Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Krishtlindje 2008

Sikurse Engjëjt u drejtuan Barinjve, që vigjilonin grigjën gjatë natës, edhe unë dëshiroj t’iu drejtohem me këtë mesazh: Hyji u bë njeri, u bë fëmijë për ne. Është një Hyj të cilin mund ta marrim në krahë.

Në këtë Krishtlindje ju uroj që ta lini zemrën të joshet pas këtij Fëmije, ta lini Atë t’ju flasë, që të ndiheni të marrë për dore prej Tij, të ndriçuar, të përtërirë, të ngushëlluar, të falur, të bërë njerëz të rinj. Ndiejini si të thëna për ju fjalët e Engjive: “Mos kini frikë!”.

Lindja e Krishtit është një dhuratë. Jezusi lind në atë shpellë, natën, në thjeshtësinë e një fëmije.

Lindja e Krishtit mbi të gjitha është gëzim. Ky gëzim lind vetëm nga Hyji, nga një dashuri e pafundme. Për këtë jemi ftuar që ta jetojmë me zemër feste.

Krishtlindja nuk duhet të jetë thjesht një mesazh gëzimi e shprese, por duhet të bëhet edhe një ftesë për ta ndjekur, një ftesë që ta jetojmë të njëjën mënyrë të Hyjit tonë.

Ne të krishterët nuk ndjejmë thjesht një ndjenjë fetare dosido, nuk besojmë thjesht në diçka më të madhe e cila na tejkalon dhe na mbështjell, nuk besojmë në një Hyj të padukshëm. Ne besojmë në Dikë, në Hyjin e Jezu Krishtit. Besojmë në një Hyj që është bërë i dukshëm, që është zbuluar përmes dobësisë së të bërit krijesë: i Amshueshëm në kohë, i Pafund në të kufizuarën, Madhështi në vogëlsi, Krijues në shpellë: kështu erdhi Hyji!

Por, bij shumë të dashur, Hyji vjen gjithnjë. Vjen këtu. Vjen tani. Vjen për secilin prej nesh. Vjen nëse kam guxim ta kapërcej pragun e një kishe, që ta kërkoj në heshtje. Nëse kam guximin të bie në gjunjë, në dëgjim.

Hyji ynë ka zgjedhur butësinë e jo dhunën. Është një Hyj që dëshiron të jetë i kërkuar e të realizojë kështu një takim. E në të vërtetë, edhe pse është Hyj, Ai nuk e dhunon lirinë tonë, por qëndron tek dera e zemrës sonë e, në mënyrë të kujdesur, troket. Nuk hyn nëse nuk është i ftuar. Ai nuk pyet nëse ai që po e fton është i denjë apo jo, por pyet nëse me të vërtetë është i lirë dhe dëshiron ta pranojë Atë.

Lindja e Jezusit është zbulimi i Hyjit të Mëshirës dhe të Faljes: Më lejoni para se të mbaroj këtë mesazh, që të bej dy thirrje:

1-Le të jemi edhe ne të Mëshirshëm si Hyji: ku ka ngaterresa ose rreziku i gjakut: ju lutem që të pajtoheni;

2- Jemi në vështirsinë ekonomike. Krisa botërore ka prekur edhe vendin tonë. Bëj këtë thirrje tregtarëve: Në kohën e festave, ju lutem, mos shtoni çmimet ushqimeve… …dhe njëkohësisht Shteti të kontrollojë çimimet në treg. Familjeve më të pasura them: ndihmoni për familjet më të varfra, sipas parimit tim: “Shqiptari të ndihmojë shqiptarin më të varfër”.

URIME:

Urime Juve besimtarëve katolikë të Arqidioqezës së Shkodër-Pult: Kurajo le të ecim me shpresë sepse Zoti është me ne!

Urime Vëllezërve ortodoksë, të gjithë të krishtërëve dhe njerëzve vullnetmirë me fjalët e Engjëve: Lavdi Hyjit dhe Paqe njerëzve që Hyji i do!”

Urime të gjithë shqiptarëve, kudo që janë: në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Mërgim:  të jetojnë në paqe dhe mirësi!

Urime edhe politikanëve tona, që të gjithë të punojnë për të mirën e Shqipërisë. 

Në fund kërkojmë Paqen për Tokën e Shenjtë, në Betlehem, ku lindi Iezusi, në Irak, në disa kombet e Afrikës dhe në mbarë botë.

Për shumë vjet, gëzuar Krishtëlindjen dhe Vitin e Ri 2009.

Imzot Angelo Massafra