Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Ditën e Tokës – 22 Prill 2022

22 prilli: Dita e Tokës, e cila tashmë festohet që nga viti 1970, por që vetëm vitet e fundit po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, edhe falë krizës aktuale të pandemisë para dhe tani të luftës në Ukrainë, jehonë shurdhuese e luftrave të shumta që zhvillohen ende në vende të ndryshme të globit.

Kemi ende shumë për të reflektuar mbi vlerën e jetës dhe një ndërgjegjësim serioz, sesa e rëndësishme është të investosh në “cilësinë e jetës” dhe jo thjesht të përpiqesh “të mbijetosh”, duket larg.

Po ashtu, duket se as thirrjet dhe fjalët që janë shpenzuar vitet e fundit për të kujtuar përgjegjësinë e përbashkët ndaj shtëpisë sonë të përbashkët nuk po japin efektin e dëshiruar, të paktën në sistemet e mëdha të cilat, duke u angazhuar për nënshkrimin e marrëveshjeve, caktojnë data të largëta për realizimin e ndryshimeve reale cilësore.

Por ndoshta ka një rrugëdalje që nuk kërkon ngadalësimin e hapit për të pritur vendimet e të mëdhenjve të tokës: është rruga “nga poshtë”, ajo që secili prej nesh mund të ndërmarrë me lehtësi dhe me pak mundim, duke vënë në veprim të gjitha ato masa paraprake që, nëse miratohen, mund të sjellin vërtet ndryshim.

Të nxitur nga enciklika e Papa Françeskut “Laudato si”, edhe bashkësitë fetare janë aktive në këtë drejtim dhe ia kushtojnë muajin shtator sensibilizimit të përvitshëm për këtë çështje. Megjithatë, sot është e rëndësishme që ta pyesim veten: a mund të ketë një angazhim për një shtëpi të përbashkët nëse familja njerëzore copëtohet nga tmerri i luftës?

Prandaj, angazhimi për ruajtjen e mjedisit duhet të jetë në gjendje të shkojë paralelisht me një ndjeshmëri dhe përgjegjësi të shtuar për paqen, jo aq si mungesë lufte, por si një qëndrim i brendshëm personal që duhet t’i prekë të gjitha fushat e jetës njerëzore.

Paqja që Krishti u jep ndjekësve të vet natën e Pashkës gjeftë hapësira reale konkretizimi në jetën e secilit prej nesh dhe i Ngjalluri i bekoftë përpjekjet e të gjithëve, besimtarë dhe jobesimtarë, për realizimin e një “ekologjie integrale” që e shpëton njeriun nga vetja e vet.

† Angelo Massafra O.F.M.
Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult
President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë
Ipeshkev Pergjegjes për ruajtjen e Krijimit CCEE 
Anëtar i Komisionit Baritor Shoqeror CCEE


Nga: CCEE