Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Deklarate – Denoncim

ARQIPESHKVIA METROPOLITANE KOMISIONI DIOQEZAN

SHKODER –PULT DREJTESIA E PAQE

DEKLARATE – DENONCIM

Drejtuar: Institucioneve Shtetërore, Qendrore dhe Lokale, Policisë së Shtetit, Organizatave Joqeveritare, Mediave visive dhe të shkruara dhe çdo personi vullnetmirë

Objekti: Marrja e masave urgjente për shuarjen e zjarreve dhe ndalimi e djegjes së pyjeve.

Komisioni Dioqezan Drejtësi dhe Paqe, si një strukturë e rëndësishme e Arqipeshkvisë Shkodër-Pult, e specializuar posaçërisht në promovimin, edukimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe ruajtjen dhe mbrojtjen e krijesës, e sheh me shqetësim situatën aktuale të djegies së pyjeve në Shqipëri.

Zjarrvënia, qoftë e qëllimshme apo aksidentale, po shkakton një dëm të pariparueshëm mjedisor, ekonomik dhe shendetesor si dhe po kërcënon seriozisht të ardhmen tonë dhe të femijëve tanë, sidomos në në këtë situate të vështirë pandemie.

Djegia e qindra-mijëra hektarëve pyje në të gjithë Shqipërine, përveç faktit që po shkakton një ndotje të jashtëzakonshme mjedisore dhe si pasojë po dëmton shëndetin e popullatës, po asgjëson një numër të pallogaritshëm drurësh frutorë dhe jo frutorë, te cilët duan dhjetra vite per tu rikuperuar.

Perveç kësaj, shpyllëzimi i zonave malore dhe kodrinore, krijon kushtet për rrëshqitje të tokës, depozitimin e dherave dhe inerteve në shtretërit e lumenjve dhe si pasojë shkakton përmbytje, të cilat kanë ndodhur pothuaj çdo vit në vendin tonë.

Gjithashtu, djegia e pyjeve shkakton zhdukjen e mijëra gjallesave te cilat jetojnë në ketë habitat, duke varfëruar në mënyrë të ndjeshme faunën e vendit tonë dhe duke çuar drejtë zhdukjes gjallesa të cilat rezultojnë të rralla, jo vetëm per vendin tonë por edhe për të gjithë rajonin.

Po ashtu, zjarri po zhduk sipërfaqe të tëra me bimësi të rralla mjekesore dhe etero-vajore, të cilat janë një burim i rëndesishëm të ardhurash për shumë familje shqiptare.

Duke patur parasysh se vendi ynë shquhet në të gjithë rajonin për atraksionet e veçanta turistike, për bukuritë e jashtëzakonshme natyrore, demtimi i pyjeve do të shkaktojë renien e vizitorëve dhe si rrjedhojë edhe reduktimin e të ardhurave për shumë familje, si dhe për vetë shtetin shqiptar.

Të ndodhur para kësaj situate dhe te vetëdijshëm për seriozitetin e saj, Komisioni Dioqezan Drejtësi dhe Paqe, i bën thirrje të gjitha Institucioneve Shtetërore, Qendrore dhe Lokale, Organizatave të ndryshme që merren me problematikat e mjedisit dhe çdo person vullnetmirë, të angazhohen në menyrë te menjëhershme dhe serioze për marrjen e masave konkrete në fikjen e vatrave të zjarrit kudo që ato janë.

Gjithashtu i bëjme thirrje organeve ligjzbatuese që të bëjnë identifikimin dhe ndalimin, sipas ligjit, të të gjithë personave apo grupeve të personave që në mënyrë të qellimshme i vënë zjarrin pyjeve, duke e konsideruar këtë, një vepër kriminale me pasoja shumë të rënda për të ardhmen e vendit tonë.

Te nderuar qytetarë, të gjithë konstatojmë me hidhërim që fatkeqësisë për shkak të pandemisë Covid 19 i shtohet edhe ajo e shumë zjarrëve të shkaktuar nga dora e njeriut.

Komisioni Dioqezan Drejtësi dhe Paqe, do të vazhdojë të jetë një zë fuqishëm në drejtim të mbrojtjes se mjedisit, banesës sonë të përbashkët pasi, siç na meson në Encikliken e Tij, “Laudato Sii” (Ti qofsh Lëvduar) dhe siç ka thënë Papa Françesku me 22 prill 2020, në 50 vjetorin e Ditës Botërore të Tokës: “ZOTI FAL GJITHMONË, NE NJEREZIT FALIM NDONJËHERË PO DHE NDONJËHERE JO, TOKA NUK FAL KURRË”.

Me Respekt

Luigj Mila

Sekretar i Pergjithshëm i Komisioni Dioqezan Drejtësi dhe Paqe

Imzot Angelo Massafra OFM

Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult

President i Komisioni Dioqezan Drejtësi dhe Paqe