Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

HOMELIA PËR SALIKIMIN E DOM GJERGJ SIMONIT

Qofte lëvduar Jezu Krisht.

Mons. Rrok Gjonlleshaj, faleminderit se ke ardhur nga Malin e Zi

Mons. Dodë Gjergj, faleminderit se ke ardhur nga Kosova,

Mons. Arjan Dodaj

Mons. Gjergj Meta,

Mons.Simon Kulli,

Atë Antonio Leuci, Vikar Gjeneral i Lezhës,

Te dashur meshtar, Rregulltare dhe rregulltare,

Vëllezër e motra,

sot, taman si 25 vjet perpara (ishte 29 janar 1997) Zoti ka thirrur rreth altarit të tij dioqezen tone, Shkoder-Pult: atehere per t’ia besuar shpirtin e Kardinalit Mikel Koliqi, Sot per te dhene përshëndetjen e fundit vëllaut tonë meshtar Dom Gjergj Simonit. Edhe vdekja, që Shën Françesku i Azisit e çuante motër, mund të bëhet bartëse e shpalljes së një asambleje të shenjtë, e një takimi të popullit të shenjtë të Hyjit me të Amshuarin.

Në fakt, sa herë që kremtojmë Eukaristinë bëhet kjo mbledhje, megjithëse këmbët tona janë ende të forta në tokë; por zemra dhe shpirti ynë projektohen drejt atdheut të Qiellit ku, sipas Fjalës që dëgjuam në Ungjill, mund ta sodisim lavdinë e Jezusit.

Ndaj sot takohemi me të Amshueshmin dhe, njëkohësisht, kremtojmë takimin përfundimtar të dom Gjergjit me Krishtin, të cilin e deshi dhe i shërbeu gjatë gjithë jetës së tij, jo vetëm gjatë viteve të shërbesës së tij meshtarake. Për Krishtin dhe për Kishën, si dhe për lirinë e Atdheut, Dom Gjergji vuajti dhe luftoi edhe para shugurimit të tij meshtarak, që u bë shumë më vonë.

Në fakt, nëse ato fjalët që dëgjuam nga Shën Pali në leximin e parë do t’i vendosnim në gojën e dom Gjergjit, do të jepnin të njëjtin efekt tek ne që i dëgjuam: “Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. Nëse durojmë në qëndresë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk jemi besnikë – Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten” (2 Tim 2,11-13). Sa e bukur është dëshmia e guximshme e atyre që janë përballur me çdo vuajtje për të mos u ndarë kurrë nga Jezu Krishti!

Prandaj, ndërsa kremtojmë duke u lutur për shpirtin e dom Gjergjit, marrim si dhuratë edhe një dëshmi jete dhe feje. Ai na lë si trashëgim një thesar që ne nuk do ta kuptojmë kurrë plotësisht nëse nuk e jetojmë vetë atë: thesarin e fesë dhe të dashurisë besnike ndaj Krishtit.

Të gjithë e njohim kokëfortësisë e Dom Gjergjit për të dëshmuar me rast dhe pa rast; për të përçuar përvojën e tij; për të kujtuar me forcë rëndësinë e të jetuarit plotësisht në dashurinë e Hyjit dhe në shërbim të Krishtit dhe të Kishës, që janë bazat e lirisë së krishterë. I krishteri i vërtetë, në fakt, edhe kur e gjithë bota shkon kundër tij, u qëndron besnik premtimeve të veta pagëzimore, edhe nëse i duhet të japë jetën e vet.

Sipas mendimit të botës, sot Kisha e Shkodër-Pultit humbet një dëshmitar të saj; por, nga pikëpamja e fesë, nga ana tjetër, fiton një ndërmjetës që do ta vazhdojë nga Qielli punën e tij meshtarake të përgjërimit ndaj Atit të Mëshirës për familjen e tij kishtare.

Jemi të sigurt se ai do të lutet për këtë Kishë, për të gjitha nevojat e saja; mbi të gjitha do të lutet për thirrjet meshtarake. Nëse është e vërtetë (siç është e vërtetë!) që gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj, do të jetë gjithashtu e vërtetë se dëshmia e jetës së ofruar nga një prift mund të jetë fara e thirrjeve të reja.

Shumë i dashur dom Gjergj, sot jo vetëm se je bashkuar me Krishtin por, në Krishtin, je ribashkuar edhe me shpirtrat e lumë të vëllait tënd Imzot Zefit dhe të motrës sate Gjelinës: ata ishin engjëjt e tu fillimisht këtu në tokë dhe më pas nga Qielli në ecjen tënde, dhe tani ata të mirëpresin në banesat e amshueshme të përgatitura nga Shpëtimtari për shërbëtorët e tij: “Eja, shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në lavdinë e Zotit tënd” (Mt 25,21).

Shko në paqe, dom Gjergj, jo më në fe, por në pamje; jo më me shpresë, por duke i parë të realizuara ato fjalë të Psalmit të kësaj meshe: sodit dashurinë, besnikërinë, mëshirën dhe mirësinë e Zotit; shijo qetësinë pas mundimit dhe pas shqetësimeve të kësaj toke, shijo paqen që vjen duke ditur se jemi të falur dhe shpresa jote gjeftë ngushëllim në Zotin që nuk zhgënjen.

Dhe për ne, që ende ecim mbi këtë tokë, kërkojmë po atë besnikëri e dashuri për Krishtin dhe po atë guxim për ta dëshmuar atë… duke pritur që të takohemi në Parrizin, në shoqërinë e Virgjërës së Bekuar, të Martirëve tanë të Lumë dhe të të gjithë Shenjtërve të Qiellit. Amen.