Scroll Top

Krishti vertet është ngjallur – 2009

KRISHTI VËRTET ËSHTË NGJALLUR

(Mesazhi për Mediat)

(Pashket 2009) – Shkodër, 11 prill 2009

   Të dashur vëllezër e motra në Krishtin, ju uroj të gjithëve Për shumë vjet Pashkët dhe uroj që të sjellë në shtëpitë tuaja harenë që veç ajo di të përçojë.

Pashkët janë qendra e jetës së të krishterit: “Kjo eshte dita e Krishtit Zot, aleluja!”: këndon liturgja. Eshtë dita i njeritu që ishte i vdekur dhe është ringjallur!

I Ngjalluri, shumë të dashur bij, është mes nesh dhe na bën pjesëmarrës të gjerësisë dhe të lirisë së ngjalljes së vet. Pashkët janë festa e jetës. Kremtojmë kapërcimin e vdekjes nëpërmjet jetës. Krishti e ka mposhtur vdekjen. Ai që shikon Pashkët gjen në to gjithë jetën e vet: gjen aty lotët, britmën e një braktisjeje, dhimbjen e padurueshme të një humbjeje, dhe njëkohësisht gjen në to një shpresë aq të madhe sa të mos mund të shprehet. Le të mbështetemi në Pashkët, në mënyrë që, sikurse Jezusin, Ati të na marrë në duart e veta edhe ne, në ato duar që mbajnë aq sa asnjë dorë tjetër nuk mund të mbajë. Vdekja është mposhtur… këto janë Pashkët, kjo është shpresa jonë e guximshme, e fortë dhe e guximshme. Dhe nuk është marri ta themi, ta përsërisim, ta tregojmë, ta shpallim dhe ta dëshmojmë këtë. Le ta ngrejmë vështrimin drejt Zotërisë së Ngjallur, le t’i ngulisim sytë tanë te sytë e tij, duart tona në duart e tij, le ta mbështesim kokën tonë në zemrën e tij, le t’i zëmë besë, të ngrihemi… të ecim dhe do të jenë Pashkë edhe për secilin prej nesh.

Dhe ashtu sikurse hapat e ngadaltë të grave, që po shkonin te varri që të qanin dhe të lyenin trupin e Jezusit sipas traditave hebraike, dhe sikurse hapat e trishtuar dhe të mundimshëm të nxënësve të Emausit, që po ktheheshin në shtëpi, të zhgënjyer prej vdekjes së Mësuesit, janë bërë hapa të shpejtë të atyre që, pasi kanë takuar të Ngjallurin, kanë një shpresë të pabesueshme për të jetuar e për të treguar, po ashtu duhet të jetë edhe për secilin prej nesh.

Duket si e pakuptimtë që të shpallet ngjallja e Krishtit në një kohë kur duket se bota është e mbushur me fatkeqësi si lufterat që janë në disa vendet e botës, si varferi si vrasjet, si kriza ekonomike, si korruption, si termeti etj…

Krishti është ngjallur së vdekuri. Përnjëmend është ngjallur.

Ai jep edhe shenja konkrete të ngjalljes se Tij, siç janë dy edhe pajtimë të ndodhur në Hoti i Ri në në Rranxa Bushat, , ku, në emër të Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ringjallur 4 familje katolike u pajtuan dhe janë ringjallur: kanë rifituar qetësinë, gëzimin dhe lirinë.

            Vëllezër e motra të dashur, lejoni pra që ngjallja e Krishtit të ngjallur ta përshkojë vazhdimisht jetën tuaj.

Prindër të dashur, i kuptoj problemet tuaj për familjen, për shtëpinë, për punën, për t’ardhmen e fëmijëve, për problemet ekonomike dhe shëndetësore, për shkollimin e fëmijëve, por mos lejoni që ndonjë nga këto shqetësime ta mposhtë fenë tuaj në Krishtin e ngjallur së vdekuri. Besojani atij jetën tuaj dhe përballojini vështirësitë porsi njerëz shprese.

Të dashur, pasi e kemi jetuar në mënyrë intime dhe personale misterin e Krishtit të vdekur e të Ngjallur, le të shkojmë, me hapa të shpejtë e të sigurtë, që t’ua shpallim të tjerëve: “Po, Jezu Krishti është ngjallur, e kam takuar në Eukaristi dhe Ai ecën me mua e me ju”.

Për të gjithë ju besimtarë të dashur, në veçanti për ju të sëmurë, uroj që Jezusi i ngjallur të jetë forca, shpresa dhe hareja e përhershme e jetës.

Urime të gjithë katolikëve dhe të Krishtërëve që festojnë Pashkët, brenda dhe jashtë Shqipërisë! Urime Ortodoksëve q festojnë Pahkët të dielë e ardhsme.

Krishti u ngjall! Gëzuar Pashkët!

Arqipeshkëvi Juaj