Scroll Top
19th Ave New York, NY 95822, USA

Urimi i Imzotit Angelo Massafra me rastin e Pashkes 2010

Bij e bija fort të dashur,

          Me gëzim të madh edhe këtë vit po ju drejtohem të gjithëve ju për t’ju uruar sinqerisht dhe përzemërsisht Përshumëvjet Pashkën në gëzimin e Krishtit të ngjallur.

         Fort të dashur, kjo është një siguri, kjo është feja jonë, kjo është e ardhmja e jetuar në të tashmen, e ardhmja për të cilën jemi të thirrur. Patjetër, në Pashkën e sivjetshme, mendimi im shkon te shumë vëllezër e motra që kanë përjetuar përvojën e tmerrshme të përmbytjes në muajt që kaluan dhe që akoma vuajnë dëmet e shkaktuar nga ky shkatërrim.

         Por nuk mund të rri, nga njëra anë, pa ju inkurajuar sidomos ju bij të dashur, që të jeni të sigurt se nuk jeni të vetëm, nga anë tjetër, pa falënderuar Meshtarët dhe Motrat, të cilët ju kanë qëndruar pranë në ato ditë të vështira. Përvoja e Pashkës është gjithnjë një përvojë lirimi me ngjalljen e Jezusit. Ka kaluar vdekja… kjo është Pashka.

         Kjo është shpresa jonë e guximshme dhe këmbëngulëse. E nuk është marri ta themi, ta përsërisim dhe ta shpallim. Shpesh e jetojmë jetën tonë sikur në zemër të kemi atë shkëmbin që mbyll varrin e Lazrit: prandaj lutem, për mua dhe për secilin prej jush, që çdo ditë të jetës sonë, sido që të jetë situata jonë, të dimë të rilindim nga rrënojat tona për të kuptuar se vetëm Zoti i Ngjallur mund ta bëjë të re jetën tonë, mund të na japë gëzimin e të ndierit në shtëpinë tonë vetëm në praninë e Tij.

         Jezusi është ngritur nga varri në mënyrë që ne të mund ta gjejmë sërish guximin për t’u ngritur nga varret tona, nga varret e frikës dhe të trishtimin tonë, nga dorëzimi dhe ankesat tona. Të ngjallesh do të thotë të ngrihesh edhe një herë e të kesh guximin ta rifillosh jetën. Të ngrihesh nga dobësia jote dhe ta lësh mëkatin e rëndë.  Vetëm duke kuptuar këtë, bij fort të dashur, do të mund ta kuptojmë se në këtë ditë vdekja është mundur nga dashuria, nga dashuria që Hyji ka pasur për krijesën e Vet të dobët dhe mëkatare, por që gjithnjë është e përshkuar nga dëshira për të gëzuar harenë e amshuar të Parrizit. E, sikurse hapat e ngadaltë të grave që po shkonin te varri i Jezusit dhe ata të nxënësve të Emausit u bënë hapat e shpejtë të atij që ka një shprese të pamasë për ta jetuar dhe treguar, kështu do të jetë edhe për hapat tanë.

         Le t’i urojmë njëri-tjetrit ditë paqeje dhe qetësie, atë paqe dhe qetësi që na vjen nga një zemër e ripërtërirë nga drita e mëngjesit të Pashkës, ku heshtja e natës ka përgatitur tokën për këngën e mëngjesit, këngë në të cilën mund të bashkohemi të gjithë: Krishti, Pashka jonë, është Ngjallur për ne! Aleluja.

         Më lejoni t’u uroj Burrave dhe Grave të Shtetit, të gjithë Politikanëve tanë, që të ndërtojnë dialogun e sinqertë dhe frytdhënës, pa humbur më kohë, dhe që të gjithë të angazhohen për mirëkuptimin e së mirës së përbashkët dhe për përparimin e Shqipërisë, për të tejkaluar sa më shpejt krizën aktuale politike dhe ekonomike.

      Të gjithëve ju, besimtarë të dashur, në veçanti ju të sëmurëve, ju uroj që Jezusi i ngjallur të jetë forca, shpresa dhe hareja e përhershme e jetës suaj dhe e të gjithëve.

Urime të gjithë katolikëve, Ortodoksëve dhe të Krishterëve, brenda dhe jashtë Shqipërisë! Gëzuar Pashkën! Krishti u ngjall, Aleluja!

†Angelo Massafra

Arqipeshkëv