Zoja shtegtare e Fatimas në Shqipëri

ZOJA SHTEGTARE E FATIMAS NË SHQIPËRI


Imzot Angelo Massafra Arqipeshkvi ynë, është angazhuar që të vinte në Shqipëri Zoja shtegtare e Fatimas, për të na ndihmuar që të vazhdojmë Ungjillzimin e popullit tonë me një zell më të madhe. Statuja e Zojës arriti në aereoportin Nëna Tereza në Tiranë duke nisur nga Fatima via Istambliit dhe pas shtegtimit në dioqezat e Shqipërisë do të kthehet në Fatima në fund të muaj marsit 2014.
Nga Sekreteria e Zyrëve të Fatimas kanë bërë një intervistë mbi vlerën e shtegtimit të Zojes s e Fatimas. Në vijme janë pyetjet të Sekretarisë dhe përgjigjet të Imzot Angelo Massafrës, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult dhe President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, që bëri më 19 janar 2014.
        Pse nisma e realizimit të këtij shtegtimi?
•    Është e nevojshme që popullit të Zotit t’i jepet mundësia e përvojave të forta, nxitëse, që e ndihmojnë ta jetojë më mirë shtegtimin e fesë. Sapo kemi përfunduar Vitin e Fesë dhe, duke menduar për Marinë që ka qenë shtegtare e fesë në mënyrë të veçantë, kemi menduar se askush më mirë se Ajo nuk mund të na ndihmojë ta bëjmë këtë shtegtim me mbrojtjen e saj amënore dhe me udhëheqjen e saj.
•    Gjithashtu Maria është Mbretëresha e paqes. Duam ta vëmë nën mbrojtjen e saj gjithë botën dhe veçanërisht Shqipërinë, një tokë dhe një popull që ka vuajtur shumë, dhe që vazhdon të vuajë jo më prej komunizmit, por prej “gjakmarrjeve” të cilat i detyrojnë shumë familje të mbeten të burgosura në shtëpinë e tyre.
•    Duam t’ia besojmë Marisë të gjithë personat më të dobët, në veçanti fëmijët, vejushat, të sëmurët, të varfrit dhe emigrantët në gjithë botën dhe sidomos shenjtërimin e pajtimin e të gjitha familjeve.  
•    Së fundi, kjo nismë kurorëzon ëndrrën që kisha në zemër prej shumë vitesh, pasi që në vitin 1998 kemi rikushtuar Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër; në ditët 19-26 shtator 1998 kemi pritur në Shkodër Statujën e Zojës së Nazaretit dhe pastaj shtegtimin e Ikonës së Nënës së Këshillit të Mirë, Pajtore e Shkodrës dhe e Shqipërisë në 1999-2000 në të gjitha famullitë e Dioqezës së Shkodrës e të Sapës në përgatitje për Vitin Jubilar 2000.
Cilat janë pritjet tuaja baritore në lidhje me praninë e Statujës së Virgjërës së Fatimës në Shqipëri?
•    Para së gjithash t’ia besojmë Marisë krejt popullin shqiptar;
•    Në rend të dytë, presim që Mesazhi i Fatimas, prej përmbajtjeve të tij të forta, të përforcojë ecjen e fesë të të krishterëve të Shqipërisë, të thelluar tashmë gjatë Vitit të Fesë, në mënyrë që të rritemi gjithnjë e më shumë në dëshminë dhe në misionaritetin.
•    Si fryt presim që ftesa e Marisë për kthim të na hapë ndaj një të ardhmeje paqeje, nëpërmjet dialogut, respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit; më në fund të kuptohet se është më bukur të dhurojmë e të falim se sa të hakmerremi.
•    Të jepet mundësia që të njihet më mirë historia dhe mesazhi i Fatimas, shumë aktual edhe sot këtu në Shqipëri.


    Nga programi i parashikuar (e di se do të rrijë në Shqipëri nga gjysma e janarit deri në mars 2014), a mund të na vini në dukje një apo dy momente që sipas Jush do të jenë më domethënëse?
•    Sigurisht se do të ketë disa momente domethënëse në të gjitha Dioqezat në të cilat do të ndalet Statuja e Virgjërës Shtegtare. Po kufizohem të përmend ato të parapara për dioqezën e Shkodër-Pultit dhe nismat e ditës së parë të mirëpritjes:
    Arritja e Zojës së Fatimas në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër, (më 18 janar 2014 në orën 9.45) ka qenë një moment shumë i bukur, i gëzueshëm, emocionues dhe domethënës, që ka parë një grumbullim të madh të besimtarëve, të udhëhequr prej meshtarëve të tyre, që kanë kremtuar Meshën e shenjtë në Shenjtërore në orën 8.30, dhe në pritje të arritjes së Virgjërës Shtegtare kanë rrëfyer. Pas mirëpritjes zyrtare të Arqipeshkvit dhe të Famullitarit, meshtarët, me radhë, kanë udhëhequr recitimin e Rruzares së Shenjtë: të gjithë meshtarët dhe besimtarët i kishim sytë të drejtuar dhe të ngulitur në Virgjërën e Bardhë Shtegtare. Në Shenjtërore u bë ndalesa e parë për të vazhduar pastaj drejt Katedrales ku u prit me entuziazëm të madh prej fëmijëve dhe adoleshentëve të katekizmit. Këta, së bashku me besimtarë të tjerë të ardhur nga anë të ndryshme të Dioqezës, e kanë mbushur Kishën Katedrale plot e përplot, përtej çdo pritjeje!
    Mbrëmjen e së shtunës (18 janar) në orën 18, Famullitari i Katedrales, Don Gjovalin Suka, i ftoi të gjitha Motrat e Kongregatave të ndryshme të pranishme në Shkodër për kremtimin e Mbrëmësores, të udhëhequr nga Arqipeshkvi Imzot Angelo Massafra, përreth altarit dhe Virgjërës Shtegtare: jetuam një moment të bukur feje e vëllazërie duke e falënderuar atë që ka ardhur në Shqipëri dhe duke kërkuar dhuratën e një angazhimi më të madh në ungjillëzim. Pastaj e vazhduam momentin e vëllazërisë me një darkë të përbashkët në sallonin e famullisë.
    Qe programuar dhe u realizua Adhurimi Eukaristik i përhershëm dhe gjatë natës (e diel 19 – e hënë 20, nga ora 17.00 deri në orën 7.00 të mëngjesit) me alternimin e rregulltarëve, rregulltareve, grupeve rinore. Kjo qe një përvojë shumë e fortë feje dhe pranie të shumë besimtarëve në adhurimin e Jezusit të paraqitur në mënyrë kremtore mbi altar në shoqërinë e Virgjërës Shtegtare!
    Një moment i fortë është me siguri Treditëshja që do të mbahet në Katedralen e Shkodrës (27,28 e 29 janar) kushtuar Adhurimit të të Shenjtërueshmit Sakrament, Predikimit dhe Rrëfimeve sakramentale; treditëshja do të kulmojë me procesionin e Virgjërës Shtegtare nëpër disa rrugë të qytetit të Shkodrës.
    Kushtimi i Dioqezës Virgjërës gjatë Meshëve të Shenjta të të dielave dhe sidomos ditën e fundit, më 7 shkurt.
    Procesioni “aux flambeaux” ditën 6 shkurt kur do të hershojmë Ditën Botërore të të sëmurit, në vend të ditës 11, përkujtimi liturgjik i Zojës së Lurdit.
    Shtegtimet nga famullitë dhe nga zonat baritore në Kishën Katedrale, ku qëndron statuja e Virgjërës Mari shtegrare e Fatimës. Në katedrale parashihet shërbimi i rrëfimeve.
    Si mund ta përshkruajmë, shkurtimisht, popullin shqiptar në lidhje me devotshmërinë ndaj Marisë?
     Devotshmëria ndaj Zojës së Bekuar ka qenë gjithmonë shumë e fortë dhe shumë e ndier prej njerëzve në Shqipëri. Mjafton të kujtojmë se gjatë komunizmit, pas shkatërrimit të Shenjtërores së kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë, pajtore e Shqipërisë dhe sidomos e Shkodrës, njerëzit shkonin gjithsesi për t’u lutur atje, ku dikur gjendej Shenjtërorja. Në të vërtetë, kjo është e vetmja Shenjtërore e kushtuar Nënës së Hyjit në Shqipëri. Gjatë muajit maj dhe gjatë festave të tjera, janë me qindra personat që marrin pjesë në Meshën e Shenjtë që, prej pjesëmarrjes së shumtë të popullit, kremtohet përjashta.
    Jo vetëm kaq, por në periudhën e regjimit komunist në Shqipëri, kur ishte i ndaluar çdo gjest i jashtëm lutjeje ashtu siç ishte e dënueshme edhe të bëhej shenja e kryqit, në shumë familje thuhej Rruzarja e shenjtë, ndërsa njëri prej familjareve rrinte jashtë, si roje e shtëpisë, për të mos lejuar që dikush të vinte e të shikonte se çfarë bëhej! Mund të pohoj me siguri absolute se lutja drejtuar Virgjërës, me Rruzaren e shenjtë, e ka mbajtur gjallë fenë e krishterë të shqiptarëve gjatë përndjekjes.
    A ekziston në Shqipëri devotshmëria ndaj Virgjërës së Lume të Fatimas? Historia dhe Mesazhi i Fatimas a njihen? A ka ndonjë shenjtërore, bazilikë apo kishë, të kushtuar Zojës së Fatimas?
      Historia dhe mesazhi i Fatimas me siguri njiheshin para komunizmit: duke rishikuar disa numra të “Kumbona e së Dielës” së vitit 1943 (revistë e dioqezës së Shkodrës, e mbyllur nga regjimi komunist dhe që e kemi rihapur në vitin 1992) kemi gjetur lutjen e kushtimit të Papa Piut XII, (përkthyer në shqip) si dhe kushtimet e ndryshme Zemrës së Papërlyer të Marisë të Dioqezave të Shkodrës, të Durrësit dhe të disa famullive.
    Gjithashtu, njihej dhe praktikohej devotshmëria e 5 të shtunave në nder të Zemrës së Papërlyer të Marisë, komentuar dhe paraqitur mirë nga libërthi në gjuhën shqipe: “Pesë të shtunat në nder të Zemrës së Papërlyer të Zojës”.
    Për sa u përket kishave: në dioqezën e Shkodër-Pultit, dhe saktësisht në Oblikë, kemi një Qendër Baritore të kushtuar të Lumëve Françesk e Jacinta dhe Kisha është e kushtuar Zojës së Fatimas. Por është interesante që në Gramzë (Durrës), kisha e parë, e rindërtuar pas rënies së komunizmit, i është kushtuar Zemrës së Papërlyer të Zojës, dhe mban në ballë të saj fjalët e Zojës së Fatimas: “Zemra ime e Papërlyer do të ngadhënjejë”.