Scroll Top

Zotëria u ringjall, aleluja, aleluja! – Pashkë 2013

Zotëria u ringjall, aleluja, aleluja!


Të dashur vëllezër e motra, Janë Pashkët e Zotërisë!
Në dyzet ditët e kreshmëve, duke nisur prej së mërkurës së përhime, të bashkëndarë në kremtimet eukaristike, veçanërisht në atë të së dielës, jemi munduar ta jetojmë gjallërisht këtë kohë, nëpërmjet agjërimit, lëmoshës dhe sidomos duke u lutur më shumë. Kemi shoqëruar Zotërinë në ecjen e tij t ëtundimit dhe të luftës kundër shpirtit të së keqes. Jezusi, në shkretëtirë është ushqyer me Fjalën e Zotit, prej së cilës ka marrë forcën që të vazhdojë ecjen dhe të lëshohet krejtësisht në vullnetin e Atit. Edhe ne jemi ftuar gjatë kreshmëve ta dëgjojmë më shpesh dhe më me zell Fjalën e Hyjit, të ushqehemi me Bukën e gjallë, Eukaristinë, për ta përballuar më mirë rrugëtimin e jetës sonë.
Në Mundimet kemi parë një Jezus njerëzor, shumë të afërt me ne, një Jezus që ka prekur fundin e kelkut njerëzor, dhe kjo na jep guxim për të përballuar vuajtjet tona të vogla e të mëdha, luftërat e mundimet tona. Kemi soditur Jezusin në Kopshtin e Ullinjve, në dramën e tij të vuajtjes së

patregueshme, një dramë e përbërë prej lotësh, gjaku, britmash. Në ato orë vuajtja arrin kulmin e vet, Jezusi i braktisur edhe prej miqve e nxënësve të vet, në ankthin e vet, i shtrirë përtokë, i kërkon Atit që ta lirojë prej atij kelku të hidhur, por shton, “O Atë, u bëftë vullneti yt, jo i imi”.
Pikërisht në kryq DASHURIA prek kulmin më të lartë të të gjitha kohëve.
Me të drejtë Liturgjia e Pashkëve është një shpërthim hareje, gëzimi, sepse Krishti me të vërtetë është ngjallur, varri i tij është i zbrazur dhe është i pushtuar prej dritës. Kisha këndon: “Le të gëzojnë, me të drejtë, qiejt, dhe le të galdojë toka! Le të festojë gjithësia, e dukshme dhe e padukshme: sepse Krishti është ngjallur, hare e amshuar”. E gjithë historia e shëlbimit, dramë e madhe dashurie, e arrin kulmin e vet në ngjalljen e Krishtit. Një ngjallje me kapacitet kozmik, sepse e tërë gjithësia është e thirrur të gëzojë pasi ka qarë dhe ka vuajtur prej llahtarit të mundimeve dhe të kryqit të Hyjit e Zotit të vet.
Por ne, që dëshmojmë se jemi të krishterë dhe katolikë, a besojmë me të vërtetë në ringjalljen? E atëherë pse i japim kaq pak kohë Hyjit dhe

shërbimit të tij? Viti i Fesë që jemi duke jetuar është një hir, një mundësi më shumë që Zoti na jep për të vënë përsëri rregull në jetën tonë, për t’u dhënë me të vërtetë rëndësi gjërave që kanë rëndësi. Është një mundësi që na jep Zoti për t’u kthyer nga Ai dhe për ta përforcuar fenë tonë, “Besoj në ty, o Zot, por Ti shtoje fenë time”.
Zoti Jezus është Ringjallur. Është i Gjalli! Ai është afër nesh si drita e ditës dhe ajri që thithim. I Ringjalluri na dhuron Shpirtin Shenjt, na fal dhe na fton në botë për të qenë dëshmitarët e tij, ungjillëzuesit e tij dhe vepruesit e së mirës, të paqes, të faljes dhe të drejtësisë.
Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët Katolikëve e të Krishterëve, brenda e Jashtë Shqipërisë.
GËZUAR PASHKËT
Arqipeshkvi Juaj