëhet fjalë për përfundimin e parë, atë që i paraprin kapitullit 21 që, siç e dimë, duket se është më shumë një shtojcë në lidhje me veprën e përfunduar të Gjonit ungjilltar) e gjejmë të deklaruar shprehimisht këtë qëllim. Mund të vërejmë se përdoret e njëjta fjalë “mrekulli” që në 2,11 përdoret për të treguar mrekullinë e Kanës: «Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij» (20,30-31).

Mund të dalim në përfundimin se tregimi i dasmës së Kanës, për shumë aspekte na paraqitet si njëfarë hyrjeje e përgjithshme në krejt mesazhin ungjillor. Nuk do të jetë e pavend të kërkojmë në fjalët e ungjilltarit, mjet i sigurt i Fjalës së Hyjit, domethënie e jehona që shkojnë shumë përtej kuptimit tekstual të episodit.

Pa harruar gjithçka që kemi vënë në dukje në analizat e mëparshme, tani le të shqyrtojmë pikë për pikë elementet e përdorura prej ungjilltarit për të na bërë të përsërisim përvojën e nxënësve dhe për të na lejuar edhe ne të marrim pjesë në dëftimin e lavdisë (2,11) së Jezusit, në dritën e përkushtimit të dashurisë që do të gjejë përmbushjen e vet, plotësinë e vet, në Pashkët e ringjalljes (13,1).

«Po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë».

Identiteti dhe gjendja e të martuarve nuk kanë interes; dëshirohet vetëm të tregohet natyra e takimit: një fesë e mbledhur përreth bukurisë dhe gëzimit të një dashurie njerëzore që kremton fillimin e vet, ashtu sikurse Krishti “kremton” fillimin e dhurimit të vet martesor ndaj turmave dhe nxënësve. Mjedisi i ngjarjes që po bëhet gati të tregohet është një mjedis publik (siç është një festë) dhe njëkohësisht familjar (siç është një dasëm), në kontekstin e një sofre. Jezusi hershon domethënien e sofrës mesianike, të gëzimit të begatshëm për dhurimin e të mirave mesianike, të dasmës së Birit të Hyjit me njerëzimin e shpërblyer për të cilën flasin disa herë sinoptikët. Vërejmë se ungjilli i Gjonit përfundon me një sofër (21,13-15) dhe me një deklaratë dashurie.

«Aty ishte edhe nëna e Jezusit. Në dasmë ftuan edhe Jezusin e nxënësit e tij».

Ungjilltari shprehet në mënyrë të çuditshme dhe kjo çudi duhet të tërheqë vëmendjen tonë: si vallë, ndër të pranishmit, Maria citohet e para, ndërsa Jezusi dhe nxënësit e tij vijnë pothuajse në një rend të dytë? Nga ana tjetër, Maria nuk citohet me emrin e saj, por si “nëna e Jezusit”. Dëshirohet të tregohet roli dhe misioni krejtësisht i posaçëm i Marisë në historinë e shëlbimit, dhe njëkohësisht dëshirohet të thuhet se ky rol varet krejtësisht prej faktit se ajo është nëna e Zotit. Prania e saj dhe, siç do të shohim, ndërhyrja e saj janë vendimtare për të krijuar kushtet për dëftimin mesianik të Birit të Hyjit.

«Kur u mbaroi vera».

Gëzimi i dasmës së Kanës (ashtu sikurse çdo gëzim tjetër njerëzor, edhe prej atyre më të mirave dhe të pafajshmeve) është i brishtë, i paqëndrueshëm dhe vazhdimisht i rrezikuar të shuhet. Vera “që gëzon zemrën e njeriut” (Ps 104,15) mund të mungojë nga njëri moment në tjetrin. Çfarë garancie mund të japë një projekt lumturie i bazuar ekskluzivisht në rezervat e kantinës së familjes? Mund ta përfytyrojmë vijimin e pashmangshëm të kësaj situate: sikletin e të zotëve të shtëpisë, pakënaqësinë e të ftuarve, kritikat dhe gjykimet e rrepta, kërkimin e ankthshëm të dikujt të cilit t’i vihet faji… Pra: mjerimin tipik që vërehet kur është pikërisht një festë ajo që “përfundon keq”. Duket se kontrasti mes bukurisë së premtimeve dhe dukjes së qartë të dështimit e bën zhgënjimin edhe më të fortë. Sa të shumta janë “festat” njerëzore (edhe dasmat!) që brenda një kohe të shkurtër përfundojnë kështu! E ndoshta secilës prej tyre, herët a vonë, në një mënyrë a në një tjetër, i duhet të kalojë këtë fazë në të cilën “vera e shtëpisë” mbaron.

«Nuk kanë më verë!».

Fjalët e nënës së Jezusit kanë një destinatar dhe një përmbajtje. Në radhë të parë ato i drejtohen shprehimisht Birit. Maria e di që prej fillimit se kush është personi që mund të ndërhyjë për ta zgjidhur situatën dhe i sillet drejtpërdrejt Jezusit. Përmbajtja e fjalisë së saj është njëkohësisht një konstatim i dhimbshëm i mangësisë së gjendjes njerëzore dhe një thirrje, e matur por e qartë, e drejtuar Birit që Ai të ndërhyjë. Misioni ndërmjetësues i Marisë, që merr përsipër vështirësitë të cilat e rrezikojnë lumturinë e njerëzve, duket në këto fjalë të sajat.

«Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!».

Termi paksa i pazakontë me të cilin Jezusi i drejtohet së ëmës, përveçse shpreh nderim e respekt, na lidh edhe me momentin vendimtar të “orës” së tij. Në të vërtetë, në të gjithë ungjillin e Gjonit Zotëria do ta quajë “grua” (“burrneshë”) nënën e tij edhe vetëm një herë: prej kryqit, kur do t’i besojë nxënësin e dashur, dhe nënën atij.

Kuptimi i frazës së Jezusit është ai i shpalljes së të vërtetës së mesianizmit të tij. Ai është Shëlbuesi jo sepse i zgjidh menjëherë problemet dhe kundërshtitë e jetës, por nëpërmjet “shenjave” që hershojnë dhurimin e pakushtëzuar të vetvetes për dashuri të Atit dhe të njerëzimit; dhurim që do të realizohet një herë e përgjithmonë në vdekjen në kryq (krh. 6,26).

«Bëni gjithçka t’ju thotë!».

Përtej fjalëve të Birit, të cilat duken të rrepta dhe pothuajse të egra, Maria kupton vullnetin e Zotërisë për t’u dëftuar – nëpërmjet një shenje të jashtëzakonshme – lavdinë e vet nxënësve. Maria nuk e di se në çfarë mënyre Zotëria ka ndërmend të ndërhyjë; nuk bën parashikime as nuk e hershon nismën e Birit. Thjesht shpreh parimin prej të cilit ajo e para i ka frymëzuar zgjedhjet e veta dhe krejt jetën e vet: të bëjmë atë që Zotëria na zbulon nëpërmjet fjalës së vet. Pas thjeshtësisë në dukje të ftesës së Marisë fshihet urtia më e thellë e jetës së nxënësit.

«Ishin aty të vëna gjashtë enë guri».

Eksertët arrijnë të llogarisin kapacitetin e këtyre gjashtë enëve: sipas tyre bëhet fjalë për rreth dyqind e pesëdhjetë litra! Gjendemi përballë një begatie që mund të na duket e tepruar po të harrojmë se këtu Jezusi dëshiron të na krijojë një ide të zbehtë të pasurisë dhe madhështisë së gëzimit mesianik që do të japë prej tij të kryqëzuar e të ringjallur, prej kraharorit të tij të shporuar nga i cili rrjedhin gjak e ujë të derdhur mbi kryq, për të shuar etjen e krejt botës. Uji që përmbajnë gjashtë enët e gurit është vënë aty prej duarve njerëzore “për larje të judenjve” (2,6). Jezusi përfiton nga kjo shenjë e ligjit të vjetër (është një shenjë tashmë tepër e përdorur apo e lënë pas dore: në të vërtetë enët e gurit tani duhet të mbushen!) dhe e shndërron në shenjë të besëlidhjes së re e të amshuar, në verën e re të gëzimit të vërtetë të sofrës së dasmës së amshuar të Hyjit me njerëzimin.

«I mbushën deri në grykë… “Merrini tani e çojani…”».

Sikurse në shumimin e bukëve, edhe në Kanë Jezusi nxit dhe pothuajse pret bashkëpunimin njerëzor. Ai është gjithmonë në shpërpjesëtim me rezultatin e mrekullisë së bërë prej vullnetit hyjnor. Megjithatë, ky i fundit – megjithëse mundet – nuk bën gjithçka vetë. Sigurisht, Jezusi do të kishte mundur t’i mbushte drejtpërdrejt me verë gjashtë enët pa i kërkuar asgjë askujt; por ai dëshiron që nxënësit ta kujtojnë përgjegjësinë e tyre dhe ta jetojnë atë me besnikëri bujare: do t’u takojë atyre “të mbushin, të marrin e të çojnë” pijen e shëlbimit e të gëzimit, duke e ditur mirë se dëgjesa e tyre ndaj Fjalës nuk e ka prodhuar mrekullinë (2,9), por thjesht e ka pranuar atë në fe dhe ka ndërmjetësuar frytet e saj drejt ruajtjes dhe nxitjes së lumturisë së plotë të të gjithë pjesëmarrësve në sofrën e dasmës së qengjit (Zb 19,9).

«Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani».

Befasia e kryetarit të tryezës, që theksohet prej ungjilltarit, hershon befasinë e besimtarit. Nxënësi çuditet gjithmonë për sasinë e begatshme dhe për cilësinë sublime të gëzimit mesianik, edhe nëse ai arrin “pas” pakënaqësisë së shumë gëzimeve të tjera, pas përvojës së brishtësisë dhe mangësisë së sigurive njerëzore; madje: pas derdhjes së Gjakut dhe thyerjes së Trupit që do të jenë në qendrën e sofrës së besëlidhjes së re dhe të amshuar.

«Qe mrekullia e parë… dëftoi… dhe nxënësit e tij besuan në të».

Në këto shprehje përmbyllëse, ungjilltari përmbledh qëllimet e tregimit të tij. Mrekullia e Kanës ka dëftuar për herë të parë “lavdinë” e Mesisë, dhe ka prodhuar rezultatin e vet, pra fenë e nxënësve.

Lexuesi i ungjillit mund të përsërisë të njëjtën përvojë vetëm nëse lejon të bindet prej Nënës që të bëjë atë që thotë Jezusi. Çdo moment i jetës së tij, çdo dëshirë për lumturi dhe për plotësi do të mund të plotësohet e tejkalohet pafundësisht prej verës së mirë të re të ungjillit, që shpall “mrekullinë” e posaçme: dëftimin e lavdishëm të dashurisë së kryqëzuar të Hyjit të bërë njeri.

Duke përfunduar, ndonjë nxitje për jetën tonë konkrete.

  1. Dasma është festa e jetës. Sikurse çdo festë bart në vete konceptin e gëzimit. Por bëhet fjalë për një gëzim kalimtar që, nëse nuk kuptohet mirë dhe nuk orientohet mirë, sjell pasoja negative. Mund të themi se protagonistët e pjesës ungjillore nuk i kishin bërë mirë llogaritë e tyre duke rrezikuar që ta prishnin festën. Kështu është edhe për ne: nëse e kërkojmë gëzimin vetëm në atë që duket se i plotëson dëshirat tona të çastit rrezikojmë “ta prishim festën” e jetës sonë.
  2. Kjo nuk do të thotë se duhet të pengohemi, madje: jemi të ftuar pikërisht që ta bëjmë jetën tonë një festë; jemi të ftuar të kërkojmë në bukurinë që na rrethon arsye gëzimi sepse gjithçka që Hyji ka krijuar është e bukur dhe e mirë. Problemi gjendet në atë se “si” e përdorim ne bukurinë e botës së krijuar: në mënyrë egoiste apo në një logjikë vlerësimi dhe dhurate? A jemi rojtarë të bukurisë së botës së krijuar, të aftë për ëmbëlsi e mëshirë apo shfrytëzues të pamëshirshëm?
  3. Maria tregohet e vëmendshme ndaj nevojave që dalin gjatë dasmës. Ajo na përfaqëson ne, siç kemi thënë. Po ne, a jemi të aftë sikurse ajo që të vërejmë nevojat e botës që kemi përreth dhe të bëhemi të afërm duke u dhuruar për mbrojtjen dhe nxitjen e jetës si dhe ruajtjen e botës së krijuar?
  4. Maria na tregon rrugën: “Bëni gjithçka t’ju thotë”. Është mësimi më i madh i Marisë, për nxënësit dhe për ne bijtë dhe bashkënxënësit e saj. A jemi të aftë edhe ne, sikurse ajo, të jemi për vëllezërit tanë tregues të respektueshëm, por të bindur, të rrugës së vetme që çon në shëlbim, pra të Krishtit?