Prot. n. 114/2014
OBJEKT: MBI ÇËSHTJEN E VAJTUESVE (BRIMTARVE)
D E K R E T
Të dashur Meshtarë dhe Motra,
Të dashur besimtarë
Zoti ju dhashë paqe!
Pas disa ankesave që më janë drejtuar nga vetë besimtarët, meshtarët dhe operatorët e ndryshëm lidhur me dukurinë e vajtimeve dhe ndikimin negativ e njëkohësisht duke ditur se një shprehi e tillë i përket lashtësisë, paganizmit dhe që sot rezulton qesharake për brezat e ri, ju drejtohem me këtë dekret.
Vajtorët i bien ndesh vizionit të krishterë mbi vdekjen e ringjalljen. Në shumë realitete tona famullitare ky problem nuk ekziston më, biles ishte vullneti i vetë popullit për shmangien e tij, por në disa të tjera, siç duket, edhe nga mungesa e besimit në ngushëllimin e vetëm mbi vdekjen që sjell Krishti i ringjallur, fenomeni vazhdon të mbijetojë. Gjithashtu mendojmë se një ndër arsyet tjera që zvarrisin ekzistencën e kësaj dukurie është edhe frika e opinionit si dhe mungesa e guximit për të ndryshuar.
Kështu, rasti mortor, në vend që të jetë rast lutjeje për shpirtin e të vdekurit e moment ngushëllim për të afërmit, kthehet në thurje lavdesh të kota si dhe në prekje te plagëve te mëparshme të familjes.
Prandaj të dashur besimtarë është koha të largohemi nga kjo praktikë që i kundërshton shpirtit të fesë. Ju nxis që të afroheni me më shumë besim Sakramentit te Vajimit Shenjt, Salikimit, Meshës së Shenjtë. Ta percjellim shpirtin e atij që shtegton në Parriz me lutje dhe rruzare të shenjta e jo më me britma vajtorësh: kjo në planin shpirtëror. Ndërsa në atë njerëzor, duhet t’a kemi gjithmonë parasysh dhe të konsiderohet si i patjetërsueshëm kodi i nderimit, ngushëllimit dhe i heshtjes mortore.
Prandaj, përmes këtij dekreti ndaloj të kryhet shërbesa e salikimeve në ato raste ku familjarët e të ndjerit kërkojnë edhe praninë e vajtorit.
Ju këshilloj të kremtoni Meshën e Dritës (siç jemi mësuar ta thërrasim) ditën e varrimit, sipas mundësive ose sipas zakonit. Njëherazi nxis të gjithë Meshtarët dhe Motrat që të njoftojnë besimtarët për qëndrimin tonë kundër vajtimeve dhe të kryejnë me dinjitet të gjitha ritet e salikimit në raste mortesh siç parasheh Kisha në ligjet e saj e në ritet liturgjike dhe siç kërkon e mira shpirtërore e bijve të Zotit.
Ky dekret u miratua nga Këshilli Presbiteral në mbledhjen e 6 nëntorit 2014 dhe hyn në fuqi me datën 1 janar 2015. Ndërsa do të lexohet në të gjitha kishat e Dioqezës Shkodë-Pult më datën 16 nëntor 2014.
Duke falenderur të gjithëve për pranimin dhe zbatimin e këtij dekreti, ju bekoj.
Shkodër, prej Kuries Arqipeshkvore Metropolitane, më 11 nëntor 2014, në Festën e Shën Martinit.
Atë Artan Seli SDS † Angelo Massafra OFM
Kancelari Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult