Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Fjala Përshëndetëse E Imzot Angelo Massafra – Teatri Migjeni, 08.01.2018

FJALA PËRSHËNDETËSE E IMZOT ANGELO MASSAFRA

Teatri Migjeni, 08.01.2018

Shumë të Nderuara Autoritete fetare, shumë të Nderuara Autoritete civile, shumë të dashur vëllezër e motra!

Vit të mbarë të gjithëve! Sot do të doja t’i dërgoj çdo burri e çdo gruaje të Dioqezës sonë bekimin e Hyjit dhe urimin tim të paqes për një Vit të mbarë për Shkodrën e për Veriun. Po e bëj këtë me formulën e hershme që gjendet në Shkrimin e Shenjtë: «Zoti të bekoftë … Të ndriçoftë me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! e ta dhëntë paqen!» (Num 6,24-26).

Falënderoj Z. Luigj Mila, Përgjegjës i Qendrës Drejtësi e Paqe, shkollat tona, grupet  famullitare, bashkëpunëtorët dhe Drejtoreshën e Teatrit për këtë mbrëmje të bukur.

Për Ditën e 51 Botërore të Paqes, Papa Françesku na jep këtë mesazh:  “Migrantët dhe Refugjatët, burra e gra në kërkim të paqes”. Mbi këtë temë jemi tani të thirrur të arsyetojmë e të përpiqemi të kuptojmë, të njohim dhe të kuptojmë vështirësitë e tragjeditë e ndryshme që jetohen në vendet e tronditura prej luftërave e përndjekjeve, të cilat i detyrojnë njerëzit të emigrojnë.

Tema e migrantëve dhe e refugjatëve që ikin prej luftërave e janë në kërkim të paqes na prek nga afër edhe të gjithëve ne. Megjithëse toka jonë nuk është një vend në të cilin flukset migruese kërkojnë strehim, gjithsesi e dimë mirë se çfarë do të thotë të jesh migrant, sidomos në këto kohë në të cilat kjo dukuri na sheh si protagonistë personalisht. Mbi këtë argument, ne ipeshkvinjtë e Shqipërisë, kemi pasur mundësinë të shprehemi edhe në mesazhin tonë për Krishtlindje; këtu po shtoj vetëm nevojën që të kemi një mendësi të re, të frymëzuar nga parimi fetar i paqes, në mënyrë që kushdo që na takon (ose sepse jemi ne që emigrojmë, ose sepse dikush vjen për të banuar në Vendin tonë) të gjejë burra e gra të aftë për mikpritje.

E kështu, sikurse në Mesazhin për Krishtlindje, edhe sot dëshiroj t’ju ofroj një hapje ndaj shpresës që nuk duhet të lejojmë kurrë të na e vjedhin (siç i pëlqen të përsërisë Papa Françeskut). Është e vërtetë, viti 2017 ka qenë i mbushur me ngjarje të tmerrshme. Konflikte, akte dhune, tërmete, uragane… Duket sikur furia e së keqes nuk ka kufi.

Në të vërtetë, dashuria, humaniteti, solidariteti, shpresa e sfidojnë të keqen çdo ditë. Dhe e fitojnë ballafaqimin. Ashtu sikurse dielli që lind pas errësirës së natës, jeta lind dhe ushqen shtytjen e vet jetësore.

Mrekullia më e madhe e përditshme është lindja e fëmijëve. Më shumë se 140 milionë në vitin e fundit. 213 mijë çdo ditë, 8.875 çdo orë, 148 çdo minutë. Kjo tregon se janë gjithnjë e më të shumtë burrat e gratë që e duan njëri-tjetrin dhe krijojnë të ardhmen duke lindur një jetë të re. Në lidhje me këtë, poeti Carl Sandburg ka shkruar: “Një i sapolindur paraqet bindjen e Hyjit se bota duhet të vazhdojë”. Shumë të dashur, le të ndihemi pjesë e kësaj pjese të burrave e grave që e duan jetën dhe nuk bien pre e logjikave egoiste të refuzimit të krijesave të reja siç ndodh në shumë anë të së ashtuquajturës botë moderne.

E pastaj, pavarësisht nga ata që kishin shpallur “vdekjen e Hyjit” dhe zhdukjen e besimit, një sondazh i bërë nga Gallup Organization ka treguar se “religjoziteti në botë është duke u shtuar shumë”. Një nxitje e mëtejshme për ne, tokë e bashkëjetesës paqësore mes besimeve, për të përmirësuar mënyrën tonë të të ndierit dhe të të praktikuarit të fesë.

Do të doja të përfundoja duke cituar Atin Françeskan, Kustod të Tokës së Shenjtë: «Shën Françesku i Asizit nuk ka folur kurrë për “armiq” dhe shprehjen Homo homini lupustë filozofit skocez Hume, e ka shndërruar në: “Homo homini frater”». Të dashur, kudo që jemi, dita-ditës ta shikojmë tjetrin si vëlla dhe motër jo si rival ose si armik…

            Viti i ri, me hirin e Hyjit, le të jetë vit paqeje për çdo njeri, për ato familje që vuajnë prej mungesës së paqes, për Shkodrën, për Shqipërinë, për Tokën e Shenjtë dhe për të gjithë botën.

Nga zemra ju falënderoj të gjithëve për praninë dhe uroj që viti 2018 të jetë vit më i mbarë për Shkodrën dhe për mbarë Shqipërinë. Për shumë vjet!