Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

NËNTËDITËSHJA E KRISHTLINDJES 2023 – 23 dhjetor

Profecia e Malakisë që dëgjuam në leximin e parë e gjen përmbushjen e saj në lindjen e Gjon Pagëzuesit, e cila na është rrëfyer në Ungjillin e sotëm ku një rol të rëndësishëm luan zgjedhja e emrit, që në varësi të etimologjisë do të thotë “dhuratë, hir i Hyjit”, ose “Zoti ka dëgjuar”, ose “Zoti është i mëshirshëm”.

Në çdo rast, emri i Gjonit tregon edhe misionin e tij, atë për t’i treguar botës praninë e Mesisë.

Si mund të jetë i dobishëm ky tregues për ne në lidhje me reflektimin për familjen e krishterë? Në dy mënyra: e para është se na kujton, siç u tha në një tjetër meditim të mëngjesit, dimensionin misionar të familjes, si një shfaqje dhe dëshmi për botën e dashurisë që Hyji ka për njerëzimin. Por edhe rëndësinë që kanë prindërit për t’i udhëhequr fëmijët e tyre në zbulimin e thirrjes së tyre si rezultat i vendosjes së tyre në një marrëdhënie personale me Hyjin. Prandaj nuk do të zgjatem më shumë në këtë aspekt, pasi kemi folur më përpara për të.

Ndërsa, e dyta ka të bëjë me një fakt shumë më praktik, siç ishte për prindërit e Gjonit: zgjedhja e emrit bazuar në fenë vetjake. Një familje e krishterë dallohet edhe nga ky aspekt, i cili nuk lë vend për laicizëm apo mondanitet, por në zgjedhjen e emrit në momentin e pagëzimit di të mbajë parasysh se ai bir, ajo bijë, pushon së qeni thjesht fryt i njeriut dhe bëhen bij të hirit.

Prandaj, duhet të konsiderohet me rëndësi të madhe fakti që t’u jepet një emër i krishterë fëmijëve, që frymëzohet nga Bibla, ose të paktën emri i ndonjë shenjti dhe, në rastin e një emri pa një shenjt mbrojtës, që të ketë të paktën një referim të krishterë.

Kjo na kujton të gjithëve rëndësinë e të qenit gjithmonë në marrëdhënie me “hyjnorin” nga i cili marrim thirrjen për shenjtëri dhe jetën e hirit, në mënyrë që jeta jonë të jetë gjithmonë e orientuar drejt Hyjit dhe të mirës; jo e mbyllur brenda sferës së ngushtë të veçantisë sonë, por e hapur ndaj nevojave të botës dhe misionit të dëshmisë që na u besua në ditën e Pagëzimit tonë.

Prandaj të lutemi me Psalmin e sotëm:

Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua

e m’i mëso shtigjet e tua.

Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,

sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im” (Ps 25,4-5). Amen!