Prot. nr. 20/2001
Shkodër, 26/02/01
Të nderuar Meshtarë, Rregulltarë, Rregulltare
dhe besimtarë shekullarë
Zoti ju dhashtë paqe!
Siç kam paralajmëruar në përfundimin e Jubileut të madh të vitit 2000, më këtë letër paraqes Vizitën baritore në Arqipeshkvinë e Shkodrës, të cilën e filloj të Dielën e parë të Kreshmëve.
Direktori Baritor i 22/02/1973 shprehet kështu:
«Vizita kanonike e dioqezës, për Ipeshkvin është jo vetëm detyrim juridik, por edhe kërkesë baritore absolutisht e nevojshme. Përmes vizitës baritore, Ipeshkvi mban kontaktet personale me klerin dhe me pjesëtarët e tjerë të popullit të Hyjit, për t’i njohur dhe drejtuar, për t’i nxitur në fe dhe në jetë të krishterë, dhe për më tepër të shohë me sytë e tij mjaftueshmërinë konkrete të strukturave dhe mjeteve të tyre për shërbim baritor.
Vizita baritore është një veprim apostolik, një ngjarje hiri që në njëfarë mënyre reflekton përngjasimin e vizitës krejtësisht të përveçme dhe të mrekullueshme, përmes së cilës «bariu i amshueshëm» (1Pjt 5, 4), Ipeshkvi i shpirtërave tanë Jezu Krishti vizitoi dhe shëlboi popullin e tij (Lk 1, 68).
Me vizitën baritore Ipeshkvi në mënyrë konkrete paraqitet si fillim dhe themel i dukshëm i bashkimit të Kishës së veçantë që iu besua.
Meqenëse vizita baritore i përket mbarë dioqezës, i jep Ipeshkvit rastin e gëzueshëm për të lavdëruar, nxitur, ngushëlluar punëtorët ungjillorë, të bëhet i vetëdijshëm personalisht për vështirësitë e ungjillëzimit dhe të apostullatit, për të rishqyrtuar dhe rivlerësuar programin e pastoralit organik, dhe për të arritur zemrat e vëllezërve, për të rindezur energjitë që ndoshta kanë filluar të fiken, për të thirrur në fund të fundit, të gjithë besimtarët në ripërtëritje të ndërgjegjes së tyre dhe në një veprimtari më të ngjeshur apostolike (krh. EI = Ecclesiae Imago, 166).
Kodi i të drejtës kanonike shpjegon detalisht subjektet dhe mënyrat e vizitës, të cilat po i sjell këtu të përmbledhura:
Subjektet e vizitës së rregullt të Ipeshkvit janë (kan. 397, § 1):
• Personat: shekullarët, klerikët, rregulltarët që kanë në kujdes shpirtërat, shoqatat, famullitë, etj.
• Institucionet katolike: shkollat, qendrat e larta të mësimdhënies, veprat fetare dhe të bamirësisë, edhe kur i drejtojnë rregulltarët.
• Gjërat: orenditë e shenjta, relikuet dhe figurat e shenjta, legatat e përshpirtshme, të mirat kishtare, regjistrat e famullive dhe arkivi.
• Vendet e shenjta: kishat, oratoret, varrezat.
Ipeshkvi duhet:
• të kontrollojë regjistrat dhe dokumentet e ruajtura ne arkivet e famullisë (kan. 535, § 4)
• të vizitojë objektet e kultit, relikuet, figurat e shenjta të ekspozuara në nderim, të mirat e përkohshme, regjistrat e administrimit të enteve kishtare që i nënshtrohen autoritetit të tij, etj.
• të vizitojë edhe vendet e shenjta: kishat (kan. 1214-1222), oratorët dhe kapelat private (kan. 1223-1229), varrezat (kan. 1240-1243).
Pa farë dyshimi, vizita baritore kërkon përgatitjen e nevojshme të meshtarëve, rregulltarëve/eve e gjithashtu edhe të shekullarëve.
Famullitari së bashku me motrat dhe shekullarët, renditë programin e vizitës duke përfshirë edhe takimet e Ipeshkvit me ambjentet në disponim për vizitën e tij: si shkollat, spitalet, administrimin qytetar;
Të programohen Meshët e shenjta, Sakramenti i Krezmimit, vizita e varrezave. Ju kujtoj se programi duhet të bëhet në marrëveshje dhe të aprovohet nga Ipeshkvi.
RENDI DHE DATAT E VIZITËS PASTORALE
Pasi që e kam të pamundur të caktoj datat për famullitë e veçanta, me këtë letër lajmëroj radhën e Vizitës baritore, duke treguar Zonat baritore, duke ju sigurar se çdo bashkësi do të lajmërohet dy javë para vizitës.
Ja rendi i Vizitës baritore:
Zona Pastorale I
d) Gruemirë
e) Boriç
f) Rrjoll 3-7 mars 2001
Zona pastorale II
h) Juban
i) Gur i Zi
j) Rrenc
k) Rragam
l) Sheldi
m) Mazrek
n) Shpor
Zona pastorale III
c) Dajç i Bregut të Bunës
d) Pentar
Zona pastorale IV
l) Stajkë
m) Ranxa B.
n) Melgushë
o) Plezhë
p) Bushat
q) Malijushit
r) Beltojë
s) Ashtë
t) Kosmaç
u) Barbullush
v) Kukul
Zona pastorale V
b) Berdicë
b)Trush
Zona pastorale VI
f) Velipojë
g) Reç
h) Gomsiqe
i) Rrjoll
j) Mal Kolaj
Zona pastorale VII
f) Obot i Vjetër
g) Obot i Ri
h) Muriqan
i) Oblikë
j) Shirokë
Zona pastorale VIII
d) Shllak
e) Koman
f) Dushman
Zona pastorale IX
g) Bardhaj
h) Grudë e Re
i) Gucija
j) Shtoi i Ri
k) Shtoi i Vjetër
l) Hoti i Ri
Zona pastorale X
c) Zonja Rruzare, Arra e Madhe
d) Shën Shtjefni, Katedralja
Për Vizitë duhet të keni gati:
- Amzat e: Pagëzimit, Kungimit, Krezmimit, Martesës, Vdekjes.
2. Librin e intencioneve të Meshëve.
3. Librin e të ardhurave dhe të daljeve ekonomike në famulli.
4. Kronikën e famullisë (dëshiroj që Meshtarët dhe rregulltaret të bëjnë një kronikë të pranisë misionare që nga fillimi i misionit.
5. Inventarin
6. Dokumentet e ndryshme në lidhje me: pasurinë, planët, marrëveshjet me bashkësitë rregulltare…
Takimet personale
«Qëllimi i parë i Vizitës së famullive është që Ipeshkvi të takojë personat, d.m. th. klerin, rregulltarët dhe shekullarët: nga ky qëllim duhet të drejtohen të gjitha gjërat gjatë vizitës» (DB nr. 168).
Gjatë vizitës dëshiroj të takoj Famullitarin, Bashkësitë rregulltare, Këshillin e Kishës (nëse ekziston), grupet e ndryshme famullitare, Legjonin e Marisë…
Në rend të ditës do të diskutojmë, mes tjerash, edhe për Planin Baritor dioqezan dhe aktualizimin e tij.
Kremtimi i Vizitës duhet të zhvillohet në një klimë të thjeshtë, festive dhe të sinqertë familjeje që takohet me Atin dhe Bariun e shpirtërave, i ardhur për të shndritur, nxitur dhe promovuar unitetin dhe bashkimin në Krishtin dhe në Kishë.
Përfundimi
Në porosinë gjatë Vizitës «AD LIMINA» Ati i Shenjtë na ripërseriti një fjali të Letrës Apostolike «Nuovo Millennio ineunte»: «Kisha le të bëhet shtëpi dhe shkollë bashkimi: ja sfida e madhe që qëndron përpara nesh në mijëvjeçarin që po fillon, nëse dëshirojmë t’i mbetemi besnikë planit të Hyjit dhe t’u përgjigjemi edhe pritjeve të thella të botës» (nr. 43).
Ju ftoj të gjithëve të luteni që Vizita baritore të ketë fryte të mira, të jetojmë kohën e Kreshmëve si kohë e privilegjuar lutjeje, dëgjimi të Fjalës dhe flijimi, me anim drejt unitetit.
Na përcjelltë, me mbrojtjen e vet amënore, Virgjëra Mari, Nëna e Këshillit të Mirë.
Ne pritje që t’ju takoj Ju përshëndes dhe Ju bekoj.
- Raffaele Lanzili + Angelo Massafra
Kancelar ipeshkvnor Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës - S.- Të lajmërohet fillimi i Vizitës baritore me dt. 4 mars 2001 e Diela e I e Kreshmëve.
– Të recitohet çdo të dielë, në të gjitha Meshët, lutja për suksesin e Vizitës baritore.
L U T J A
Për suksesin e Vizitës baritore të Arqipeshkvit të Shkodrës Imzot Angelo Massafra Dioqezës
O Zot, Jezu Krisht, na jep neve besimtarëve të tu që të kuptojmë dhe të pranojmë misterin e hirit të Vizitës baritore, që do të na e bëjë Ipeshkvi ynë.
Kjo Vizitë baritore e zgjoftë në ne, o Zot, ndjenjën e përkatësisë Kishës së Shenjtë Katolike, dinjitetin tonë si të Krishterë, angazhimin tonë si gjymtyrë të gjalla, vepruese dhe të shenjta të
Korpit Tënd mistik.
Bëj o Zot, që në Vizitën baritore, ne të dallojmë vizitën Tënde, që vjen për të na shpallur planin e dashurisë sate për shëlbimin tonë, vjen për të ngushëlluar shpirtërat tanë, për të korrigjuar gabimet tona, vjen për të sugjeruar premtime të reja për jetën tonë të krishterë, të zhytur në realitetin e shoqërisë profane, por gjithmonë e shndritur nga feja dhe e mbështetur nga ndihma e hirit.
Eja, pra, o Zot, të na vizitosh nëpërmjet shërbesës së atij që, në emër Tënd, na është bari : kishat tona, shtëpitë tona, veprat tona, e mbi të gjitha zemrat tona tashmë janë hapur për Ty.
Ky takim baritor, me ndërmjetësinë e Shenjtes, Zonjës Mari dhe të të gjithë Shenjtërve, mbrojtjen dhe shembullin e të cilëve e gëzon bashkësia jonë, le të jetë për ne peng i takimit të përjetshëm me Ty, o Zot, në kohë dhe në amshim.
Pali VI
ARQIPESHKVIA METROPOLITANE
SHKODER – ALBANIA
Prot. n. 90/2002
Shkodër, 011/06/02
Të nderuar:
– Imzot Zef Simoni, Meshtarë, Rregulltarë dhe Rregulltare,
– Z. Haxhi Faik Hoxha, Myftiu, Përfaqësues i Komunitetit Mysliman,
– Atë Aleksandër Petani, Përfaqësues i Kishës Ortodokse,
Z. Gjergj Leqejza, Prefekt – Shkodër,
Z. Lorenc Mosi, Kryetari i Qarkut – Shkodër,
Z. Ormir Rusi, Kryetar i Bashkisë – Shkodër,
Zotërinj Kryetarë të Komunave së Arqidioqëzës së Shkodrës,
Z. Agim Shima, Drejtor i Drejtorisë së Arsimit – Shkodër,
Zotërinj Drejtorë të shkollave, që takova,
Besimtarë të gjithë,
Për njoftim: Mons. G. Bulaitis, Nunci Apostolik – Tiranë
Zoti Ju dhashtë paqe!
Me 16 qershor mbaroj vizitën baritore në qytetin e Shkodrës me dy kremtime të Meshës: në orën 10.00 në famullinë e shën Shtjefnit tek katedralja dhe në orën 18.00 në famullinë e Zojës Rruzare tek Arra e Madhe.
Përfundoj kështu vizitën e parë baritore në Arqidioqezën e Shkodrës. Falenderoj Trininë Shenjte, të gjithë pa dallim dhe në veçanti fëmijtë dhe të rinjtë: nuk mund të harroj lulet dhe përqafimet.
Të gjithë më kanë pranuar në mënyre të shkëlqyeshme, dhe për këtë jam shumë i kënaqur dhe mirënjohës.
Për këtë kam ndër t’Ju ftoj të gjithëve për
KONCERTIN E FALENDERIMIT
që do të mbahet në Teatrin “MIGJENI”
me 17 qershor në orën 18.00.
Ftoj Famullitarët të marrin pjesë me një grup të vogël besimtarësh.
Duke Ju pritur, Ju falënderoj përsëri dhe ju përshëndes me shumë respekt.
+ Angelo Massafra
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës
President i Konferencës Ipeshkvnore të Shipërisë
———————–
SELIVE TË TYRE
FJALIMI I FALENDERIMIT
Gjatë koncertit, me 17 qershor , në orën 18.00
TEATËR “MIGJENI” – Shkodër
Të nderuar:
Përfaqësues të feve
Autoritete Civile,
Miq dhe besimtarë,
Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj në këtë koncert falenderimi në mbarimin e vizitës baritore në Arqidioqezën e Shkodrës. Falënderoj, në veçanti, Kryetarin e Bashkisë, Z. Ormir Rusi, për leje për përdorimin e teatrit.
1-Falënderoj Hyjin, i cili më ka frymëzuar dhe më ka mbështetur gjatë vizitës baritore. Është shumë e rëndësishme që çdo ipeshkëv të njohë më afër realitetën në të cilin jetojnë besimtarët. Ipeshkëvi mund të sheh personalisht mrekullitë që Zoti i bën në çdo person dhe në popull, mund të bashkëndajë më thellësisht dhimbjen me ata që vuajnë, gëzimin e atyre që e pranojnë Hirin e Zotit dhe shpresën e atij që dëshiron një të ardhme më të mirë dhe angazhohet për ta realizuar. Vizita baritore është një rast në të cilën zemra e Ipeshkvit dhe zemrat e personave që ai i takon mund rrahin së bashku më thjeshtësisht, të bashkuar nga forca që vjen nga Zoti.
2- Falendëroj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, të cilët janë angazhuar në mënyrë që vizita baritore t’i ketë arritur qëllimet e saja.
Falënderoj Përgjegjësit e feve, muslimane dhe ortodokse.
Falënderoj Autoritete Civile, drejtorët e shkollave, dhe të gjithë drejtorët e Institucioneve tjera që më kanë pranuar.
Falënderoj të gjithë ata që më kanë pranuar, si njeri të Zotit, dhe me të cilët kemi pasur mundësinë t’a njohim njëri-tjetrin, por edhe të bashkëndajmë ide dhe projekte, si edhe për të programuar diçka për të ardhmen.
Shpresoj dhe angazhohem, sipas mundësive te mia, që asgjë nga përvoja e përjetuar mos të humbet dhe sugjerimet e çmueshme që i kam marrë të japin fryte për të mirën e të gjithëve.
3- Me gëzim dëshiroj të theksoj disa elemente pozitive: angazhimin e jashtëzakonshëm dhe flijimin e Meshtarëve dhe të Motrave për ungjillëzim, për formim, për shkolla, për handikapatët, etj.; entusiazmin e fëmijëve dhe të rinjve; gëzimin e të sëmurëve dhe pleqve; kujdesin e madh, në përgjithësi, ndaj të sëmurëve; angazhimin e meshtarëve, motrave dhe besimtarëve për familjet në një varfëri të madhe; ndihmën e bamirësve për veprat sociale-baritore dhe për Kishat.
Kam takuar shumë persona që jetojnë me ndershmëri dhe seriozitet punën e tyre dhe dëshirojnë të japin, me përkushti të madhe, një kontribut për të ndërtuar një shoqëri
më të drejtë, ku nuk fiton gjithmonë kush është më i fortë ose me i korruptuar, por ku secilit t’i jetë i rinjohur dinjiteti i tij. Përballë kësaj të mire kaq të madhe, që dëftohet në situatë të jetës sonë të përditshme, secili mund t’i bëjë vetës pyetje: «Pse unë jo? Pse nuk mund të jem edhe unë një prej atyre që vërejnë, para së gjithash, nevojat e vëllaut në vështirësi?» Në këtë mënyrë e mira rritet dhe shtohet dhe, ju siguroj se do të jemi të gjithë më të lumtur.
Falënderojmë Zotin që vazhdon të veprojë ende mes nesh.
4- Por gjithçka nuk është pozitive. Me keqardhje të madhe dhe me dhimbje të thellë, pranoj dhe duhet të pranojmë se edhe në Dioqezën tonë, në qytetin tonë janë disa aspekte që nuk shkojnë mirë dhe që duhet të përmirësohen.
Për shembull: mosinteresimi për të mirën e përbashkët, mungesa e respektit ndaj jetës (si aborti, vrasja, gjakmarrja, mos respekti i të tjerëve, i më të varfërve, dhuna ndaj femrave, mbjellja – shitja dhe përdorimi i drogës, shfrytëzimi i njeriut dhe i natyrës për një fitim më të shpejtë, largimi i të rinjve dhe i intelektualëve nga vendi, braktisja e pleqve…
Të rinjve dëshiroj t’u them: mos u shkurajoni, mos u jepni prapa një pasurie që nuk kënaq zemrën e njeriut. Vlerësoni jetën tuaj: Zoti dëshiron nga ju gjëra të mëdha.
5- Mbaroj duke ju thënë se në zemrën time kjo vizitë do të mbetet e paharrueshme, në veçanti për hiret që Zoti u ka falur besimtarëve, për gëzimin dhe shembullin e të sëmurëve, (një grua të verbër nga 20 vjet: e pyeta: a je e mërzitur? jo, më ka përgjigjur, sepse Zoti është me mua, dhe fëmijët janë me mua!); edhe për lulet dhe përqafimet e fëmijëve.
Në fund uroj që të gjithë besimtarët katolikë, të rrënjosur në fe, në njohjen e Kishës, në njohjen e martirëve tanë, t’u japim respektin tonë të gjithëve dhe të kërkojmë të njëjtin respekt; dhe të vetëdijshëm për detyrat dhe për të drejtat që kemi, të jemi ndërtuesit e Kishës dhe të shoqërisë sonë.
Zoja, Nëna e Këshillit të mirë, Pajtorja e Shkodrës, dhe Pajtorët e Famullive na ndihmofshin për të qenë të krishterë me guxim dhe me shpresë.
Faleminderit. Zoti Ju bekoftë.
+ Angelo Massafra
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodrës