Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

NËNTËDITËSHJA E KRISHTLINDJES 2022 – 21 dhjetor

VIRTYTET TEOLOGALE DHE VIRTYTET KRYESORE

Reflektimi ynë sot përqendrohet te virtytet, ndër të cilat më e madhja është dashuria hyjnore. Dashuria për të cilën dëgjuam në leximin e parë është e njëjta dashuri që shprehet me gjeste konkrete bamirësie, si ajo e Marisë, të cilën e pamë në Ungjill duke shkuar te kushërira e saj Elizabeta për ta ndihmuar atë.

Virtytet janë vendime të qëndrueshme për ta praktikuar të mirën dhe këto virtyte përsosen përmes zakonit. Ato mund të jenë njerëzore ose teologale: virtytet njerëzore fitohen përmes mësimit dhe praktikës, virtytet teologale janë rezultat i pranisë së Shpirtit Shenjt në ne, i cili vepron përmes aftësive tona dhe kompenson dobësitë tona.

1. Feja. Na bën të besojmë në Hyjin Trini, i cili është Atë Krijues, Bir Shpëtues dhe Shpirt Shenjt Shenjtërues. Vetëm me anë të fesë mund ta njohim të Vërtetën e Hyjit Tejetlartë, zbuluar në Shkrimet e shenjta. Është një dhuratë. Feja teologale është shumë më e sigurt se besimi natyror që kemi për shembull te njerëzit. Nëpërmjet dhuratës së fesë, besojmë në Zbulimin hyjnor të shfaqur tek ne në rrjedhën e krijimit dhe të njerëzimit: nga profetët, nga Biri i Hyjit që është Fjala e Amshuar, nga dëshmia e apostujve, nga magjisteri i Kishës.

2. Shpresa. Është virtyti nëpërmjet të cilit shpresojmë fort te Hyji dhe në gjithçka që Ai ka rezervuar për ne, si në këtë tokë ashtu edhe në amshim, që Ai e vë brenda mundësive tona duke respektuar vullnetin tonë të lirë për ta pranuar ose për ta refuzuar atë. Shpresa teologale na ndihmon t’i përballojmë dhe t’i kapërcejmë pengesat, duke e ditur se Hyji është në anën tonë. Maria është një shembull i përsosur i shpresës teologale kundër çdo shprese thjeshtë njerëzore, sepse ka ruajtur sigurinë e plotë dhe të patundur se, pavarësisht vuajtjeve, heshtjeve, kryqit dhe vdekjes, Hyji nuk zhgënjen kurrë. Virgjera Mari shpresonte te Hyji dhe nuk u zhgënjye kurrë.

3. Dashuria hyjnore ose Dashuria teologale. Nuk është bamirësi apo filantropi e thjeshtë, por plotësia e dashurisë, sepse është pjesëmarrja jonë në Dashurinë e Hyjit, e cila është Dashuria e pastër. Hyji është Dashuri dhe na fton që të marrim pjesë në Të nëpërmjet virtytit teologal të dashurisë hyjnore, përmes të cilës ne e duam Atë mbi gjithçka dhe e duam të afërmin tonë si vetveten, të gatshëm për të dhënë jetën tonë për dashuri.

Virtytet teologale janë: fea, shpresa dhe dashuria.

Virtytet  kryesore janë Urtia-Maturia, Drejtësia, Forca dhe Përmbajtja.

Pra, këto janë boshti i një jete të virtytshme.

1. Urtia – Maturia. Është virtyti sipas të cilit dimë t’i zgjedhim mjetet e duhura për të bërë të mirën dhe për ta shmangur të keqen. Kjo zgjedhje vendimtare duhet bërë shumë herë gjatë gjithë jetës dhe në rrethana nga më të ndryshmet.

2. Drejtësia. Është virtyti që na shtyn t’i japim gjithsecilit atë që i takon, duke përfshirë edhe veten dhe Hyjin. Kur dikush mëkaton kundër drejtësisë, pendimi dhe Rrëfimi nuk mjaftojnë: dëmi që i kemi shkaktuar personit duhet të riparohet. Drejtësia në thelb është e lidhur me shenjtërinë dhe shfaqet në respektimin e urdhërimeve, në luftën për ta mbajtur shpirtin të bashkuar me Trininë e shenjtë nëpërmjet hirit shenjtërues dhe në besnikëri ndaj detyrave të gjendjes së gjithsecilit: laike, priftërore, bashkëshortore.

3. Forca. Është virtyti që na jep siguri në çdo gjë që bëjmë, veçanërisht në vështirësi dhe pengesa, duke na ndihmuar që ta kapërcejmë frikën. Ajo na jep mbështetje dhe qëndrueshmëri në kërkimin e të mirës, duke na bërë që t’u rezistojmë tundimeve dhe t’i kapërcejmë pengesat në jetën morale.

4. Përmbajtja. Është virtyti moral që moderon tërheqjen ndaj kënaqësive dhe kërkon ekuilibrin në përdorimin e të mirave të krijuara (KKK, nr. 1809). Përmbajtja është virtyti që na bën t’i përdorim të mirat e përkohshme me masë: ushqimin, pijen, gjumin, argëtimin, seksin, rehatinë… Përmbajtja na mëson se për përdorimin e çdo të mire ka një kohë të duhur, një kontekst dhe një sasi e përshtatshme.

Ta përsërisim shpesh sot dhe gjithmonë në jetën tonë këtë lutje: “Na i jep, o Zot, virtytet e shenjta”.