Profecia e Samuelit bërë Davidit dhe Kënga e Zakarisë janë përmbushja e kësaj Nëntëditësheje. Gjithçka kemi thënë gjatë këtyre nëntë ditëve tani merr vulën e saj pak orë larg përkujtimit liturgjik të Krishtlindjes së Zotit.
Lindja e Jezusit është pikëarritja e të gjitha profecive: Ai është pasardhësi i Davidit, bërë Zot në shtëpinë e tij; Ai është ai diell lindës që, duke na vizituar prej së larti, na shpëton. Në Të gërshetohet përsosmërisht njerëzia, që i rrjedh prej pasardhësisë njerëzore, me hyjninë që i vjen prej Atit. Është Hyj i vërtetë njeriu Jezus, lindur prej Marisë Virgjër; është njeri i vërtetë Biri i Hyjit që ishte qysh në krijimin e botës dhe që ka frymëzuar krijimin e saj. Vetëm në këtë gërshetim të përsosur të të dyja natyrave është bërë i mundur shpëtimi ynë. Në të, më në fund, njerëzimi është pajtuar me Hyjin prej të cilit ishte ndarë me padëgjesën e Adamit dhe Evës.
Lindja e Jezusit është pikënisja për një profeci të re: Ai është Fjala e Hyjit për njerëzimin, llamba që ndriçon hapat e njeriut në tokë. Në të, njeriu, i çuar në dinjitetin e tij si krijesë e bërë në shëmbëlltyrë dhe në përngjasim me Hyjin, më në fund mund ta quajë veten bir të Hyjit. Dhe ndërsa jeton gëzimin e të qenit bir, e kumton me jetë, me fjalë, me vepra, me veprat e Hyjit të parëlindur të Atit: mëshira në të gjitha shprehjet e saj materiale dhe shpirtërore.
Vëllezër e motra, nëse kemi kuptuar thellësinë e misterit të Mishërimit të Zotit tonë Jezu Krishtit, atëherë mund të themi se jemi me të vërtetë të krishterë dhe të jetojmë kujtimin e Krishtlindjes së tij si festën e identitetit tonë të vërtetë. Sot mund ta festojmë Jezusin, ditëlindjen e tij… le të themi..edhe që sot festojmë kryesisht lindjen e njerëzimit të ri, lindjen tonë si bij të Hyjit. Nëse Jezusi jeton në ne, atëherë Krishtlindja është festa jonë.
Tani gojët tona mund të këndojnë “Lavdi” së bashku me himnin e kënduar prej engjëjve përpara barinjve natën e Krishtlindjes, me qëllim që ta falënderojmë Hyjin për veprën e shpëtimit dhe të vendoset paqja, shalom-i, domethënë prania e vetë Hyjit në jetën e njerëzve “që ai i ka përzemër”.
Urime, vëllezër e motra. Urime për festën tonë.